Hapja e shkollave shqipe në Mitrovicë dhe në fshatrat përreth gjatë periudhës 1941-1944

Hapja e shkollave shqipe.

 Rethanat arsimore në prefekturën e Mitrovicës gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe roli i Aqif Blytës në hapjen e shkollës  shqipe në  Pazar të Ri ( pjesa e V)

 

(Kumtesë në konferencën shkencore të 21.janarit 2017,kushtuar përvjetorit të 72 të vrasjës se Aqif Blytës e Ahmet Dacit,mbajtur në Prishtinë)

Fazli Hajrizi

Për ngritjen e kuadrit arsimor, përveç shkollimit të rregullt, kishte nevojë edhe për hapjen e kurseve pedagogjike. Kurse pedagogjike janë organizuar edhe në Podujevë, drejtues kursi ishte Ahmet Caku, kurse mësues Frano Jakova; në Vushtrri drejtues kursi ishte Idriz Fishta, kurse mësues Shaqir Hoti; në Pazar të RiXhevdet Doda, drejtues, kurse Xhafer Xërxa, mësues; në Plavë drejtues i kursit ishte Rifat Spahiu, kurse mësues Beqir Kastrati; në Guci drejtues ishtre Shaban Ferri, kurse mësues Haki Taha, dhe në Brod mësues Mehmet Gjyli.

 

Hapja e shkollave shqipe në Mitrovicë dhe në fshatrat përreth gjatë periudhës 1941-1944

 

Në vitin shkollor 1941/44 në Mitrovicë dhe në disa fshatra përreth kanë punuar shtatë shkolla fillore: një shkollë pesëklasëshe, një katërklasëshe, tri triklasëshe, dy dyklasëshe dhe një foshnjore. Numri i përgjithshëm i nxënësve që vijonin mësimet ishte 838 (668 meshkuj dhe 170 femra). Mësimet i mbante kuadri mësimor prej pesëmbëdhjetë mësuesve (12 mësues dhe 3 mësuese): Bedri Gjinaj, drejtor i shkollës fillore “Skënderbeg” në Mitrovicë dhe përgjegjës kryesor për shkollat shqipe në Prefekturën e Mitrovicës, Gjon Kabashi, Jorgji Shuteriqi, Ali Gaxha, Lina Shkreli, Melihate Deva, Zehra Zhubi, Qemajl Mujku, Taip Perjuci, Hajredin Saraçini, Qamil Demjaha, Feriz Peci, Nezir Halimi – Miftari, Sejdi Sulejmani, Haki Ahmeti, Qazim Zhubi, Hajrullah Hajrë) Haxhija, Musa Kalaja, Reshit Damati[1] etj. Referent i përgjithshëm ka qenë Ferit Bajrami, ndërsa referent i arsimit ishte Ahmet Mustafa. Bedri Gjinaj, siç thamë, e drejtonte shkollën fillore “Skënderbeg”. Për arsimimin dhe edukimin e nxënësve në këtë shkollë kanë qenë të angazhuar këta mësues: Bedri Gjinaj, Paulina (Lina) Simon Shkreli, Ali Gaxha, Melihate Deva, Zehra Zhubi.

 

Nxënës dhe mësimdhënës të shkollës fillore “Skanderbeg’ në Mitrovicë (1942).

 

Për të publikuar fillimin e punës në shkollat shqipe, më 22 qershor 1941, më se 200 nxënës defiluan rrugëve të qytetit të Mitrovicës, duke kënduar këngë patriotike. Në vitin shkollor 1941/42, shkolla fillore “Skënderbeg” në Mitrovicë ishte pesëklasëshe me një numër prej 320 nxënësve (190 meshkuj e 130 femra): 80 nxënës në klasën e parë (40 djem e 40 vajza) me mësues Gjon Kabashin; klasa e dytë 60 nxënës (45 meshkuj e 15 femra) me mësues Jorgji Shuteriqin; klasa e tretë 60 nxënës (35 meshkuj e 25 femra) me mësuese Lina Shkrelin; klasa e katër me 60 nxënës (40 meshkuj e 20 femra) me mësues Jorgji Shuteriqin; dhe klasa e pestë 60 nxënës (30 meshkuj e 30 femra) me mësues Bedri Gjinajn. Në shkollën fillore “Skënderbeg”, përveç nxënësve të qytetit, i vijonin mësimet edhe nxënësit e fshatrave të afërta: Suhadoll, Shupkofc e Shipol.

Edhe në disa fshatra të rrethit të Mitrovicës u hapën shkolla fillore. Në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Zhabar, e cila ishte dyklasëshe e ku jepnin mësim mësuesit: Reshit Damati e Musa Kalaja, i vijonin mësimet gjithsej 83 nxënës 53 në klasën e parë dhe 30 në klasën e dytë) nga fshatrat: Zhabar i Poshtëm, Zhabar i Epërm, Lushtë, Shipol dhe Vaganicë. Viti shkollor 1943/44 në këtë shkollë filloi më 10 tetor 1943 dhe përfundoi më 29 qershor 1944. Shkolla fillore “Nexhip Draga” në Koshtovë i përkiste komunës së Zhabarit. Në këtë shkollë, pos nxënësve të Koshtovës, i vijonin mësimet edhe ata të fshatrave Koprivë dhe Çabër. Viti shkollor 1943/44 në këtë vatër edukative-arsimore ka filluar më 1 tetor 1943 dhe ka përfunduar më 30 qershor 1944. Mësues në këtë shkollë kanë qenë Haki Ahmeti nga Vaganica dhe Fetah Suhodolli nga Mitrovica. Shkolla fillore “Isa Boletini” në Boletin ishte triklasëshe dhe në të i vijonin mësimet nxënësit e këtyre fshatrave: Boletin, Zhazhë, Lipë dhe Rahovë. Në vitin shkollor 1943/44, që filloi më 13 tetor 1943 dhe përfundoi më 3 korrik 1944, i vijonin mësimet gjithsej 88 nxënës. Për shkak të largësisë së shkollës nga vendbanimi i nxënësve, nuk u formua fare klasa e parë. Për arsimimin dhe edukimin e nxënësve të kësaj shkolle ishin angazhuar mësuesit: Feriz Peci, Qamil Demjaha dhe Hajredin Saraçini. Shkolla fillore “Ibrahim Deva” në Zasellë (Kodër) ishte katërklasëshe dhe përfshinte nxënësit nga fshatrat: Zasellë, Cërrnushë, Rekë dhe Kutllofc. Në vitin shkollor 1943/44, i cili filloi më 3 tetor 1943 dhe përfundoi më 27 korrik 1944, e ku i vijonin mësimet 69 nxënës, kanë punuar mësuesit Nezir Halimi – Miftari dhe Sejdi Sulejmani. Shkolla fillore “Lirija” në Suhadoll me mësues Taip Perjuci e Qazim Zhubi, ishte triklasëshe. Në të i vijonin mësimet gjithsej 76 nxënës. Në shkollën fillore dyklasëshe “Bajram Curri” në Vinarc, ku i vijonin mësimet mbi 30 nxënës, jepte mësim Shefqet Kumnova. Shkolla fillore “Ali Pashë Gusija” në Brabaniq ishte triklasëshe dhe në të jepnin mësim mësuesit: Hajrë Haxhija, Bajram Avdiu e Osman Çitaku. Në vjeshtën e vitit 1941, është hapur edhe shkolla fillore dyklasëshe në Batahir, ku i vijonin mësimet nxënësit e batahirit, Cerajës, Koshtovës së Vllahisë dhe Dedisë, mirëpo, për shkak të sulmeve të vazhdueshme të çetnikëve nga Sllatina, Borçani etj., pas tre muajsh kjo shkollë u mbyll, pra in dërpreu mësimet. Mësues në këtë shkollë ishte emëruar Tahir Doli.

Në raportin e tij nr. 20, dt. 2 mars 1942, dërguar Ministrisë së Arsimit në Tiranë, Bedri Gjinajt, drejtor i shkollës fillore “Skënderbeg” në Mitrovicë, midis tjerash, informon se shkolla fillore pesëklasëshe “Skënderbeg” në Mitrovicë në vitin shkollor 1941/42, ka pasur këtë numër të nxënësve[2].

Klasa  Numri i nxënësve  Emri dhe mbiemri i mësimdhënësit

m    f     gj

Kl. I     40   40   80    Gjon Kabashi, 1.11.1941

Kl. II    45   15   60     Jorgj Shuteriqi, 25 maj 1941

Kl. III.  35   25   60     Lina Shkreli, 1 korrik 1941

Kl. IV  40   20   60     Jorgji Shuteriqi, 25 majit 1941

Kl. V    30  30    60     Bedri Gjinaj, 25 majit 1941

Gjithsej 190 130 320

 

Bedri Gjinaj si përgjegjës i Arsimit në Prefekturën e Mitrovicës, ka informonte vazhdimisht Ministrinë e Arsimit se shkolla fillore pesëklasëshe “Skënderbeg” në Mitrovicë dhe të gjitha shkollat tjera shqipe punojmë me planet dhe programet mësimore të Shqipërisë[3]. Pas pushimit prej gjashtë javësh, më 15 tetor 1941, rifillon mësimi në shkollën “Skënderbeg”, ku vijonin mësimet gjithsej 320 nxënës. Për arsimimin dhe edukimin e tyre ishin angazhuar katër mësues: Jorgji Shuteriqi, Gjon Kabashi, Lina Shkreli dhe Bedri Gjinaj. Duke qenë se numri i mësimdhënësve nuk mjaftonte, më 2 mars 1942, drejtori B. Gjinaj me një shkresë sërish i drejtohet Ministrisë së Arsimit në Tiranë dhe kërkonte që të dërgonte disa mësues për klasën I dhe II të gjimnazit të ulët të Mitrovicës dhe disa mësues për katër qytetet e Prefekturës së Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë dhe Pazar i Ri)[4].

Gjatë vitit shkollor 1943/44 numri i nxënësve dhe i mësuesve në shkollën fillore “Skënderbeg” ka qenë si vijon:

 

Klasa  Numri i nxënësve  Emri dhe mbiemri i mësimdhënësit

m    f     gj

Foshnj. 49   36   85    Ali Gaxha

Kl. I/A  40   14   54    Melihate Deva

Kl. I/B  34     9   43    Lina Shkreli

Kl. I/C  44    22  66    Bedri Gjinaj, Qemal Mujku

 

Kl. I     118   45  163    Gjon Kabashi, 1.11.1941

Kl. II    45   22   72     Melihate Deva

Kl. III.  23   18   41     Zehra Zhubi

Kl. IV   29   20   49     Ali Gaxha

Kl. V    36  17    53     Bedri Gjinaj

Gjithsej 300 163 463 nx.

 

[1] Arkivi Ndërkomunal i Mitrovicës, Kutia nr. 1 (1942-43),  Ministria për Arsim e Fe, Beograd, Lista emërore e mësuesve në Prefekturën e Mitrovicës, dokumenti nr. 31, December 1942 (në gjuhën gjermane), dhe dokumenti nr. 498, 17 shkurt 1943 (në gjuhën serbe).
[2] AQSH, F-295, viti 1942, dosja 119, fleta 190 dhe 191.
[3] AQSH, F-295, viti 1942, dosja 119, fleta 190.
[4] Raport nr. 20, dt. 2.3.1942, i drejtorit të shkollës “Skënderbeg” në Mitrovicë, Bedri Gjinaj, dërguar Ministrisë së Arsimit në Tiranë (AQSH, F-295, viti 1942, dosja 119, fleta 191.