‘Çetnikët’ në Vishegrad: Ambasada e ShBA-ve dhe e Britanisë të ‘shokuara’ e ‘të tmerruara’ (video)

Ambasada e ShBA-ve në BeH ka bërë të ditur se është “e tmerruar me raportimet për kërcënimet dhe retorikën nacionaliste gjatë ngjarjes së sotme” gjatë një manifestimi të serbëve në Vishegrad.

“Sjellja e tillë është e papranueshme. Presi, nga institucioinet relevante që të ndërmarrin hapa, të merren me këto kërcënime dhe e të bëjnë që të gjithë fajtorët të dënohen”, ka publikuar në Twitter Ambasada e ShBA-ve në Sarajevë.

Ambasadori i Britanisë së Madhe Matthew Field po në këtë rrjet shoqëror ka shkruar se në Vishegrad janë parë “skena shokuese”.

Edhe ai ka kërkuar masa dhe ka vënë në dukje se gjuha e urrejtjes nuk ka vend në shoqërinë moderne.

Siç është bërë e ditur, në Vishegrad të BeH-së janë tubuar pjesëtarët e Lëvizjes së Ravnagorës, për të shënuar përvjetorin e kapjes së kreut të çetnikëve nga Lufta e Dytë Botërore Draza Mihailovic.

Mediet e rajonit bëjnë të ditur se në veshje të cilat i përkujtojnë ato që i kanë pasur çetnikët në Luftën e Dytë Botërore, me shenjat e tyre dhe flamujt e luftës, janë rreshtuar në qendër të Vishegradit, qytet kufitar mes Serbisë e BeH-së.

Në Luftën e Dytë Botërore, nën komandën e të dënuarit për krime luftë Draza Mihailovicit janë bërë krime mbi boshnjakët në Bosnjë e Sanxhak, ndaj kroatëve si dhe ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Mihailovic, i kapur në Vishegrad, është dënuar me vdekje nga pushteti i Titos, por pushteti serb në procesin e rehabilitimit të bashkëpunëtorëve të nazizmit, këtë e ka bërë edhe për Mihailovicin. Gjykata e lartë në Beograd në vitin 2015 e ka anuluar gjykimin e bërë në vitin 1946 dhe Mihailovicit pas vdekjes i janë kthyer të drejtat qytetare, shkruan “Jutarnji list”-i kroat.

“Është e turpshme që institucionet e shtetit (të BeH-së) vetëm shikojnë madhërimin e gjenocidit e krimeve të luftës, por edhe përçmimin e viktimave”, ka thënë ndër tjera Bakira Hasecic, kryetare e shoqatës “Gruaja-viktimë e luftës”, e cila edhe vetë është dëbuar nga Vishegradi gjatë luftës së të 90-tave./fmimages.net/

shiko edhe kete