Terrori dhe dhuna shtetërore serbe-malazeze kundër lëvizjes shqiptare në Sanxhak dhe Kosovë  gjatë viteve të 20 dhe 30-ta të shekullit të kaluar

Albanian_refugees_of_the_Balkan_Wars_heading_to_Turkey

Mbretëria Serbe-Kroate-Sllovene gjatë sundimit të saj, si qëllim të parë dhe të fundit kishte ndërrimin e strukturën etnike në trojet shqiptare. Për të arritur këto synime dhe për të pasur mbështetje formale juridike kundrejt opinionit të huaj, ajo nxori edhe legjislacionin agraro-kolonizues. Duke shfrytëzuar “Ligjin mbi mbrojtjen e shtetit”, në hullinë e sulmeve kundër Xhemijetit autoritete serbe burgosën tipografët e gazetës “HAK” dhe më pas e ndaluan zyrtarisht gazetën, duke akuzuar se botonte informata që cenonin autoritet serbe. Sa i përket Sanxhakut, pjesa e tij e ndodhur në Mal të Zi, kishte pësuar shumë keq, në krahasim me atë të Serbisë. Masakra në Shahoviq, Pavino Pole, Vranesh dhe fshatrat përreth, ishte krimi më i madh kundër popullsisë të përkatësisë myslimane gjatë kohës së paqes në Mbretërinë SKS. Për këto rrethana të vështira, gazeta “Hak” shkruan se “shumë vëllezër shqiptar u mbuluan me tokë, ndërsa shumë të tjerë u shpërndanë andej e këndej në gjendje fare të keqe”. Në këto rrethana Bajram Curri dhe Hasan Prishtina arritën të protestojnë në shtator të viti 1924, pranë Lidhjes së Kombeve në Gjenevë.

Shkruan : Ismet Azizi

Në zgjedhjet e vitit 1925, Nikolla Pashiqi me dhunë detyroi myslimanët (shqiptarët e boshnjakët)  e Sanxhakut të votojnë partinë e tij Radikale. Për këtë, ai me kohë kishte përgatitur skenarin. Ejub Mushoviq, në librin e tij “Novi Pazar i Okolina” përshkruan si është zhvilluar ky skenar.

“Në prag të zgjedhjeve, në Novi Pazar, qëndroi edhe prefekti nga Çaçaku. Ai zhvilloi një aktivitet të madh parazgjedhor, vazhdoi t’i përvetësonte myslimanët për Partinë Radikale. I tuboi, bile edhe hyri nëpër xhami a dhe bisedoi me popullatën. Ishte hapur lajmi se myslimanët  duan të lidhen me Kroacinë dhe për këtë arsye u dyshuan disa persona dhe ishin penguar ta bëjnë këtë. Në ditën e zgjedhjeve, më 8 shkurt 1925, kaloi i përcjellë me terror të madh. Në prag të zgjedhjeve u gjuajt me armë për të frikësuar popullatën. Në orët e hershme të mëngjesit nga fshatrat kishin ardhur masë e madhe e fshatarëve serb, të ndarë në grupe, iu kishin bashkuar patrulluesve xhandarë, të cilët lëviznin nëpër rrugë me qëllim të frikësimit të popullatës. Pas orës 10h filloi  maltretimi i qytetarëve eminentë, mandej i atyre për të cilët mendohej se ishin kundër Partisë Radikale. Popullata filloi të largohej nga rrugët, të mbyllet në shtëpitë e tyre. Madje edhe ata të cilët ishin caktuar në vendvotimi të përcjellin zgjedhjet, i kishin lëshuar vendet e tyre dhe ishin futur brenda shtëpive të tyre. Pas orës 11h, nuk ka pasur asnjë qytetarë mysliman në rrugë. At ditë, sipas Mija Radoviqit, janë rrahur, rreth 200 myslimanë. Në zgjedhjet e zhvilluara në ato kushte fitoi Zhivko Shushiq.

Për t’i frikësuar edhe më tepër dhe për t’i detyruar që të shpërngulen, në Pazar të Ri janë vrarë qytetarët eminentë: imam Selim Dugopolani, Emin Peçanin (Peja), Bedri beu Eminbegoviq, Vëllezërit Bajramoviq, ndërsa atentat të pasuksesshëm është kryer edhe ndaj Emin beg Nuribegoviqit.

Në fillim të viti 1924, shkatërrohet partia Demokratike, ndërsa në vitin 1926, pas vdekjes së N. Pashiqit, edhe Partia Radikale.

Pasi kishte humbur pikëmbështetjen në Novi Pazar dhe në Partinë Demokratike, mbreti Aleksandër më 6.01.1929, futi diktaturën, shkarkoi parlamentin në Beograd dhe ndaloi veprimtarinë e partive politike. Nga kjo kohë deri me vrasjen e tij në Marsej në vitin 1934, kur vritet nga atentatori bullgar, ai ishte mbështetë në ushtri dhe xhandarmëri.

Për gjendjen e vështirë të shqiptarëve në këtë kohë, dr. Ali Hadri thotë: “Kur të merret parasysh pozita dhe gjendja jashtëzakonisht e vështirë e shqiptarëve në Jugosllavinë borgjeze, është plotësisht i arsyeshëm mendimi se Jugosllavia e vjetër për shqiptarët ishte burg me kuptimin e plotë të fjalës”.

Në fillim të raportiti të CIA-s për Kosovës që mban datën 7 janar 1953, jepen specifikat për shqiptarët në ish Jugosllavi: Numrin e popullsisë dhe ngjarjet e ndodhura deri në vitin 1944. Raporti saktëson se pasi që Konferenca e Londrës në vitin 1913, Kosovën  ia shkëputi Shqipërisë dhe ia dhuroi atë Serbisë, shumë patriotë kosovarë u vendosën në qytete e Shqipërisë, si: në Fushë-Krujë, në Elbasan, në Mamurras, në Myzeqe etj.

Këtu bëjnë pjesë shumë personalitete të kishës katolike dhe familjet fisnike, At Shtjefën Kurti, Mikel Shala, Gjon Bicaku shpëtuan gjallë, duke ikur në Shqipëri në vitin 1929. Në të njëjtën kohë qeveria e Shqipërisë dërgoi notë të fortë proteste në  Lidhjen e Kombeve për vrasjen e At Shtjefën Gjeçovit. Vrasja përshkruhet në librin e Dr. Vasfi Samimi, Tiranë 1943.

Kolonizimi i trojeve shqiptare ishte një proces që kishte filluar që në vitin 1912. Ai mori hov gjatë viteve ‘30, kur qëndresa e armatosur ishte më e dobët. Duke bazuar planin e kolonizimit të viseve etnike shqiptare, kolonët vendoseshin në radhë të parë në pikat strategjike të këtyre trojeve, siç ishte brezi kufitar me shtetin shqiptar. Kolonët sllavë vendoseshin gjithashtu gjatë nyejve të komunikacionit rrugor dhe hekurudhor, si dhe në luginat e fushata pjellore. Gjatë periudhës ndërmjet dy luftërave botërore, në tokat shqiptare janë vendosur rreth 15 000 familje kolonësh me rreth 75 000 frymë. Sipas disa të dhënave, gjatë periudhës 1918-1941, në viset etnike shqiptare janë ngritur 1000 koloni sllave. Si rrjedhojë e zbatimit të politikës agrare-kolonizuese, u ashpërsuan marrëdhëniet ndëretnike ndërmjet shqiptarëve dhe serbo malazezëve.

Deri në fillim të vitit 1941, nga reformat agrare kolonizuese u prek rreth gjysma e tokave bujqësore dhe u godit gjysma e popullsisë fshatare shqiptare. Statistikat e marrjes së tokave të kaçakëve dhe e tokës së braktisur nga familjet shqiptare që kishin filialet agrare ishte kjo gjendje: në filialin e Mitrovicës, në të cilën bënin pjesë  këto rrethe administrative: Mitrovicë, Dezheva (Pazar të Ri) Senica, Shtavica (Tutini) Vuçitërna, Llapi, dhe Drenica, u morën tokë të kaçakëve 170, 86 ha, e tokë e lënë shkretë 4090,40 ha, tokë e punueshme 3900 ha.

Përveç këtyre, si rrjedhojë e shpronësimit të fshatarësisë shqiptare dhe e kolonizim të tokave të tyre, ndryshime të dukshme pësoi edhe struktura etnike. Më 1912 shqiptarët përbënin 90% të popullsisë, kurse në vitin 1941, përqindja e tyre ra më rreth 70 %. megjithatë, falë qëndresës së organizuar të popullit shqiptarë, nuk u arrit objektivi i Mbretërisë Jugosllave për ndryshimin rrënjësor të strukturës etnike në favor të minoritetit sllav.

Qarqet sunduese, kulturore e shkencore serbe dhe veçanërisht ideologët e krijimit të hapësirave të pastra etnike, me gjithë masat e ndërmarra ndaj shqiptarëve, nuk ishin të kënaqur me rezultatet e kolonizimit dhe të shpërnguljes së shqiptarëve në vendet tjera. Edhe përkundër të gjitha masave drastike, numri i shqiptarëve nuk u zvogëlua, por, përkundrazi, shënoi rritje në saje të natalitetit të lartë në kushtet e rënda të jetës e të punës. Prandaj, pushteti i atëhershëm vendosi që këto qëllime të vetat t’i realizojë me shpërnguljen me dhunë e terror të gjithë shqiptarëve nga trualli i Kosovës dhe territoreve rreth saj, në një anë, dhe kolonizimin sa më intensiv të serbëve në Kosovë, por edhe në Maqedoninë Perëndimore. Për këto qëllime dhe u përpiluan një varg elaboratesh dhe planesh.

Elaboratit me karakter fashizoid, me titull “Shpërngulja e shqiptarëve”(Iseljavanje Arnauta), i paraqitur në klubin Kulturor Serb më 7 mars 1937, të cilin e hartoi Dr. Vasa Çubriloviq, i parapriu një sërë veprimesh të kreut politik serb. Me këtë rast, po paraqesim dy dokumente që i paraprijnë elaboratit të Çubriloviqit dhe nënshkrimin e Konventës në mes Jugosllavisë dhe Turqisë.

Dokumenti i parë është Procesverbali i konferencës ndërministrore, e cila u mbajt në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Jugosllavisë më 20 shtator të vitit 1935, në të cilën u diskutua për dëbimin e popullatës jo-sllave nga Serbia Jugore.

Teksti i dytë paraqet projekt planin për shpërngulje, të cilin e ka hartuar komiteti i ngushtë ndërministror, që është miratuar në mbledhjen e 24 shtatorit 1935, në Beograd. Ndër konkluzionet e këtij projekti, të cilin e kanë përpiluar së bashku përfaqësuesit e pesë ministrive dhe Gjeneralshtabit dominon nevoja e miratimit urgjent të konventave dypalëshe me Turqinë dhe Shqipërinë, ndërsa në rast të problemeve me shpërnguljen e shqiptarëve në Shqipëri, është propozuar të zhvendosen nga zonat kufitare në brendësi të territorit të Jugosllavisë. Lehtësime tatimore janë paraparë për ata të cilët do të hiqnin dorë vullnetarisht nga shtetësia, ndërsa për transport pa pagesë deri në Selanik mund të llogarisnin vetëm ata të cilët pasurinë e tyre të paluajtshme ua lënë shtetit. Pothuajse të gjithë propozimet e përfaqësuesve të Shtabit të Përgjithshëm u miratuan unanimisht si masa, të cilat projekti propozon për “shpërngulje të suksesshme dhe më të shpejtë të popullsisë jo-sllave në Turqi ose Shqipëri”: Shtypjen e propagandës kundër dëbimeve që vinin nga Tirana, si dhe thirrjet sa më të shpeshta të regrutëve nga rrethet kufitare në stërvitje ushtarake dhe manovra, ndalimin e pranimit në shërbimin civil “të personave të cilët vijnë në shprehje për dëbim”, transferimi e zyrtarëve shqiptarë në pjesë të tjera të vendit, nacionalizimin e toponimeve dhe mbishkrimeve, etj. Të dy këto dokumente janë ruajtur në Arkivin e Jugosllavisë, në kuadër të Fondit të Ambasadës së Mbretërisë së Jugosllavisë në Turqi-Stamboll, Ankara (370), dosje 9, njësia arkivore 42, faqe 637-643.

Kjo vlen të analizohet mirë dhe me këtë do të duhej të merreshin ekspertë të ndryshëm të historisë dhe sociologë nga Kosova dhe Sanxhaku, sepse, në këtë kohë vjen deri te një kthesë diplomatike serbe ndaj popullsisë myslimane të Sanxhakut, të cilët ata tashmë do t’i trajtojnë si popullsi sllave të përkatësisë islame. Në një dokument thuhet: “Ligji mbi Shtetësinë e bëri të mundur për dëbimin e popullatës jo-sllave, por megjithatë ka disa vështirësi nga ana jonë. Në radhë të parë është vërejtur se është bërë një gabim, për shkak se në mesin e deklaratave për largim gjinden edhe një numër i madh i kërkesave të myslimanëve nga Sanxhaku, të cilët janë megjithatë njerëz tanë. Prandaj nuk ka arsye që ata të largohen nga vendi. Ne ia kemi tërheqë vëmendjen Ministrisë së Brendshme se deklarata të tilla në të ardhmen të popullatës sonë sllave mos të pranohen”.

Propaganda më e madhe për shpërnguljen e shqiptarëve filloi në “Klubit Kulturor Serb”, me ligjëratën e Dr. Borivoje Panjevqit, i cili, në vështrimin e tij, thekson: “Rrezik është që po shumohen shqiptarët në jug dhe në këtë drejtim ai rrezik do të jetë gjithnjë më i madh për elementin serb”. Aq larg kishte shkuar sa që rrezikun e shihte se te shqiptarët po zgjohet gjendja nacionale, dhe në vend se të asimilohet siç është dëshira e shtetit në realitet po ndodhë e kundërta, sepse fëmijët e kolonëve, në vend që t’ua mësojnë atyre gjuhën serbe, ata po e mësojnë gjuhën e tyre dhe kështu elementi sllav po asimilohet. Rreziku më i madh sipas tij qëndron se te gjithnjë e më pak po vërehet gjendja turkofile, të cilët gjuhën dhe plisin nuk e harrojnë.

Studimi që shkaktoi më së tepërmi  erupsion për të ndërmarrë aksione brutale që ka qenë ndër akuzat më të rënda kundër pushtetit që nuk “interesua” për ta asimiluar popullsinë shqiptare, është padyshim elaborati i Vasa Çubriloviqit “Shpërngulja e shqiptarëve”.

Në elaboratin e sipërpërmendur me karakter fashizoid e gjenocid, me  titull “Shpërngulja e shqiptarëve” (“Iseljavanje Arnauta”), i paraqitur në Klubin Kulturor Serbia më 7 mars 1937, të hartuar nga Dr, Vasa Çubriloviq ( 1898-1990), thotë se pasi që “ndjekja e shqiptarëve me kolonizimin tonë gradual është jo efikase, mbetët që shpërngulja e tyre  të jetë sa më masive. Me këtë rast, dy vende vijnë në konsideratë dhe atë Shqipëria dhe Turqia.

Dr. Vasa Çubrilloviqit në “Shpërngulja e shqiptarëve” për  problemin e shqiptarëve, thekson ai, nuk lindi sot, por ai ishte problem edhe në Mesjetë. Praninë e shqiptarëve Çubrilloviqi e quante “Pykë të rrezikshme”. Mprehtësinë e kësaj “pyke”, sipas tij, Qeveria serbe e kishte dobësuar qysh nga Kryengritja e Parë Serbe. Për të pasur efekt pozitiv, theksonte ai, duhet krijuar psikoza të nevojshme në këto forma: Është e njohur se masa shqiptare bie shumë vështirë nën ndikim dhe bindjet e veta i ruan me fanatizëm. Për këtë, në mes masave tjera,  kësaj radhe po përmendim atë që preferon në lidhje me ligjet, të cilat duhet shfrytëzuar deri në maksimum, në mënyrë që t’i vështirësohet jeta me anë të gjobave, burgimeve, me përdorimin e të gjitha formave të paskrupullta, të gjitha metodave policore me dënime në masë. Mandej me anë të masave sanitare, rrëzimin e mureve dhe gardhiqeve, masave në veterinari, rritjen e tatimeve etj. Shqiptari duhet të ngacmohet, duke ua prishur varret, ndalimin e martesave, duhet detyruar që fëmijët të dërgohen në shkollat, ku fyhet elementi shqiptar dhe ku nxënësve u thuhej se shqiptarët janë njerëz me bishta. Nga ligjërata  e V. Çubriloviqit, “Shpërngulja e shqiptarëve”, të mbajtur në Klubin Kulturor serb më 7 mars 1937, i dëshpëruar për shkak s sipas tij  kolonizimi kishte dështuar, në elaboratin e tij përveç të tjerash  theksonte: Në rastin tonë  duhet pasur parasysh aq më parë që kemi të bëjmë me një racë të gjallë, të fuqishme dhe të pëlleshme, për të cilën  i ndjeri Cvijiq ka thënë se është raca më ekspansive në Ballkan. Gjermania  prej viti  1870 deri në vitin 1914 ka shpenzuar shumë miliarda marka që, gradualisht, duke e blerë tokën nga polakët, t’i kolonizojë trevat e veta lindore. Por pjellshmëria e nënave polake ka ngadhënjyer mbi organizimin gjerman dhe paratë gjermane. Në vitin 1928 e mori prapë Poznanjin e vet. Statistikat tona të viti 1921 dhe të viti 1931, që i përmendëm më parë, tregojnë se edhe  pjellshmëria e grave shqiptare ka ngadhënjyer mbi politikën tonë të kolonizimit.

Hajredin Hoxha, në punimin e tij në “Përparimi” thotë se politika e regjimit ishte eliminimi i shqiptarëve nga trualli i Jugosllavisë së vjetër. Edhe Gjoka Perina, po ashtu mbështeste pikëpamjet e Çubriloviqit karshi shqiptarëve. Ky titullar i lidhjes së Kooperativave Serbe në Sarajevë, theksonte praninë e shqiptarëve në regjionin e Sanxhakut. Sipas Perinës popullsia shqiptare në Kosovë paraqet rrezik të përhershëm, prandaj preferonte shpërnguljen ciklike brenda për brenda shtetit, sepse ndërrimi i këtillë i popullsisë nuk kërkon mjete të mëdha, ndërsa popullsia shqiptare, thotë ai, “do të humbasë në detin e gjerë sllav”.

Në Kosovë është vendosur regjimi i terrorit dhe i eksploatimit. Nëpunësit fundërrina të Mbretërisë Jugosllave u futën në Kosovë për t’u pasuruar. Gjuha shqipe është larguar nga jeta publike, ndërsa shkollat nuk u hapën. Për shkak se në alfabetin serb cirilik dhe latin, nuk ka shkronja për të gjithë tingujt e shqipes, shpesh ka ndodhur që gjatë regjistrimeve, emrat dhe mbiemrat të ndryshohen.

(vijon)

 Shih:

Terrori dhe dhuna shtetërore kundër lëvizjes shqiptare në Sanxhak dhe Kosovë në fillim të viteve të 20-ta të shek. XX (I)

(Artikulli është pjesë e  punimit të Masterit ” Roli diplomatik i Aqif Blytës në mbrojtjen e Pazarit të Ri”)