Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta priti në një takim të përzemërt një grup studentësh nga Sanxhaku, të cilët ndodhen për një vizitë disa ditëshe në Shqipëri

Meta

Presidenti Meta priti në takim një grup studentësh nga Sanxhaku: Bashkëpunimi i të rinjve në mënyrë të hapur e krijuese është investimi më i mirë për një rajon në paqe, më të sigurt dhe më të begatë.

 

Pasi u uroi mirëseardhjen në vendin tonë, Presidenti Meta e vlerësoi kontributin e tyre, shumë të vlefshëm për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë e Sanxhakut dhe Serbisë.

“Kënaqësi e veçantë t’ju pres në Institucionin e Presidentit dhe të zhvilloj me ju këtë bashkëbisedim. Është shumë e rëndësishme që ne të gjithë të punojmë fort për intensifikimin e marrëdhënieve mes popujve dhe vendeve tona, veçanërisht në drejtim të turizmit, të arsimit e kulturës, shkëmbimeve studentore apo edhe bashkëpunimit të shoqërisë civile. Ju inkurajoj, që së bashku me të rinjtë e tjerë në rajon, pavarësisht kombësive, të bëheni promotorë të integrimeve europiane dhe të proceseve demokratike në vendet ku jetoni”, – theksoi Presidenti Meta.

“Bashkëpunimi i të rinjve në mënyrë të hapur e krijuese është investimi më i mirë për një rajon në paqe, më të sigurt dhe më të begatë”, – tha ndër të tjera Presidenti Meta gjatë takimit.