Fatmir Sejdiu: Aqif Blyta i dha vulë të pashlyeshme një epoke

fatmir-sejdiu-780x439

Ish Presidenti i republikës së Kosovës, Prof. Dr. Fatmir Sejdiu: “Aqif Blyta, padyshim paraqet një figurë jashtëzakonisht të rëndësishme në historinë nacionale shqiptare. Peshën e tij si të tillë e bën të veçantë veprimtaria e tij jashtëzakonisht e bujshme për të mirën e kombit dhe rruga specifike të cilën ai e ndoqi si veprimtar i palodhshëm deri në momentet e fundit të jetës”.

“Ajo që është karakteristikë e dallueshme në gjithë rrugën e tij jetësore dhe veprimtarinë atdhetare të Aqif Blytës, në radhë të parë është shembulli i tij personal kur ai, pas shkollimeve të larta ushtarake dhe një perspektive të hapur për karrierë në profesionin e zgjedhur, do të marrë vendimin e madh që të kthehet në vendin e të parëve me gjithë tragjikën që bashkëkombësit e përjetonin. Pikërisht ky është edhe moment që përcakton ecjen e tij të pandalshme për të punuar dhe luftuar për interesat nacionale. Prandaj, nga kjo kohë Aqif Blytën e gjejmë si njeri të politikës, njeri të diplomacisë dhe, së fundi, si luftëtarë të patrembur në luftën kundër gjithë atyre që për projekt kishin zhdukjen e etnisë shqiptare. Fokusi i tij i veçantë ishte hapësira e Sanxhakut. Nga ajo që dihet, Aqif Blyta nuk kurseu as atomin e fundit të energjisë së tij për t’i dalë në krah popullatës shqiptare dhe asaj boshnjake të Sanxhakut e sidomos gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore.

Aqif Blyta

Për aq sa lejuan rrethanat jashtëzakonisht komplekse të kohës, Aqif Blyta me përkushtimin e tij atdhetar i dha vulë të pashlyeshme një epoke”.

—————————————————————-

Fatmir Sejdiu u lind më 23 tetor 1952 në Pakashticë, Podujevë. Është profesor, politikan dhe kryetari i dytë i Republikës së Kosovës. Shkollimin fillor dhe të mesëm i ka mbaruar në Podujevë. Ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Prishtinës më 1974, ku ka kryer edhe studimet pasuniversitare. Po në këtë Universitet ka mbrojtur disertacionin e doktoratës.

Për studime të thelluara, Prof. Sejdiu ka qëndruar në Francë (Universiteti Paris 2) dhe në ShBA (Arizona State University), ndërsa ka pasur qëndrime më të shkurtra studimore edhe në universitete të tjera. Ka marrë pjesë në shumë simpoziume shkencore vendore dhe ndërkombëtare. Ka publikuar shumë punime shkencore nga fusha juridike – historike dhe juridike kushtetuese. Është autor librash të veçantë nga këto fushaDr. Fatmir Sejdiu punoi si profesor në Fakultetin Juridik dhe atë të Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës.Ai ishte pjesëmarrës i Kuvendit themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) më 23 dhjetor 1989. Në Kuvendin e Parë Zgjedhor në vitin 1991, është zgjedhur anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe më 1992, anëtar i Kryesisë së LDK-së, ndërsa më 1994 Sekretar i Përgjithshëm i LDK së, detyrë të cilën e kryen edhe sot.

Ka qenë anëtar i Komisionit Qendror për organizimin e Referendumit për Pavarësinë e Kosovës, mbajtur më 1991. Ka qenë ndër njerëzit kryesorë për përgatitjen dhe organizimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Republikës së Kosovës, që janë mbajtur më 1992 dhe 1998.Fatmir Sejdiu është zgjedhur deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës më 1992 dhe më 1998. Po kështu, më 1998 është zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit dhe kryetar i Komisionit për Çështje Kushtetuese.

Më 2001, në zgjedhjet e para demokratike të pasluftës, është zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit. Deputet dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit është zgjedhur sërish më 2004. Z. Sejdiu ka qenë gjithashtu anëtar i Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euroatlantike.

Më 10 shkurt, 2006, pas nethit të tretë të votimeve në Kuvendin e Kosovës, Fatmir Sejdiu u zgjodh kryetari i dytë i Kosovës. Pas zgjedhjeve të 17 nëntorit 2007, Dr. Fatmir Sejdiu rizgjidhet më 9 janar 2008, për një mandat të dytë pesëvjeçar. Ai kështu u bë presidenti i parë i Republikës së pavarur të Kosovës.

Sejdiu dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës  më 27 shtator 2010.

/Nga intervista e autorit Ismet Azizi, marrë për punimin e  masterit me temën: Roli i Aqif Blytës në mbrojtjen e Novo Pazarit./