KONTRIBUTI I FERHAT BEJ DRAGËS NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE DHE SHKRIME DISONANTE PËR PERSONALITETIN E TIJ

Ferhat Bej Draga

 

Sipas disa burimeve, Ferhat Draga dhe Isa Boletini kanë qenë pjesëmarrës në Kuvendin e Ferizajt (15 korrik 1908) si përfaqësues të Mitrovicës. Ndër të parët që e përmend veprimtarinë e Ferhat bej Dragës, është Lumo Skendo (Mithat Frashëri).

(Kumtesë në konferencën shkencore të 8 shtatorit 2017, kushtuar përvjetorit të Ferat Dragës, mbajtur në Mitrovicë , pjesa e I-rë)

Fazli HAJRIZI

Për familjen Draga ende nuk është botuar ndonjë studim serioz. Disa historianë dhe njohës të problemeve kombëtare, si: Hasan Kaleshi, Muhamet Pirraku, Marenglen Verli, Sejfi Vllamasi, Ahmet Maloku, Jusuf Buxhovi, Tafil Boletini, Bogumil Hrabak, Qerim Lita, Eugen Shehu, Shevki Voca, Harun Crnovrshanin e Nuro Sadikoviq, Branisllav Bozhoviq e Millorad Vaviq, Jusuf Osmanie të tjerë,kanë shkruar në mënyrë shumë të përciptë për Nexhip, Ajdin dhe Ferhat bej Dragën, që përbëjnë tri maja të larta të një vargmali. Ky i fundit, Dr. Jusuf Osmani, sivjet ka përgatitur një përmbledhje dokumentesh arkivore që flasin kryesisht për veprimtarinë e Ferhat bej Dragës, mirëpo ka edhe shumë dokumente e shkrime që kanë mbetur të papërfshira, prandaj shtrohet nevoja që sa më parë të dalin në dritë dhe t’i ofrohen lexuesit. Duke qenë se deri më sot ende nuk kemi një botim shkencor apo monografi gjithëpërfshirëse, ku si objekt studimi do të jetë qoftë epoka historike në të cilën përfaqësues të kësaj familjeje kanë lënë gjurmë të thella, qoftë jetadhe vepra e ndonjërit prej personaliteteve më të rëndësishme a pinjollëve të saj, Nexhibit, Ajdinit e Ferhat bej Dragës, shtrohet si detyrë që të bëhet më shumë në këtë drejtim. Megjithatë, duhet të themi se në këto vitet e fundit kanë dalë shkrime që kanë objekt të drejtpërdrejtë apo të tërthortë vëllezërit Dragaj.Disa nga këto shkrime i karakterizon kontradikta deri në absurd. Disa nga autorët, si: Hasan Kaleshi, Jusuf Osmani, Marnglen Verli, Muhamet Pirraku, Eugen Shehu etj., duke u mbështetur në burime arkivore dhe në kujtesën popullore, janë përpjekur që të hedhin dritë për të ndriçuar sa më mirë kontributin e kësaj familjeje në luftën dhe përpjekjet për liri të popullit tonë, mirëpo ka edhe shkrime të ndonjërit si Tafil Boletini, Ahmet Maloku e disa autorëve serbë (Branisllav Bozhoviq e Millorad Vaviq), që i denigrojnë dhe i përdhosin madje të gjithë Dragajt.

Meqë ky aktivitet kulturor sot i është dedikuar veçmas Ferhat bej Dragës, unë kam përzgjedhur shkrimet e disa autorëve që flasin vetëm për veprimtarinë dhe personalitetin e tij.Sipas disa burimeve, Ferhat Draga dhe Isa Boletini kanë qenë pjesëmarrës në Kuvendin e Ferizajt (15 korrik 1908) si përfaqësues të Mitrovicës. Ndër të parët që e përmend veprimtarinë e Ferhat bej Dragës, është Lumo Skendo (Mithat Frashëri). Ai, në një shkrim të tij të vitit 1912, e përmend atë dhe luftëtarët e tij vullnetarë për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Në vitin 1915, ishte njëri ndër themeluesit e Organizatës arsimore “Bashkimi”. Pas themelimit të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” ai u bë anëtar i saj i rregullt. Nuk qëndrojnë vlerësimet e disa autorëve, si Merenglen Verlit e Muhamet Pirrakut, se lidhjen e F. Dragës me Komitetin MKK e kishte bërë i vëllai, Ajdin Draga. Këtë lidhje mund ta ketë bërë dikush tjetër, por jo Ajdini, i cili është vrarëkatër vjet më parë, më 15 qershor 1914, afër Durrësit, ditën kur u vra edhe koloneli holandez Tomson.

Ferhat bej Draga, siç dihet, ka qenë krah i djathtë i të vëllait, Nexhibin, të cilin e ka ndihmuar në themelimin e organizatës“Xhemijet” (Bashkimi). Pas vdekjes së Nexhibit, Ferhati është emëruar kryetar i “Xhemijetit” dhe si përfaqësues i kësaj organizate hyri në qeverinë e Nikolla Pashiqit. Ai është angazhuar për kthimin e muhaxhirëve shqiptarë në trojet e veta etnike, ka kritikuarashpër politikën hegjemoniste të Beogradit dhe militantëve të ndryshëm serbë, të cilët, të frymëzuar nga qeveria, ushtronin dhunë e terror në Kosovë e gjetiu, ka kërkuar një lloj autonomie për Kosovën, për kthimin e muhaxhirëve në trojet e veta etnike, për ndalimin e terrorit dhe masakrave ndaj popullatës shqiptare e myslimane, për ndërprerjen e reformës agrare, për kthimin e tokave të marra në mënyrë arbitrare, për futjen e mësimit të lëndës së gjuhës shqipe nëpër shkolla fetare dhe kërkesa tjera të paraqitura në interpelancë në Parlamentit e Mbretërisë Jugosllave i kishte artikuluar e deponuar edhe në Konferencën e Hagës.Gjatë periudhës 1935-1938, Ferhat Draga ka përgatitur disa promemorie dhe vazhdon të kërkojë sigurimin e lirisë politike dhe kulturore të shqiptarëve në Mbretërinë Jugosllave, duke kundërshtuar gjithnjë ashpër politikën diskriminuese shtetërore: shpronësimin agrar, shpërnguljen me dhunë dhe kolonizimin e Kosovës.

Capture

Nga e djathta: Shaban Mustafa, Ilijaz Agushi, Ferhat bej Draga, Asim Luzha dhe X. Y.

Përfaqësuesi serb, Jeliq, flet me përbuzje për njerëzit si Bajram Curri, Ferhat Draga, Azem Bejta, Hasan Prishtina, të cilët asnjëherë nuk ishin pajtuar me pushtimin e Kosovës dhe robërinë e popullit të saj. Gjatë një bisede me deputetin popullor nga Tetova i radhës së“Xhemijetit”, në pyetjen e Rade Lajtmanoviqit: “Pse s’ka kaçakë në qarkun e Tetovës?, ai i përgjigjet “Se nuk i lejoj unë!” Në pyetjen tjetër: “E pse ka kaçakë në qarkun e Zveçanit?”,ai përgjigjet: “Për shkak se Ferhat bej Draga i lejon!”

Sipas kujtimeve të Sejfi Vllamasit, më 13 maj 1920, Ferhat Draga, së bashku me Bajram Currin kanë udhëtuar nga Shkodra në Tiranë. Ferhat bej Draga, Hoxha Kadriu dhe Bajram Curri ndikuan te komisari i lartë, Alioti, që Italia ta lirojë Vlorën dhe të bëjë përpjekjet e duhura për njohjen e Shqipërisë. Sipas Sejfi Vllamasit, të gjithë kosovarët italofilë, si: Bajram Curri, Ferhat Draga, Hasan Prishtina etj., donin ta lidhnin fatin e Shqipërisë me politikën italiane. “Në atë kohë ka qenë në Tiranë vëllai i Nexhib Dragës, Ferhat Draga, prezenca e të cilit shtonte edhe më tepër peshën e kundërshtarëve. I tërë qëllimi ishte rrëzimi i qeverisë (Ahmet Zogut që në atë kohë ishte kollona vertebrale e qeverisë, me pretekst se ishte kunati i Ceno Kryeziut dhe se ndiqte politikë personale në favor të Jugosllavisë) dhe ardhja e një qeverie italofile në fuqi, për të shpëtuar Kosovën nga serbët”[1].

Ali Këlcyra përmend Xhiovani Baldacin, i cili, kur flet për “Bashkimin Kombëtar”, si të vetmen organizatë të refugjatëve shqiptarë, e përmend edhe Ferhat bej Dragën, duke e quajtur kryetar të fuqishëm të irredentizmit shqiptar në Jugosllavi. Ai, sipas tij, ishte kushëri i afërt me Rexhep Mitrovicën (!), anëtar i Organizatës “Bashkimi i Kombit” dhe njeri që kishte autoritet shumë të madh në gjithë krahinat.

Një revistë mujore franceze më 4 mars 1929, boton shkrimine ish kryeministrit të Shqipërisë, Fan S. Noli, i cili flet për metodat barbare të pushtetit serb, për dëbimet, asgjësimet, vrasjet, si dhe për burgosjen e dënimin e atdhetarit Ferhat bej Draga, i cili kishte kundërshtuar fuqishëm në parlament dhunën e terrorin shtetëror, mungesën e shkollave në gjuhën shqipe, reformën agrare, shpërnguljen e shqiptarëve dhe kolonizimin e Kosovës.

Në mars të vitit 1935 është themeluar organizata studentore “Besa” në Beograd. Njëri ndër themeluesit dhe anëtarët e saj ka qenë edhe Ferhat Draga, i cili është përpjekur për të përhapur idenë për Shqipërinë Etnike, bashkimin e shqiptarëve të Kosovës dhe të viseve të tjera nën Jugosllavinë. Ai mori pjesë si ndërlidhës midis ambasadës italiane dhe organizatës “Besa” të Beogradit, anëtarë të së cilës ishin edhe Ibrahim Lutfiu, Qazim Bllaca, Sokol Dobroshi, Shaip Kamberi, Xhevdet Pallaska e të tjerë. Ferhat Draga ka qëndruar në krye degës së Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” (1934-1939). Ai ka pasur lidhje të vazhdueshme me qeverinë e Tiranës dhe personalisht me Ahmet Zogun. Si përfaqësues i lëvizjes nacionaliste dhe irredentiste, ai u bë figura më me autoritet në Kosovë dhe në trojet tjera shqiptare nën Jugosllavinë.

/vijon/

 

LITERATURA

 

Verli, Marenglen, Nga Kosova për Kosovën, profile biografike, Vëllimi i parë, (Ferhat Ali Draga – atdhetari dhe politikani potencial), Botimpex, Tiranë, 2006, f. 213-234.

Verli, Marenglen, Kosova, sfida shqiptare në historinë e një shekulli, Tiranë, 2007.

Tafil Boletini, Kujtime, Tiranë, 2011.

Sejfi Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942), Tiranë, 2006.

Osmani, Prof. dr. Jusuf, Ferhat Draga (dokumente arkivore) – dorëshkrim

Sadiku, Dr. Riza, Hasan Kaleshi, jeta dhe vepra, Renesansa, 1996.

ASHSH, Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 2008.

SHEHU, Eugen, Nexhip bej Draga, kalorës i kryengritjes së madhe,www.shqiptari.eu/nexhip-bej-draga-kalores-i-kryengritjes-se-madhe

Crnovršanin, Harun& Sadikovič, Nuro, “Sandjak, porobljena zemlja, Zagreb, 2001.

Maloku, Prof. Mr. Ahmet, Ata gabo – unë qorto, Prishtinë, 1996

Buxhovi, Jusuf, KOSOVA nga Konferenca e Londrës deri te protektorati ndërkombëtar,  Prishtinë, 2012

Bozhovič, Branisllav & Vavič, Millorad, Surova vremena na Kosovu i Metohiji, Beograd, 1996.

Grup autorësh, Mitrovica dhe rrethina (Monografi), Mitrovicë, 1979.

 

 

 

[1]Sejfi Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942), Tiranë, 2000, f. 214.

[2]Tafil Boletini, Kujtime, Botimpex, Tiranë, 2009, f. 64.

[3]Tafil Boletini, Kujtime, Botimpex, Tiranë, 2009, f. 64.

[4]Tafil Boletini, Kujtime, Botimpex, Tiranë, 2009, f. 252.

[5]Tafil Boletini, Kujtime, Botimpex, Tiranë, 2009, f. 65.

[6]Tafil Boletini, Kujtime, Botimpex, Tiranë, 2009, f. 251.

[7]Tafil Boletini, Kujtime, Botimpex, Tiranë, 2009, f. 297.

[8]Tafil Boletini, Kujtime, Botimpex, Tiranë, 2009, f. 251.

[9] A. Maloku në librin “Ata gabo – unë qorto II”, Prishtinë 1996, f. 65-96.

 

Shih: KONTRIBUTI I FERHAT BEJ DRAGËS NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE DHE SHKRIME DISONANTE PËR PERSONALITETIN E TIJ ( pjesa e II-të)