Marin Mema shpërblehet me çmimin “Hasan Prishtina” për rrëfimet e tij për historinë shqiptare

marin

Marin Mema ka ndjekur gjurmët e historisë shqiptare, duke informuar opinionin për gjenocidin dhe përpjekjet për tkurrjen e trojeve shqiptare.

Kështu u tha sonte një ceremoni me rastin e ndarjes së çmimit “Hasan Prishtina” për gazetarin Marin Mema, organizuar nga Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta me seli në Prishtinë.

Jahja Lluka, kryetar i Shoqatës, pasi foli rreth historikut të formimit të kësaj shoqate në Pejë më 1990, e cila më pas u zgjerua edhe në trojet tjera shqiptare, tha se çmimi “Hasan Prishtina” ka në bazën e tij dhimbjen e popullit tonë dhe krenarinë e luftën për liri.

“Sot është një ditë e veçantë, sepse çmimi ‘Hasan Prishtina’ po ndahet në vigjilje të festës sonë kombëtare Ditës së Flamurit dhe Marinin e përgëzoj për gjithë punën që ka bërë në të gjitha trojet shqiptare. Ai i ndoqi gjurmët e historisë, por e informoi opinionin për gjenocidin dhe përpjekjet që tokat shqiptare po tkurren vazhdimisht”, ka thënë Lluka.

download-3-8

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se në historinë e Kosovës ka rrugëtime të vështira dhe është një numër i madh i atdhetarëve shqiptarë që jetën e tyre e kanë përmbyllur me flijim për atdhe.

Haradinaj theksoi se Marin Mema është njëri prej të rinjve shqiptarë që nuk kanë përtuar të gjurmojnë historinë e shqiptarëve andaj edhe ndarja e çmimit “Hasan Prishtina” është një nder i veçantë që i bëhet atij.

“Marini nuk është nga ata që ka burra që ka përmbyll karrierën e tij jetësore, por është prej atyre të rinjve shqiptarë që s’ka përtuar të ndalin të gjurmojnë shqiptarin në atdhe dhe më gjerë. Përmes nderimit për Marin Mema nderojmë secilin që punon që shqiptari të dalë në dritë, ajo e sotmja, ajo në atdheun tonë dhe kudo që janë. Duke qenë kështu uroj që shqiptarët në trojet tona të forcohemi, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Maqedoni, Luginë të Preshevës, kudo që jemi dhe uroj që në trojet tona të bashkohemi me vëllezërit tanë shqiptarë në të gjitha kohërat”, ka thënë Haradinaj.

Ndarjen e çmimit “Hasan Prishtina” për gazetarin Marian Mema e ka bërë kreu i shoqatës, Jahja Lluka.

Marin Mema, si gazetar i Televizionit “Top-Channel”, me emisionin e tij ”Gjurmë shqiptare” ka realizuar me sukses tema shumë të rëndësishme për historinë e shqiptarëve në trojet e tyre shekullore.

Ai ka thënë se është krenar se, “pavarësisht historisë së padrejtë ndaj shqiptarëve, kemi arritur të ruajmë gjuhën dhe historinë tonë”.

Për të ky çmim ka rëndësi të dyfishtë, raporton KP.

“Për mua ky çmim ka një rëndësi të dyfishtë, e para pasi mban emrin e njërit nga figurat më të mëdha të kombit shqiptar Hasan Prishtina dhe e dyta, sepse është një detyrim për të ardhmen, për të ecur përpara dhe për të sjellë sa më shumë të vërteta historike, të cilat nuk janë thirrje për hakmarrje, por janë një thirrje për të mos harruar, për të kujtuar mijëra shqiptarë nga veriu në jug, që nuk mund të rikthehen në tokat e tyre”, ka thënë Mema.

download-1

Ndërsa, pinjolli i Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina, tha se ndarja e këtij çmimi për gazetarin Marin Mema bëhet pasi ai solli të dokumentuar gjurmët në trojet e Shqipërisë së vjetër.

“Nderimi që i bën Shoqata për kthimin e shqiptarëve në trojet e veta gazetarit Marian Mema është vetëm një vazhdimësi e denjë e kësaj shoqate që me dekret të presidentit është nderuar edhe me urdhrin Nderi i Kombit. Të nderosh Marinin do të thotë të nderojmë veten, të shkuarën tonë, gjurmët tonë. Marini doli përtej guximit të politikanëve dhe jo vetëm që foli por edhe na solli të dokumentuar gjurmët shqiptare kudo në trojet e Shqipërisë së vjetër”, ka thënë Prishtina.

Në këtë ceremoni është shfaqur edhe një përmbledhje dokumentari të ndarjes së çmimit ndër vite “Hasan Prishtina”, si dhe një dokumentar i përmbledhur për veprimtarinë e gazetarit Marin Mema.

Ndryshe, Mema kaloi të gjitha pengesat e vëna nga regjimet e Shkupit, Athinës, Beogradit, duke realizuar dhjetëra dokumentarë mbi historinë shqiptare të Çamërisë, Maqedonisë dhe viseve shqiptare të mbetura nën Serbi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *