Dogji për së gjalli 26 boshnjakë, dënim simbolik për ushtarin serbo-boshnjak që ishte rehatuar në Francë

susnjar-765x510

Një gjykatë në Sarajevë ka dënuar me 20 vite burg një ish-ushtar serbo-boshnjak të ekstraduar nga Franca vitin e kaluar. Radomir Susnjar, 64 vjeç, u dënua për pjesëmarrje në vrasjen e të paktën 26 boshnjakëve, duke përfshirë një foshnjë dyditështe, të cilët u dogjën për vdekje brenda një shtëpie në Visegrad më 14 qershor 1992.

 

Vrasja masive ishte ndër masakrat më të këqija në luftën e 1992-1995.

Susnjar “kreu krim kundër popullatës civile dhe kjo gjykatë e dënon atë me 20 vjet burg”, tha gjyqtarja Enida Hadziomeroviç të mërkurën.

Civilët boshnjakë u mbyllën në shtëpinë që ishte “djegur nga një pajisje shpërthyese”, tha ajo.

Paramilitarët serbë gjithashtu “qëlluan pushkë automatike në drejtim të shtëpisë për të mos lejuar që njerëzit të largoheshin”, shtoi gjyqtarja, e cila lexoi emrat e viktimave.

Susnjar u shpall gjithashtu fajtor për grabitje dhe ndalim të paligjshëm të civilëve. Gjithsej 57 civilë u mbyllën në atë shtëpi, dhe disa të mbijetuar dëshmuan gjatë gjyqit.

Rreth 15 persona, përfshirë të afërmit e viktimave, duartrokitën pas vendimit brenda sallës së gjyqit.

Më 14 qershor 1992, Ushtria dhe Policia Serbe e Bosnjës sulmuan fshatin Koritnik dhe rrethuan të gjithë boshnjakët që gjetën, kryesisht gra e fëmijë dhe burra të moshuar. Ata u zbritën në Visegrad në një shtëpi ku gratë dhe vajzat u dhunuan seksualisht.

Susnjar kishte jetuar në Francë për shumë vite para se të gjendej dhe arrestohej me urdhër të Bosnjës.

Ai u arrestua për herë të parë në Francë në 2014 para se të lirohej nën mbikëqyrje. Ai pastaj u arrestua përsëri dhe u ekstradua në Bosnje në qershor të 2018-tës.

Në vitin 2012, dy ish-ushtarë të tjerë serbë të Bosnjës u burgosën për të njëjtën masakër, në të cilën shumë gra, fëmijë dhe të moshuar ishin viktima.

Ata u dënuan njëri me burgim të përjetshëm dhe tjetri me 27 vjet nga ish-gjykata ndërkombëtare me qendër në Hagë, e cila gjykoi krimet nga luftërat që shpartalluan ish-Jugosllavinë.

ICTY mbylli dyert e saj në fund të vitit 2017, pasi kishte gjykuar 161 të dyshuar. Çështjet e rangut më të ulët janë trajtuar nga gjykata boshnjake e krimeve të luftës.

Sot, vendi qeveriset sipas Marrëveshjes së Dejtonit e arritur në 1995 që gdhendi Bosnjën dy njësi – Republika Srpska të drejtuar nga serbët dhe entiteti i Federatës i kontrolluar nga Boshnjakët dhe Kroatët. /tesheshi.com/