“Rrugëtimi i shqiptarëve të Rozhajës për mbijetesë nëpër kohë” (Recension)

Faruk

RECESION nga Sokol Daci i vepres “Rrugëtimi i shqiptarëve të Rozhajës për mbijetesë nëpër kohë” të autoreve Faruk Daci dhe Kenan Daci.

Jam i nderuar dhe jam mirënjohës që jam caktuar recensent i veprës “Rrugëtimi i shqiptarëve të Rozhajës për mbijetesë nëpër kohë”. Kjo vepër në rend të parë rrit autoritetin shkencor të autorëve, por vlera më e madhe qëndron në kontributin që japin autorët me këtë vepër për ta qitur në dritë të kaluarën e shqiptarëve, jo vetëm të shqiptarëve kreshnikë të rrethit dhe Rozhajës, por vepër me peshë të madhe për ta shkruar historinë e kombit shqiptar për çdo cep të Ilirisë, pa marrë parasysh kufijtë politikë të cilët Evropa i vuri në trojet shqiptare.

Në periudhën postkomuniste u eliminua censura dhe autorëve shqiptarë u jepet mundësia të qesin në dritë vepra shkencore dhe të hedhin në koshin e leckave boshe veprat e shkruara nga autorët sllavë. Që prej krijimit të shteteve sllave angazhuan autorë për të shkruar vepra antishqiptare dhe antinjerëzore. Është numri i madh i autorëve sllavë që shkruajnë zi e më zi për shqiptarë. Këtë dukuri e ka vërejtur autori i kësaj vepre të madhe shkencore dhe kombëtare.

Autori u orientohet të gjithë atyre që përpiqen të mohojnë së shqiptarët nuk janë autoktonë në trojet etnike në Mal të Zi e në mënyrë të posaçme në Rozhajë. “Se Rozhaja është trevë shqiptare do të shihet në libër se gjatë bisedës me banorët e Rozhajës përmenden toponime shqipe. Tregovishte, Rozhajë, Ibër, Maja e Malësorit, Qafa e Kishës, Varrezat e Katolikëve. Shpella e Nuses…” etj.

Shumë gjëra që trajtohen në këtë libër janë të njohura për mua e moshatarët e mi. E jo vetëm të njohura, por edhe të përjetuara për shtrembërimin e fakteve dhe dhunimet e bëra dhe vrasjet që janë bërë që gjaku i kosovarëve të vrarë ende nuk është tharë.

Përshtypje të madhe më ka lënë ndërrimi i mbiemrave, heqja e librave shqip nga biblioteka e shkollës. Jam prekur pa masë në vitin shkollor 1981/82 kur shovinizmi serb tërbohet e hoqi nga biblioteka e shkollës fillore në Dacaj, veprat e Kadaresë e shkrimtarëve tjerë shqiptarë dhe ndërrimin e teksteve shkollore.

Autori në pjesën ku flitet për banorët në Rozhajë qet në dritë manipulimet e entit statistikor për banorët shqiptarë dhe pohon: “Gabime të shumta si pasojë e përllogaritjes dhe bartjes së të dhënave, manipulimet zyrtare të aparaturës shtetërore dhe presioni për t’u shkruar si të kombësisë tjetër.” Të gjitha këto kanë pasur ndikim në strukturën e popullsisë në dëm të shqiptarëve. Janë me interes pjesa gjeografike dhe krimet e komunizmit.

Po e përfundoj; ky libër është i mirëseardhur për çdo shqiptar e në mënyrë të veçantë për hulumtues vendas dhe të huaj.

Urime, urime, urime. Presim vepra tjera.

Rozhajë, 30.09.2017                                                                                                   Sokol Daci

Veteran i Arsimit në gjuhën shqipe në Rozhajë