RRETHANAT ARSIMORE NË PREFEKTURËN E MITROVICËS GJATË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE DHE ROLI I AQIF BLYTËS NË HAPJEN E SHKOLLËS SHQIPE NË PAZAR TË RI (II)

Fazli Hajrizi. Konferenca

  Kumtesë në konferencën shkencore të 21.janarit 2017,kushtuar përvjetorit të 72 të vrasjës se Aqif Blytës e Ahmet Dacit,mbajtur në Prishtinë. 

Edhe pse shqiptarët e këtij mjedisi gëzonin një liri shumë të gjerë në krahasim me kohën midis dy luftërave botërore, ata, megjithatë, ishin të pakënaqur me faktin se Prefektura e Mitrovicës (Mitrovica, Vushtrria, Podujeva e Pazari i Ri) iu nda trungut kombëtar dhe iu bashkua Serbisë. Kështu, disa nacionalistë të dhe intelektualë shqiptarë organizuan tubime të mëdha popullore në Mitrovicë, Podujevë, Vushtrri e Pazar të Ri, në të cilat ngritën zërin dhe kërkuan me këmbëngulje që të bashkohen me Shqipërinë. Popullata shqiptare të prirë nga intelektualët e këtij mjedisi bënte vërejtje e kundërshtonte lidhur me hezitimet e tyre që kishin të bëjnë me kufijtë dhe ndarjen e Qarkut të Mitrovicës. Krahas angazhimit në drejtim të organizimit të procesit mësimor e hapjes së shkollave në gjuhën shqipe, u shtrua nevoja e një mobilizimi, të thuash, të përgjithshëm për mbrojtjen e kufirit verior dhe të popullatës shqiptare në shumë fshatra atje për shkak të rrezikut që i kanosej nga sulmet e forcave çetnike. Ideja për organizimin e forcave të rregullta mbrojtëse mbështetej njëzëri nga atdhetarët e intelektualët, si: Xhafer Deva, Ago Agaj, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani e të tjerë. Gjatë vitit 1941 shqiptarët më eminentë në Mitrovicë, si: Xhafer Deva, Ferat Draga, Pajazit Boletini, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Bedri Gjinaj, Xhelal Mitrovica, Ali Draga, Tafil Boletini, Ago Agaj, Vehbi Frashëri, i biri i Mehdi Frashërit, Kudret Kokoshi, Gjon Logoreci, Shaban Mustafa, Ymer Lutfiu, një patriot shkodran, Kadri Vasili nga Borshi e atdhetarë të tjerë që kishin qenë rreth “Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës”, në gusht të vitit 1941, morën iniciativën për themelimin e një organizate në Mitrovicë, të cilën e pagëzuan me emrin ”Lidhja Popullore Shqiptare”. Kryetar i parë ishte zgjedhur Rexhep Mitrovica[1], nënkryetar Bedri Pejani, sekretar Xhelal Mitrovica, ndërsa anëtarë të kryesisë ishin: Xhafer Deva, Ali Draga, Pajazit Boletini dhe Shaban Mustafa. Udhëheqësit e “Lidhjes Popullore Shqiptare” krijuan rend, paqe e qetësi në Mitrovicë dhe gjithandej ku zhvillonte veprimtarinë e vet kjo organizatë, si: në Vushtrri, në Podujevë, në Pazar të Ri etj. Ndër veprimtarët e dalluar të saj po përmendim edhe Ibrahim Lutfiun, Pajazit Boletinin, Jusuf Gradicën, Aqif Blytën, Ahmet Dacin e shumë të tjerë. Roli i kësaj organizate ishte thjeshtë kombëtar e patriotik. Udhëheqësit kërkonin t’i bashkonin shqiptarët në një shtet unik kombëtar. Fill pas themelimit të “Lidhjes Popullore Shqiptare”, u formua Organizata e Rinisë në krye të së cilës u emërua Bedri Ibrahim Gjinaj. Pos tij, në udhëheqje të rinisë u zgjodhën edhe Ali Gaxha, Lina Shkreli, Melihate Deva, Abdyl Zhubi, Salih Bilalli, Kemajl Mujka, Zehra Zhubi, Rexhep Rexha etj. Mitrovica ishte qendra e kësaj organizate të rëndësishme, e cila ndihmoi shumë në formimin e pushtetit vendor që shikohej në unitet me zhvillimet në shtetin amë, pra në Shqipëri. “Lidhja Popullore Shqiptare” që në fillim e kanalizoi veprimtarinë e vet patriotike në dy drejtime: a) të hapë sa më shumë shkolla në gjuhën shqipe, të arsimojë popullin, sidomos rininë e për të zgjuar në rend të parë ndërgjegjen kombëtare; dhe b) të krijojë degët e veta që do të vepronin në rrethin e Mitrovicës, Vushtrrisë, Podujevës dhe Pazarit të Ri për të propaganduar që Qarku i Mitrovicës t’i bashkohet patjetër Shqipërisë. Pra, si në programin e “Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës”, ashtu edhe në atë të “Lidhjes Popullore Shqiptare” në rend të parë theksohej qëllimi dhe strategjia për bashkimin e të gjitha trojeve etnike. Vetëm me bashkimin e trojeve etnike mund të shpëtojë kombi shqiptar dhe kultura kombëtare e tij. Në një mbledhje të rëndësishme u bënë riemërime, ku kryetar i “Lidhjes Popullore Shqiptare” u zgjodh Ali Draga, ndërsa sekretar Vehbi Frashëri.

Fazli Hajrizi

Në Statutin special për Zonën e okupuar gjermane të Kosovës (Rregullimi dhe drejtimi i Qarkut të Kosovës) thuhet se territori i Kosovës përfshin rrethet: Mitrovicë, Pazar i Ri, Vushtrri dhe Podujevë, se këto rrethe formojnë Qarkun e Kosovës, me qendër në Mitrovicë; se në krye të udhëheqjes së pushtetit në rrethet e Kosovës do të emërohen drejtuesit përfaqësues të popullit shumicë në rrethin përkatës, se si zëvendës i drejtuesit të rrethit vjen përfaqësuesi i grupit popullor, se emërimi i personelit nga grupi popullor shqiptar bëhet në marrëveshje me Këshillin popullor shqiptar; se për regjionin e Kosovës themelohet me qendër në Mitrovicë një Gjykatë qarku, që njëherësh është në mbikëqyrjen e Gjyqit të Apelacionit në Nish, se kompetencë e Gjyqit të Qarkut në Mitrovicë mbesin gjyqet e rretheve në Mitrovicë, Pazar, Vushtrri e Podujevë; se selia drejtuese e Bashkësisë Islame gjendet në Pazar të Ri; se parimisht i pranohet Grupit Popullor Shqiptar për t’i themeluar shkollat e veta fillore, etj. Gjithashtu, sipas kësaj Rregulloreje të nënshkruar nga M. Aqimoviq (AVIB. K 1/1 – 12/2), e cila i kushtohej Qarkut të Mitrovicës, që populli shqiptar e quajti “Shqipnija e vogël” (1941-1944), dhe duhej të hynte në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën zyrtare S.K. nr. 498, 6 gusht 1941, Beograd, në nenin.14 thuhet se shqiptarëve u lejohet që të themelojnë edhe shkolla private. Në të gjitha shkollat, thuhej se është e obliguar gjuha serbishte. Nëse nuk ka numër të mjaftueshëm fëmijësh për hapjen e shkollave, ato mund të hapen si paralele shqiptare në kuadër të njësisë shkollore fillore shqiptare, në të cilat me obligim mësohet gjuha serbishte.

Në vitin 1941, Rexhep Krasniqi emërohet komisar i lartë i shkollave shqipe në Kosovë. Pas formimit të Misionit Arsimor, Dr. Rexhep Krasniqi, bashkë me anëtarët e Misionit Arsimor të Mitrovicës, vizitoi gati të gjitha vendbanimet e Qarkut të Mitrovicës dhe të nënprefekturave: Vushtrrisë, Podujevës dhe Pazarit të Ri. Pasi mori numrin e përgjithshëm të nxënësve dhe konstatoi gjendjen e objekteve shkollore, propozoi numrin e shkollave, të paraleleve si dhe të mësuesve që do të nevojiteshin. Në Qarkun e Nënprefekturës së Mitrovicës në vitin shkollor 1941/42, parashihej hapja e gjithsej 48 shkollave fillore shqipe, për të cilat nevojiteshin 104 mësues[2]. Në raportin e tij për gjendjen arsimore në Qarkun e Mitrovicës: Mitrovicë, Vushtrri, Pazar të Ri, kryetari Rexhep Krasniqi, ndër të tjera, shkruan: “Në kohën e sundimit turk Prefektura e Mitrovicës me qytetet Vuçitern, Podujevë dhe Novi Pazar, përbajnë nji pjesë të Vilajetit të Kosovës. Për të gjatë kësaj kohe nuk ka ekzistue nji detyrim shkolluer filluer. Vetëm nga fillimi i shekullit XX u themeluen aty-këtu shkolla fillore e të vetme në gjuhën turqishte. Shkollat fillore edhe këto ma tepër nër qytete, kishin thjesht karakter të shkollave të besimit. Si në organizim, ashtu edhe në mësim dhe në përparim gjindeshin këto shkolla fetare me nji gjendje krejt primitive, kështu qi nxansit me gjith kohën relativisht të gjatë të kësaj, nuk përfitojshin aspak dhe mbeteshin në gradën a analfabetëvet. Edhe në kohën e sundimit jugosllav popullsia shqiptare e këtyne krahinave nuk pati fatin me u edukue ndër shkolla, tue qenë se ky regjim sllav nuk duroi hapjen e shkollave shqipe dhe nga ana tjetër neglizhoi systematikisht edukimin shkolluer të shqiptarëve për t’i lane këta në gjendje të prapambetun kulturore dhe me qëllim shtypjeje të çfarëdo vjeftjeje mendore. Nga sundimet e hueja turke e serbe u shkaktuen në pikëpamje gjuhësore përçamje mjaft të dukshme dhe si rrjedhim humbje të ndjeshme për popullin shqiptar. Kështu, asht influencue, sidomos popullsia e qyteteve rranjësisht prej gjuhës turqishte. Me kohë filloi kjo me humbun gjuhën shqipe, me gjithë këtë, nevoja për t’u marrë vesh me katundarinë e rretheve, e cila nuk pësoi po thuej kurrfarë influence të huej gjuhësore, qenë të detyruem qytetarët me e qitë krejtësisht në harresë gjuhën amtare. Nga mungesa e nji edukimit shkolluer asht e ditun se të dy gjuhnat, si shqipen, ashtu edhe turqishten, e flasin vetëm superficialisht edhe e përzinë, simbas rasës, njanën me tjetrën. Kështu, mund të thuhet u formue nji gjuhë e tretë e përbame prej fjalëve shqipe dhe turke. Në kohën e sundimit jugosllav, për fat të keq, kjo gjendje gjuhësore e çuditshme u ba e ngatërrueshme. Të të dy gjuhnat, shqipe dhe turqishte ju desht pjesës së madhe të popullsisë me msue me serbishten dhe kaosi gjuhësor mbërriti kështu kulmin. Prej këtyne të tri gjuhnavet rinija ma e mirë zotnon gjuhën serbe nga se këtë e ka mësue me anë të shkollës serbe. Kjo paraqitje e çuditshme ka shkaktue përgjithësisht qi popullsia e kësaj krahine zotnon në dukje të tri gjuhnat e përmenduna, po, në të vërtetë, nuk e njef asnjanën prej tyne ashtu si duhet dhe si zotnohet gjuha amtare, në rasa normale. Në këtë kuptim mund t’i quejmë këta qytetarë si si të pa gjuhë amtare të vërtetë. Ndryshon gjendja e popullsisë katundare, e cila, me familjen të pa shoqe ka mujtë me rujtë të pastër dhe të thjeshtë gjuhën shqipe në formë të gegënishtes veri-lindore ose kosovarçe, tue dokumentue dhe forcue edhe në këtë rasë gjallninë jetësore të njeriut dhe të kombit shqiptar.

Nga sa u tha, ma tepër shifet nevojë e madhe dhe e ngutshme organizimi dhe hapja e shkollave fillore në këto krahina për të zhdukë kët rrezik që i kërcnohet nji grumbulli shqiptarësh prej ma se 100.000 frymësh.

Organizimi i shkollavet fillore. – Për të parën herë në historinë e këtyne vendeve do të hapen shkolla shqipe për vitin shkolluer 1941/42. Me përjashtim të Novipazarit dhe të krahinës së sajë, të gjitha viset tjera janë, për sa i përket gjuhës, gjakut e traditës, krejtësisht shqiptare. Novipazari ka qenë nën influence të randë sllave dhe prandej ka mësue nji proces sllavizimi shum ma të dendun. Me gjith qi rrjedhjen e tyne pjesa kryesore e popullsis muhamedane të kësaj krahine të Novipazarit e lidh me Hot, fisin e fortë shqiptar t’Alpeve Veriore Shqiptare, nuk ka mujtë me i shpëtue sllavizimit total.

Përgjithsisht, me e shikjue brenda popullsis shqiptare gjinden aty-këtu katunde të vogla serbe të vjetra dhe të themelueme rishtas ashtu edhe familje serbe nër katunde të banueme në shumicë prej shqiptarësh. Kjo pakicë popullsije serbe shperndame midis shqiptarvet, sidomos në rrethin e Vuçitërnës e të Podujevës, e cila flet edhe gjuhën shqipe, vjen dita-ditës tue u shpërngul.

Popullsija shqiptare e Prefekturës së Mitrovicës asht gati krejtësisht e besimit muhamedan. Fanatizmi fetar asht mjaft i gjallë. Prandaj ishte e këshillueshme qi për vjetët e parë mësuesit e mësueset të jenë të besimit muhamedan dhe mbi këtë të kenë taktin, seriozitetin dhe përmbajtjen e duhun. Arsimi femnuer të mos ndeshë në pengesë gati të pakapërcyeshme ndër katunde për vjet të para. Katundet e ngeluna në kët studim pa shkollë, 29 në numër, janë si disa lagje të shkëputuna nga vatra e katundit dhe të vendosuna nër bjeshkë. Janë aq largas, sa nuk mund të bashkohen për të gjithë në nji shkollë, dhe janë aq të vegjël, sa që nuk mund të mbushin numrin e fëmijve për nji shkollë me vedi. Për vjetët e ardhëm mund të bahen ndryshime.

[1] Rexhep Mitrovica ishte njëri ndër veprimtarët e shquar të lëvizjes kombëtare për pavarësi. Ai bëri emër si intelektual, mësues, publicist, minister i arsimit e kryeministër i Shqipërisë. U lind në Mitrovicë në vitin 1888. U shkollua në Shkup e në Manastir. Studioi në Paris. Kreu shkencat pedagogjike në Vjenë. Mori pjesë në Kongresin e Dytë të Manastirit (1910), ishte delegat i Pejës në Kuvendin e Vlorës, njëri ndër nënshkruesit e deklaratës së Pavarësisë (28 Nëntor 1912), anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” (1918), ministër i Arsimit (1921-1924), drejtues i gazetës “Bashkimi Kombëtar”, komandant i Forcave Vullnetare Shqiptare (1942-43), kryetar i LDP, kryeministër i Shqipërisë (1943-44). U largua në fund të vitit 1944, në Austri e prej andej në Turqi. Vdiq në Stamboll më 21 maj të vitit 1967.
[2] AQSH, F. 295, viti 1941, dosja 110, fleta 46-52 (Raport mbi gjendjen arsimore dhe për nevojat personale të mësuesisë në shkollat fillore shqipe të Qarkut të Prefekturës së Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë dhe Pazar i Ri) për vitin shkollor 1941/42, hartuar nga Rexhep Krasniqi, kryetar i Misionit Arsimor në Mitrovicë, më dt. 2.10.1941)

/vijon/