“Ferhat Draga, rrethanat historike dhe lufta për çlirim kombëtar”

DSCF0014

Shoqata “Kosova për Sanxhakun” në bashkëpunim me Komunën e Mitrovicës, organizon këtë konferencë shkencore për nderë të 137-vjetorit të lindje dhe 73 vjetorin e vdekjes së Ferhat Dragës.

Konferenca shkencore kushtuar Ferhat Dragës, Kryetar i “Bashkimi” (Xhemijet), ka për qëllim ndriçimin e; luftës për çlirimin kombëtar nga zgjedha shekullore serbomadhe; dëshmive historike nga arkivat e shtetit të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Sanxhakut dhe Turqisë; biografisë së Ferhat Dragës dhe bashkëpunëtorëve të tij; kontributi i tij, familjes dhe bashkëpunëtorëve në mbrojtjen humane të popullit shqiptarë dhe boshnjak në Kosovë e Sanxhak, në periudhën kohore 1918-1945.

Ismet Azizi Kryetari i shoqatës “Kosova për Sanxhakun”

Të nderuar të pranishëm, shumë të respektuar referues të këtij aktiviteti kulturor,

Jemi tubuar në qytetin buzë Ibrit, i cili gjithmonë është shquar si shpirti i lëvizjes kombëtare e kulturore, si vendi i tolerancës e bashkëjetesës në harmoni të disa popujve. Mitrovica është vendlindja e patriotit të madh, Ferhat bej Dragës, dy përvjetorët e të cilit, ai i lindjes dhe i kalimit në amshim, na kanë tubuar sot këtu.

Shumë ngjarje me rëndësi kombëtare e jetike fillimin e përfundimin e tyre e kanë pasur pikërisht në Mitrovicë dhe në rrethinat e saj. Këto ngjarje kanë pasur si protagonistë atdhetarë të shquar, kundërshtarë të përjetshëm të pushtuesve të huaj. Patriotët e këtij mjedisi kanë qenë dalëzotës të flaktë e të mençur të të drejtave kombëtare dhe virtyteve njerëzore. Ndër ta janë shquar edhe disa atdhetarë nga dera e Dragajve: Nexhib, Ajdin e Ferhat bej Draga.

DSCF0017

Sot këtë aktivitet kulturor po ia kushtojmë atdhetarit të kulluar Ferhat bej Dragës. Duke i përkujtuar dhe nderuar personalitetet kombëtare si Ferhat bej Dragën, ne nderojmë veten tonë. Vetëm në këtë mënyrë ne arrijmë të vrasim harresën, të vejmë gurë të rinj në themelet e historisë dhe në kujtesën tonë që ajo të mos zverdhet kurrë. Heronjtë tanë dhanë gjithçka, madje edhe jetën e tyre, për atdheun, kombin, lirinë, ardhmërinë dhe demokracinë. Ata janë shembull i sakrificës dhe udhërrëfyes për ne drejt integrimit me botën e qytetëruar, për një mirëqenie më të mirë, drejt së nesërmes më të zdritshme, drejt ardhmërisë më të lumtur e më të sigurt…

Ky tubim dhe aktivitet i sotëm kulturor dëshmon për nivelin e vetëdijes sonë, respektin që kemi dhe ushqejmë për njerëzit tanë, të cilët kanë qenë të dobishëm dhe kanë lënë gjurmë të thella në jetën dhe veprimtarinë e tyre me dobi të madhe kombëtare e njerëzore. Përpjekjet tona të përbashkëta vërtetojnë se vetëm kështu pranë njëri-tjetrit, duke ia zgjatur dorën e duke ia hapur zemrën njëri-tjetrit, mund të kryejmë punë të dobishme dhe të ecim përpara. Kështu të bashkuar mund të sigurojmë dhe forcojmë pozicionin tonë përballë sfidave e ndeshtrashave që na presin në të ardhmen.

Duke vepruar bashkë, duke e ndihmuar njëri tjetrin, jemi më të fortë dhe më të sigurt, më të ditur dhe me perspektivë më të ndritur për të ecur përpara. Kështu e ndihmojmë komunitetin tonë, ndërtojmë marrëdhënie të shëndosha, mundësojmë prosperitet më të mirë edhe për Kosovën e Sanxhakun dhe me gjithë rajonin që na rrethon.

DSCF0035

Shoqata “Kosova për Sanxhakun” ka si synim parësor lidhjen, krijimin dhe ndërtimin e marrëdhënieve të shëndosha vëllazërore e njerëzore, të cilat tradicionalisht kanë qenë në nivel të lakmueshëm. Ndjenja e solidaritetit dhe dashuria vëllazërore midis njëri-tjetrit nuk ka munguar asnjëherë, ndonëse ndonjëherë, për shkak të rrethanave specifike, na kanë detyruar të qëndrojmë larg njëri-tjetrit.

Të nderuar pjesëmarrës, edhe një herë ju falënderojmë për praninë tuaj. E shpall të hapur këtë aktivitet kulturor kushtuar figurës emblematike, Ferhat bej Dragës!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *