Vllasi thotë se Vuçiç ka këtë kusht për njohjen e Kosovës!

Vllasi

Në përafrimin e ditëve për shpalljen e një platforme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç ka shpeshtuar deklarimet publike – bashkangjitur me arsyetime, për një marrëveshje jashtë pritjeve të Serbisë. Ai ka filluar të përmend edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare, e cila shpalljen e pavarësisë së Kosovës e ka gjykuar legjitime. Si komentojnë mediat serbe por edhe ato të huaja, Vuçiç është duke provuar ta pajtojë popullin e tij me realitetin e Kosovës, që Serbia më nuk ushtron kontroll mbi territorin e saj.


Analisti politik, Azem Vllasi në një bisedë për “Gazeta Blic”, ka folur për deklaratat e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç rreth mundësisë së njohjes qoftë joformale për Kosovën.

Vllasi tha se Vuçiç ka një kohë të gjatë që është duke e përgatitur opinionin serb për atë që Serbia duhet të pajtohet se Kosova është shtet.

“Serbia duhet t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën e normalizimi i fundit nënkupton pranim- njohjen e Kosovës si shtet dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”, ka deklaruar Vllasi për Gazeta Blic.

Sipas tij, që Serbia ta njohë Kosovën, Presidenti serb vazhdimisht në Bruksel ka përmendur një kompromis që duhet të ndodhë.

E ky kompromis, sipas Vllasit, ka të bëjë me atë se Serbia është e koncentruar në formimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe.

“Ai para vazhdimit të bisedave në Bruksel vazhdimisht e përmend një kompromis një zgjidhje që do të thotë llogaritë që diçka të përfitojë, e ai përfitim siç duket është koncentruar në formimin e bashkësisë të Komunave me Shumicë Serbe, si rezultat i marrëveshjes që ka nënshkruar Kosova dhe Serbia dhe në atë mënyrë të jetë Serbia prezent në Kosovë, kinse në përkrahje të serbeve të Kosovës, kinse në ofrimin e ndihmës për të funksionuar ajo Bashkësi e Komunave dhe opinionit serb t’i tregoj që Serbia në një mënyrë është prezentë në Kosovë, por, duke u kujdesur për serbët”, ka thënë analisti.

Vllasi ka ritheksuar se Kosova është shtet dhe që Serbia nuk mund të ndryshojë asgjë për këtë fakt.

“Kosova i ka kufijtë, e ka territorin, strukturën e brendshme kushtetuese si shtet qytetar, shtet unitar që nuk ka krahinë si në Bosnje e entitete dhe ky është qëllimi i Vuçiçit”, është shprehur ai.

Më tej, Vllasi përmend edhe rasti se si Vuçiç kohëve të fundit po e përmend edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kjo gjykatë tregon qartë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare dhe as në kundërshtim me rezolutën 1244.

“Shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare, që do të thotë është konfrom të Drejtës Ndërkombëtare dhe nuk është në kundërshtim me rezolutën 1244 dhe ky vendim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është një mënyrë legjitimi, vulë që shtetësia e Kosovës e ka legjitimitetin ndërkombëtarë dhe këtu Serbia nuk mund të thotë asgjë”, tha ai.

Vllasi ka thënë se Serbia duhet ta ketë të qartë se nuk mund të ecë drejt integrimeve evropiane, përderisa, thotë se Kosova qenka e Serbisë e që Serbia ka hise në Kosovë.

“Për interesa të veta duhet të ecë drejt integrimeve evropiane dhe që Kosovën nuk do ta ketë si pengesë, por Kosovën do ta ketë pengesë në rrugëtimin e vet evropian derisa mbanë kësi lloje qëndrimesh që thonë në Beograd se Kosova qenka e Serbisë dhe se Serbia ka hise në Kosovë”, është shprehur analisti Vllasi.

I pyetur në lidhje me shkrimin që, mediat serbe para disa ditë kanë shkruar se Britania është duke provuar të gjejë një formë që ta evitojë seancën për Kosovën në Këshillin e Sigurimit në OKB, ose ta mbajë me dyer të mbyllura- që të shmang veton ruse.

E që pak ditë më vonë një informacion të tillë e konfirmoi edhe vetë Vuçiç, Vllasi ka thënë se synimi i Serbisë është që çështja e Kosovës të mbetet në rend të ditës në Këshillin e Sigurisë

“Synimi i Britanisë apo të themi i SHBA, Francës, Gjermanisë sepse të gjitha kanë një qasje të njëjtë për Kosovën. Së pari shihet se e vlerëson që është bërë e panevojshme referimi çdo tre muaj në Këshillin e Sigurimit për çështjen e Kosovës dhe çka po bën UNMIK-u”, tha ai.

Vllasi ka thënë se UNMIK-u nuk ka kurrfarë pushteti në Kosovë dhe se misioni i UNMIK-ut ka përfunduar me shpalljen e pavarësisë.

Ndërsa iniciativën e përfolur britanike, Vllasi e nënkupton si lirim të Këshillit të Sigurimit nga punët të kota, duke e shqyrtuar një raport për Kosovën çdo 3 muaj.

“Synimi i Serbisë së bashku me Rusinë e Kinën është që le të mbetet në rend të ditës të Këshillit të Sigurisë, Kosova përmes këtij raportimi të tillë, sepse, ajo jep kinse legjitimitet në Kosovë misionit të UNMIK-ut, kurse, realiteti është që misioni i UNMIK-ut nuk ka kurrfarë pushteti në Kosovë në bazë të rezolutës 12/44 por vetëm ka mbetur komponenta e sigurisë e ajo është kontingjenti i NATO-s si mision i KFOR-it këtu”, ka përfunduar Vllasi për Gazeta Blic.

Mediat serbe, para disa dite kanë raportuar për një iniciativë të mundshme të Britanisë, me përkrahje të SHBA dhe Francës, të ndryshojë seancën për Kosovën në Këshillin e Sigurimit.

Këtë raportim të mediave në Serbi, për iniciativën e Britanisë, në njëfarë forme, e ka konfirmuar edhe Presidenti i Serbisë në një konferencë për gazetarë. Presidenti serb shfaqi dyshimin se me këtë iniciativë, për të reduktuar raportimin tremujor për Kosovën në Këshillin e Sigurimit ose mbajtjen e saj me dyer të mbyllura, tentohet të shmanget veto ruse në Këshillin e Sigurimit në zgjidhjen e çështjes së Kosovës./GazetaBlic

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *