Daily Archives: 7 Janar, 2017

RRETH BURIMEVE PËR HISTORIKUN E BETEJËS SË LUMËS (Nëntor-dhjetor 1912)

luma

Beteja legjendare e malësorëve lumjanë e të rrethinës (nëntor-dhjetor 1912) me forcat pushtuese serbe është sa e trajtuar aq e paplotësuar, megjithëse lavdia e Lumës. Për këtë betejë kemi disa burime, nga ato gojore-folklorike deri te ato arkivore, si dhe shumë shkrime historiografike. Në aspektin sasior vendin e parë e zënë kujtimet e bashkëkohësve dhe të pjesëmarrësve në luftime dhe krijimet folklorike – refleksione të çastit historik ose frymëzime të mëvonshme 1, të cilat, veç së vërtetës së pamohueshme, bartin, pa dyshim, edhe një dozë subjektivizmi. Megjithatë, këto burime janë me rëndësi, sepse shpalojnë të dhëna e dëshmi, emra prijësish e luftëtarësh, vende ku janë zhvilluar luftimet e përshkrime të tyre etj. që burimeve arkivore u mungojnë. Thënë ndryshe, të dhënat gojore e krijimet folklorike të kohës ngrohin ose ulcêjnë dëshmitë, shpesh të thata, të arkivave. Madje, bash këto burime na kanë bërë të njohura deri në detaje zhvillimin e asaj beteje, qëndrimet e palëve ndërluftuese, trimërinë e luftëtarëve vendës etj. dhe kanë mbajtur gjallë krenarinë krahinore dhe shpirtin atdhetar ndër vite, si dhe nuk kanë lënë të zbehet urrejtja ndaj armiqve shekullorë të kombit, të cilët kanë bërë krime të panjehura në viset e Lumës, Opojës, Gorës, Hasit, Malziut, Vërrinit, po edhe shumë më gjerë. Prej burimeve gojore kemi mundur të hartojmë listën, megjithëse ende të paplotë, të dëshmorëve dhe të masakruarve nga armiqtë sllavë në vitet 1912-1913.