BEOGRAD, ATY KU SHQIPTARËT NUK GUXOJNË TË DEKLAROHEN AS TË FLASIN SHQIP

Beogrda

Beograd, aty ku shqiptarët nuk guxojnë të deklarohen as të flasin shqip
“Nuk e mbaj mend një rast të vetëm që kur jam deklaruar si shqiptare në Beograd”, thotë një shqiptare e lindur dhe rritur në kryeqytetin e Serbisë. Këtë përjetim e thotë vetëm një nga shqiptarët që jeton në Beograd. Ajo pohon se mbi 1 mijë shqiptarë jetojnë në Beograd.

Beogradasja shqiptare, me origjinë nga Kosova, pasi pranoi të ishte pjesë e reportazhit, ajo u tërhoq. Frika nga pasojat që mund t’u vijnë pas, bëri atë dhe mbi 5 familje të tjera shqiptare të mos ishin pjesë e reportazhit tonë. Alarmi i kambanës së frikës, shqiptarët i shoqëronte në çdo çast. Por, për dallim nga shqiptarët vendas, disa studentë nga Shqipëria nuk e mohojnë faktin që stigmatizimi i shqiptarëve në Beograd nuk mungon.

Mehat Strela nga Fieri, student i ekonomisë, thotë se nuk ka hasur në ndonjë problem të drejtpërdrejtë por paragjykimet i kishte ndier veçmas në fillim. Marrëdhëniet shqiptaro-serbe duket se janë thelluar edhe më shumë pas ndeshjes se futbollit dhe vizitës së kryeministrit shqiptar në Beograd.

Por, me gjithë raportet e tensionuara, studenti tjetër shqiptar tregon se është mirëpritur nga studentët serbë në fakultetin ku studion dhe pavarësisht zhvillimeve ata nuk kishin pasur ndonjë sulm verbal apo fizik me karakter etnik.

Por, dallimi mes një vizite turistike, qëndrimit si student apo për çështje biznesi, duket të jetë ndryshe nga jeta e shqiptarëve vendas në Serbi. Shumica e shqiptarëve pothuajse janë drejt asimilimit. Tashmë pasardhësit e tyre më nuk flasin shqip. Organizimi i tyre si komunitet shqiptar duket një gjë e pamundur. Bizneset që dikur identifikoheshin si të shqiptarëve tashmë kanë ndërruar emër.

Punonjësit nuk janë më ata të vjetrit. Në lokalet me pronarë shqiptarë tashmë punojnë qytetarët serbë. Asnjë prej pronarëve shqiptarë nuk dëshiron të flasë. Frika thellohet edhe më shumë kur kupton se, as disa nga intelektualët e njohur shqiptarë të cilët veprojnë në kryeqytetin serb Beograd hezitojnë të flasin publikisht qoftë për televizionet serbe apo ato shqiptare. /RTK