Si po përfaqesohemi ne shqiptarët në Mal të Zi?

alidaci
Zgjedhjet e fundi parlamentare në Malin e Zi ishin shumë demokratike e në veçanti ky demokratizim u shfaq te shqiptarët autokton e etnik në këtë shtet sllav. Ne, edhe kësaj radhe e dëshmuam se dimë të zgjedhim me dinjitet, udhëheqësit e ardhshëm pa dinjitet, nga radhët e llojit të vet. Kështu, tash 27 vite kemi votuar për Millon dhe hyzmeqarët e tij, mbase do ta votojmë edhe pas vdekjes, dhe sigurisht me dorën tonë u kemi vu vulën e zeze shumë çështjeve tona jetike, nën këtë shtet.

 

Ali Daci, Rozhajë

Përfaqësuesit politikë, pra deputetet shqiptarë nga dita e parë e uljes në këtë përbërje nuk i dhënë popullit asnjë kënaqësi në mbrojtjen e interesave, së pari jetike, e të mos flasim për interesat kombëtare. Ata burra që interesin tonë kombëtar e kanë nivelizuar me interesin qyqar, kinse qytetar , duke dashur që gjithmonë t’i ikin interesit kombëtar shqiptar, gjithherë të propaganduar para zgjedhjeve. Befason disponimi politik i të rreshtuarit pas logjikës së grazhdit, i logjikës së kuletës së vet. A thua edhe çka duhet shqiptari i gjorë të bëjë që kësaj partie qytetare t’i mbajë ison për të zezën e vet, si tash e 27 vjet. Dihet se shqiptarët qe po zënë vend në partitë joshqiptare po cungojnë edhe me shume të drejtat, edhe ashtu të cunguara, të popullit të vet. A thua ne nuk guxojmë te votojmë vetën tonë, a thua më shumë e duam parcialen se sa totalen, a thua më shumë e duam gjuhën zyrtare se atë amtare?! A thua me shumë na intereson gjuha, tradita dhe ardhmëria e tjetrit, se gjuha dhe vetëqenia jonë. Deri tani kurrë nuk janë dëgjuar këta patriotë të kenë thënë gjë për popullin e vet, të kenë kërkuar të drejtën e tij për përfaqësim reciprok në instancat shtetërore, të kenë kërkuar këta mjerana të drejtën e përdorimit të gjuhës së vet në parlament, të kenë kërkuar flamurin e vet. Servilizmi dhe nënshtrimi ndaj një pushteti që nuk përfill kërkesat tua minimale, janë elementet me fatkeq për popullin që e përfaqëson. Pse këta burra kurrë nuk reaguan ndaj ndërrimit të strukturës etnike në trojet shqiptare në Mal të Zi. Pse këta lypsarë te votës, më mirë të thuhet blerës të votës shqiptare, kurrë nuk u interesuan për mirëqenien e popullit që i polli. Deri kur duhet të durohet ky përfaqësim i turpshëm ne Parlamentin e Malit te Zi. Ne si popull, si entitet nuk e meritojmë këtë persekutim. Por, mbase e meritojmë, përderisa ne vetë; po u shesim votën, e po u dhurojmë përkrahjen, e bashkë me to edhe ndërgjegjen tonë, për të keqen tonë. Prandaj, stop servilëve qyqarë dhe blerësve, stërblerësve dhe shitësve dhe stërshitësve të votave shqiptare, të interesave shqiptare dhe të ardhmërisë sonë!