Boshnjaku nga Tuzlla prehet në varrin pa emër në Gjilan ?

varrezat_ne_gjilan1476374131

 

Askush nuk di se si një qytetar nga Tuzlla e Bosnjës ka përfunduar në Kosovë, dihet vetëm se ai është varrosur në Gjilan, bashkë me një shishe plastike te koka, ku janë futur të dhënat për identitetin e tij. Ndoshta, ndonjëherë do të zbulohet e vërteta për Hasan Avdiqin, shkruan gazeta Kosova Sot.

Ibishi: Nuk kishte familje këtu dhe nuk kishte kush ta varroste.

 

 

Në varrezat e qytetit në Gjilan prehen mijëra trupa të pajetë. I veçantë mes tyre është vetëm një varr, i cili nuk ka asnjë shënim sipër tij. Edhe më të veçantë e bën fakti se të dhënat e personit që pushon këtu prej katër vjetësh gjenden përbrenda në varr. Askush nuk di se si Hasan Avdiq (1970), nga Tuzlla e Bonjës, kishte përfunduar në Kosovë, as nuk mund të thotë nëse ai ka dikë të tij atje në vendlindje, apo nëse i janë vrarë të gjithë gjatë luftës së tmerrshme në Bosnjë, apo edhe nëse ky ishte identiteti i tij i vërtetë. Dihet vetëm se ai është varrosur në Gjilan, më 6 shkurt 2012, ku i kishte kaluar ditët e fundit të jetës së tij. Avdiq ka vdekur në Spitalin e Gjilanit. Boshnjaku ishte sjellë këtu nga Qendra e Shëndetit Mendor në Shtime, disa kohë më herët. Bashkë me trupin, në varr janë lëshuar edhe shënimet për të, aq sa diheshin nga letërnjoftimi që posedonte ky person, i lëshuar në Kosovë, nga autoritetet e UNMIK-ut. Ato janë futur në një shishe plastike dhe janë lënë pranë trupit të Hasanit. Plastika qëndron më gjatë se trupi i njeriut. Ndoshta, ndonjëherë do të zbulohet e vërteta për Hasan Avdiqin e Tuzllës, që me sa duket ka qenë viktimë e luftës. Luftërat, kudo në botë lanë pas vete viktima e dhembje, dëshmorë e kriminelë. Të tilla ishin edhe luftërat në ish-Jugosllavi, e cila u shpërbë me gjak. Më shumë se të gjithë popujt tjerë të ish-federatës, pësuan boshnjakët në Bosnjë dhe shqiptarët në Kosovë. Në këtë luftë të tmerrshme, dikush ka humbur familjarët, dikush gjymtyrët e veta e ndonjë tjetër ka shpëtuar kokën, por i ka ikur mendja, siç ishte rasti i Hasanit.

Respektohet besimi fetar i mysafirit

Ymer Ibishi, punëtor i morgut në Spitalin e Gjilanit, thotë se e trupi i Hasanit nga Tuzlla është varrosur në varrezat e qytetit, me të gjitha ceremonitë fetare, duke respektuar besimin e tij. Nuk kishte familje këtu dhe nuk kishte kush ta varroste tjetër. Ai, me duart e tij e ka lëshuar në varr trupin e Hasan Avdiqit. Pranë trupit të tij ka lënë edhe një dosje të futur në një shishe plastike. “Sipas letërnjoftimit që posedonte Avdiq, të lëshuar në Kosovë, nga UNMIK-u, ai ishte i lindur në Tuzëll të Bosnjës, në vitin 1970. Asgjë tjetër nuk dihet për të. Ishte person me trauma nga lufta”, thotë Ibishi. Deri më tani, katër vjet e më tepër pas vdekjes, askush nuk është interesuar për të, por nuk përjashtohet mundësia që një ditë, në të ardhmen, dikush do të interesohet për varrin e tij, do të pyesë për mënyrën si ka jetuar dhe si ka vdekur ai në Kosovë, apo do të kërkojë t`i marrë eshtrat për t`i kthyer në tokën ku ka lindur. Dosja e tij, me ato të dhëna që diheshin në Kosovë, ekziston edhe në morgun e Spitalit Regjional në Gjilan, i cili ka kryer ceremoninë e varrimit të këtij personi nga Tuzlla, që këtu nuk kishte familje dhe nuk dihet nëse ka dikë edhe në Bosnjë. Brenda saj gjenden të dhënat për identitetin e tij, raportet e mjekëve mbi trajtimin në Qendrën e Shëndetit Mendor, fletëvdekja, fotografitë e trupit të të ndjerit, foto nga ceremonia e varrimit dhe materiale të tjera spitalore. “Atij duhet t`i ketë ndodhur diçka e rëndë, ose ka përjetuar gjera të tmerrshme, aq sa i ka ikur truri dhe nuk i është kthyer më, as kur është larguar nga andej dhe as më vonë, gjatë kohës sa ka qëndruar në Shtime e Gjilan”, thotë Ibishi. Hasan Avdiq ka vdekur i vetmuar dhe larg tokës së tij të mbushur me varre, nga lufta e fundit. Kush e di se çfarë fati e ka sjellë atë në Kosovë dhe si ka përfunduar ai këtu, ku tani ka një varr, por nuk ka një njeri që t`i shkojë atje në përvjetor, për t`i vendosur një lule te koka. Lufta e la atë edhe pa një varr në atdhe, e mbase edhe pa familje. Kjo e fundit nuk dihet.

varrezat_ne_gjilan1476374131

Nevojitet lokacioni ri për varreza

Përndryshe, qyteti i Gjilanit ka rreth 120 mijë banorë, së bashku me fshatrat. Më shumë se gjysma e tyre jetojnë në qytet, ku ekzistojnë vetëm një palë varreza. Varret i bëjnë në atdhe edhe mërgimtarët. Llogaritet se Komuna e Gjilanit ka në botën e jashtme mbi 35 mijë banorë. Në mesin e këtyre varreve, gjendet edhe ai i Hasan Avdiqit, i cili nuk përmban asnjë mbishkrim. Hapësira ekzistuese e varrezave të qytetit është shfrytëzuar maksimalisht deri më tani. Imamët kanë tërhequr vëmendjen me kohë për nevojën e gjetjes së një lokacioni të ri për varreza. Zgjidhja e përkohshme u bë duke zgjeruar hapësirën ekzistuese, por qytetit i duhet një zgjidhje afatgjatë. Alternativë mbetet një lokacion në Velekincë, mbi 2 km larg qytetit. Imamët thonë se varrezat janë një hapësirë e shenjtë, ku shprehet kultura dhe civilizimi i një populli. Nga ana fetare, varrezat duhet të jenë të vendosura në një vend që ka sipërfaqe të mjaftueshme dhe konfiguracion të përshtatshëm për varrosje. Përndryshe, nëse shikohen varrezat tona të vjetra, ngado nëpër Kosovë, jo gjithmonë mund të mburremi me mirëmbajtjen e tyre. Vetëm kohëve të fundit është vërejtur një interesim më i madh i qytetarëve për varrezat dhe në disa fshatra të komunës së Gjilanit, janë bërë rrethojat dhe pastrimi i hapësirave, për t`i ndarë ato nga livadhet, ose tokat tj

(Kosova Sot)