Lutfi Haziri: koalicioni LDK-VV është ngjizur, do të ndodhë

Lutfi-Haziri-1-696x425-780x439

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se do të ndodhë koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje.

 

Haziri shtoi se nuk ka asnjë pakënaqësi nga palët e këtyre dy subjekteve, pasi LDK e VV e kanë mbyllur të kaluarën dhe kanë hapur faqe të re bashkëpunimi, njofton Klan Kosova.

”Po ndodhë ajo që është vendosur më 6 tetor, opozita i ka fituar zgjedhjet. E duke qenë pjesë e opozitës LDK është në fazën e pritjes për përfundimin e procesit zgjedhor. Kanë mbetur votat me kusht, të mërgimtarëve dhe grupit të njerëzve me nevoja të veçanta”.

”Dallimi është i vogël, por është ambient fitues – fitues. Qytetarët kanë vendosur sonte t’i japin këtë 0.66% Vetëvendosjes, Albin Kurtit të drejtën e paraqitjes së fituesit të madh. Për të larguar çdo dilemë, nuk mundet edhe ky proces me qenë gjysmë-shtatzëni. Do të thotë se do të ndodhë ky koalicion, është ngjizë koalicioni. Nuk ka pasur pishmane”.

”Ne jemi duke diskutuar në dy nivele politike”.

”Në nivel politik të parë është ai i liderëve në formatin 1+1, ku Isa Mustafa është përcjellë nga zonja Osmani e nominuara e LDK-së për kryeministre e Albin Kurti nga nënkryetari i partisë së tij, zotri Bislimi”.

”Në nivel politik parimisht është dakorduar që ekipet e dy partive të nisin takimet në formatin 3+3 e të vazhdojnë aty ku e kanë lënë para dy vjetësh, ashtu siç e kemi thënë mosarritje e koalicioneve para zgjedhjeve. Nuk ka pasur ngrirje negociatash. Sot në takim të LDK-së ka qenë tema e bisedës, një njoftim i anëtarëve të kryesisë për rezultatin preliminar për pritjet tona për takimin që kemi pas për Richard Grenell dhe për takimet tjera”.

”Nuk është bërë analizë e nuk është bërë vlerësim. Tani do të nis takimi i formatit 3+3 pa u ndaluar. Mund të takohen sonte, nesër kurdo”.

”Nuk ka pakënaqësi. Çështja ka mbetur aty ku e kemi lënë. LDK e VV e kanë mbyllur të kaluarën dhe e kanë hapur një faqe bashkëpunimi”.