Daily Archives: 28 Mars, 2017

Tuzi-komunë, më 2018?

17555230_10154176787265448_926530760_n
Ditë më parë, Qeveria e Malit të Zi përkrahu ligjet, me të cilat parashihet që Tuzi të bëhet komunë e plotë, por me kusht që implementimi të fillojë nga 01 shtatori 2018. Sikur të mos e dinim se kemi punë me mashtrues të dëshmuar, ndoshta edhe do të besonim. Madje, nëse është pritur pothuaj një shekull, s’është gjë e madhe që komuna e plotë, dhe e pavarur, të pritet edhe një vit. Por, se është fjala edhe për një mashtrim të ri dhe shantazh, flet edhe fakti se banorët e Malësisë, për këtë “dhuratë”, do të duhet t’i shërbejnë “prijësit” dhe t’a përkrahin në zgjedhjet e ardhshme të Kryeqytetit, në zgjedhjet presidenciale, e sipas të gjitha gjasave edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Tejet nënçmuese për “negociatorët tonë”, dhe jo vetëm për ta.

 

REAGIM NDAJ ATYRE QË ME ZOR DUAN T’U BESOJMË

Nikolle Camaj

 

“Çdo gjë që ndodhë njëherë, mund të mos përsëritet më. Por, çdo gjë që ndodhë dy herë, me siguri do të ndodhë edhe të tretën…!” Kjo thënie e shkrimtarit të njohur të përmasave botërore dhe nobelistit Paulo Coelho, sikur është përgjigja më e mirë atyre që me zor duan të na fusin në vallen e vet, të besimit se kjo qeveri kësaj radhe nuk do të mashtrojë. Ne nuk ua ndalojmë që ata të besojnë edhe tutje, por kërkojmë që të mos mundohen të na bëjnë që edhe ne të besojmë dhe që të mos i tregojmë arsyet e mosbesimit.