AGK: RAPORTI I “REPORTERËT PA KUFIJ” PASQYRON GJENDJEN REALE

images

 

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh shqetësim lidhur me gjetjet e organizatës “Reporterët pa Kufij” për gjendjen e lirisë së medieve në Kosovë.

AGK konsideron se ky raport pasqyron gjendjen reale, jo të kënaqshme, të lirisë së medieve në Kosovë që duhet t`i alarmojë institucionet e vendit për krijimin e një ambienti më të mirë dhe të sigurt të të bërit gazetari dhe të lirisë së medieve, në përgjithësi.

Në raportin vjetor të kësaj organizate, Kosova është renditur në vendin e 75-të në botë sa i përket lirisë së shtypit. Krahasuar me vitin 2018, Kosova është ngritur nga vendi i 78-të në atë 75-të dhe qëndron më mirë se vendet e rajonit, por për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës kjo gjendje nuk është e kënaqshme por shumë sfiduese në kuadër të objektivave dhe përpjekjeve për përmirësimin e gjendjes së lirisë së medieve.

Raporti evidenton mungesën e transparencës së qeverisë për çështjet e raporteve me Evropën dhe akuzat e Qeverisë ndaj gazetarëve se janë “tradhtarë” ose “simpatizantë të serbëve”. Aty gjithashtu shkruan se ndarjet etnike në Kosovë janë burim shumë shqetësues për gazetarët e komunitetit serb.

Raporti konkludon se peizazhi mediatik në Kosovë, të paktën në shikim të parë, duket relativisht pluralist dhe shumë media kanë pronarë pa lidhje të drejtpërdrejta politike, gjë që rezulton në politika dhe mendime më të ndryshme editoriale.

Nga vendet e rajonit, Mali i Zi ka renditjen më të ulët për Lirinë e Shtypit, pasi organizata e ka renditur në vendin e 104. Vendet tjera të rajonit kanë këtë renditje: Bosnjë dhe Hercegovina në vendin e 63, Kroacia 64, Serbia 90 dhe Shqipëria në vendin e 82.

Indeksi botëror i Lirisë së Shtypit 2019, i përpiluar nga Reporterët pa Kufij, tregon se si në nivel botëror, urrejtja ndaj gazetarëve ka degjeneruar në dhunë, duke kontribuar në rritjen e frikës. Sipas raportit numri i vendeve që konsiderohen të sigurta, ku gazetarët mund të punojnë në siguri të plotë, vazhdon të bjerë, ndërsa regjimet autoritare vazhdojnë të forcojnë kontrollin e tyre në media.