Uglanin: Duam të përfshihemi në bisedime për Veriun e Kosovës (YouTube)

uglanin

 

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Boshnjakëve të Sanxhakut,  Sulejman Ugljanin, ka bërë të ditur se boshnjakët duan të jenë pjesë e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ugljanin ka potencuar kërkesën për diskutim në lidhje me veriun e Kosovës.

“Çështja e Kosovës ka marrë fund dhe çdo tentim për ta kthyer Kosovën nën kontrollin serb është tentim për ta destabilizuar Ballkanin”, ka thënë kryetari i Këshillit Kombëtar të Boshnjakëve të Sanxhakut, Sulejman Uglanin.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka deklaruar se opinioni serb është i ngulfatur nga informatat e rrejshme që burimin e kanë në institucionet dhe mediat serbe, të cilat herë veç e veç e herë në sinkron punojnë për këtë qëllim.

Lideri i boshnjakëve të Sanxhakut ka nënvizuar se “çdo tentim për ta kthyer Kosovën nën kontrollin serb është tentim për ta destabilizuar Ballkanin” dhe se “gjithçka ndodh është deri diku faj i bashkësisë ndërkombëtare”, që sipas tij nuk po përkushtohet mjaftueshëm për zgjidhjen përfundimtare.

“Sa i përket bisedimeve mediat serbe nuk e paraqesin kurrë të vërtetën. Ne kemi interes që nga përfaqësuesit legjitimë të Kosovës të dëgjojmë për ato që fliten në Bruksel. Sot kam ardhur me përfaqësuesit më të lartë të Këshillit dhe jam takuar me (Behgjet) Pacollin. Dua ta falënderoj për vendimin që pati marrë për të ardhur në Sanxhak”.

“Njerëzit në Serbi i dëgjojnë mediat e njëjta, gazetarët e njëjtë dhe deklaratat e njëjta. Ata nuk janë të informuar. Njerëzit në Serbi duhet ta dijnë kush ka kontribuar në vrasjen e mijëra shqiptarëve të varrosur në Batajnicë dhe kush i ka sjellë ata trupa të pajetë; në Petrovoselë dhe në Batajnicë”.

“Çështja e Kosovës ka marrë fund. Kosova është shtet multi-etnik dhe demokratik i njohur nga mbi 100 vende të botës. Çdo tentim për ta kthyer Kosovën nën kontrollin serb është marrëzi dhe tentim për ta destabilizuar Ballkanin, e përsëris”.

“Liderët serbë duhet të dalin në opinion dhe të thonë se nuk kanë të drejtë të flasin as në emër të boshnjakëve, as në emër të shqiptarëve të Luginës të Preshevës, e lëre më në emër të qytetarëve të Kosovës”.

“Është koha që kësaj çështje t’i vihet pikë. Aleksandar Vuçiq para disa ditësh ta se çështja e Kosovës është e zgjidhur. Tash është koha që të zgjidhet çështja e Sanxhakut. Qytetarët e sanxhakut nuk janë serbë. Boshnjakët nuk duan të mbeten me status të pazgjidhur në Serbi – shtet i cili sipas Gjykatës Ndërkombëtare është shpallur fajtore për gjenocid ndaj boshnjakëve”.

“Shpresojmë që sa më shpejt të zgjidhet çështja e Kosovës dhe të nisë zgjidhja e asaj të boshnjakëve të Sanxhakut”.

“Njohja e ndërsjellë është e pashmangshme, e domosdoshme. Shtyrja sjell vetëm probleme. Ne dikur kemi jetuar në një shtet që është quajtur RSFJ dhe ku boshnjakët dhe shqiptarët kanë bërë referendum për shtet të tyre”.

“Para disa ditësh i kemi vizituar shqiptarët në Luginën e Preshevës. E kemi mbështetur deklaratën e deputetëve të zgjedhur në mënyrë legjitime. Populli shqiptar në atë deklaratë, duke u thirrur në dokumente ndërkombëtare, të cilat Serbia i ka pranuar, ka paraqitur opsione për zgjidhjen e çështjes së tyre”.

“Populli shqiptar i Luginës së Preshevës përmes përfaqësuesve të zgjedhur në mënyrë legjitime e ka thënë atë që mendon. Mendoj që përfaqësuesit e Kosovës duhet t’i pranojnë propozimet e tyre dhe t’i bëjnë pjesë të bisedimeve”.

“A ka Amerika forcë të thotë se nuk do të lejohet më që të shfarosen popujt e vegjël të Ballkanit? A ekziston dikush që do ta thotë se duhet të largohet një makineri luftë-nxitëse?”

“Nuk varet nga ne. Varet nga BE dhe Kombet e Bashkuara, nëse duan që në mënyrë të heshtur ta legalizojnë gjenocidin mbi boshnjakët. Nuk është zgjidhur çështja e boshnjakëve në Sanxhak”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *