Në shenjë të 71 vjetorit të vrasjes së Aqif Blytës

Acifefendija

 

Sanxhaklinjtë dhe shqiptarët e Kosovës janë vëllezër të pa ndarë. Prandaj, ka qenë dhe është e natyrshme që historikisht të jenë pranë njëri-tjetrit. Është e rëndësishme të thuhet se shqiptarët e Kosovës, sanxhaklinjtë por edhe turqit në Kosovë e Maqedoni, ndërmjet dy luftërave botërore, ishin të lidhur ngushtë mes veti. Lidhja është krijuar nëpërmes partisë së përbashkët Xhemijet al-Islami.

Ismet Azizi

Xhemijeti bashkonte myslimanët dhe shqiptarët. Në verën e vitit 1919, në Shkup, Aqif Blyta (1887- 1945), përfaqësues nga Sanxhaku, mori pjesë në kongresin themelues të organizatës ”Xhemiet” (Bashkimi). Blyta u shqua si aktivist i kësaj organizate dhe u zgjodh sekretar. Më 1920 u zgjodh kryetar i bashkisë së Novi Pazarit. Pasi që anëtarët e Xhemijetit nuk pranuan të jenë nën diktatin e mbretit Aleksandër dhe të Nikolla Pashiqit, në vitin 1924  u ndalohet veprimtaria. Që nga ky vit e deri në vitin 1990 shqiptarët dhe popujt tjerë jo serb nuk kanë pasur parti të tyre politike.

Në zgjedhjet parlamentare të viteve 1920, 1925, 1927, 1933, 1935 dhe 1938, ndonëse ishte përfaqësues më në zë i popullsisë së trevës së Sanxhakut, për shkak të manipulimeve dhe grabitjes së votave nga autoritetet serbe, nuk u zgjodh asnjë deputet në parlamentin e Mbretërisë Serbo Kroate Sllovene, përkatësisht të Mbretërisë së Jugosllavisë (1929-1941). Një gjë e tillë u  arrit vetëm në zgjedhjet e vitit 1923. Në parlamentin jugosllav Aqif Blyta u shqua si përkrahës dhe bashkëpunëtor i afërt i Ferhat Dragës; kundërshtar i vendosur i politikës së ndjekur nga qarqet serbe, për shpronësimin dhe shpërnguljen me dhunë të popullit shqiptar.

Acif_efendija

Populli i Sanxhakut i është mirënjohës Aqif Blytës posaçërisht për shkak të angazhimit të tij në pengimin e shpërnguljes së popullsisë nga Sanxhaku për Turqi. Aqif  Blyta, duke qenë personaliteti më i rëndësishëm i organizim ushtarak dhe politik, ishte në shënjestër të tri atentateve të organizuar. Për dy atentatet e para ishin përgjegjës nacionalistët serbomëdhenj nga Beogradi, ndërsa për atentatin e tretë kanë qenë komunistët vendas të Sanxhakut të cilët për ekzekutues kishin caktuar Hasë Rozhajën. Por, komunistët më vonë u tërheqën nga ky vendim.

Kah fundi i vitit 1941 Blyta organizoi mbrojtjen e Novi Pazarit nga çetnikët të cilët depërtonin nga Rashka. Qëllimi i çetnikëve ishte marrja e Novi Pazarit dhe mandej e tërë Sanxhakut me qëllim të shfarosjes së popullsisë shqiptare dhe myslimane. Ngjarjet që u zhvilluan tutje treguan se Aqif Blyta me ushtrinë e tij të formuar, me ndihmën e njësive nga Peshteri dhe me ndihmën që i arriti nga vëllezërit nga Kosova nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës, Mulla Zekë Bërdynës dhe Sak Fazlisë, arritën t’i mbrojnë këto territore nga çetnikët.

Pas depërtimit të forcave partizane jugosllave në ato treva, Aqif Blyta nuk deshi të arratiset jashtë vendit dhe iu dorëzua organeve të pushtetit partizan në Gjakovë, të cilët e dërguan në Novi Pazar. Mbas torturave mizore, bashkë me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë, Ahmet Daci, dhe me krerët tjerë eminent u ekzekutuan  publikisht në Haxhet (lagje e sotme e Pazarit të Ri) me 21 janar 1945 nga OZNA. Pra, atë që nuk arritën ta bëjnë çetnikët e Drazha Mihajloviqit ndaj popullatës së Sanxhakut të Novi Pazarit, e bëri pushteti “popullor” serbo-komunist. Në muajt e parë nga marrja e pushtetit, u ekzekutuan rreth 2000 persona shumica e tyre shqiptarë në krye me udhëheqësin politik e ushtarak të Sanxhakut, Aqif Blytën. Aqif Blyta ose Aqif Haxhiahmetoviq, nga populli i Sanxhakut të Novi Pazarit njehet edhe si Aqif-efendia.

Për bashkëpunimin e kosovarëve dhe sanxhaklninjëve për mbrojtjen e Novi Pazar shkruan dhe Ejup  Mushoviç:

Kah fundi i vitit 1941 Aqif  Effendiut organizoi mbrojtjen e Pazarit kundër sulmit të çetnikëve. Taktika çetnike ishte që  Sanxhakut  të  shtypej nga të gjitha anët, së pari nga drejtimi i Bosnjës Lindore, mandej nga  Malit i Zi ndërsa nga ana e Serbisë nga drejtimi i Ivanjicës dhe Rashkës. Qëllimi ishte për tu marrë Novi Pazari kurse popullsia e saj të vritet dhe të  dëbohet. Megjithatë, ngjarjet kanë treguar se rezistencën më të madhe e ka bërë pikërisht vetë popullsia e Novi Pazarit, e ndihmuar nga njësitë e Peshterit dhe njësitë e kosovare  të udhëhequra nga Shaban Polluza, i cili në Novi Pazar erdhi pasi ishte ftuar për ndihmë nga Aqif Blyta.

Menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe hyrjes së partizanëve në qytete të Sanxhakut qeveria komuniste  mori vendimin që me procedurë të shpejtë të ndëshkojë të gjithë ata të cilët sipas vlerësimit të tyre nuk ishin në  linjë të regjimit. Në shënjestër të sunduesit të sapoardhur u gjetën pothuajse e gjithë elita e asaj kohe, e cila nuk ishte anëtarë të lëvizjes serbo komuniste-partizane.

Bombardimet e alenacës veri-atlatike në Pazar të Ri, pas bombave të hedhura në Haxhet, krijuan kratere të cilat u përdoren si varre masive për të gjithë sanxhaklinjtë e ekzekutuar. Deri më sot, asnjë nga këto varreza nuk janë evidentuar-shënuar. Por, aktivitetet që po ndërmerr Bashkësia Islame dhe Këshilli Kombëtar Boshnjak për të sqaruar ngjarjet që lidhen me krimin kundër popullsisë japin shpresë se një gjë e tillë do të ndodhë.

Mbledhja e provave të shkruara dhe dëshmitë e regjistruara të bashkëkohësve dhe të pasardhësve të viktimave do të mundësojë të shënohet vendi i krimit.

Ekzekutimet e sanxhaklinjëve në Haxhet janë kryer në shumicën e rasteve me procedurë të shpejtë, pa asnjë procedurë gjyqësore, pa të dhëna dhe dokumentacion të shkruar. Njerëzit janë marrë gjatë natës me forcë nga shtëpitë e tyre dhe janë dërguar në vendin e përmendur për t’i ekzekutuar. Në atë kohë filloi grabitja e pronës së njerëzve më të pasur. Anëtarët e OZNA kanë përcjellë njerëzit me autoritet dhe kanë regjistruar të gjithë ata që kanë pasur ndonjë lloj kontakti me të ekzekutuarit. Menjëherë pas kësaj kanë filluar arrestime masive. Të arrestuar janë marrë në burg, i cili ndodhej pranë ndërtesës së gjykatës së atëhershme. Dëshmitarët thonë se torturat ishin aq mizore, sa që banorët e lagjes janë detyruar të largohen në pjesë të tjera të qytetit, sepse nuk mund të përballoheshin britmat e atyre që ishin prapa mureve të burgut.

Njerëzit u ekzekutuan kryesisht gjatë natës. Një përjashtim i rrallë ishte kryetari i komunës dhe prijësi politik e ushtarak, Aqif Blyta, të cilin e ekzekutuan në mes të ditës së bashku me bashkëpunëtorin e tij Ahmet Dacin. Ekzekutimi është bërë publikisht në mënyrë që të shërbej si një paralajmërim për ata që e kishin përkrahur dhe adhuruar Blytën.

Pas ngjarjeve në Haxhet filloi një valë e emigrimit në Turqi, si dhe më vonë një valë edhe më masive emigrimit, do të përsëritet në kohën e Aleksandër Rankoviqit.

Husein Zatriqi nga Novi Pazari, për ngjarjet e kësaj kohe, thotë:

“Atëherë kryetar i gjykatës ishte njëfarë Xhorxhe Peruniqiqi, i cili e ka dërmuar popullin. Në Haxhet përveç  Aqif Efendiut, më kujtohet se është ekzekutuar Ahmet agë Daca, Qamil Karishiku, Ibrahim-lbro Rasovci (i biri i Salih-beg Rasovcit), Abit Grboviqi – Sheqerxhia, Azem Balina, Mehmed Qilerxhiqi, Hasib Nikshiqi, Iso Hrvaqa, Amir Brunqi, Osman Zvizdiqi nga Senica dhe shumë të tjerë. Numri i të ekzekutuarëve ishte tmerrësisht i madh. Nuk më kujtohen të gjithë ata të pafat të cilët kanë humbur jetën edhe pse ishin në rrugë të Perëndisë. ”

Dëshminë autentike për ekzekutimin e Aqif Blytës dhe Ahamet Dacit, dy prijësve më eminent të Sanxhakut, i ka lënë plaku Jusuf  Poplata nga Novi Pazari i cili jeton në Stamboll. “Më kujtohet si sot“, e fillon tregimin  shtatëdhjetëvjeçari Jusuf  Poplata:

“Në çarshi jehoi lajmi se të nesërmen në Haxhet do të pushkatoheshin Aqif Efendia dhe Ahnet Daci. Unë në atë kohë si 15 vjeçar, isha në policinë partizane. Nga kureshtja u nisa të dal në Haxhet me shokun tim Medë Rozhajën. Të reshurat e borës kishin arritur trashësinë deri në gjunjë. Populli ishte tubuar në livadhet e Haxhetit të cilat ndodheshin në anën e djathtë të spitalit të sotëm. Dikur aty ka qene një fushë futbolli. Në livadhe përveç masës së popullit kanë qenë edhe rreth 300 ushtarë. Ata kanë qenë të rreshtuar përballë neve. Të gjithë me shikim ishim të kthyer kah burgu i qytetit nga i cili pritnim të dilnin Aqif Efendia dhe Ahmet Daci. Nuk kaloi shumë kohë dhe dolën të lidhur këmbë e duar. Ushtarët i sollën deri te shtyllat telefonike dhe i lidhën për shtylla me zinxhir me duar mbrapa. U dha komanda që të bëhet pushkatimi. Dhjetë ushtarë dolën para tyre. Oficeri partizan dha komandën që të pushkatohen. U dëgjuan refalet dhe që të dy lëshuan kokat poshtë. Doktori Benqan, një slloven i cili punonte në Novi Pazar, ishte i caktuar të konstatoj vdekjen e tyre. Ua vuri dorën në qafë për të vërtetuar pulsin  dhe ua bëri me dije se Amet Daci ende ishte gjallë, sepse ende i rrihte zemra. Një partizan i “vogël”, i cili ende nuk i kishte as 14 vjet, iu ofrua, nga kraharori nxori pushkën automatike gjermane  dhe e qëlloi Ahmet Dacin në kokë. Nga koka gjaku shpërtheu në të gjitha anët. Pastaj nga këmbët ua hoqën këpucët (opingat), çorapet e leshit, orët nga dora dhe kaputat. Neve na urdhëruan që të shpërndahemi dhe se çka ka ndodhë me trupat e tyre askush nuk e din”.

Në mënyra të ndryshme pleqtë e moshuar i kujtojnë momentet e së kaluarës  dhe shprehin respekt për njeriun më të çmuar të kësaj treve. Por, edhe gjeneratat e reja me krenari përkujtojnë Aqif Blytën.

Për krimet që janë kryer nga  partizanët pas vitit 1945, kur lufta kishte përfunduar në Sanxhak, shkroi Husnija. H. Çengiç në “Muslimanski Glas” të 05 korrik 1991:

“Kur çetnikët përfunduan masakrat ndaj popullsisë së Sanxhakut, ato pastaj i filluan partizanët. Partizanët, për dallim nga çetnikët, vranë vetëm të rriturit, intelektualët, parinë e qytetit, ata të cilët nuk u pajtua me ideologjinë komuniste. Ata i vranë me një procedurë të thjeshtë. I nxirrnin nga shtëpitë, i arrestonin me shpejtësi, i merrnin në pyetje, “i gjykonin”, i dënonin dhe i ekzekutonin. Ky gjenocid komunist është dukshëm më i vogël, por për nga cilësia shumë më i vështirë. Pra, në Haxhet të Novi Pazarit janë vrarë një numër i madh i dëshmorëve, njerëz të pafajshëm të cilët paguan çmimin për shkak se kanë luftuan kundër çetnikëve. Çetnikët i kapnin, i sillnin nga  pylli, i merrnin në pyetje, iu kërcënoheshin që të mos kthehen në radhët e çetnikëve. Atyre iu falën të gjitha  mëkatet, sepse qysh në nëntor 1944 çetnikët u amnistuan por jo edhe të tjerët.”

Popullit të Sanxhakut iu deshën 50 vjet kohë për të mbledhur forcë për rehabilitimin e Aqif Blytës, i cili është një nga figurat më të ndritura të Sanxhakut dhe më gjerë. Populli i Sanxhakut këtë e bëri nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Këshillin Kombëtar Mysliman të Sanxhakut (sot Këshilli Kombëtar Boshnjak ) më 11 maj 1991. Megjithatë, intelektualët e Sanxhakut ende janë në pamundësi të ballafaqohen me bërthamën e kësaj çështjeje, me përpunimin në aspektin shkencor të rolit dhe rëndësisë së milicisë myslimane në Luftën e Dytë Botërore, prijës i së cilës ishte Aqif  Blyta.

Me disa përjashtime, siç janë Mustafa Memiq, Safet Banxhoviq dhe historiani Esad Rahiq, mandej edhe Instituti për Hulumtimin e Gjenocidit të Komunizmit në Sanxhak, po japin kontribut të çmuar, por ende nuk është ndriçuar e vërteta historike e kësaj treve, e cila deri atëherë ka qenë e populluar me shumicë shqiptare, për të cilën sot rrallë kush flet.

Esad Rahiq me të drejtë shtron pyetjen: ‘A janë “kuislingët” lokal si Aqif  Blyta, Ahmet Daci, Bilall ( 1909) dhe Dervish Dreshaj (1907) nga fshati Gllogovik, Peshter, me të vërtetë tradhtarë, apo anasjelltas, të cilët ishin njerëz shumë të guximshëm që shpëtuan qytetin tonë nga gjenocidi i plotë? Këtë dhe shumë çështje dhe dilema të tjera mund të zgjidhen vetëm me një studim të plotë, konciz dhe me kritere të vërteta të bazuara në të vërtetat historike’.

Ndërsa Prof. Admir Muratoviq për shqiptarët në raport me gjermanët dhe fashizmin në një analizë të tij nënvizon: “Miladin Popoviq, delegat i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste  për Kosovë, duke iu drejtuar në vitin 1946 në një “takim të partisë” në Mitrovicë ka thënë: shqiptarët gjatë Jugosllavisë së vjetër ishin të shtypur, grabitur ekonomikisht, shpirtërisht mohuar apo edhe fizikisht të dërmuar, dhe mos u habitni që ata i kanë  mirëpritur me padurim gjermanët, sepse ata ishin për ta si çlirimtarë nga qeveria e mëparshme. Kjo sigurisht nuk do të thotë se janë pajtuar me ideologjinë e Gjermanisë naziste. Përkundrazi!”

Sot, duke e përkujtuar Aqif Blytën, kujtojmë edhe kohën e shtypjes mizore që organizuan të gjitha regjimet sllave kundër shqiptarëve dhe myslimanëve të Sanxhakut.