Lirije Kajtazi: Kosova vazhdon të mbetët dosje e madhe e krimit të pandëshkuar në Ballkanin Perëndimor

liriekajtazi

Kosova vazhdon të mbetët dosje e madhe e krimit të pandëshkuar në Ballkanin Perëndimor, vazhdon të lëngoi nga plaga e hapur e rrëmbimit të njerëzve të saj dhe e fshehjes së vendndodhjes së tyre nga aparati shtetëror i Republikës së Serbisë.

Të gjitha faktet flasin qartë për shkaktarin e krimit që është Republika e Serbisë, dhe kjo është vërtetuar edhe nga një gjykatë ndërkombëtare. Gjithashtu dhe mbamendja jonë është e freskët sa për të kujtuar se pjesa me e madhe e këtyre që sot qeverisin me shtetin serb kanë ndihmuar në forma të ndryshme që të kryhen krime kundër civilëve të pafajshëm. Dhe ne po kërkojmë tash e sa vite që në Serbi më në fund të mbizotërojë minimumi i humanes: shteti Serb të tregoj se ku ndodhën njerëzit tanë, që i mori nga shtëpitë e tyre; t’i kthej ata! Me konventa ndërkombëtare krimet vazhdojnë deri në ditën e zbardhjes së tyre, dhe nëse shteti serb si shkaktar i këtyre krimeve vazhdon ta mbaj të fshehur vendndodhjen e njerëzve tanë, ai rrjedhimisht vazhdon rrugën e krimit dhe potencialisht në zemër të Evropës së shekullit XXI kemi një shtet me sjellje kriminale, ose të paktën e përkrah atë. Fshehja e vendndodhjes së njerëzve tanë nga ana e shtetit serb viktimizon jo vetëm të pagjeturit por edhe familjarët e tyre dhe neve si shoqëri dhe institucione. Gjithashtu viktimë dhe e pashtruar është edhe bashkësia ndërkombëtare, pasi në tryezë të bisedimeve ulët me shtetin serb i cili në këtë rast shkelë me dy këmbët konventat e ratifikuara ndërkombëtare mbi luftën dhe të drejtat e civilëve në konfliktet e armatosura. Edhe pas gjitha këtyre viteve familjeve kosovare vazhdojnë t’i mungojnë 1652 njerëz të cilët nëse kanë minimum 5 anëtar të familjes, i bije se 8260 persona në Kosovën tonë të vogël, në mënyrë permanente, gjatë 24 orëve, janë të shqetësuar thellësisht. Për rrethana tona, ky shqetësim kapë përmasa edhe më të mëdha personash të shtresave të ndryshme shoqërore. Dhe këto shqetësime natyrisht se traumatizojnë këtë kategori e cila si numër do të ishte vështirë të menaxhohet edhe nga shtetet shumë të zhvilluara. Kjo çështje për shtetet dhe popujt normal, nuk duhet t’i takojë politikës edhe pse ka derivuar nga një politikë e keqe. Kjo çështje duhet të prekë ndërgjegjen njerëzore, të dal mbi politikën. Dhe ne jemi dëshmitarë se qeveritë në Serbi shkojnë e vinë, dhe çështjen e të pagjeturve e kanë shndërrua në çështje politike dhe nuk kanë bërë minimumin e angazhimit për t’u larguar nga politika e keqe e cila ka planifikuar dhe realizuar vrasjen dhe zhdukjen e dhjetëra mira civilëve të pafajshëm. Dhe në vend se ky shtet dhe ky popull të pranoi fajin për vrasjen e civilëve të pafajshëm, dhe jo vetëm në Kosovë, të tregoj vendndodhjen e njerëzve tanë që mori nga shtëpitë e tyre, ai vazhdon të na dërgoi mesazhe kërcënuese çdo ditë në çdo mënyrë të mundshme kur i epet rasti; përmes zyrtarëve shtetëror, përmes intelektualëve dhe klerikëve të Kishës Ortodokse Serbe. Dëshmia më e mirë se shteti i Serbisë, tradicionalisht është shtet i ngritur mbi krime, dhe se nuk ka hequr dorë nga politika kriminale ndaj popujve fqinjë, është fakti i madhështimit të kriminelëve të dënuar nga Gjykata ndërkombëtare e Hagës për krime të kryera në Kosovë. Kjo është një tregues se ky shtet, po t’i epet rasti prapë do të veproj në të njëjtën mënyrë, ndoshta edhe në masë më të madhe. Është koha e fundit që vendet e botës së lirë dhe demokratike; ShBA dhe BE, t’i bëjnë me dije politikës së Beogradit se ky profil i shtetit dhe politikës serbe, nuk ka vend në mesin e familjes evropiane, në se nuk heq dorë nga trashëgimia e afërt kriminale e cila, është dokumentuar nga një gjykatë e respektuar ndërkombëtare (Gjyqi i Hagës). Dhe rastin më të mirë e ka nëse fillon t’i tregoj se ku ndodhën njerëzit tanë të cilët padrejtësisht i ka marr nga shtëpitë e tyre dhe ju ka humbur gjurmët. Ftojë Qeverinë e Republikës së Kosovës, që t’i përmbahet rezolutave të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për të pagjeturit, ku ndër kërkesat kryesore e tyre është që në dialogun me Serbinë kjo temë të ketë prioritet. Prandaj, ne si LDK dhe grup parlamentar, kërkojmë që në kuadër të Platformës së dialogut me Serbinë, njëra ndër temat bosht të bisedimeve të jetë çështja e të pagjeturve, sepse ajo përkon me idealin human që njëkohësisht është shtyllë e civilizimit perëndimor për ku ne aspirojmë të integrohemi. Njëherit, diplomacia e jonë të jetë më aktive kundër ofensivës serbe për tërheqjen e njohjeve nga shtetet që na kanë njohur, dhe aty ku vepron, direkt dhe indirekt, të sensibilizoi qeveritë dhe opinionin e këtyre vendeve për çështjen e të pagjeturve dhe krimet e pa ndëshkuara të shtetit serb, në mënyrë që profili kriminal i politikës dhe shtetit serb të vihet në pah me qëllim që këto vende të ndikojnë në dekriminalizimin e Serbisë dhe zgjidhjen çështjes së të pagjeturve.