Ceremonia shtetërore për varrimin e Adem Demaçit

adem-demaci (1)

Prishtinë, 26 korrik – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë vendim që Adem Demaçi të varroset me ceremonitë më të larta shtetërore dhe ka emëruar Këshillin Organizativ për organizimin e ceremonisë së varrimit.

Me vendim të Presidentit, nga mesnata, me të filluar dita e premte, dita e parë e zisë, flamujt do të ulen në gjysmë-shtizë në të gjitha institucionet shtetërore.

Të premten, në ora 09:00, arkivoli me trupin e “Mandelës së Kosovës”, Adem Demaçi, do të sillet në Kuvendin e Kosovës ku në ora 11:00 do të mbahet Mbledhja komemorative e në të cilën do të mbajë fjalim.

Nga ora 12:00 do të fillojnë homazhet në hollin e Kuvendit të Kosovës. Homazhet do të përfundojnë në ora 20:00.

Me vendim të Këshillit Organizativ, i përbërë nga anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, Kryetari Kadri Veseli, nën-kryetarët Xhavit Haliti, Aida Dërguti, Kujtim Shala, dhe nga Glauk Konjufca e Ahmet Isufi, varrimi i Adem Demaçit do të bëhet ditën e shtunë, më 28 korrik, në “Varrezat e Dëshmorëve” në Prishtinë.

Të shtunën, në ora 09:00 Garda e Nderit do të sjell kortezhin në sallën “1 Tetori” në Prishtinë e ku në ora 09:30 do të fillojë Ceremonia komemorative.

Nga ora 10:00 do të fillojnë fjalimet e liderëve të institucioneve të Kosovës dhe rajonit.

Në ora 11:00, kortezhi do të niset nga salla “1 Tetori” dhe do të lëvizë në itinerarin “1 Tetori” nëpër rrugët “Bill Clinton”, “Xhorxh Bush”, sheshi “Zahir Pajaziti”, sheshi “Nëna Tereze”, sheshi “Ibrahim Rugova”, rruga “Agim Ramadani”, rruga “Rrustem Statovci”, rruga “Isa Kastrati” deri tek Varrezat e Dëshmorëve ku do të varroset kolosi Adem Demaçi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *