Hapja e shkollave shqipe në Pazar të Ri , Podujevë dhe Vushtrri

nxe

 

 Rethanat arsimore në prefekturën e Mitrovicës gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe roli i Aqif Blytës në hapjen e shkollës  shqipe në  Pazar të Ri ( pjesa e VI)

(Kumtesë në konferencën shkencore të 21.janarit 2017,kushtuar përvjetorit të 72 të vrasjës se Aqif Blytës e Ahmet Dacit,mbajtur në Prishtinë)

Fazli Hajrizi

 

Edhe në nënprefekturën e Vushtrrisë gjatë vitit shkollor 1941/42, janë hapur 15 shkolla fillore: 2 – dyklasëshe, 7 – triklasëshe, 5 – katërklasëshe dhe 1 – pesëklasëshe. Në këto shkolla i vijonin mësimet 899 nxënës, ndërsa për edukimin dhe arsimimin e tyre ishin angazhuar gjithsej 21 mësues. Më 5 qershor 1942, u emërua drejtor Emin Ismajli, i cili më datën 15 prill 1941 ishte mësuesi i parë që hapi dhe udhëhoqi kursin e gjuhës shqipe në Vushtrri. Ndër shkollat dhe mësuesit e nënprefekturës së Vushtrrisë vlen të përmendim: shkollën fillore “Hasan Prishtina” në Vushtrri me mësues Nazmi Mustafa, Bediha Korenica, Nesibe Hoxha, Is’hak Sylejmani, Jonuz Halili dhe Mehmet Azemi; shkollën fillore dyklasëshe “Teuta” në fshatin Gojbulë me mësues Bajram Ahmetin; shkollën fillore triklasëshe “At Gjergj Fishta” në Nedakofc me mësues Hasan Xhemajlin; shkollën fillore triklasëshe “Ismail Qemali” në Pantinë me mësues Kajtaz Ferizin; shkollën fillore dyklasëshe “Vaso Pasha” në Breznicë me mësues Beqir Ademi; shkollën fillore “Ali Pashë Tepelena” në Smrekonicë me mësues Osman Sulejmani; shkollën fillore “Boletini” në Velika Rekë me mësues Beqir Zeqiri; shkollën fillore njëklasëshe “Ali Pashë Gusija” në Ashlan me mësues Hasan Shabanin; shkollën fillore triklasëshe “Skënderbeu” në Novosellë me mësues Musa Haliti; shkollën fillore dyklasëshe “Kosova” në Melenicë me mësues Fazli Sejdiu; shkollën fillore triklasëshe “Vrioni” në Vllahi me mësues Rifat Mehmeti – Tahiri; shkollën fillore dyklasëshe “Sami Frashëri” në Barilevë me mësues Sejdi Rexhepi; shkollën fillore dyklasëshe “Lirija” në Vërrnicë me mësues Ismet Tahiri dhe shkollën fillore në Bivolak me mësues Behram Imerin.

Në këtë kohë janë hapur edhe 15 shkolla fillore në Nënprefekturën e Podujevës, ku në vitin shkollor 1943/44 i vijonin mësimet 650 nxënës. Për edukimin dhe arsimimin e tyre kanë qenë të angazhuar 22 mësues: në shkollën fillore pesëklasëshe “Skënderbeg” në Podujevë: Ismajl Zymberi, Reshit Hasani, Hasan Bilalli, Sylë Hysi, Adem Guta, Sylë Llapashtica; në shkollën fillore katërklasëshe “Azem Bejta” në Kërpimeh – Ibrahim Hajrullahu-Thaçi e Hysen Ahmeti; në shkollën fillore katërklasëshe “Ismail Qemali” në Dumnicë – Halit Sulejmani dhe Maliq Zymberi; në shkollën fillore katërklasëshe “Bashkimi” në Bajçinë që ishtr degë e shkollës fillore “Skënderbeg” të Podujevës – Sulejman Bajrami; në shkollën fillore katër klasëshe “Sinan Pasha” në Sibovc – Ramadan Jakupi-Dedaj, Abdurrahman Mehmeti-Gërguri, Hashim Obranxha dhe Ramadan Simnica; në shkollën fillore triklasëshe “Bajram Curri” në Sfeçël – Ramadan Jetullahu; në shkollën fillore katërklasëshe “Sylë Uka” në Llapashticë të Epërme – Faik Ramadani; në shkollën fillore katërklasëshe “Lirija” në Batllavë – Sahit Haliti; në shkollën fillore katërklasëshe të Tërnavës – Musa Hashim Kuleta; në shkollën fillore triklasëshe “Avni Rrustemi” në Arllat – Idriz Selimi; në shkollën fillore triklasëshe “Tafë Hertica” të Herticës – Maliq Sekiraça-Mahmuti; në shkollën fillore triklasëshe “Besa” të lluzhanit – Qazim Asllani-Stublla; në shkollën triklasëshe “Abdyl Frashëri” të Halabakut – Hashim Hasani; në shkollën fillore dyklasëshe “Nexhip Draga” të Koliqit – Halit Bajrami; në shkollën fillore katërklasëshe “Nazim Gafurri” të Besisë – Emin Zejneli dhe në shkollën fillore dyklasëshe të Pollatës – Shaban Imeri[1].

Mesimdhenesit dhe nxenesit e shkolles se Pazarit

Ndër punët më të lavdërueshme të kryetarit të Misionit të Arsimit në Prefekturën e Mitrovicës, Dr. Rexhep Krasniqit, dhe drejtorit e udhëheqësit të arsimit, Bedri Gjinajt, ka qenë hapja e shkollave në nënprefekturën e Pazarit të Ri që ishte krahina më e veçuar nga Mitrovica, ku popullata shqiptare kishte filluar të harrojë gjuhën amtare. Popullata e këtij mjesisi ruante me fanatizëm kujtimet për origjinën e saj shqiptare, prandaj qysh me kohë shprehu vullnetin që ta lidhte fatin e vet me Mitrovicën dhe me trojet e tjera etnike. Shkolla fillore shqipe në Pazar të Ri u hap me dëshirën e popullatës shqiptare e asaj muslimane dhe me ndihmën e drejtpërdrejtë të Bedri Gjinajt e Aqif Blytës. Mësues i parë i shkollës fillore në gjuhën shqipe në Novi Pazar, e cila u pagëzua me emrin e shkrimtarit e iluministit të shquar “Naim Frashëri”, u emërua Avdi Kabashi, ndërsa më vonë kanë dhënë mësim edhe Abdullah Zajmi, Hateme Shala, Nazim Dedolli, Xhemaludin Ahmeti-Presheva, Avni Zajmi, Halit Gërbova Ferid Daca nga Shkodra etj. Meqë Peshteri, Sjenica dhe shumë fshatra krejtësisht shquptare u shkëputën nga Pazari i Ri, ishte paraparë që shkolla shqipe të hapej vetëm në këtë qytet. Për këtë shkollë nevojiteshin 15 mësues[2].

nxe

Capture

Në vitin 1941, pas kapitullimit të Jugosllavisë, në Kosovë erdhën një grup prej afro 300 mësuesish, të cilët u shpërndanë në të gjitha viset. Një numër i konsiderueshëm i tyre, siç thamë, edhe përkundër pengesave, erdhi edhe në Mitrovicë, në Vushtrri, në Podujevë dhe në Pazar të Ri. Të gjithë këta mësimdhënës punonin me përkushtim e dashuri. Ata nuk ranë nën ndikimin e ideologjisë fashiste. Pjesë përbërëse e lëvizjes së përgjithshme arsimore që u zhvillua gjatë katër vjetëve të luftës, pra qëllimi parësor i mësuesve shqiptarë ishte lufta kundër analfabetizmit dhe paditurisë, rritja e ndërgjegjes kombëtare dhe bashkimi i trojeve etnike. Për të shtuar afrinë dhe dashurinë në këtë mjedis, trupi arsimor i Mitrovicës, me 299 nxënës e kursistë prej 9 deri më 11 gusht 1941, vizituan Pazarin e Ri. Udhëtimi u bë kryesisht me tren por edhe me mjete tjera. Në mbrëmje të 9 gushtit 1941, nxënësit dhe mësimdhënësit e Mitrovicës u pritën ngrohtësisht nga popullata vendëse. I madh e i vogël, për t’u dëshiruar mirëseardhje, kishin dalë në rrugë, duke brohoritur e kënduar këngë patriotike. Pas përqafimeve me mall, shëtitjeve nëpër rrugët e qytetit, ku jehonte kënga e hidhej vallja shqiptare, mysafirët u shpërndanë nëpër shtëpitë e vëllezërve të tyre për të buajtur. Të nesërmen ata i priti edhe kryetari i Bashkisë Z. Aqif Blyta[3]. Më 11 gusht 1941, nxënësit dhe mësimdhënësit nga Mitrovica u përcollën miqësisht nga vëllezërit e motrat e tyre të një gjaku. Ata u larguan me përshtypje të jashtëzakonshme. Me t’u kthyer në vendlindje, ata filluan të flasin me entuziazëm për mikpritjen dhe bujarinë e atyre njerëzve, për bukuritë natyrore, objektet kulturore etj.

Se ç’rol ka luajtur shkolla fillore “Skënderbeg” në Prefekturën e Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri, Pazar i Ri e Podujevë) në rritjen e ndërgjegjes kombëtare, dëshmon edhe artikulli i botuar në gazetën “Kosova” – organ i Komitetit Kosovar, në shtator 1943 – Viti III – Nr. 48-49-50, f. 7, me titull: “NDËRGJEGJA KOMBËTARE NË MITROVICË E ZHVILLUEME NE SAJE TË SHKOLLAVE SHQIPE TË POPULLIT”:

Shkolla “Skënderbeg” Mitrovicë – ka fillue mësimet rregullisht me 1 Tetuer 1942, tue pasun për tre muejshin e parë në mungesë lokali e personeli, vetëm tri klasët e nalta. Më 1 Kallnuer 1943, për t’ju dhanë rasa edhe të tjerë nxanësve, shkolla fillon punën me sistemën gjysmë-ditore. Me që shkollës iu shtuen bankat dhe për nji klasë, qysh më 1 Maj 1943, klasa e pestë ka fillue në punë dhe mbas dekrevet, me nji program ma të gjanë.

– Të ndamit e Klasëve – 1) Bedri Gjinaj mëson ndër të gjitha klasët, landët e ndryshme dhe ep mësime në klasën e pestë n’ Orarin e mbas drekës.

  1. Z. Ali Gaxha, para dreke mëson klasën e pestë me 50 nxanës (32 meshkuj e 18 vajza), e mbas drekevet ep mësim në klasën e parë “A”, që ka 60 nxanës (35 mashkuj e 25 vajza).
  2. Zonjusha Lina Shkreli, para dreke mëson klasën e IV-të me 45 nxanës (27 mashkuj dhe 18 vajza) e, mbas dreket, ep mësime në klasën e II-të, me 43 nxanës (27 mashkuj dhe 26 çika).

 

  1. Zonjusha Melihate Deva, para dreke mëson klasën e tretë, që ka 47 nxanës (27 mashkuj e 20 femna), ndërsa mbas dreke ka edhe klasën e parë “B” (ose klasën gatimore) me 85 nxanës prej të cilëve janë 45 mashkuj e 40 femna. Numri i përgjithshëm i nxanësevet dhe i nxanësve asht 330 (193 meshkuj e 137 femna).

– Kurset e Natës. – përbahen prej dy klasësh.

klasa e naltë me 40 kursista, të cilën e ka Z. Bedri Gjinaj, dhe;

klasa e analfabetëve prej 40 nxanësve, të cilën e mëson mësuesi i katundit në Suhodoll, prej Mitrovice, Z. Taip Perjuci.

Besimi – Mësimi i besimit ndër të gjitha klasët nepen krejtësisht shqip prej mësuesit të besimit Z. Ahmet Mustafës.

– Programi i mësimeve. – deri me tash nuk asht plotësue për sa i përket dy-tre mujshevet, me gjithë këtë, si në kurse, ashtu edhe në shkollë, përfundimi asht i mirë.

Statistika. – Statistika e të detyruemëvet për në shkollë kap numrin e afro 1200 djem e vajzavet. Me që në mungesë lokali e personeli me nji anë e mb’anë tjetër mungesa e administratës për t’i detyrue me vazhdue shkollën e, njiherit halli i jetesës së prindëvet, kjo shkollë e Mitrovicës ka vetëm 330 nxanëse e nxanës. Shka ma tepër, tue imitue zhestin e hoxhallarëve të Prishtinës me nji anë e tue i pëlqye ndonji Prijsi, t’ashtu quejtun-dirizhues’i politikës shqiptare, kët në Mitrovicë, mjerisht janë hapun edhe dy shkolla fetare qysh në muejin Nanduer 1942.

Me gjithë që shkolla “Skënderbeg” me “Rinin” e mbajn gjallë dhe të pashlyeshëme karakteristikën e vrullshëme të përhapjes së ndjenjës Kombëtare, këto dy shkolla fetare, ku fëmijëve të vegjil dhe pjesërisht të rritunve u mësohet ndër podrume vetëm arabishtja, kanë mbërrijt me thye deri diku moralin e nxanësve të shkollës s’onë e, ndonëse arsimtar, marrë lejën të parashtroj se: dirizhuesi poletik, që pak e merr vesht shqipen dhe e fol hiç, për interesin personal të rrymave politike të tijën ka tolerue me dashje, me gjithë protestat t’ona, mbajtjen e këtyne shkollave, këtyne dy burgjeve, ku torturimi i popullit vjen tue u rrit gradualisht. Por Arsimi Kombëtar po marshon dhe ka me marshue dhe s’ka me tolerue degjenerim filizash shqipesh.

– Parashifet që të kërkohen bursa nga Ajo P. T. Ministri, për shkollat e mesme. Prandaj lusim, që qysh tash,, të na rezervohen 12-15 vende për vajza dhe, në rasë nuk do të ketë fatin Mitrovica me pasun gjimnazin dhe këtë vit shkolluer, lusim gjithashtu që të na caktohen 5 bursa djemësh ndër shkollat e mesme të Tiranës dhe 15 të tjera në Normalen e Prishtinës, për rajonin e Prefekturës së Mitrovicës.

– Pushime. – Shkolla nuk ka pasun pushime të gjata, për veç Festavet Kombëtare e fetare të dy besimevet, me gjithë këtë aty-këtu në pritje të ndonji gjenerali e të ndonji autoriteti të naltë ushtarak-kanë marrë pjesë në ndonji ceremonije funerale, shkolla ka ndalue mësimin;

– Vizitë mjeku. – Nxanësit e nxanëset e kësaj shkolle kanë pasun tri vizita mjekësore:

në të dytin anemikëve u asht dhanë “vaj peshku”;

dhe në të tretin “këshilla të posaçme higjieni”.

Në rast ankimesh nxanësit dërgohen në spital ku vizitohen dhe mjekohen nga mjeku me infermierët shqiptarë.

– Shëtitjet jashtë qytetit. – janë bamun tri herë:

  1. Në Pazar të Ri më 4 Nanduer 1942, me rastin e përvjetorit të luftës së mësyemjes së çetnikëve ku natyrisht u punue edhe rreth përhapjes s’idesë kombëtare;
  2. Për të njajtin qëllim në Vuçitërn;
  3. Ndër pesë katunde afër qytetit, natyrisht tue ju përshkrue nxanësve historija kombëtare e vendit dhe bukurija e tokës së Kosovës.

– Kopshti Shkolluer. – Shkolla nuk ka kopsht, por nxanësit janë dërgue dy herë në fidanishten e Shtetit, ku kanë marrë spjegime rreth fidaneve e përgjithënisht rreth kopshtit.

Arsimtaret. – Shkolla dhe Rinija ka mbërrijt në përfundime shumë të mira edhe në formimin e jetës shoqnore dhe në emancipimin e grues shqiptare. Mase 300 vajza të shkollës edhe jashtë shkollës janë që marrin pjesë n’ Organizatën e Rinisë ndonëse herë mbas here marrin pjesë jashta dëshirit të prindëve.

Vajzës Shqiptare. – Herë me shkollë e herë me kurse e herë me çfaqje theatrore i asht përfellue ndjenia kombëtare dhe jeta shoqnore.

Mase 70 vajza të mshefun në shtëpija e në ferexhe kanë këndue dhe këndojnë libra të ndryshëme të marruna nga biblioteka e shkollës. Pjesët historike, pjesërisht folkloret, librat shtëpiake, romancat kombëtare kanë lanë përshtypje të thella ndër vajzat në burgje.

Me këtë bindje çikat Kosovare t’unëshme për gjuhën dhe arsimin kombëtar, kanë nevojë të madhe për motrat e tyne, të na lejohet të çfaqim dëshirën e tyne, se s’mund ta mëshefin, u raftë në krye shkaktarëve, të cilët, prej pa zotsis e prej mos çarje krye, na kanë lanë makar pa nji shkollë pune a shtëpiake me arsimtare të plotësueme.

Të na lejohet të çfaqim edhe nji mendim në lidhje me këtë.

Shumë vajza janë në Vuçiterën e në Pazar të Ri, të cilat do të regjistroheshin pa tjetër në shkollë sikur të jenë makar edhe nja katër arsimtare. Por mungojnë dhe ne kishim me thanë se të katër vajzat e Mitrovicës, që janë në Shkollën e Ekonomis Shtëpijake “Votra Shqiptare” në Kamëz Tiranë, kishte me qenë me vend që të frekuentojnë Kursin Pedagogjik në Prishtinë, në këtë pushime dhe t‘emnohen mësuese për këto vise.

– Shkolla e Katundevet. – Në qendër të Mitrovicës ka gjashtë shkolla, që punojnë rregullisht me nga dy mësues për sejcilën shkollë. Këto shkolla janë hapun qysh vjet. Mbasi administrata asht në mungesë për t’i dërgue fëmijët në shkollë, me gjithë që vjet kena pas hapun Kurse për analfabeta pranë këtyne shkollavet, simvjet, mjerisht, për arsyenat e nalt tregueme, kurset janë të shkimun ndër katunde dhe vazhdimi i nxanësve, asht jo i rregullt. Me gjithë këtë përfundimi i punës së deri tashme asht mjaf i mirë.

Janë mandej edhe 15 shkollat e katundeve të N-Prefekturës së Vuçitërnës dhe 12 shkollat e N-Prefekturës së Podujevës “Llap”, ndër të cilat gjinden vetëm nga nji mësues. N/ Prefektura e Pazarit s’ka shkollë katundi.

– Arsimtarët. – Arsimtarët e shkollave të katundeve, përveç ata të Mitrovicës dhe pjesërisht ata të Vuçitërnës, që kaluen nga nji kurs mësusijet në Mitrovicë, qyshë në Kallnuerin e vitit 1941, kanë aftësi.

Do t’ishte mirë që Ministrija e Arsimit t’a tregojë, edhe këtë radhë, zhestin atnuer tue hapun nji Kurs Pedagogjik pranë Normales së Prishtinës, posaçërisht për arsimtarët e Mitrovicës dhe të N/Prefekturave të saj, për këtë pushim të vitit shkolluer, që pa tjetër shkon në favor të krejt popullatës së këtyne krahinave, kështu të destinuem për mos me mujtun m’e gëzue frytin e Atdheut Shqipni.

– Librat. – Libra të ndryshëm janë dhanë natyrisht edhe kursistëve si edhe në popull. Për transportin e librave prej Prishtine janë bamun disa shpenzime, të cilat janë mbyllun tue marrë nga nxanësit 10 dinarë për libër. Për këtë ç’do arsimtari iu la në kompetencë të mbledhunit e të hollave dhe, si konsekuencë të mirë, afro ç’do shkollë ka formue arkëzën shkollore me shumat e mbetuna. Për këtë vit shkolluer nevojiten sasina të konsiderueshme librash të ndryshme për klasën e V-të dhe të katërtë dhe këndime për klasën e II-të e sidomos abetare për të gjitha shkollat e rajonit si dhe për kursista dhe për popull.

– Tekstet Shkollore.– Gati të gjithë arsimtarët e rajonit kanë tekste shkollore. Revista “Shkolla shqiptare” dhe “Puna në shkollë”, ndahen rregullisht.

– Biblioteka. – Prej librave të ndryshëm, janë hapun gjashtë Biblioteka:

Në Mitrovicë;

a.- Biblioteka e shkollës

b.- Biblioteka e Rinisë, dhe

  1. Biblioteka e Shoqnis Bamirëse Shqiptare “Merhamet”

Në Pazar të Ri:

Biblioteka e Rinisë dhe e Shkollës

Në Vuçiterën:

Biblioteka e Rinisë

Biblioteka e shkollës

Në Podujevë-Llap:

Biblioteka e Shkollës dhe e Rinis

– Shkolla “Hasan Prishtina” Vuçiterën. – Përbahet prej katër klasësh me 220 nxanës, djem e vajza.

Nazmi Mustafa mëson klasën e IV-të

Mehmet Azemi, klasën e III-të

Jonus Haliti, mëson të dytën dhe

  1. Is’hak Sylejmani të I-rën.

 

Shkolla “Hasan Prishtina” Vuçiterën ka edhe Kursin e Natës, që përbahet prej 130 kursistëve. Kursi ka fillue më 15.ll.1943.

Klasët e Kursit janë të ndamë në:

Kursi i naltë, që e ka Z. Nazmi Mustafa

Kursi i analfabetëve në dy paralele që e kanë përsipër Z. Mehmet Azemi dhe Z. Xhafer Topalli, tregtar i vogël i regjistruem në Organizatën e Rinisë Vuçiterën.

Programi i mësimeve të deri tashëm nuk asht i plotësuem për të dyja rasat, por përfundimi i punës i mirë.

Shkolla “Naim Frashëri” – Pazar i Ri. – ka fillue më 1.X. 1942 dhe ka 180 nxënëse, që vazhdojnë rregullisht, me gjithë që 250 janë të regjistruem. Nevojitet për këtë, përsëtepërmi nji ose dy mësuese.

Abdullah Zajmi, mëson klasën e I-rë dhe të II-të që përbahen prej 125 nxanësve, djem e vajza; nësa Z. Xhemaludin Presheva, mëson klasën e tretë (III), të IV-të dhe të V-të, që përbahen prej 55 nxanësish- femra e meshkuj.

– Shkolla “Skënderbeg” Podujevë. – Ka pesë klasë me 220 nxanës të regjistruem e që vazhdojnë 150. Vajza s’ka.

Klasa e III-të përbahet prej 25 vetësh,

Klasa e IV dhe e V-të 7. Të trija klasët i mëson Hasan Bilalli.

Sulejman Ibrahimi mëson klasën e II-të me 30 nxanës. Ky asht edhe mësues i besimit.

  1. Reshit Hasani, mëson Kl. I-rë “A” po me 40 nxanës.

Podujeva s’ka Kurse Analfabetësh.

– Rinija. – Në sa ka gja të saktë e gjurmë të pashlyeshme, që e mban gjallë moralin e popullit shqiptar dhe katundar dhe qytetar, përveç shkollës, asht edhe Rinija, tashma e organizueme edhe në Vuçiterën, Podujevë e Pazar bashkë me Rininë e katundaris, e cila asht e mësueme me i ndejt në beh rrymave politike, ajo mban nalt bindjen në zemrën e gjithëkujt se: këto vende janë thjesht shqiptare, se truelli i këtij vendi asht i lamun me gjak për t’a mbajt gjallë shqiptarin n’amshim.

– Manifestimi Gjimnastikuer. – Si u tha edhe ma naltë, Rinija me anë të marshimeve, kangëve kombëtare, me edukatë fizike e çfaqje theatrore e gatueme për çdo Kurajë Kombëtare ka dallue Racën e gjallë të shqiptarit, që marshon për “Liri”, tue e bindë jo vetëm mbarë popullin, por edhe anmikun serb e mikun gjerman.

Më 1 Maj 1943, Rinija dha nji Manifestim Gjimnastikuer në fushën e lojës, e cila kje dëshirue prej Autoritetevet Ushtarake gjermane. Ndër spektatorët, përveç Autoriteteve Ushtarake e civile e të Gjandarmërisë, ndodheshin edhe dy generala, oficera të naltë, Organizata të ndryshëme Ushtarake e Policore e nji ushtrie enorme, që rrinte pranë publikut qytetar e katundar, në sa nanat e motrat shqiptare, me gjithë që në çarqafa, përmbanin grupin ma interesant të spektatorëve, të cilat kanë vrapue me tregue urinë e tyne për t’i pamë frytin e librit dhe të krahut të bijë e bijave të tyne, në nji fushë të stolisun me qindra flamuj Kuq e Zi, prej valvitjevet madhështore të të cilavet krejt toka e madhënueshëme Arbnore e Kosovës Shqiptare.

Në këtë manifestim muerën pjesë:

Shkolla e Mitrovicës, Pazarit dhe e Vuçiternës

Kursistat e natës dhe

Rinija Shqiptare e:

Mitrovicës

Pazarit

Vuçiternës

Katundaris së Mitrovicës dhe nji delegat i Rinis së Podujevës.

Me qindra aparate fotografish ishin në veprim nga ana e Ushtris, në sa redaktori i Revistës “Signal” ka nxjerrë ma se 400 metra film në ngjyrë, rreth lëvizjevet, e cila u dërgue në Berlin me raportazh të ndryshëme”[4].

[1] Arkivi historik i qytetit të Mitrovicës, dokumenti nr. 498, 17 shkurt 1943, Ministria për Arsim e Fe, Beograd; dhe Dr. Abdullah Vokrri “Shkolla dhe arsimi në anën e Llapit brenda viteve 1878 – 1944”, Prishtinë 1995, f. 107.
[2] Prof. Dr. Abdylaziz Veseli, Shkollat dhe arsimi shqip në prefekturën e Prishtinës gjatë periudhës 1941-1944, II. Gjilan, 2003, f. 359.
[3] Aqif Blyta ishte njëri ndër veprimtarët më të shquar politikë dhe ushtarakë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në krahinën e Sanxhakun. Lindi më 1894, në Pazar të Ri. Gjimnazin e kreu në Izmir, ndërsa shkollën e lartë ushtarake në Stamboll. Ishte njëri ndër themeluesit e organizatës “Xhemijet” (1919), kryetar i Bashkisë së Pazarit të Ri (1920), deputet i Parlamentit të Mbretërisë SKS (1923), iniciator për hapjen e shkollës shqipe në N. Pazar (1941), pjesëmarrës i Lidhjes së Dytë të Prizrenit (1943), prijës i shqiptarëve të rajonit të Sanxhakut kundër sulmeve çetnike, luftëtar për bashkimin e trojeve etnike. Forcat partizano-çetnike e arrestuan në Gjakovë më 20 janar 1945, dhe e pushkatuan.
[4]Gazeta “Kosova”, organ i Komitetit kosovar, 1943, Viti III, nr. 48, 49, 50, f. 7