Kosova me fytyrë të re e me halle të vjetra

mehmet-prishtina-fafce86d

 

Shoqëria jonë është më e gjerë se shtrati i ngusht i partive politike dhe do të ishte shumë e natyrshme që në projekte e aksione konkrete të përfshihen edhe ekspertë që jo domosdoshmërisht vinë nga shtabet partiake, madje pse jo edhe njerëz të dëshmuar  nga forcat politike, deri dje rivale. Mjafton të jesh i përkushtuar dhe idealist në arritjen e qëllimeve sublime.

 

Nga Mehmet  PRISHTINA

Kosova pas 6 tetorit tash më ka një fytyrë të re. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të jenë timonierë të rinj të procesit politik tash e në të ardhmen. Votuesi kosovar me shumicë votash, përmes një vullneti gati pebishitar elektoral, ka deleguar përgjegjësitë për një kurs të ri në menaxhimin e shtetndërtimit. Pritjet janë të mëdha, kurse sfidat janë po aq delikate pikërisht në një fazë kur Kosovës i nevojitet dinamikë shumë e fuqishme në zhvillimin e brendshëm, por edhe një pako politikash të jashtme që do ta bënte shtetin tonë të jetë jo vetëm temë në tryezat e bisedimeve, por edhe palë e barabartë dhe dinjitoze.
Arsyet për të besuar se ndryshimi i hartës politike mund të sjellë progres të gjithanshëm, janë të shumta.
E para, në skenën politike të vendit po vijnë dy forca politike, të cilat pos që posedojnë elanin rinor për të zhvilluar beteja të gjata shtetformuese, ato njëkohësisht po e sprovojnë veten edhe me kapacitetin e brendshëm intelektual e kadrovik, por edhe me pjekurinë e vendimmarrjes.
E dyta, Kosova po e mbyll ciklin e një epoke postrevolicionare (‘epoka e ashtuquajtur e komandantëve’) dhe po hyn fuqishëm në epokën e njerëzve të dijës dhe guximit moral për të pastruar shoqërinë nga virusët që e pengonin ecjen përpara.
E treta, kjo kthesë politike ndodhi në kohën kur shpresat e njerëzve ishin në shuarje e sipër dhe çdo shtyrje e agonisë do të thellonte edhe më tepër ‘gropën shpirtërore’ te rinia, e cila nuk shihte perspektivë në Kosovë, por diku jashtë saj, atje ku biletat merren njëkahëshe.
Askush nuk ka iluzione se Qeveria e re e formuar nga LVV dhe LDK  do të ketë shkop magjik për ti mënjanuar të gjitha problemet që aktualisht i ka Kosova. Por shumë kush pret dhe beson që ndryshimi në bashkëqeverisje, dhe qasja e re në politikat zhvillimore, arsimore, shëndetësore do të sjellin rezultate të prekshme në një periudhë pak më të vonshme. Kosova ka aq shumë nevojë për një program gjithëpërfshirës, që do të rrokte një gamë të gjerë reformash e risish, sa që nuk do të mjaftonte vetëm një mandat. Prandaj presim që LVV dhe LDK të harmonizojnë dhe funksionalizojnë programin qeverisës në atë mënyrë  që do të jetë kompatibil me nevojat në terren  brenda një periudhe më të gjatë. Përvojat kanë dëshmuar se asnjë shtet nuk ka mundur të zhvillojë reforma të mëdha vetëm me një mandat.

Vend për vetëkënaqësi nuk ka. Vend për revanshizëm edhe më hiq nuk ka.
Vetëm në shoqëritë primitive, në mungesë të ideve dhe reformave,  revanshi politik konsiderohet si armë e vetme për të dëshmuar epërsinë ndaj kundërshtarëve. Arma politike e LVV dhe LDK duhet të ketë ‘municion’  punën, disiplinën, bashkëpunimin dhe interesin e përgjithshëm, kurse shënjestër duhet të jenë të gjitha pengesat dhe devijimet që e pamundësojnë progresin në ekonomi e zhvillim, në drejtësi e siguri, arsim e shëndetësi.

Një qeveri konsiderohet e drejtë dhe korrekte, vetëm atëherë kur ndjehen mirë edhe ata që nuk kanë votuar për të, kurse mbështetësit e saj nuk kanë nevojë të sillen triumfalist për arsye se Kosova ka aq shumë halle e punë të pakryera sa që janë të pamjaftueshëm kuadrot vetëm të partive në pushtet. Shoqëria jonë është më e gjerë se shtrati i ngusht i partive politike dhe do të ishte shumë e natyrshme që në projekte e aksione konkrete të përfshihen edhe ekspertë që jo domosdoshmërisht vinë nga shtabet partiake, madje pse jo edhe njerëz të dëshmuar  nga forcat politike, deri dje rivale. Mjafton të jesh i përkushtuar dhe idealist në arritjen e qëllimeve sublime.
Ka pasur në opinion publik disa dilema sa i përket mbarëvajtjes së bashkëqeverisjes në mes të LVV dhe LDK, duke aluduar në dallimet ideologjike të tyre. Varianti më ideal do të ishte sikur këto dy subjekte të kishin të proviniencë të njëjtë, mirëpo përvojat botërore kanë dëshmuar se qeveritë kanë qenë të suksesshme edhe atëherë kur janë udhëhequr nga profile të ndryshme ideologjike. Në rastin konkret, Qeveria e re e Kosovës nuk e ka luksin e kultivimit të politikave që e largojnë njeriun e thjeshtë nga nevojat urgjente për një impuls më substancial zhvillimi. Besojmë që kabineti i ardhshëm qeveritar, duke u nisur nga karizma dhe elokuenca e Albin Kurtit, si dhe nga vendosmëria dhe profesionalizmi i Vjosa Osmanit, do të arrij të detektoj përfshirjen edhe të cilësive të reja, siç mund të jetë, bie fjala, prof dr. Valon Murtezaj , një kuadër me nivel të lart intelektual dhe i dekoruar tash së fundmi edhe nga Presidenti Francez, Manuel Makron, por edhe ndonjë tjetër.
Ideologjia e vetme që i bashkon LVV dhe LDK në bashkëqeverisje është e ardhmja e Kosovës, interesat e qytetarëve të saj dhe formimi i një tradite të re në politikëbërje. Nëse tek këto dy subjekte mbisundon interesi shtetëror mbi atë partiak, nëse nevoja për gjithpërfshirje bëhet më imediate se partizimi i shtetit dhe nëse politika  i pikave të përbashkëta triumfon mbi kapriciet e ngushta provinciale e egoiste, atëherë nuk ka kurrfarë fuqie që mund ta ndalojë  ortekun e ndryshimeve pozitive.