Rethanat arsimore në prefekturën e Mitrovicës gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe roli i Aqif Blytës në hapjen e shkollës  shqipe në  Pazar të Ri ( pjesa e VII)

Fazli Hajrizi

Planet dhe programet mësimore për shkollat fillore shqipe

(Kumtesë në konferencën shkencore të 21.janarit 2017,kushtuar përvjetorit të 72 të vrasjës se Aqif Blytës e Ahmet Dacit,mbajtur në Prishtinë)

Fazli Hajrizi

Gjatë viteve 1941-1944 shkollat fillore në Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë dhe në Pazar të Ri punonin në bazë të ligjeve dhe rregullave arsimore, të cilat i kishte hartuar Ministria e Arsimit në krye me Ernest Koliqin. Ato përcaktonin detyrat e mësuesve, drejtorisë, inspektorëve si dhe të drejtat që gëzonin në ushtrimin e tyre, përcaktonin kategorizimin e mësuesve në bazë të arsimit përkatës, masat disiplinore etj. Arsimi jepej falas (pa të holla) dhe ishte i obligueshëm në ato vende ku kishte shkolla, si për meshkuj, ashtu edhe për femra, duke nisur prej moshës 7-vjeçare. Plani e programi mësimor në shkollën fillore “Skënderbeg” në Mitrovicë, si dhe në shkollat e tjera të kësaj Prefekture ishte, të thuash, në përputhshmëri të plotë me aftësitë psiko-fizike të nxënësve. Parimet e shkollës së përbashkët e të pandarë në Mitrovicë ishin aprovuar me kënaqësi. Mësimi i fesë në shkollë nuk parashihej. Feja mund të mësohej në shtëpi ose në objekte fetare (në xhami dhe në kishën katolike), por jo në shkollë. Në këtë mynyrë mbështeteshin drejtpërdrejt ose terthorazi pikëpamjet e rilindësve për shkollën laike pa priftërinj e hoxhallarë, larg ndikimeve fetare, për shkollën e përbashkët:

Në të gjitha klasat jepej mësimi i moralit dhe edukata qytetare, gjuha shqipe, aritmetika, bukurshkrimi, kënga, vizatimi dhe fiskultura. Për dy vitet e para parashihej të jepej mësim sendesh dhe për kl. III dhe IV dituri natyre, histori, gjeografi etj.

Në fillim nxënësit mësonin abece-në dhe katër veprimet aritmetikore. Nxënësit e klasës së parë kanë pasur këto lëndë: abetare (alfabet), aritmetikë, vizatim, këngë dhe fiskulturë; nxënësit e klasës së dytë kanë pasur në program këto lëndë: gjuhë shqipe, matematikë, vizatim, fiskulturë, këngë; nxënësit e klasës së tretë: gjuhë shqipe, aritmetikë, një lëndë të re që quhej “Të njohim botën”, bukurshkrim, vizatim, këngë dhe fiskulturë; ndërsa nxënësit e klasës së katërt kanë mësuar këto lëndë: edukatë morale e qytetare, gjuhë shqipe, matematikë, bukurshkrim, gjeografi, histori natyre, vizatim histori, këngë, edukatë fizike dhe punë dore e punë gjylpane (për vajza). Plani mësimor i shkollës fillore pesëklasëshe në vitin shkollor 1942/43 përmbante dhjetë lëndë: gjuhë shqipe, aritmetikë, gjeografi, histori, histori natyrë – dituri natyre, bujqësi, vizatim e bukurshkrim, punë dore e punë gjylpane, kangë, edukatë fizike. Në vitin shkollor 1943/44 programi mësimor i klasës së pestë ka përfshirë gjashtëmbëdhjetë lëndë: gjuhë shqipe, mësim moral qytetar, mësim sendesh, këndim e recitim, shkrim e ortografi, ushtrim të folurit e gramatikë, bukurshkrim, aritmetikë e gjeometri, gjeografi, histori, mësim natyre e higjienë, mësim shtetnor, vizatim e punë dore, këngë, punë dore e punë shtëpiake, edukate fizike, pastërti dhe sjellje[1]. Pra, siç shihet, sipas programit mësimor, një rëndësi e madhe i kushtohej qendisjes e qepjes me gjilpërë. Nëpërmjet mësimit të historisë, ku sipas programit parashihej që nxënësit të njihen për luftërat shekullore të popullit tonë për liri, për figurat e shndritshme të historisë sonë etj., nxënësit merrnin njohuri nga aritmetika, njohuri elementare sistematike nga zoologjia, botanika, fizika elementare, njoftime bujqësore, u jepej rëndësi shkathtësive të ndryshme etj. Mësimi mbahej gjatë tërë javës.

Gjatë viteve 1941-1944 mësimi në Rrethin e Mitrovicës është organizuar në bazë të programit të Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Karakteristikë për këto programe ishte se për lëndët mësimore të natyrës, historisë, gjeografisë, aritmetikës, gjuhës shqipe etj. parashiheshin dy, tri e katër orë në javë, varësisht nga klasa. Një vend i merituar i jepej gjithashtu edukatës fizike, pra edukimit fizik dhe shëndetësor. Një rëndësi e veçantë i kushtohej arsimit shëndetësor, higjienës personale, gjimnastikës, lojës, të ecurit, argëtimit, kontrollit mjekësor etj.

Gjatë viteve 1941-1944 mësimi në Rrethin e Mitrovicës është organizuar në bazë të programit të Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Karakteristikë për këto programe ishte se për lëndët mësimore të natyrës, historisë, gjeografisë, aritmetikës, gjuhës shqipe etj. parashiheshin dy, tri e katër orë në javë, varësisht nga klasa. Plani e programi mësimor në shkollën fillore “Skënderbeg” në Mitrovicë, si dhe në shkollat e tjera të kësaj Prefekture ishte, të thuash, në përputhshmëri të plotë me aftësitë psiko-fizike të nxënësve. Parimet e shkollës së përbashkët e të pandarë në Mitrovicë ishin aprovuar me kënaqësi.

Në shkollat shqipe që u hapën në Prefekturën e Mitrovicës, në Drenicë dhe në vendet tjera të Kosovës, mësoheshin këto lëndë: edukata morale e qytetare, gjuha shqipe, aritmetika me gjeometri, historia, gjeografia, dituria e natyrës, bujqësia, vizatimi e bukurshkrimi, punë dore e punë gjilpëre, kënga dhe edukata fizike.

Shkolla fillore “Skënderbeg” në Mitrovicë si dhe shkollat në fshatrat përreth, pastaj ato në Podujevë, në Vushtrri e në Pazar të Ri punonin me tekste shkollore dhe me plane e programe të përbashkëta. Planet e programet dhe tekstet shkollore, të thuash, në tërësi i përshkonte fryma kombëtare, prandaj ndikonin drejt në edukimin patriotik të fëmijëve.

Fondi javor i orëve për lëndën mësimore Gjuhë shqipe ka qenë i specifikuar sipas klasave dhe lëmenjve mësimorë. Kështu, lënda mësimore: Mësimi i shkronjave është mbajtur vetëm në klasën e parë; Shkrim e këndim (lexim) është mbajtur në të gjitha klasat (I-5 orë, II-5 orë, III-5 orë, IV-4 orë dhe V-4 orë); Rrëfime e kallëzime është mbajtur në të gjitha klasat (I-2 orë, II-2 orë, III-2 orë, IV-1 orë dhe V-1 orë); Ushtrime të të folurit është mbajtur në të gjitha klasat (I-2 orë, II-1 orë, III-1 orë, IV-1 orë dhe V-1 orë); Recitime është mbajtur në të gjitha klasat (I-1 orë, II-1 orë, III-1 orë, IV-1 orë dhe V-1 orë); Hartim është mbajtur duke filluar nga klasa e dytë (II-2 orë, III-2 orë, IV-3 orë dhe V-3 orë); Diktim është mbajtur duke filluar nga klasa e dytë (II-2 orë, III-2 orë, IV-3 orë dhe V-3 orë); Ortografi është mbajtur në klasën e dytë (1 orë) dhe në klasën e tretë (1 orë). Pra, fondi i përgjithshëm i orëve mësimore për lëndën gjuhë shqipe ka qenë gjithsej 68 orë në javë: I-14 orë, II-14 orë, III-14 orë, IV-13 orë dhe V-13 orë[2].

Shkollat fillore të Prefekturës së Mitrovicës, sikurse të gjitha shkollat fillore të Kosovës, kanë qënë të obliguara që të organizojnë kurse dite për të rritur (djem dhe vajza) të moshës 10-13 vjeçare, me nga një orë mësimi në ditë. Kështu, fondi javor ishte gjithsej 8 orë mësimore: Gjuhë shqipe – 4 orë, Aritmetikë – 2 orë, Histori dhe gjeografi – 2 orë.

Derisa mësimdhënësit e të gjitha shkollat në trojet shqiptare që ishin nën okupimin e Italisë fashiste, gjatë periudhës 1941-1943, pengoheshin për të zbatuar planin e programin mësimor, i cili ishte mbarështuar me qëllim të edukimit dhe arsimimit të fëmijëve në frymën kombëtare, ata që i përkisnin Prefekturës së Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë, Pazar i Ri), pra që i përkisnin zonës së okupimit gjerman, nuk i kishin këto pengesa. Pas kapitullimit të Italisë më 8 shtator 1943, në nivel të Ministrisë së Arsimit u formua një komision, i cili përpiqej që shkollën shqiptare ta ngrinte në shkallën e duhur të shkollës kombëtare shqiptare. Komisioni në përbërje: Aleksandër Xhuvani (kryetar), Karl Gurakuqi, Kostaq Cipo, Anton Deda, Ibrahim Babamusta, Filip Llupi, Stilijano Goxho, Kasem Bajrami, Ahmet Gashi, Ndue Paluca, Beqir Sinani, Gabrie Meksi, Arshi Pipa, Kolë Koci, Fadil Gurmani, Ramazan Jarani, EqremÇano, Sotir Angjeli, Zef Skiroji, Gaspër Shoshi dhe Rexhep Krasniqi, pas konsultimeve dhe analizave, kërkoi nga Ministria e Arsimit që të bëjë ndryshimin e Planit dhe Programit mësimor për shkollat fillore dhe të mesme në Shqipëri[3] dhe, duke filluar prej muajit prill 1944, të kthehet dhe të fuqizohet program për shkollat fillore pesëklasëshe i vitit 1938, kuptohet, me disa ndryshime të vogla e të nevojshme.

 

Tekstet mësimore

 

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste (1939), Ministri i Arsimit i Shqipërisë, Ernest Koliqi, tuboi rreth vetes një bërthamë të intelektualëve më të shquar të kohës, si: shkrimtarë, mësues, pedagogë, gjuhëtarë etj., duke kërkuar që të formohen komisionet për përpilimin e teksteve mësimore për shkollat fillore dhe të mesme. Disa nga intelektualët, si: Karl Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Rexhep Krasniqi, Namik Resuli, Kolë Kamsi e të tjerë iu përveshën punës me tërë qenien dhe brenda një periudhe optimale përpiluan disa tekste shumë të rëndësishme për kohën, duke ua zhdukur kështu rrënjët diktimeve, përshkrimeve dhe përkthimeve individuale që u bënin disa mësimdhënës njësive mësimore e teksteve nga gjuhët e huaja. Pas kapitullimit të Jugosllavisë dhe lirimit të tokave shqiptare (Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi) u hapën shkollat e para në gjuhën shqipe. Kështu, në vitin shkollor 1941/42, për këto shkolla shqipe u botuan 37 tekste mësimore: 13 tekste mësimore për shkollat fillore pesëklasëshe, 14 tekste mësimore për shkollat e mesme dhe 14 vepra të ndryshme letrare e historike. Këto tekste u shpërndanë menjëherë nëpër shkollat shqipe gjithandej në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, pra edhe në Prefekturën e Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë, Pazar i Ri), e cila gjendej në zonën e okupimit gjerman.

Ndër tekstet shkollore që i përdornin nxënësit e shkollës fillore “Skënderbeg” dhe të shkollave të tjera të rrethit të Mitrovicës, sado që siguroheshin me shumë vështirësi, kanë qenë: Libër leximiAbetari gegënisht me ilustrime, Libër leximi – gegënisht për klasën e dytë, Libër leximi – gegënisht për klasën e tretë, Libër leximi – gegërisht për klasën e katërt, Libër leximi – gegënisht për klasën e pestë. “Mësime fillestare-Aritmetikë”, botim i Ministrisë së Arsimit, shtypur në Vlorë, i përkthyer nga frengjishtja nga major Qamil Elbasani, “Libri i këndimit”, i shtypur fill pas ardhjes së Italisë fashiste (Bedriu urdhëroi që t’i hiqen fletët ku ishte portreti i Musolinit si dhe ato faqe ku himnizohej fashizmi), “Histori e Shqipnisë” e Ndoc Nikajt, “Pesëdhjetë mësime nga shkenca fizike e natyrore”, Tiranë 1928, “Atdheu dhe bota”, Tiranë 1929, “Gyjom Teli” i F. Shilerit, nje libër me titull “Kosova”, “Gjeografia e Shqipnisë” i prof. Ahmet Gashit, “Nacionalizma dhe patriotizma” i Kristo Floqit, “Kosova-djep i shqiptarëvet”, 1943 i Hamit Kokalarit, “Dëshirë e shqiptarëve” i Naim Beut, “Vjersha shkrestare”, revista mujore pedagogjike “Mësuesi” që botohej në Tiranë  nën drejtimin e Karl Gurakuqit etj.

Mesimdhenesit dhe nxenesit e shkolles se Pazarit

Organizimi i aktiviteteve kulturore, sportive, atdhetare etj

 

Mësuesit shqiptarë që kanë punuar në Prefekturën e Mitrovicës (Mitrovicë, Podujevë, Vushtrri e Pazar të Ri), kanë qenë jo vetëm mësues e drejtues të përkushtuar, por edhe organizatorë të mire të aktiviteteve jashtëmësimore. Kontributi i tyre në begatimin e jetës kulturore të këtij mjedisi e më gjerë është jashtëzakonisht i madh. Me nxënësit e shkollave fillore dhe me të rinjtë e qyteteve e fshatrave janë organizuar një sërë aktivitetesh kulturore e sportive. Në disa shkolla për herë të parë janë themeluar shoqëri sportive, kori, grupi i baletit, grupi dramatik etj. Qëllimi i tyre ishte afirmimi i vlerave të mirëfillta të kulturës sonë kombëtare, edukimi patriotik e artistik i të rinjve, kalitja fizike e tyre etj. Për të rritur dashurinë e nxënësve për shkollën dhe diturinë, për të shtuar dashurinë midis njerëzve, këta mësues të devotshëm kanë organizuar nxënësit e shkollave të qyteteve dhe të fshatrave për të vizituar shkollat tjera, jo vetëm në Prefekturën e Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë, Pazar të Ri), por edhe në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Pejë etj. Kudo që shkonin, shfaqnin programe artistike me këngë e valle, pjesë teatrale, lojëra sportive etj.

Për shembull, Bedri Gjinaj, bashkë me të rinjtë e qytetit, si: Fetah Suhodollin, Fehmi Guskën, Sazane Devën, Sali Nushin, Musa Gashin, Makushe Kollarin, Murat Morinën, Nazire Prekazin, Reshat Devën, Melihate Devën, Lina Shkrelin etj. Kanë përgatitur dhe kanë vënë në skenë dramën “Besa” të Sami Frashërit, kanë bërë dramatizimin e vargjeve të poemës “Grueja shqiptare” (“Nanë e bijë”) e Vinçenc Prennushit etj. Në kujtesën e popullatës së Mitrovicës ka mbetur i pashlyeshëm programi artistik i nxënësve të shkollës fillore “Skënderbeg” me shfaqje teatrale, këngë, valle etj. i mbajtur në sallën e kinemasë “Pallas” më 25, 26 dhe 27 gusht 1941.

Këto dy pjesë janë shfaqur edhe në Prishtinë, në Vushtrri, në Podujevë e në Pazar të Ri. Pas vizitës së parë në Pazarit të Ri, afro 200 nxënës e kursistë prej 9 deri më 11 gusht 1941, kanë shkuar sërish atje te vëllezërit e motrat e tyre, ku janë pritur me përzemërsi nga popullata vendëse shqiptare e boshnjake. Paraqitja me pjesë dramatike, valle, këngë, recitime etj., ishte shumë mbresëlënëse.

Capture

Pozita material dhe ekonomike e personelit arsimor në shkollat e Prefekturës së Mitrovicës

 

Gjendja e mësimdhënësve që punonin në Prefekturën e Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë e Pazar i Ri) ishte e pavolitshme. Shumica e personelit arsimor ishin të martuar, kishin fëmijë dhe kishin detyrime familjare. Mësuesit si: Gjon Kabashi, Jorgji Shuteriqi, Hajrë Haxhija, Abdullah Zajmi, Xhafer Xëxa, Xhemaludin Presheva, Is’hak Sylejmani, Avni Zajmi, Nazim Mustafa, Hasan Bilalli e të tjerë nuk kishin mundësi që të ndihmonin familjet e veta sepse, me rrogën që merrnin, mezi i përthekonin shpenzimet mujore për banim, ushqim, udhëtim etj. Për shkak të vështirësive të dërgimit të të hollave në vendet e caktuara shpesh rrogat vonoheshin, ndërsa ndihmat nga administrata me gjëra ushqimore, veshmbathje, shtrojë e mbulojë etj., ishin simbolike. Shpërblimi a stimulimi joadekuat ndikonte drejtpërdrejt në gjendjen e përgjithshme shpirtërore të mësimdhënësve. Megjithatë, shumica e mësuesve angazhoheshin me tërë qenien që ta kryejnë misionin e tyre me përkushtim e dinjitet. Kjo pozitë e palakmueshme material dhe ekonomike zgjati deri në tetor të vitit 1943, kur Këshilli Administrativ i Ministrisë së Arsimit në Tiranë mori vendim që mësuesve t’u sigurohen banesa falas, t’u kompenzohen shpenzimet e udhëtimit, t’u ndaheshin shpërblime nga Bashkitë me rastin e festive të ndryshme etj.

Financimin e mësimdhënësve e bënte Ministria e Arsimit. Me një rrogë me bazë 150 deri në 250 franga shqiptare mësuesit mezi arrinin të mbulonin harxhimet më minimale mujore. Duke qenë se buxheti finaciar i kësaj Ministrie ishte mjaft i kufizuar, Ministri i Arsimit, Ernest Koliqi kishte kërkuar nga Këshilli Ministror i Mbretërisë Shqiptare që për vitin shkollor 1941/42 të ndajë një shumë prej dy milion e gjysmë franga shqiptare për nevojat e hapjes edhe të shkollave tjera fillore e të mesme shqipe në tokat e liruara (Kosovë e Maqedoni).

Të gjithë mësimdhënësit e shkollave shqipe të zonës gjermane i emëronte Ministria e Arsimit dhe Fesë, sektori gjerman i mësimit në Beograd. Pra, mësuesit e Prefekturës së Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë e Pazar i Ri), të cilët kanë qenë me honorar, merrnin nga 1800, përkatësisht 1500 din.[4] të qeverisë së Nediqit. Me ndërmjetësimin e Bedri Gjinajt dhe kërkesat e njëpasnjëshme të tij, Ministria e Arsimit e Tiranës të gjithë mësuesve të Qarkut të Mitrovicës për çdo muaj ua jepte edhe nga tre napolona. Kjo Ministri ua dhuroi të gjithë mësuesve edhe nga një palë rroba të bukura, ndërsa për nxënësit, meshkuj e femra, pos librave, fletoreve, lapsave e mjeteve tjera mësimore, ua siguroi falas edhe uniformat shkollore.

Deri në fund të muajit shtator 1943, financimin e mësuesve të Qarkut të Prefekturës së Mitrovicës e ka bërë edhe Ministria e Kulturës Popullore e Mbretërisë Shqiptare, kurse që nga kjo kohë e deri në fund të vitit shkollor 1943/44, për kohën që punonin, ata i shpërblente (paguante) me nga 150 franga shqiptare Ministria e Punëve të Jashtme e shtetit shqiptar[5].

Shpërblimet që Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë ua jepte mësuesve të shkollave fillore të Prefekturës së Mitrovicës, i sillte ministri i punëve të jashtme, Vehbi Frashëri[6], ndërsa ndarjen e tyre e bënte komisioni arsimor pranë Prefekturës së Mitrovicës në këtë përbërje: Ibrahim Lutfiu (kryetar i komisionit), prefekt i Mitrovicës, Ahmet Mustafa, referent i arsimit, Bedri Gjinaj, drejtor i shkollës fillore “Skënderbeg”, Xhemaludin Presheva, drejtor i shkollës fillore “Naim Frashëri” në Pazar të Ri, Abdullah Zajmi, mësues në Pazar të Ri, dhe Ferid Bajrami, referent i përgjithshëm i arsimit dhe inspektor i arsimit në Qarkun e Mitrovicës[7]. Në korrik të vitit 1944, ministri i punëve të jashtme të Shqipërisë, Vehbi Frashëri, i kishte sjellë 27240 fr. shq. si ndihmë për mësuesit e Qarkut të Mitrovicës. Më 5 korrik 1944, komisioni arsimor në Mitrovicë, nën drejtimin e kryetarit Ibrahim Lutfiu, vendosi që secilin mësues ta shpërblejë me nga 408.40 fr. shq.

Kushtet në të cilat punonin mësuesit gjatë Luftës së Dytë Botërore, sidomos ata të Prefekturës së Mitrovicës, siç theksuam edhe në fillim të këtij kapitulli, kanë qenë shumë të vështira. Për punën dhe angazhimin e mësuesve në procesin mësimor, për vuajtjet dhe mundimet shpirtërore të atyre që kanë punuar në Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë dhe Pazar të Ri si dhe në fshatrat përreth, gazeta “Kosova” nr. 48-50/1943, shkruan: “Shpërblimi që iu ka dhanë atyre, të çdo shkolle dhe grade nuk i ka kapërcye kurrë të gjashtëdhetë frangat. Të gjithë ata që njofin shtrenjtësinë e jetës ndër kushte të tashme të jashtëzakonshme, e kuptojnë mirë se me ç’vështirësi dhe pengesa kanë pasë të bajnë arsimtarët tanë tash e dy vjet e gjysmë. Ata luftëtarë të nji lufte trefish të shenjtë, kanë luftue shpeshherë deri në mungesën e elementeve ma fillestare të jetesës, ju ka mungue deri kafshata e bukës së thatë. Megjithëkëtë, ndër këto vuejtje dhe mundime shpirtnore dhe landore, zelli i tyne nuk ka pësun asnji zbritje, përpjekja e tyne nuk ka pasun asnji ndërpremje, hovi i zemrës së tyne nuk asht ndalë asnji çast. Përkundrazi, pasjoni i tyne, nji pasjon i dëlirë, nji pasjon apostolik, nji pasjon ideal i kulluet si uji i rrëmbyeshëm që djegjet nga majat e maleve të nalta të Arbënisë së pavdekshme… shpirti e ka mposhtun landën, ideali ka fitue mbi materialen, vullneti ka ngadhënjye mbi pengimet!”[8]

Me gjithë vështirësitë që kanë përjetuar, të gjithë këta mësues kanë shkruar faqe të lavdishme në historinë e kulturës, të arsimit dhe të lëvizjes patriotike shqiptare, prandaj shumica syresh kanë marrë lëvdata, mirënjohje, dekorata etj. Kështu, presidenti Sali Berisha ka dekoruar 287 mësues, që hapën ose shërbyen në shkollat shqipe në Shqipërinë Veriore e Lindore jashtë kufijve politikë të vitit 1913 të shtetit shqiptar (1941-1944). Presidenti i Shqipërisë, me dekretin nr. 811, dt. 11 prill 1994, dekoroi edhe mësuesit që kanë punuar në Prefekturën e Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë, Pazar i Ri), si: Abdullah Zajmin, Xhemaludin Preshevën, Avni Zajmin, Xhevdet Dodën, Bedri Gjinajn, Melihate Devën, Ahmet Mustafën, Paulina (Lina) Shkrelin, Ali Gaxhën, Taib Perjucin, Zografa Harallambi – Martinin, Xhafer Xerxën, Hasan Bilallin, Nazmi Mustafën, Is’hak Ramaxhikun, Gjergj Martinin e të tjerë për punën e tyre në hapjen e themeleve të forta të arsimit të gjuhës shqipe, në organizimin e shkollave dhe pajisjen e tyre me tekste në shkollat shqipe në Shqipërinë Veriore e Lindore jashtë kufijve politikë të vitit 1913 të shtetit shqiptar të vitit 1941-1944.

( fund)

[1] AQSH, F. 295, viti 1941, dosja 27, fleta 40-48 (Qarkore e Ministrisë së Arsimit në Tiranë, dërguar inspektorive të arsimit në Kosovë e Dibër në trajtë udhëzimi mbi zhvillimin e lëndëve mësimore dhe bashkëngjitur me të edhe Plani dhe Programi Mësimor i Shkollave Fillore Pesëklasëshe).

[2] AQSH, F. 295, viti 1941, dosja 112/1, fleta 311-312 (Qarkore udhëzuese e Ministrisë së Arsimit, dërguar inspektorëve të arsimit, në Prizren, në Prishtinë, në Pejë, në Dibër e në Tetovë rreth udhëzimit për hapjen për herë të parë të shkollës fillore shqipe në viset e liruara).

[3] AQSH, F. 295, viti 1944, dosja 183, fleta 21 e 22.

[4] Arkivi Ndërkomunal i Mitrovicës, dokumenti nr. 498, 17 shkurt 1943, Arkivi i Serbisë, Ministria për Arsim e Fe, Beograd.

[5] AQSH, F-295, viti 1944, dosja 233, fleta 1 (Shkresa nr. 279/3, dt. 10.3.1944, e Ministrit së Arsimit në Tiranë dërguar Kryesisë së Ministrave në Tiranë rreth shpërblimit të mësuesve në Prefekturën e Mitrovicës; AQSH, F-295, viti 1944, dosja 231, fleta 15 (Shkresa nr. 547/11, dt. 11.5.1944, e Ministrit së Kulturës Popullore  dërguar Ministrisë së Arsimit në Tiranë..

[6] AQSH, F-295, viti 1944, dosja 231, fleta 207 (Shkresa nr. 23, dt. 10.7.1944, e Prefektit të Mitrovicës, Ibrahim Lutfiu, dërguar Ministrisë së PM dhe Ministrisë së Arsimit në Tiranë rreth shpërndarjes së ndihmës të sjellë nga Ministri Vehbi Frashëri).

[7] AQSH, F-295, viti 1944, dosja 231, fleta 107, 110, , 111, 112 (Shkresa e nënshkruar nga kryetari dhe anëtarët e Komisionit arsimor të Mitrovicës, e cila iu dërgua më 3.7.1944 Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë bashkërisht me listat emërore të arsimtarëve, me nënshkrimet e tyre personale siç i kishin marrë nga 408.40 fr. shq. nga ndihma e ardhur në Mitrovicë për arsimtarë.

[8] Gazeta “Kosova”, nr. 48-50, viti 1943.