Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, për ta shkatërruar lëvizjen kombëtare të shqiptarëve, përdori dhunë dhe terror të paparë që ishte një gjenocid i vërtetë.
Ismet Azizi
Sipas dekret ligjit të prillit të viti 1922, territori i Kosovës u nda. Krahina e Rashkës (Sanxhakut) me qendër ne Çaçak, nga territori i Kosovës përfshinte rrethin e Zveçanit.
Në bazë të propozimit të komandës së Armatës III në Shkup, nën të cilën gjendej edhe Kosova, të datës 1.11.1918, u bë detalizimi i ndarjes territoriale, që, për shkak të pozitës gjeografike dhe kushteve të komunikacionit, si tërësi gjeografike, Armata III ndahet në këto tri krahina divizionesh: e Manastirit, e Vardarit dhe e Kosovës. Divizionit të Kosovës me qendër ne Prishtinë i takonte edhe Qarku i Regjimentit të Novi Pazarit, i cili përfshinte këto rrethe administrative: atë të Senicës, të Dezhevës (Pazarit të Ri), të Shtavicës (Tutinit), të Mitrovicës, të Vuçitërnës, të Drenicës – Llaushës, të Istogut, të Rozhajës dhe të Pejës.
Mbretëria Serbe-Kroate-Sllovene gjatë sundimit të saj, si qëllim të parë dhe të fundit kishte ndërrimin e strukturën etnike në trojet shqiptare. Për të arritur këto synime dhe për të pasur mbështetje formale juridike kundrejt opinionit të huaj, ajo nxori edhe legjislacionin agraro-kolonizues. Ajo filloi me ligjin e 25 shtatorit të viti 1919, dhe vazhdoi me nxjerrjen e ligjit të viti 1931 me plotësime e përmirësime të viti 1933. Për realizimin sa më të suksesshëm të “Reformës Agrare” dhe të kolonizimit, u krijua Ministria e reformës Agrare, kurse në Shkup u ngrit drejtoria e Lartë Agrare me degë në disa qytete shqiptare. Ky legjislacion i vinte në pozitë diskriminuese fshatarët shqiptarë kundrejt minoritetit sllav dhe kolonëve të ardhur nga viset e tjera të mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene.
Menjëherë pas ripushtimit të Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare, filluan përpjekjet për shpronësimin e shqiptarëve. Tokat e pjesëmarrësve të lëvizjes kombëtare ishin preja e parë për kolonët, nëpunësit, ushtarakët, xhandarët dhe çetnikët sllavë. Po kështu u veprua edhe ndaj strehuesve të tyre, shpeshherë edhe ndaj të gjithë fshatit ku zhvilloheshin përleshjet e armatosura. U shpronësuan gjithashtu të ashtuquajturat toka të braktisura, ku përfshiheshin kullotat e përbashkëta të fshatrave dhe tokat e pronarëve shqiptarë që përkohësisht e kishin braktisur vendin për shkak të pasigurisë së jetesës.
Shpronësimi dhe zvogëlimi i sipërfaqes së tokës së punueshme u intensifikua pas vitit 1923, kur komisioneve agrare u lejohej që të sekuestronin, sipas nevojës, edhe toka që nuk ishin paraparë në legjislacion. Organet që zbatonin Reformën Agrare, duke përdorur edhe mungesën e tapive të tokave të shumicës dërmuese të fshatarësisë shqiptare, e cila i trashëgonte ato që nga periudha e sundimit osman, i shpronësonin si uzurpatorë tokash.
Komisionet agrare kolonizuese, gjatë formimit të komplekseve për kolonizim, sekuestruan tokat që shqiptarët ua kishin blerë çifligarëve gjatë Luftës së Parë Botërore dhe i cilësuan ato si kategori të tokave të braktisura. Kurse për blerësit serbë këto veprime u quajtën të ligjshme. Sipas ligjit të viti 1931, me plotësimin e përmirësime të viti 1933, fshatarëve shqiptarë mund t’u sekuestrohej toka deri te pragu i shtëpisë. Kishte raste, sidomos në Rrafshin e Dukagjinit, që kolonët sllavë vendoseshin edhe në katet e sipërme të shtëpive të shqiptarëve, kurse pronarët me familje ishin të detyruar të jetonin në katet përdhese të shtëpive të tyre.
Shpronësimet nuk i shpëtuan as pronat e institucioneve fetare shqiptare, si myslimane ashtu edhe katolike.
Në 25-26 korrik të viti 1924, pushteti serb, pasi pushtoi zonat e lira të Kosovës, vrau prijësin e kaçakëve, Azem Galicën dhe udhëheqësit kryesor të çetave kryengritëse. Pas likuidimit të forcave kryesore të çetave të armatosura, regjimi serb u përqendrua në shkatërrimin e Xhemijetit. Në fillim të viti 1925, në prag të zgjedhjeve parlamentare, u morën masa të jashtëzakonshme represive ndaj shqiptarëve.
Duke shfrytëzuar “Ligjin mbi mbrojtjen e shtetit”, në hullinë e sulmeve kundër Xhemijetit autoritete serbe burgosën tipografët e gazetës “HAK” dhe më pas e ndaluan zyrtarisht gazetën, duke akuzuar se botonte informata që cenonin autoritet serbe. Ndërkaq, në prag të zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 8 shkurt 1925, u burgos Ferat Draga. Me një procedurë të shkurtër u dënua me 101 vjet burg. Me këto përndjekje të qeverisë mori fund veprimtaria e hapur e organizatës së shqiptarëve Xhemijeti. Pas kësaj, autoritetet e Beogradit e liruan Ferhat Dragën. Në këto kushte Xhemijeti pushoi së ekzistuari si parti legale e organizuar. Përveç këtyre, pushteti përdori vrasjet në masë, djegiet e rrënimet e fshatrave me artileri, bombardime me aeroplanë, burgosjet dhe internimet në Serbi, sidomos për familjet e pjesëtarëve të lëvizjes kombëtare.
Sa i përket Sanxhakut, pjesa e tij e ndodhur në Mal të Zi, kishte pësuar shumë keq, në krahasim me atë të Serbisë.
Masakra në Shahoviq, Pavino Pole, Vranesh dhe fshatrat përreth, ishte krimi më i madh kundër popullsisë të përkatësisë myslimane gjatë kohës së paqes në Mbretërinë SKS.
Në ditën e pafat të 9 nëntorit të viti 1924, ndodhi drama më e përgjakur mbi popullatën e Shahoviqit. U vranë, u therën u plaçkitën dhe janë djegur më shumë se 650 persona. Mbi 100 familje janë shpërngulur për Turqi, ndërsa 150 në Bosnjë, në Brçko. Qëllimi ishte që kjo popullatë të shpërngulen definitivisht. Ky krim ndodhi si pretekst për vrasjen e kryeshefin të Srezit të Kolashinit, mësuesin e pensionuar Boshko Boshkoviqin. Kjo vrasje i ishte ngarkuar Jusuf Mehoniqit, udhëheqësit kaçak, i cili në këtë kohë ndodhej në Shqipëri.
Gjatë natës ndërmjet 9 dhe 10 nëntor 1924, është përpiluar plani për likuidimin e banorëve të Shahoviqit. Në mesin e njerëzve që kanë bërë këtë plan ka qenë edhe Nikolla Gjillas, babai i Millovan Gjillasit, i cili më vonë shkruan në librin e tij edhe lidhur me këtë krim të tmerrshëm. Aksionin për shfarosjen e Shahoviqit i besohet Nikolla Gjillasit me gjithsej 2000 njerëz të armatosur nga viset e ndryshme të malit të Zi. Për këtë rast Millovan Gjillas në librin e tij shkruan: klerikëve myslimanë u janë shkulur mjekrat dhe u është gdhendur kryqi në kokat e tyre. Në një fshat një grup të njerëzve i kanë lidhur me tela rreth stogut me kashtë dhe u është vënë zjarri. Pas kësaj, njerëzit gjatë kishin përfolur për mënyrën e djegies së njerëzve në flakë. Një grup i tyre kishin sulmuar një fshatar në shtëpi të tij në një zonë të largët. Fshatari sapo kishte rrjep një qengj të varur në një kumbull. Kishin për qëllim edhe atë ta pushkatojnë, mandej për t’ia djegur shtëpinë e tij, por qengji i rrjepur i kishte nxitur që edhe me fshatarin e gjallë të veprojnë njësoj siç kishte vepruar ai pak më parë me qengjin. Njëri prej tyre e godet me sëpatë, së pari e var në kumbullën e njëjtë ku ishte i varur qengji, një kasap me përvojë e ndanë trupin e fshatarit me sëpatë përgjysmë…
Në librin në gjuhën serbe “Vendi pa drejtësi” (angl. Land Without Justice), (Besuda zemlja, 2005), këto pjesë të dëshmimeve të krimeve, të cilat gjenden në versionin në gjuhën angleze, janë hequr.
Kryetari i Xhemijetit, Ferhat bej Draga, më 14 nëntor të viti 1924, iu drejtua ministrit të Punëve të Brendshme me një mocion lidhur me mizoritë e tmerrshme në këtë rajon. Ky mocion u botua në “Pravda” të Sarajevës (nr. 262) të 18 nëntorit. Aty, në mes të tjerash, thuhet: “Zoti ministër! Kjo masakër si një veprim i përbashkët i autoriteteve policore lokale dhe Vasojeviqëve, përgjegjës janë autoritetet policore, të cilët kanë qenë me kohë të paralajmëruara për rrezikun dhe nuk ndërmorën asnjë veprim për ta parandaluar këtë masakër. Në këto rrethana përgjegjësia është më e madhe e pushtetit sesa e bandave, sepse deri tash askush nuk është arrestuar“.
Gazeta “Politika” e Beogradit nr. 5949 e datës 15 nëntor 1924, raporton me titullin: “Protesta e Ferhat Beg Dragës me rastin e hakmarrjes së Vasojeviqëve ndaj vrasjes së Boshko Boshkoviq”, ku shkruan për veprimin e Ferat beut, i cili i dërgoi një letër proteste ministrit të Punëve të Brendshme V. Maksimoviqit. Gazeta “Politika”, kështu kishte parë të nevojshme të shkruajë në lidhje të një letër proteste të Ferat beut dhe krimet e kryera ndaj qindra burrave të pafajshëm, grave dhe fëmijëve. Më shumë ka pasur viktima sesa shkronja të harxhuara për këtë artikull të botuar në gazetën “Politika”. Krejt kjo flet për qëllimin e paramenduar të spastrimit etnik dhe fshehjes me qëllim që askush mos të thirret në përgjegjësi.
Ish bejlerët dhe agallarët kanë pasur ndikim të madh tek Xhemijeti. Njëri nga ta ka qenë Aqif Efendi Blyta, i cili me këmbëngulësinë e tij dhe politikën e guximshme, arriti t’i kthej shumë myslimanë të cilët në vitin 1920, votuan për Partinë Radikale. Ai arriti të forcojë radhët e partisë myslimane të Xhemijetit, kështu që shumë shpejt u bë partia më e fortë në Sanxhak. Nikolla Pashiqi qysh herët kishte vërejtur se pengesë kryesore për realizimin e planit serbomadh, të cilin e kishte paraparë për Sanxhakun, ishte Aqif Blyta. Për këtë arsye, ai në vitin 1925, ndërmori një terror të madh në Pazar të Ri dhe në të njëjtën kohë porosit likuidimin e këtij politikani me ndikim. Qëllimi i tij ishte të fusë frikë e tmerr dhe të shkaktojë huti në popullatën myslimane të kësaj treve. Për fat të mirë idetë e tij nuk u realizuan.
Për këto rrethana të vështira, gazeta “Hak” shkruan se “shumë vëllezër shqiptar u mbuluan me tokë, ndërsa shumë të tjerë u shpërndanë andej e këndej në gjendje fare të keqe”. Në këto rrethana Bajram Curri dhe Hasan Prishtina arritën të protestojnë në shtator të viti 1924, pranë Lidhjes së Kombeve në Gjenevë. Në pikën 5 të kësaj proteste thuhet: “Ky regjim hekuri, zjarri dhe grabitjeje në Kosovë përmban shkakun kryesor të një emigrimi në masë të popullsisë shqiptare në Turqi, emigrim ky që bëhet në kondita të tmerrshme që u kushton me jetë qindra familjeve, ndërsa pjesa tjetër që mbetet dënohet me një mjerim të papërshkrueshëm”.
Në të përjavshmen e Beogradit“Republika”, përveç të dhënave të ndryshme të publikuara është edhe ajo me titull “Masakra në Serbinë Jugore” në të cilën thuhet: “Nga e tërë Serbia jugore dëgjohen zëra të trishtueshëm. E tërë popullata myslimane është shpallur kaçake, e lënë në mëshirën e policisë dhe xhandarëve. Mandej gazeta shkupjane e myslimanëve “Hak” sjell lista të gjata të grave dhe fëmijëve nga të cilët shumë prej tyre kanë humbur jetën në mënyra të papërshkrueshme. Nëpër tërë Serbinë Jugore ndihet ulërima të qytetarëve dhe derdhja e gjakut të tyre. Për t’u pastruar Serbia jugore nga kaçakët, të cilët i krijoi administrata jonë e ndryshkur, ministri i punëve të brendshme lëshoi aso farë udhëzimesh pushtetit policor të çmendur e të egër, sa që ata i shpallën luftë tërë popullatës. Edhe polici më i thjeshtë mund të vrasë sot, të plaçkitë kënd të dojë në Serbinë Jugore dhe askush mos të trazohet. Kërkoj që krimet e pushtetarëve të ndalen dhe të caktohet komisioni, i cili kriminelët dhe urdhërdhënësit t’i hedhë para gjykatës.
Në ndërkohë u formua komisioni për hulumtimin e situatës në Sanxhak. Komisioni përpiloi raportin, i cili konstaton se në Sanxhak ekziston ndarje e popullsisë në pikëpamje fetare dhe politike si rezultat i marrëdhënieve edhe nga e kaluara, edhe pas viti 1918. Këto marrëdhënie janë përkeqësuar posaçërisht pas aplikimit të reformës agrare dhe keqpërdorimit të aparatit shtetëror.
Komisioni i cili punoi për të hetuar këto krime, ka pasur mjaft material të konstatojë se “ushtarët”, duke menduar në çetnikët e Kosta Peçancit, nuk kanë kursyer as pasurinë as nderin e individëve. Por këto hetime nuk sollën qetësi dhe mirëqenie myslimanëve. Në trevën e Tutinit çetnikët e Kosta Peçancit, edhe pse nuk kishte asnjë lloj arsyeje, kryen krime të trishtueshme. Vetëm në fshatin Starçeviq në vitin 1922, së pari vranë Galën, Beqirin dhe Zeqirin, e që të nesërmen vranë edhe 28 persona tjerë të familjes së madhe Rizvanoviq. Tefikun dhe Bajramin mysafirë nga Kosova (të fshatrave Kelepole dhe Malindubrava).
Në këtë kohë kanë pësuar edhe banorët e trevave tjera në Sanxhak dhe Kosovë. “Pravda” e Sarajevës ka shkruar për masakrën e Prishtinës, Podujevës, Mitrovicës, Çiçavicës, Tutinit, Jannjevës, Vrellës, Shtimes si dhe masakrën e tmerrshme të Dumnicës në shkurt të viti 1924. Njëzet e tre 23) të vrarë nga të cilët vetëm 8 arritën t’i varrosnin imamët, ndërsa të tjerët ishin bërë shkrumb dhe hi. Të gjitha këto vrasje nga ana e qeverisë janë konsideruar si aksion kundër kaçakëve dhe hajdutëve dhe se kanë pasuar kaçakët dhe jatakët e tyre.
Duke vërejtur këtë gjendje, njerëzit përparimtarë nuk pajtoheshin me qëndrimin shovinist të borgjezisë serbomadhe. Më 1921, Kosta Novakoviq, përfaqësues i punëtorëve dhe i fshatarëve të Jugosllavisë, u ngrit në Parlamentin e Beogradit dhe me dokumente në dorë foli për krimet e qeverisë në Kosovë. Nga presionet në të gjitha anët, qeveria turke, e shtyrë edhe nga intervenimet direkte dhe të përhershme, pati pezulluar pranimin e muhaxhirëve, por qeveria e Mbretërisë SKS me çdo kusht luftonte që emigrimi të vazhdohej.
Qeveria Jugosllave dhe ajo turke kishin arritur të projektojnë një marrëveshje më 1926, për shpërnguljen e 3-400 000 shqiptarëve nga Kosova dhe se kjo çështje shumë kohë qe përmendur në shtypin turk, sidomos në fletoren “Haqimijeti Milije”dhe “Miljijet”, të 17 prillit 1926. Lidhur me këtë, qeveria jugosllave bënte mistifikime në opinion edhe me statistika edhe me terror, duke i quajtur shqiptarët turq. (“Shqipëria e Re”, janar 1925.)
Lidhur me pozitën e vështirë të shqiptarëve në Kosovë pati intervenuar edhe Hasan Prishtina më 1927, pranë Lidhjeve të Kombeve në Gjenevë. Hasan Prishtina njoftoi opinionin botëror se shqiptarët në Kosovë po i nënshtrohen shfarosjes dhe se ata po shpërngulen në masë. Shpërngulja, thuhet aty, vinte për shkak se ata nuk janë të barabartë me qytetarët tjerë. Dëshmia më e fortë për këtë është se ata nuk kanë asnjë shkollë të veten, shkruante Hasan Prishtinë (cit. “Liria kombëtare”, Gjenevë 1927).
( vijon)
(Artikulli është pjesë e punimit të Masterit ” Roli diplomatik i Aqif Blytës në mbrojtjen e Pazarit të Ri”)