GAZETA “HAK” E SHKUPIT ( 1920 – 1924 ) NJË MARGARITAR I GAZETARISË SHQIPTARE

Gazeta Hak

Gazeta “HAK” 1920 – 1924: në gjuhën turke me shkronja arabe dhe në gjuhën serbe me cirilikë

 Shkruan: Prof.Dr.Muhamet Pirraku

Në Evropë, shqiptarët janë i vetmi komb që përjetoi dhe po i vunë mizoritë gjenocidiale e etnocidiale të robërisë serbe, të themi shekullore,  gjithmonë me miratime me tolerim ledhatues evropian e ndërkombëtar ndaj apetiteve pushtuese serbe!?! Në të gjitha periudhat e robërisë serbe ka pasur rezistencë shqiptare, të armatosur e politike, por rezistenca shqiptare në periudhën e robërisë serbe në kuadër të Jugosllavisë Versajase ka mbetur e papërsëritur në shumë segmente të saja. Lëvizja e Rezistencës kombëtare Shqiptare për Çlirimin e Tokave Shqiptare, e futur në historiografinë shqiptare me emrin ”Lëvizja Kaçake në Kosovë 1918-1928”, ka pasur pjesëtarë dhe komandantë të çetave, të cilët qëndrojnë në themele të sakrificës shqiptare Paraademjashariane,  për lirinë e kombit shqiptar. Vitaliteti, fuqia dhe nami i “Lëvizjes Kaçake” ishin rezultat i organizmit politik e ushtarak ilegal i quajtur shkurt, popullorçe: “Komiteti Kosovës” si dhe i organizmi politik legal, i njohur zyrtarisht si “Xhemijeti”, i  cili mbi katër vite e nxori dhe e përhapi organin e quajtur: “Hak”, i cili, ndonëse në gjuhën turke me grafi arabe dhe në gjuhën serbe me cirilikë, ishte dhe mbeti një margaritar i gazetarisë shqiptare kombëtare, zëri më autentik i lirisë së shqiptarëve nën robërinë albanofobe serbe e jugosllave, më barbar në historinë e kolonializmit botërore.

Mbi një milion shqiptarë nën okupimin serb – jugosllav të Mbretërisë Serbo-Kroato- Sllovene (e futur në historiografi me emrin “Jugosllavia Versajase”) – “Burg i kombeve josllave” (siç e quante Lëvizja Komuniste e viteve të 20-30-ta të shek. XX), nuk e gëzuan asnjë të drejtë kombëtare dhe ekzistenciale të “pakicave etnike” sipas traktateve ndërkombëtare, nënshkruese e të cilave ishte edhe “Mbretëria Serbo-Kroato- Sllovene”- Jugosllavia nën Dinastinë e Karagjorgjeviqve. Shqiptarëve, zyrtarisht dhe publikisht, u mohohej ekzistenca fizike, qenia e tyre jetësore etnike. Shqiptarët myslimanë Jugosllavia Versajase i emërtonte si “jugoslovenski myslimani” (Mysliman jugosllavë), njësoj si Boshnjakët, kurse elementin shqiptar katolikë si ”latini” dhe “hrvati”, kurse elementin shqiptar ortodoks në Rekë të Iliridës, në Mal të Zi e gjetkë nën robërinë jugosllave i konsideronte “serbë”.

Për këtë dhunë shtetërore jugosllave ishin në dijeni të plotë qeveritë evropiane dhe “Shoqate e Kombeve”, pikërisht nga veprimtarët e “Komitetitit të Kosovës” (në të gjitha format e organizimit politik) dhe të “Xhemijetit”, por ato e toleronin Serbo-Jugosllavinë Karagjorgjeviqiane dhe nuk ndërmerrnin asnjë hap politik e juridik për ta penguar atë dhunë gjenocidiale shtetërore ndaj pjesës më të madhe të kombit shqiptar. Në rrethana të tilla u lind, u rrit dhe dha frute historike gazeta “Hak”. Meqë shkrimi dhe mësimi i gjuhës shqipe ishin veprimtari të ndaluara më rreptësisht se sa të posedosh top të kalibrit qe nga tokat shqiptare mund të goditej Beogradi, veçanërisht për shqiptarët myslimanë,  të pa mbrojtur nga Evropa dhe Bota, gazeta doli në gjuhë të tolerueshme nga pushteti, në gjuhën turke. Rrjedhimisht, as emri kombëtar: “shqiptar” i etnisë dhe i kombit, nuk përdorej në administratën publike shtetërore jugosllave dhe as kishte mundësi emërtimi i ndonjë organizimi politik, apo i ndonjë organi shqiptar me emër shqip.

Në rrethana të tilla të robërisë, kur Lëvizja e Rezistencës kombëtare Shqiptare për Çlirimin e Tokave Shqiptare( ”Lëvizja Kaçake në Kosovë) po shkelte në vitin e dytë, pikërisht më 18 dhjetor 1919, nën kryesin e Nexhib be Dragës, në Shkup,  u ngrit Organizata politike “Xhemijeti” (arabisht: shoqëri, shoqatë, organizatë, bashkim), me program politik legal t’i bashkonte myslimanët shqiptarë e boshnjakë me prejardhje shqiptare të ish viseve shqiptare të Vilajetit të Kosovës, të Manastirit e të Shkodrës, që përbënin mbi dy të tretat e Shqipërisë Etnike, të aneksuara me dhunë ndërkombëtare Jugosllavisë Versajase. Dhe, pas një viti e dy muaj “Xhemijeti”e nxori numrin e parë të organit (gazetës)  “Hak” (arabisht “Häk”: drejtësi, e drejta, e vërteta), me kredon, përpos në gjuhën turke me grafi arabe, edhe në gjuhën serbe me grafi cirilikë dhe në gjuhën frënge me grafi latine: Organ “Jugoslavjada Islam muhafaza i hukuk xhemijeti” (në shqipërim të lirë: Organ i asociacionit, “Bashkimi për Mbrojtjen e të Drejtave të Myslimanëve jugosllavë”). Drejtor dhe pronar i organit “Hak” ishte H. Halidi, kurse redaktor përgjegjës,  ishte Hasan Sabri Ibrahimi. Dija shqiptare deri tashti, mjerisht, nuk di gjë të duhur për këta publicistë të kombit shqiptar, pasardhësit e të cilëve tashti edhe mund të jenë “boshnjakë” apo “turq”, e fare pak, tepër pak, dimë edhe për thesarin publicistik që ruan brenda gazeta “Hak”.

Sipas të dhënave që arrita t’i vjelë, (në qershor 2009) nga koleksioni i vetëm që ruhet në Bibliotekën Universitare të Zagrebit (Signatura 85.663), ky organ kombëtar shqiptar në gjuhë të huaja doli në ditën e hënë më 23 janar 1920.  Deri më 17 janar 1921, doli dy herë në javë, në dy faqe, në gjuhën turke, formati më i madh se A-3. Nga fillimi i pjesës së dytë të janarit 1921 nisi botimi i gazetës edhe në gjuhën serbe me grafi cirilikë. Deri në këtë kohë dolën 122 numra vetëm në gjuhën turke me grafi arabe. Nr. 3 (125) serbisht dhe turqisht, doli më 21 janar 1921. Nga kjo kohë “Hak” doli tri herë në javë, dy herë në gjuhën turke nga dy faqe dhe një herë në gjuhën serbe dhe turke në katër faqe (2+2). Nga 13 janari 1923 doli çdo ditë turqisht, në dy faqe, kurse të martën dhe të shtunën doli edhe në gjuhën serbe (2+2 faqe). Redaksia dhe administrata ishin të vendosura në Rrugën “Karagjorgjeva” nr 76, kurse shtypej në Shtypshkronjën “Stara Srbija”, në Bulevardin “Vojvode Putnika” nr. 20. Numri i fundit i gazetës “Hak” (954), serbisht dhe turqisht, sipas asaj që mund të kuptoja nga koleksioni i vetëm, jo i plotë i Zagrebit, doli më 10 dhjetor 1924. Kjo datë çuditërisht përputhet me kthimin të përgjakshëm të Ahmet Zogut nga Jugosllavia në Tiranë!?!

Për rëndësinë e gazetës “Hak” për historinë e popullit shqiptar nën robërinë jugosllave, të dhënat e para i kisha mësuar, në fillim të viteve të ’70-ta të shek. XX, nga gazeta “Pravda” e Sarajevës, e cila shquhej me frymën demokratike në mbrojtje të Bosnjakëve dhe të myslimanëve “jugosllavë” në përgjithësi. Gazeta “Pravda” në faqet e saj botoi shumë shkrime dhe informata për aktivitetin e Organizatës “Xhemijeti” dhe i solli të plota edhe raportime të korrespondentëve të gazetës “Hak” për vrasjet, plojat dhe gjenocidin e xhandarmërisë dhe të ushtrisë jugosllave ndaj popullsisë shqiptare  gjithandej në vendet shqiptare  në Kosovë, në Iliridë dhe në Sangjak.

Për ekzistimin e gazetës “Hak”, si edhe për renomenë e saj si një shtyp me të dhëna të verifikuara për gjenocidin serb ndaj shqiptarëve ka të dhëna edhe në shtypin shqiptar të viteve 20-40-ta, i cili doli në Tiranë, në Shkodër, në Bukuresht e në Vjenë. Mirëpo, për ekzistimin e një koleksioni të gazetës “Hak” në “Bibliotekën Universitare” të Zagrebit, i pari ka mësuar Prof. Dr. Hakif Bajrami, qysh nga mesi i viteve të 70-ta, pikërisht nga një e dhënë  në “Katalogun” e Bibliotekës Kombëtare të Serbisë. Profesor Bajrami është edhe i pari studiues i historisë shqiptare i kohës së “Monizmit komunist”, i cili pati fatin ta prekte “Hak-un” me dorë dhe  ta gëzonte për nevoja të doktoratës: “Rrethanat shoqërore dhe politike në Kosovë më 19l8-1941”.

Realisht, aso kohe ende mbretëronin ditë të bardha për aktivitete gjurmuese shqiptare nën Jugosllavinë Avnojiste, ndaj studiuesi, H. Bajrami, do të pajiset me autorizim nga Instituti i Historisë së Kosovës, për ta mikrofilmuar  gazetën “Hak”, për nevojat shkencore të Institutit të Historisë, ku, para vitit 1981, është shfrytëzuar së paku edhe nga dy doktorantë të tjerë: Dr. Limon Rushiti – “Lëvizja kaçake në Kosovë 1918-1928” dhe Dr. Milovan Obradović –“Agrarna reforma i kolonizacija na Kosovu (1918- 1941”. Këta tre studiues, mbështetur në informatat, kokë më kokë, nga H. Bajrami e L. Rushiti, këtë gazetë e kanë shfrytëzuar “kursyeshëm”, vetëm pjesërisht, sepse u është kërkuar nga mentorët të mos thelloheshin në Organizatën “Xhemijeti” dhe të mos sjellnin pasqyrime të plota nga “Hak”, për krimet serbe ndaj shqiptarëve!?! Së këndejmi ndoshta ka rezultuar fakti që Dr. H. Bajrami ka cituar vetëm rreth 19 numra të gazetës “Hak”, Dr. L. Rushiti vetëm rreth 17 numra dhe Dr. M. Obradović vetëm rreth 10 numra. Të gjithë artikujt e vjelë nga këta tre studiues të historisë së Kosovës janë në gjuhën serbe dhe të themi janë numra kryesisht të njëjtë. Ka edhe ndonjë studiues që citon një apo dy numra të “Hak-ut”, por jo nga origjinali, citime këto shkarazi përmes H. Bajramit ose L. Rushitit.

Shikuar numrin e artikujve të cituar nga tre studiuesit e përmendur, mund të thuhet se as teksti në gjuhën serbe nuk është i eksploruar së paku 1%, kurse krahasuar me vëllimin e shkrimeve në 954 numrat turqisht, mund të thuhet me saktësi se Gazeta “Hak” sot e gjithë ditën ka mbetur një xhevahir i pashfrytëzuar për historinë kombëtare shqiptare. Nuk është prekur asnjë shkrim në gjuhën turke, e sa kam arritur të kuptoj, aty është burimi më autentik për historinë e përgjakur shqiptare të fillimit të viteve të ’20-ta të shek XX.

Në kohën kur arriti në Prishtinë organi “Hak”, isha autor  i “ndaluar…” dhe më vonë për shumë vite i “munguar…”, në jetën bublike, ndaj, aso kohe, nuk pata mundësi reale ta vilja edhe “Hak-un”, për reflektim në ndonjë projekt shkencor, qoftë edhe pa emrin tim. Në një kohë tjetër, “të lirisë së fjalës publike”, interesimet e mia nuk kërkonin edhe mbështetjen në “Hak”, kështu krejt deri në maj të vitit 2009, kur planifikova edhe vjeljen e “Hak-ut”, në Arkivin Shtetëror të Kosovës, për nevoja të projektit studimor: “Qëmtime për aktivitetin ushtarak të njësitit të Qorr Ilazit 1918-1928”. Mirëpo, përpjekjet e mia për të evidencuar gjurmët e vendit të ndodhjes së mikrofilmit dhe të fotokopjeve të “Hak-ut” në fondet e Arkivit Shtetëror të Kosovës, nuk dhanë asnjë rezultat. As drejtori i Arkivit, as arkivisti i kinotekës –fototekës së ASHK-së dhe as arkivistet, njohës të fondeve nuk kanë asnjë informatë për vendin e ndodhjes së mikrofilmit apo të fotokopjeve të “Hak-ut”. Emri i gazetës “Hak” nuk figuron as në librat e Inventarit të ASHK-së. Nga të gjithë mund të dëgjohet opinioni se “Mikrofilmin dhe fotokopjet e gazetës “Hak”, si dhe materiale të tjera të vlefshme, i kanë marrë serbët me rastin e tërheqjes nga ASHK-ja, pas 12 nëntorit 1999”!?!

Meqë kisha planifikuar një qëndrim hulumtues dyjavorë në Zagreb, për në qershor, kërkova nga Drejtori i ASHK-së, si dhe nga Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Institutit Albanologjik të me pajisnin me një autorizim për ta ri-evidencuar dhe mikrofilmuar gazetën “Hak” në Bibliotekën Universitare të  Zagrebit, për nevoja të dijes historiografike shqiptare. Tani pasi dy ditë i kalova me “Hak-un”,  u shkrova dy përgjegjësve të asociacioneve  të lartpërmendura: “…Të shtundën dhe sot (e diele) punova në Bibliotekën (Universitare) dhe hulumtova në “Hak” (23 janar1920- 10 dhjetor 1924. Kanë dalë 954 numra, në dy e katër faqe. Nuk është komplet, sepse unë i numërova rreth 1750 faqe. Kjo është dëshmi se koleksioni nuk është i plotë. Nuk e kanë në mikrofilm. Për ta nxjerrë në mikrofilm, një faqe kushton 2.5, e për ta hedhur në CD duhen edhe  2 kuna. Faqja e gazetës është më e madhe se A-3. Ndaj për një faqe duhen 4.50 kuna,  CD-ja  5 kuna dhe DVD 10 kuna. Një kunë kushton 7.4 E.  Për ne është lejuar një lëshim prej 0.5 kuna në faqe. Pra duhen së paku 1100-1200. Dine se gazeta “Hak” është dukat dhe është mëkat që nuk e kemi në Kosovë. Me mikrofilmim do t’ia filloin sa po ne t’u themi: “kryeni punën…!”. Pajtimin e borxhit e bëjmë pas mikrofilmimit nxjerrjes në CD…,  me çmim të saktë. Është punë që kërkon kohë, sepse gazeta është në shkatërrim e sipër. Ju lutëm të më informoni dhe të më udhëzoni, si të veproj…!”

Meqë nuk mora përgjigje, e luta përgjegjësin të më jepte një afat, të kthehem në Kosovë dhe veprojë për ta gjetur ndonjë donatorë, meqë   “…neve, në Kosovë, ende na mungon financim shtetëror  institucional për hulumtime shkencore…!?!” . Dhe, sipas gjithë gjasash,  më në fund, fati i qeshi përpjekjes. Nga 4 -16 tetor 2009 isha në një qëndrim hulumtues në AQSH, AMPJ dhe Bibliotekë Kombëtare të Tiranës. Rastisi që në shoqëri me Prof. Harun Minirin (nga viset e Gostivarit), ndërmarrës në Tiranë dhe në Zagreb, të takohem me ndërmarrësin Bamirës kombëtar -Naim Bilallin, gjithashtu gostivaras, i cili qysh në mars e në prill të vitit 1993, në mungesë të aparatit për fotokopjim në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës, e me mirëkuptim të Drejtorisë së Bibliotekës, m’i kishte fotokopjuar, falas, qindra faqe të shtypit shqip të periudhës së  Luftës së Dytë Botërore. Nuk ishte ndihmë e vogël kjo, ndaj N. Bilallin e kisha shënuar si njërin  ndër donatorët kryesor të librit: “Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore 1941-1951”.  Në bisedën për problemet e kombit, jo pa qëllim, duke ua dhuruar disa libra të  mi, botime të viteve të fundit, iu solla “Xhemjetit” dhe organit të tij “Hak”.

Dhe, pasi  dëgjuan “hallin” tim që më zhuriste, Z. Haruni më drejtohet: “Profesor…, të mos humbim kohë me “Hak-un”! Kjo punë u sos që me sonte. Detyra tashti bije mbi këtë Djalosh (i birin e Naimit, i pranishëm). Ju vetëm të ma adresoni një shënim me të dhëna  e me  kërkesa të sakta dhe sa po të kthehem në Zagreb, do të shkoj në Bibliotekën Universitare dhe do ta nënshkruaj Fletë-kërkesën për realizimin e mikrofilmimit  të gazetës “Hak”- në emër të Institutit Albanologjik të Prishtinës, e për nevoja të dijes historiografike shqiptare!”

Meqë realizimin e këtij projekti tashti e quaj të kryer, mbetët që Instituti Albanologjik ta fut në Programin e veprimtarisë shkencore për vitet e ardhshme edhe shqipërimin e tekstit turqisht dhe serbisht të gazetës “Hak” si dhe përgatitjen e botimit të materialeve të zgjedhura nga një redaksi profesionale. Së fundi, të bëhet vetëm botimi i materialeve për përdorim të brendshëm, për nevoja të hulumtuesve në disa qendra universitare shqiptare. Për të qenë më të kursimtar, të shqipërohen vetëm tekstet që kanë rëndësi burimore historiografike, e kjo mund të realizohet nën drejtimin e një redaktori profesional me njohuri historiografike, por  edhe nga osmanishtja e serbishtja. Realizimin e projektit do ta përcillte Dega e Historisë së Institutit Albanologjik, kurse materialet duhet të botohen në Lidhje (libra) të veçantë, sipas viteve të daljes së gazetës dhe në shtrirje kronologjike të numrave të gazetës. Në këtë mënyrë do t’i bënim një shërbim të madh dijes historiografike e publicistike shqiptare, në një anë, dhe do ta lanim një borxh madhor që brezat e rinj ua kanë brezit të madhorëve të kombit shqiptar, vërtet Apostuj të Shqipërisë Etnike, shumë prej të cilëve u martirizuan dhe u internuan nga serbo-jugosllavët në vijimësi deri në  vitin 1952, e më pas.

 

Prishtinë, 20 tetor 2009