JO MË SHQIP, MEDET (poezi)

plava

 

 

 

 

JO MË SHQIP, MEDET

Ke kroi i Vashës
dhe Gurrat e Ali Pashës
të mbushë sytë ç´mallje
dola
nuk di ç´fola
e ç´pamje vola!

Nuk pashë
vashë
as Ali Pashë,
s´piva ujë gurrash
por, lotë grashë
e gjak burrash!

Nga shtatë plagët e Jakup Ferrit
që n´trup i patë,
shatëdhjetë e shtatë
tokës përgjatë
të larë në gjak,
dergjej e ngratë
n´atë lëngatë!

As gaz lojnash,
as kangë vashash,
jo jo, as majekrahçe burrash
nuk dëgjova,
veç hingërizje devojkash*,
hingëllimë junaqësh**
e vajtim gurrash,
kahdo shkova!

Eh, n´Risan
as emër s´kam,
n´Tivar,
kjesh
po s´jam shqiptar!

N´Guci e Plavë,
Peshterë e Rozhajë,
zemra vlon valë
veç n´ofshamë e vajë,
Sanxhaku im
lëngatë
e gjatë
e shpirtit tim!

Një sagë
e dhimbshme,
plot maraz
dhe zymtësi n´Prag!

Mentor Thaqi VS., 19.12.2012
Devojkash* sllavisht – vajzash (vashash)
junaqësh**, poashtu sllavisht, trimash