Martesa, familja dhe lindja si vlera të larta

Akademik_Hevzi_Islami

 

Mbi bazën e tipit të prodhimtarisë agraro-natyrale dhe të izolimit social e hapësinor dhe të jetës së krijuar mbi to të popullatës shqiptare, familja i ruante të gjitha funksionet e njësisë ekonomike, ndërsa femra, për shkak të varshmërisë ekonomike, shkallës shumë të ulët të arsimimit, ngulitjes për shtëpi dhe suaza familjare, objektivisht nuk ka mundur t’i theksonte aspiratat dhe qëllimet e saj personale jashtë jetës familjare dhe ekonomisë shtëpiake. Familja si institucion shoqëror luante funksionin e transmisionit të vlerave kolektive. Në kuadër të familjes, përveç funksionit riprodhues si formë e saj afatgjate, kryheshin të gjitha funksionet e tjera: ekonomike, konsumuese, arsimore, edukative, mbrojtëse, shëndetësore etj. Ishte shumë e ngushtë lidhja midis funksionit ekonomik të familjes dhe funksionit të saj reproduktiv. Familja e madhe ishte jo vetëm formë karakteristike, por edhe territorialisht shumë e zgjeruar e organizimit shoqëror të shqiptarëve.

 

Akademik : Hivzi Islami

Në shoqërinë patriarkale shqiptare, martesa, familja dhe lindshmëria vlerësoheshin lart. Në rrethana të përmendura shoqëroro-ekonomike, sipas traditës popullore, martesa konsiderohej si ngjarje më e rëndësishme familjare, sepse sillte sukses, fat dhe mbi të gjitha pasardhës dhe krah të ri të punës, ndërkaq fëmijët, veçanërisht ata të gjinisë mashkullore, paraqiteshin si faktor I domosdoshëm i kontinuitetit të familjes e të ekonomisë shtëpiake si njësi ekonomike, të trashëgimit të pasurisë dhe të emrit të familjes dhe si mbajtës të prindërve në pleqëri, meqenëse do t’u mungojë baza e gjerë sociale, siç janë sigurimi social, shëndetësor, pensional e invalidor. Në këtë shoqëri pozita e gjithmbarshme e gruas ishte tepër e rëndë, ku në të gjitha sferat e vendosjes e të aktivitetit i nënshtrohej vullnetit të burrit dhe interesave kolektive të familjes, ndërsa sa i takonte kontrollit të lindjes, dominonte forma tradicionale e tij, coitus interruptusi ose ndërpritja e kontaktit (aktit) seksual (gjenital).

Në shoqërinë klasike shqiptare, sikundër edhe në të gjitha shoqëritë paraindustriale, qëllimi më i lartë i femrës në bashkësi martesore, por edhe në jetë në përgjithësi ishte lindja e fëmijëve. Prandaj, familjet pa fëmijë dhe familjet me një gjeneratë janë konsideruar si të shkreta dhe pa perspektivë sociale pikërisht për shkak të mungesës së trashëgimtarit e të fuqisë punëtore dhe të ngushtimit të mundësive të ekzistencës. Prej faktit se a do të lindte nusja fëmijë, madje në disa familje edhe të cilës gjini i lindte, varej edhe pozita e saj në familje. Ishte dukuri që të prishej kurora për shkak të moslindjes së fëmijëve. Ndonëse kurrë nuk vërtetohej se kush ishte steril, gruaja apo burri, megjithatë faji i hidhej gjithmonë gruas; ky fakt e mbante gruan në pozitë labile, madje edhe e nxirrte krejtësisht nga shtëpia. Gruaja që lindte fëmijë respektohej aq shumë sa që i atribuoheshin disa veti të mira fizike dhe morale dhe përforcohej pozita e saj në familje. Në disa vise shqiptare dëgjohej edhe shprehja: më mirë pjellëmirë e grua e keqe se grua e mirë e pjellëkeqe. Shpenzimet e mbajtjes së familjes dhe të ngritjes së fëmijëve në popullatën shqiptare, sikundër edhe në çdo popullatë tjetër që ka ekzistuar në kushte të tilla të moszhvillimit gjithmonë kanë qenë shumë modeste. Nga të gjitha këto arsye edhe shpjegohen normat dhe pikëpamjet mbi martesën, siç janë hyrja e hershme në të, ruajtja e karakterit të institucionit universal të saj, hyrja përsëri në martesa pas shkurorëzimeve etj.

/Studime demografike (100 vjet të Zhvillimit demografik të Kosovës), ASHAK/