Kurti: Shqiptarët dhe Boshnjakët duhet të përsërisin të vërtetën e tyre ashtu siç Beogradi përsërit gënjeshtrat e veta

erdhi dita

Intervistë për portalin më të popullarizuar në Bosnje dhe Hercegovinë

Albin Kurti, kreu i lëvizjes social demokrate Vetëvendosje nga Kosova fitoi numrin më të madh të votave individuale në zgjedhjet e vitit të kaluar, gjë që qeverisë edhe ashtu të brishtë në atë vend i paraqet një kërcënim serioz. Tirania që përjetoi në lëkurën e tij e ndihmoi shumë në pjekjen politike, kurse programet politike dhe ekonomike të cilat ua ofroi qytetarëve të fitojë besimin e tyre.

 

Kurti, për këtë rast – Forumi i Biznesit në Sarajevë, arriti me avion nga Budapesti, falë shtetësisë dhe dokumenteve të Republikës së Shqipërisë. Sepse, siç e përshkroi vetë ai, pengesat absurde që Kosova ka vendosur për Bosnje dhe Hercegovinën (BeH), si qytetar i Kosovës, e kufizojnë nga liria e lëvizjes në BeH, e cila paraqet problem për bashkëpunimin tregtar. Sidoqoftë, Kurti është i kënaqur kur vjen në Sarajevë, ku ai është gjithashtu mysafir i mirëpritur.

“Unë kam shtetësi të dyfishtë, të Kosovës dhe Shqipërisë. Me këtë rast, kam përdorur shtetësinë shqiptare. Kur para dy viteve kam ardhur në Srebrenicë, pata përdorur një pasaportë diplomatike të Kosovës. Atëherë kam marrë një vizë për vetëm pesë ditë në Ambasadën e BeH në Shkup. Ambasadorja Lepa Babic nuk ishte e gëzuar që po shkoja në Srebrenicë. Nuk shpresoja se do të merrja vizën. Ndoshta vlerësonin se dëmi është më i vogël nëse më japin një vizë sesa të rridhte informacioni se viza nuk më është dhënë”, tha ai në fillim të bisedës.

Në vazhdim të bisedimit për Klix.ba Kurti tregon për vizitën e Presidentes së Këshillit të Asamblesë Federale të Federatës Ruse, Valentina Matvijenko Bosnjë dhe Hercegovinës, për marrëdhëniet mes Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Kosovës, të arriturat e Kosovës në planin e jashtëm dhe dështimet e brendshme, për qeverinë dhe opozitën, për programet e saj dhe sistemin paralel në Kosovë, si dhe tema të tjera.

Z. Kurti, në njëfarë mënyre ka ndodhur që të vizitoni Bosnjën dhe Hercegovinën në të njëjtën kohë me Presidenten e Këshillit të Asamblesë Federale të Rusisë, Valentina Matvijenko. Supozoj se jeni në dijeni për qëndrimin e saj ndaj organit më të lartë ligjvënës në Bosnje dhe Herzegovinë. Si e shihni fjalimin e saj dhe si, në përgjithësi, po e shihni vizitën e saj?

Ajo sulmoi Bosnjë dhe Hercegovinën duke thënë diçka shumë problematike. Jo vetëm që kjo është e pavërtetë kur bëhet fjalë për të kaluarën, por është shumë e dëmshme kur bëhet fjalë për të ardhmen. Me kualifikimin se në Bosnjë e Hercegovinë ka ndodhur një luftë civile, ajo dëshiron që Beogradi të lirohet nga fajësia. Ne e dimë shumë mirë, ndër të tjera, sipas informacioneve të ofruara nga Qendra për të Drejtën Humanitare i Nataša Kandić, se afër 4.000 oficerë të APJ-së nga Serbia luftuan kundër boshnjakëve në Bosnje. Këta oficerë mësuan aftësitë e tyre të luftës në Beograd. Serbët që luftuan gjithashtu u pajisën me uniforma, armë dhe strategji nga Beogradi. Ata nuk ishin thjesht civilë ku agresioni i tyre të karakterizohet si një luftë qytetare. Kjo fjali e saj është shumë problematike.

Mendoj se boshnjakët, si edhe shqiptarët, duhet të jenë shumë më aktivë dhe më të zëshëm në demaskimin e pretendimeve serbe dhe ruse. Mendoj se ne nuk jemi mjaft të koordinuar dhe nuk jemi mjaft aktivë, duke menduar se publiku në botë di për vuajtjet tona dhe se nuk duhet të tregojmë për to. Në letërsi nuk guxon të përsëritësh, por në politikë duhet të përsëritësh veten. E, në veçanti, këtë duhet ta bëjnë politikanët boshnjakë dhe shqiptarë. Ne duhet ta përsërisim të vërtetën tonë përderisa Beogradi përsërit gënjeshtrat e tij.

A nuk është e mjaftueshme vetë e vërteta? Pse të përsëritet?

Kosova dhe Bosnja e Hercegovina janë dy vendet, popujt e të cilëve pësuan më së shumti gjatë ish Jugosllavisë dhe fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite kanë probleme të ngjashme. Këto probleme dalin kryesisht nga Serbia, që është Beogradi zyrtar, i cili ka Republikën Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë, e që e dëshiron një Republikë të tillë të vogël të Serbisë edhe në Kosovë.

Le të kalojmë në marrëdhëniet midis Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kosovës. Në njërën anë kemi një mosnjohje për Kosovën dhe në anën tjetër lirinë e kufizuar të lëvizjes. A ekziston mundësia e përparimit në bashkëpunimin e ndërsjellë?

Bosnjë dhe Herzegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por e di që Sarajeva nuk është fajtore, por Republika Srpska e cila abuzon me veto. Unë mendoj se nuk është e drejtë që Ministria e Jashtme e Kosovës ka vendosu reciprocitet me Bosnjen dhe Hercegovinën, sepse vetëm boshnjakët janë duke u ndëshkuar.

Serbët dhe kroatët që jetojnë në Bosnjë dhe Hercegovinë kanë edhe dokumente të tjera dhe ata udhëtojnë lirshëm në Republikën e Kosovës. Prandaj, unë besoj se Kosova duhet të vendosë reciprocitet me Serbinë dhe jo me Bosnje dhe Herzegovinën. Sarajeva luftoi kundër Serbisë dhe Prishtina luftoi kundër Serbisë. Ne nuk kemi, e as nuk duhet të kemi probleme me njëri-tjetrin.

Ka shumë fusha në të cilat mund të bashkëpunojmë, si në politikë dhe ekonomi, në kulturë, turizëm e kështu me radhë. Mendoj se tani është një mundësi e shkëlqyeshme për të folur rreth këtyre dhe për t'u takuar me politikanët dhe aktivistët nga Bosnje dhe Hercegovina për të ndërtuar sa më shumë ura midis Republikës së Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës.

Le të kthehemi në regjimin e vizave shkurtimisht. Ku në të vërtetë qëndron problemi më i madh dhe a do ta përdorni këtë vizitë në përpjekje për të ndryshuar diçka?

Problemi i mosnjohjes së pavarësisë sonë është problemi i Bosnje dhe Hercegovinës. Na vjen keq që Bosnje dhe Hercegovina nuk e njeh Kosovën, por gjithashtu mendoj se liria e lëvizjes nuk duhet të shkelet duke krijuar një reciprocitet formal dhe të dëmshëm me Bosnje dhe Herzegovinën.

Dje kam biseduar për këtë me bashkësinë shqiptare në Sarajevë, ndërsa sot do të jem në Forumin e Biznesit të Sarajevës, ku do të kem mundësi shtesë për t'u takuar me politikanë të ndryshëm, përfshirë kryeministrin Denis Zvizdic, për të shqyrtuar mënyrat se çfarë mundësish kemi për bashkëpunim më të mirë.

Duhet të kuptoni se ne jemi akoma opozitë në Kosovë, ne nuk jemi në pushtet dhe kemi shumë probleme të mëdha me autoritetin në Kosovë. Një nga këto probleme është edhe kjo pengesë absurde që Kosova ka vendosur për Bosnje dhe Herzegovinën. Ne nuk jemi në gjendje ta ndryshojmë këtë derisa s’arrijmë në pushtet.

Kosova shpalli pavarësinë e saj dhjetë vjet më parë, të cilën Serbia nuk e ka njohur kurrë zyrtarisht. Si do ta karakterizonit situatën aktuale në Kosovë dhe cila është perspektiva e saj e ardhshme?

Tani kishim dhjetëvjetorin e shpalljes së pavarësisë. Sukseset tona si shtet janë kryesisht në njohjet e jashtme që kemi marrë gjatë viteve. Gjithsej 115 shtete kanë njohur Kosovën. Kur bëhet fjalë për konsolidimin e brendshëm, nuk ka lëvizje të mëdha. Mitrovica mbetet një qytet i ndarë. Mjerimi social është një dukuri normale në mesin e popullatës.

Ne kemi nevojë për reciprocitet me Serbinë, bashkimin e qytetit të Mitrovicës dhe ne kemi nevojë për të luftuar papunësinë, sidomos për të rinjtë dhe gratë, pavarësisht nga nacionaliteti i tyre. Mendoj se një vend nuk është i varfër për shkak të teprisë së historisë së popullit, mungesës së kulturës së shoqërisë dhe as për shkak të burimeve të saj natyrore, pavarësisht nëse i ka apo jo. Varfëria është pasojë e modelit të gabuar ekonomik. Me modelin ekonomik që kemi në Kosovë, ne do të varfëronim edhe Zvicrën dhe Gjermaninë, se lëre më veten.

Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për një model tjetër ekonomik që do të pranojë se financat, tregtia dhe shërbimet janë degë shumë të rëndësishme të ekonomisë, por prodhimi është edhe më i rëndësishëm se ato. Pra, prodhimet vendore duhet të rriten: ato bujqësore, artizanale dhe industriale. Ne kemi një deficit të tmerrshëm tregtar që është aq i madh, sa i përket numrit, diku rreth një e treta e bruto produktit vendor. Raporti ndërmjet importeve dhe eksporteve është 10 me 1. Kjo paqe e brishtë sociale që ekziston në Kosovë është e tillë kryesisht falë diasporës sonë. Çdo i treti qytetar i Kosovës nuk është banor i Kosovës. Motrat dhe vëllezërit tanë, nënat dhe etërit tanë, që janë në Evropën Perëndimore ose në Shtetet e Bashkuara dërgojnë rreth 1 miliard euro në vit në Kosovë. Por kjo është si një top pingpongu që menjëherë del jashtë.

Paratë e diasporës sonë duhet të jenë jo vetëm një faktor social për mbijetesë, por edhe një faktor ekonomik për zhvillim. Ndoshta diaspora irlandeze, greke apo armene dërgon më shumë para në shtëpi, por jo në raportin një me dy me buxhetin e shtetit. Një miliarda euro sigurohen nga diaspora derisa buxheti i Kosovës është vetëm dy miliardë.

Si do të lëvizin përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje sipas problemeve të përmendura?

Ne, si një lëvizje socialdemokrate, lëvizje e qendrës së majtë, konsiderojmë se duhet të kemi një fond sovran dhe që ne duhet ta ndalojmë privatizimin neoliberal. Këtë do ta bënim duke i tërhequr ndërmarrjet shoqërore nga Agjencia e Privatizimit dhe duke tërheq po ashtu ndërmarrjet publike nga Qeveria e Kosovës. Së bashku do t'i ristrukturojmë në këtë fond sovran dhe do t'i japim diasporës tonë mundësinë për të blerë aksione aty. Dhe jo ky privatizim brutal, ku ne i shesim lirë çdokujt gjithçka që kemi. Në parim, nuk jam absolutisht kundër privatizimit, por mendoj se duhet të diskutojmë shumë përpara se të shesim diçka. Duhet të mendojmë me kujdes se pse privatizojmë, si, çfarë, sa, kur dhe kujt i shesim. Këto janë pyetje legjitime që janë tema tabu në Kosovë.

Fondi Sovran do të lejonte që fondi ynë i pensioneve të blinte aksione dhe të linte para në Kosovë. Fondi pensional i Kosovës është 1.6 miliardë euro. Një përqindje e lartë, saktë 97 për qind e këtij fondi, është investuar jashtë. Secili kryeministër pas luftës dhe çdo ministër i financave dhe ekonomisë pas luftës kërkon investime të huaja direkte. Por ne i dërgojmë paratë tona jashtë. Ne gjithashtu kemi një fond privatizimi prej 600 milionë eurosh, që është gjithashtu jashtë. Ne duhet që ato fonde t’i lidhim me fondin sovran që do të lidhej drejtpërdrejt me Kuvendin tonë.

Paralelisht me fondin duhet të kemi një bankë investuese zhvillimore, ku kamatat do të jenë më të ulëta se 3% dhe afatet e kthimit për shumë vite. Jo siç është rasti i sotëm, ku bizneset e vogla falimentojnë. Nuk mund të shesësh shtëpinë për të hapur dyqan. Duhet të kesh qasje në kapital. Të tilla në Kosovë nuk ka, sepse ne kemi vetëm banka private.

Me këtë platformë garova në zgjedhje dhe dyfishuam votën tonë. Këto parti tjera u bashkuan kundër nesh dhe tani janë në pushtet. Tani ata përbëjnë një qeveri pakicë. Kanë vetëm 52 deputetë nga gjithsej 120 vende, pasi lista serbe doli nga qeveria. Në të vërtetë, ajo nuk ka dalë nga ministritë, ata kanë ministritë e tyre, por nuk shkojnë në mbledhjet e qeverisë. Kjo është diçka me rëndësi dytësore.

Çdo situatë, sado e keqe, për dikë është e përshtatshme. Dikush përfiton këtu, përndryshe kjo situatë nuk do të qëndronte. Të gjithë thonë se situata është e keqe, por pse atëherë po zgjatë? Sepse dikush ka një fitim nga ajo. Kemi një qeveri me biznesmenët e saj. Ne pajtohemi që qeveria të jetë e afërt me bizneset dhe biznesmenët, për t'i ndihmuar ata, por ato nuk mund të jenë aq të afërt në kuptimin që kryeministri ose ministri t’i dijë hollësitë e kompanive të caktuara. Këta janë biznesmenë nga oborri mbretëror. Ne nuk kemi nevojë për biznesmenë të tillë, sepse atëherë nuk ka zhvillim. Zhvillimi dhe demokracia duhet të jenë së bashku.

Si ndikojnë programet tuaja, të cilat i keni prekur pjesërisht, në mesin e pjesës serbe të popullatës në Kosovë?

Serbët në Kosovë kanë frikë nga strukturat paralele të Beogradit në Kosovë, veçanërisht pas vrasjes së Oliver Ivanović. Ne nuk e dimë se çfarë mendojnë serbët në Kosovë, për sa kohë që kanë struktura paralele mbi kokën e tyre. Ne nuk jemi në gjendje të dëgjojmë zërin autentik të serbëve nga Kosova. Serbët nga Kosova nuk kanë frikë nga shqiptarët, ata kanë frikë nga Serbia. Shumë prej tyre thonë privatisht se pajtohen me mua, por nuk mund ta thonë këtë publikisht, sepse Beogradi ju troket menjëherë në derë.

Vučić vazhdon rrugën e Milošević-it në kuptimin që për të një serb në Kosovë nuk është ai që ka një vetëdije kombëtare serbe ose flet serbisht dhe ka kulturën dhe traditën e Serbisë, por për të është një serb i cili i është lojal atij. D.m.th. të jeshë serb në Kosovë është çështje lojaliteti ndaj Beogradit, e jo çështje përkatëse nacionale. Unë mendoj se kjo është shkelje e të drejtave të njeriut dhe atyre qytetare.

Ne duam që Beogradi të jetë sa më larg nga Kosova, ngase shikuar historikisht, sa më larg që ka qenë Beogradi nga Kosova, aq më të mira ishin marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, e sa më afër Kosovës të jetë Beogradi, marrëdhëniet përkeqësohen.