Albin Kurti nuk i identifikon qytetarët e Malit të Zi me Jugosllavinë dhe me Serbinë

kurti

Deklarimi i kryeministrit në ardhje të Kosovës, Albin Kurtit, se ai nuk i identifikon qytetarët e Malit të Zi me Jugosllavinë dhe me Serbinë, ka marrë vëmendje në shtypin malazez të premten.

 

Gazeta e përditshme malazeze, Vijesti, citoi një deklaratë të Albin Kurtit dhënë Televizionit Publik të Kosovës, në të cilën ai thoshte se dëshiron të ketë marrëdhënie të mira me Republikën e Malit të Zi dhe se qytetarët e këtij shteti nuk “i identifikon me Jugosllavinë, e as me Serbinë”.

Kurti i tha RTK2 se sa më shumë të ketë zhvillim, aq më mirë do të integrohen të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

“Unë mendoj se integrimi varet nga zhvillimi. Sa më shumë zhvillim të kemi, aq më shumë do të kemi integrim, pavarësisht kombësisë, dhe kjo vlen edhe për komunitetin malazez në Kosovë. Ne nuk i identifikojmë malazezët me Jugosllavinë apo me Serbinë. Ne e dimë se Mali i Zi e ka njohur Republikën e Kosovës. Malazezët në Kosovë mund dhe duhet të jenë pjesë e një ure të rëndësishme për bashkëpunim të mirë midis Kosovës dhe Malit të Zi”, ka deklaruar Kurti.

Kjo deklaratë e tij, përveç gazetës Vijesti, ka zënë vend edhe në media të tjera elektronike në Mal të Zi.