Gjukanoviqi: Ne do ta formojmë qeverinë

gjukanoviq

Partia pro-perëndimore e Malit të Zi ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare të së dielës, por jo edhe shumicën absolute. Sipas të dhënave preliminare, Partia Demokratike Socialiste e kryeministrit Millo Gjukanoviq ka fituar 35 mandate, ndërsa dy blloqet kryesore opozitare Fronti Demokratik dhe Kljuc kanë fituar 18, respektivisht 9 mandate.

Lista e partive shqiptare, ndërkaq, ka fituar vetëm një mandat. Sipas përfaqësuesve politikë shqiptarë, ky është rezultati më i keq në historinë e pluralizmit.

Rezultatet zyrtare nga ana e autoritetit shtetëror zgjedhor priten në ditët në vijim.

Gjukanoviq, i cili ka udhëhequr Malin e Zi herë si president, herë si kryeministër për më shumë se 25 vjet, duhet të përpiqet të krijojë shumicën në një parlament thellësisht të ndarë.

Duke iu adresuar mbështetësve, Gjukanoviq tha se do të kërkojë koalicion me partitë e pakicave kombëtare: boshnjakët, kroatët dhe shqiptarët. “Menjëherë pas shpalljes së rezultatit zyrtar, do të nisim negociatat. Ne do ta formojmë qeverinë”, ka thënë Gjukanoviq.

Partia e tij është përballur me grupet opozitare pro-ruse dhe pro-serbe, që kundërshtojnë fuqishëm anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe integrimin e tij në Bashkimin Evropian. “Mali i Zi do të vazhdojë drejt së ardhmes evropiane. Do të ratifikojmë anëtarësinë në NATO dhe do të përfundojmë bisedimet për anëtarësim në BE. Do të sjellim investime të reja, do të përmirësojmë standardin e jetës”, u ka thënë Gjukanoviq mbështetësve në Podgoricë.(REL)