Ivana Tomço: Gjuha e tjetrit   

Ivana Tomco

 

 

Përkatësia europiane tashmë është konturuar qartë në të përditshmen tonë.Shkëmbimet, komunikimi, emigrimi, i japin ngjyrat botës në të cilën ne jetojmë.Domosdoshmëria dhe nevoja për të afruar qytetarët me Bashkimin Europian, ështëbërë një lajtmotiv që frymëzon deklaratat zyrtare të të gjitha llojeve dhe shoqëron jetën tonë të përditshme politike dhe shoqërore. Por, integrimi varet para së gjithash, nga vullneti për t’u integruar. Nuk mund të ketë integrim pa e dashur atë, pa veprime konkrete, pa përvetësimin dhe praktikimin e normave dhe vlerave të shoqërisë ku do të përfshihesh. Një gazetar amerikan i thoshte njëherë Jean Monnet-së: “Ju qenkeni supersticioz, pasi përmendni gjithnjë fatin”. Po, iu përgjigj ai, sepse ai që nuk ka fat, nuk mund të bëjë asgjë. Por, fatin duhet të dish ta kapësh në çastin e duhur dhe për këtë, duhet të punosh shumë”.

 

Të gjithë qytetarët duhet ta ndjejnë veten pjesë të një programi të madh, ku ata duhet të kenë rolin e tyre. Në këtë botë, të mbushur me pasiguri, shpesh individëve u krijohet ndjesia se nuk kanë pika reference, pra, nuk kanë mundësi t’i drejtohen veprimtarisë së një grupi që përfaqëson kohezionin e shoqërisë, e që do të ishte në gjendje t’i përfaqësonte. Sot të gjithë diskutojnë mbi identitetin e Europës, duke u përpjekur të përcaktojnë përmbajtjen e tij. Ajo që duhet kuptuar është që identiteti i Europës nuk është një faqe e bardhë, por as një faqe e shkruar dhe e përfunduar. Është një faqe që po shkruhet. Nga breza të tërë, është krijuar një trashëgimi e përbashkët, artistike, kulturore, intelektuale, materiale dhe morale, e cila meriton të ruhet, të njihet, të ndahet. Çdo europian, kudo që jeton, nga cilido vend që vjen, duhet të përpiqet ta përvetësojë këtë trashëgimi dhe ta njohë si të tijën, pa arrogancë. Përkundrazi, me krenari të ligjshme. Çdo brez ka për detyrë ta  pasurojë atë, në të gjitha fushat pa përjashtim, sipas ndjeshmërisë së tij e duke e pasuruar me ndikimet e gjithanshme që mbërrijnë në epokën tonë nga të gjitha anët e planetit.

Ata që hyjnë në Europë, pra të rinjtë europianë të të gjitha vendeve, duhet të inkurajohen në këtë rrugë: së pari me dëshirën për ta përvetësuar trashëgiminë e përbashkët dhe më pas, për të sjellë kontributin e tyre. Nëse për Europën është edomosdoshme të inkurajohet diversiteti i shprehive kulturore, është gjithashtu e domosdoshme të afirmohet universaliteti i vlerave themelore. Këto janë dy aspekte të së njëjtës kredo, pa të cilat, ideja europiane nuk do të kishte kuptim. Bashkimi Europian është kundër luftërave shkatërruese, kundër ndërmarrjeve totalitare, kundër racizmit, madje edhe hapat e tij të parë përkuan me fundin e epokës koloniale dhe sollën ndryshim në natyrën e raporteve midis Europës dhe pjesës tjetër të botës.

 

Nuk është e lehtë të formulojmë me saktësi se cilat janë vlerat që duhet të ketë çdo njeri për të aderuar dhe për të pasur vendin e tij në çatinë e Europës, por kjo nuk do të thotë që duhet t’ i nënshtrohemi relativizmit në kapitullin e vlerave themelore.  Ato janë të pandryshueshme: Të mbrosh dinjitetin e një qenieje njerëzore, burrë, grua apo fëmijë, të ruash integritetin fizik dhe moral, të pengosh degradimin e mjedisit, të refuzosh çdo poshtërim dhe çdo diskriminim që ka lidhje me ngjyrën, fenë, gjuhën, origjinën etnike, moshën etj.

Do të doja të ndalesha pak te baza e idesë europiane, duke theksuar se ajo mbështetet në dy kërkesa themelore dhe të pandashme: universalitetin e vlerave morale të përbashkëta dhe diversitetin e shprehive kulturore dhe veçanërisht, diversitetin gjuhësor. Ky i fundit, për arsye historike përbën një mjet të mrekullueshëm integrimi dhe harmonizimi, i cili ka ndikim mbi jetën e qytetarëve, mbi cilësinë e raporteve mes kombeve europianë, mbi marrëdhëniet e kontinentit me pjesën tjetër të botës, bashkekzistencën harmonike të kulturave në gjirin e shoqërive tona, me qëllim mirëfunksionimin e institucioneve dhe ecjen përpara në drejtim të konsolidimit të ndërtimit europian. Kur flasim për cilësinë e raporteve, kemi parasysh efikasitetin e shkëmbimeve, brishtësinë dhe njëkohësisht forcën e marrëdhënieve të popujve me njëri tjetrin në gjirin e familjes së madhe europiane. Të gjithë duhet të kemi parasysh që Europa është ndërtuar pas shumë shekujsh konfliktesh midis kombeve, e sidomos, mes fqinjëve. Të mësosh gjuhën e një partneri të sotëm, por njëkohësisht armiku të dikurshëm, është një akt i rëndësishëm me domethënie simbolike dhe dobi praktike.

Me qëllim që bashkëpunimi mes popujve të jetë sa më i efektshëm, nuk mjafton që ata t’i përkasin të njëjtit komunitet. Duhet që lidhjet dypalëshe, të forcohen nga afërsi të fuqishme, mes të cilave, vendin e privilegjuar do ta zinte, për qytetarët e secilit vend: gjuha e tjetrit. Vetëm kështu do të realizonim krijimin e një kantjeri të madh, ku mendoj se duhet të angazhohemi pa vonuar, në mënyrë që veprimet tona t’i justifikojnë përpjekjet e kryera. Së fundi, ideja është e qartë: një menaxhim i kujdesshëm dhe i mirëmenduar i diversitetit gjuhësor, mund të favorizojë integrimin europian, të promovojë shpirtin e qytetarisë dhe ndjenjën e përkatësisë në këtë union. Ai mund të kontribuojë gjithashtu në mënyrë të efektshme, në dialogun mes kulturave dhe bashkëjetesës harmonike të tyre, si në raport me pjesën tjetër të botës, ashtu edhe në gjirin e shoqërisë sonë dhe kësisoj t’i japë një vrull të ri Ndërtimit Europian.

/INSTITUTI I TRASHËGIMISË SHPIRTËRORE E KULTURORE TË SHQIPTARËVE – SHKUP STUDIME ALBANOLOGJIKE 15/