Ismet Azizi ndriqon figurën e Aqif Blytes – Kolosit të Pazarit të Ri

1

                       

 

 Aqif Blyta është një personalitet i njohur i historisë së shqiptarëve gjatë shekullit XX. Vlerësimi i kësaj figure historike ka pasur nuanca të ndryshme në historiografi, që në rastin më të mirë është portretizuar si një figurë e pa ndriçuar mire nga studiuesit dhe politika me qëndrime të ndryshme lidhur me personalitetin e tij. Së fundi, ndihemi me fat, që kemi në dorë një libër të mirë nga autorit Ismet Azizi. “Aqif Blyta: Kolos i Pazarit të Ri”, i botuar nga shtëpia botuese “Logos-A’, 2019, paraqet pa dyshim një kontribut të madh jo vetëm për historiografinë shqiptare dhe boshnjake, por edhe për historiografinë e Ballkanit në përgjithësi. Prof. Ismet Azizi, i diplomuar për Gjeografi në Universitetin e Prishtinës, si dhe me master në Administratë Publike dhe Diplomaci, autor i artikujve të shumtë me karakter studimor dhe publicistik në revista dhe gazeta ditore, pjesëmarrës dhe kontribuues në veprimtari të shumta dhe të larmishme arsimore dhe social-kulturore, në tubime, tryeza dhe konferenca shkencore, tani i afrohet lexuesit me monografinë “Aqif Blyta: Kolos i Pazarit të Ri”.

Dr. Alban Dobruna, Instituti i Historisë

Kam kënaqësinë të kem në dorë punën dhe hulumtimin disavjeçar të mikut tim, z. Ismet. Njohja, përgatitja dhe vullneti i tij për të ndriçuar dhe nderuar figurën e Aqif Blytës, për të cilin kisha dëgjuar të flitej me admirim në qytetin tim të lindjes në Gjakovë, nga ku rrjedhin edhe familja Blyta, më ka entuziazmuar jashtë mase, duke menduar dhe depërtuar thellë në personalitetin dhe karakterin e autorit se këto vlerësime nuk i bënë thjesht për të nderuar emrin dhe veprën e subjektit në libër të cilin e ka studiuar me vite të tëra, por edhe që lexuesit dhe opinioni i gjerë të mësojë për këto vlera, qofshin ato të shkruara, apo të tjera që shfaqen nëpërmjet shembujve personalë, nismave dhe veprimeve që nxisin, apo çojnë edhe më përpara zhvillimin dhe shoqërinë e një vendi siç ishte Pazari i Ri. Synimi kryesor, siç e thotë edhe vetë autori në hyrje të librit, ka qenë analiza shkencore hulumtuese dhe ndriçuese e rolit diplomatik të Aqif Blytës, në njërën anë dhe e veprimtarëve tjerë të shquar të Sanxhakut, Kosovës dhe më gjerë. Për personalitetin e Aqif Blytës dhe rezistencën e tij ndaj serbëve, të cilët popullit shqiptar i sollën shtypje të madhe kombëtare, deri tani është shkruar pak, e shpesh edhe gabimisht. Natyrisht, këtë ka bërë edhe mungesa e burimeve dhe dokumenteve adekuate të kohës, që deri vonë nuk ishin zbuluar. Padyshim se ky studim i z. Ismet Azizi do ta plotësojë këtë zbrastirë në historiografinë tonë dhe do të jetë shtytje për hulumtimet dhe studime të mëtejme të kësaj periudhe. Autori arriti të zbulojë dhe publikojë një numër të madh burimesh relevante për këtë problematikë, duke përfshirë çështje si pozita territoriale dhe gjeopolitike e rajonit të Sanxhakut, pretendimet territoriale të Serbisë dhe të zbërthehet gjerësisht roli i punës dhe veprimtarisë së Aqif Blytës për atë se deri ku shkonte bashkëpunimi i tij me gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërorë, pastaj roli  për mbrojtjen e Pazarit të Ri në vjeshtën e vitit 1941, mendimi aktual për personalitetin e Aqif Blytes nga figura kyqe politike në Sanxhak, Kosovë, Shqipëri, Serbi.

IMG_20191107_143703

Vepra është përpiluar me kujdes të madh, duke e shtjelluar lëndën në mënyrë sistematike, mbështetur në metodologji shkencore-bashkëkohore të përmbledhura në 358 faqe, që ndahen në gjashtë kapituj, sipas një renditjeje kronologjike me sqarime dhe plotësime përcjellëse, me dokumente, faksimile, fotografi, harta, bibliografi, indeksin e emrave, etj. Ka një varg arsyesh të forta që këtë monografi e bëjnë joshëse, jo vetëm për studiuesit e historisë dhe gjurmuesit, por edhe për ata që ushqejnë simpati dhe dashuri për studimin e së kaluarës.

Hulumtuesi i zellshëm, prof. Ismet Azizi, në kapitullin e parë me titull: ”Sanxhaku i Pazarit të ri në fokusin e historisë”, bënë fjalë për emërtimin dhe historikun, gjeografinë e Sanxhakut të Pazarit të Ri, lashtësinë e Sanxhakut të Pazarit të Ri, Pazarin e Ri dhe Kongresin e Berlinit, Pazarin e Ri dhe Luftërat Ballkanike, Sanxhakun në Luftën e Parë e Botërore.

Në kapitullin e dytë, autori e vë theksin mbi ”Aqif Blytën dhe origjinën familjare”, ku vihen në pah vendosja e Blytës në Izmir si nxënës, pastaj vendosja në Stamboll si Kapiten i Ushtrisë Osmane, dhe në vitin 1919 kur ai kthehet në vendlindje. Në këtë kapitull, autori me mjeshtri trajton edhe veprimtarinë e personalitetit të shquar si një nga themeluesit e Xhemjetit, pastaj pozitën e tij si deputet në Parlamentin e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene, angazhimin si kolumnist në gazetën “Hak”, vitet 1925 dhe burgosjen e Ferhat Dragës dhe vrasjet politike në Pazarin e Ri. Në këtë kapitull të mbushur me fakte interesante, përshkruhet edhe shpërndarja e Xhemijetit, Mbledhja e Komitetit Shqiptar në Pazarin e Ri, etj. Nuk ka mbetur pa u përfshirë në libër edhe rasti kur Aqif Blyta e Shaban Polluzha zbuluan planin e Drazha Mihajlloviqit, pastaj Luftën e Kolloshinit, Hapjen e shkollës shqipe “Naim Frashëri” në Pazar të Ri si dhe angazhimin e Aqif Blytes si nënkryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit (1943) dhe ekzekutimin tragjik të tij.

Derisa në dy kapitujt paraprak, autori Ismet Azizi elaboron me detaje veprimtarinë e Aqif Blytës, ai në kapitullin e tretë flet për ”Sanxhakun në mes dy luftërave botërore”. Këtu nënvizohen ngjarjet me rëndësi të madhe si, formimi i Xhemijetit, terrori e dhuna shtetërore kundër lëvizjes shqiptare dhe qëndresa e shqiptarëve.

Kapitulli i katërt hedh më shumë dritë mbi ”Sanxhakun lindor-Luften e Dytë Botërore dhe rolin e Aqif Blytës në mbrojtjen e Pazarit të Ri”. Nxirret në pah hyrja e trupave gjermane në Pazarin e Ri dhe vendosja e pushtetit të ri, ambiciet e italianëve, gjermanëve, kroatëve dhe serbëve për tokat e Sanxhakut, rrezikun e Sanxhakut Lindor nga sulmet dhe shfarosja çetnike si dhe mbrojtja e Sjenicës, periudha pas mbrojtes së Pazarit të Ri, hapja e shkollave në Pazarin e Ri, Aqif Blyta dhe NDSH-ja, Bikë Pazari-Dreshaj pjesëmarrës i Kuvendit të Dobërdollit të organizatës “Besa Kombëtare” dhe vendosja e pushtetit serbo-komuniste në Pazarin e Ri.

Në kapitullin e pestë, ilustrohen ”Qëndrimet e personaliteteve aktuale politike për Aqif Blytën”. Kapitulli në fjalë ka tetë pjesë: Qëndrimi i PAD-it (SDA) të Sanxhakut dhe liderit të saj Dr. Sulejman Uglanin, Rasim Ljajiq, zëvendëskryeministër aktual në qeverinë e Serbisë dhe ministër për tregti dhe turizëm, Aleksandër Vuçiq – kryetar i Serbisë, Ivica Daçiq – kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë dhe aktualisht zëvendës kryeministër, Muamer Zukorliq – Lider i Bashkësisë Demokratike Boshnjake (BDZ) dhe deputeti i Parlamentit të Serbisë, Ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, Hashim Thaçi – presidenti aktual i Republikës së Kosovës, Azem Vllasi, ish-lider politik i Kosovës (1984-1988).

Kapitulli i gjashtë: “Dokumente, faksimile, fotografi, harta”, ka pjesën përmbyllëse të librit si: përfundimi, bibliografia, literatura, artikujt dhe revistat, burimet arkivore, burimet nga interneti dhe indeksi.

Nga këndvështrimi im si historian, mund të them se nga libri me titull “Aqif  Blyta: Kolosi i Pazarit të Ri” i autorit Ismet Azizi, fitohen mjaftë informacione historike, trajtuar me një gjuhë profesionale dhe lehtësisht të kuptueshme nga lexuesi, shkruar me një kulturë dhe pedanteri, që duket qartë se është produkt i një pune të gjatë, e cila ka kulmuar me këtë monografi mjaftë autentike.

Pavarësisht se tematika e librit ka në fokus Aqif Blytën dhe ngjarjet kur ai jetoi dhe veproi, duket qartazi se në qendër të vëmendjes është Sanxhaku i Pazarit të Ri. Pazari i Ri është dashuria e madhe e autorit, e megjithatë, z.Azizi është treguar realist dhe nuk është rrëmbyer nga pasionet, duke u treguar i kujdesshëm kur përshkruan raportet e shqiptarëve dhe boshnjakëve me serbët, diskriminimin që kishin përjetuar ata deri në ato përmasa sa ishte krijuar bindja se cilido pushtues që do të vinte, nuk mund të ishte më i egër se ai serb.

Ismet Azizi e sheh Aqif Blytën në çdo ngjarje të Sanxhakut, në çdo proces, në kontekstin historik, politik e social shqiptar e boshnjak, por edhe transnacional si një personalitet i veçantë dhe i jashtëzakonshëm, i çmuar dhe i denjë për respekt si nga bashkëkombësit edhe nga  bashkatdhetarët e tij. Nuk anashkalohet as konsiderata e kundërshtarëve objektivë dhe realë, të cilët janë marrë dhe e kanë studiuar pak a shumë jetën, veprën dhe kontributin e Blytes si një ushtarak dhe strateg, që me vizionaritetin e tij i ka vlerësuar realisht rrethanat dhe kushtet shoqërore, ka parandaluar rreziqet nga qarqet e errëta nacionaliste, shoviniste e hegjemoniste serbomadhe që i kërcënoheshin popullatës shqiptare dhe boshnjake të Sanxhakut.

Ky libër ka vlerë dhe rëndësi të madhe shkencore e profesionale, shoqërore dhe politike, pasi për ta nxjerrë më në dritë një personalitet të tillë, nuk është fare e lehtë, aq më tepër kur përfshihet një periudhë e gjatë historike, me burime të shkapërderdhura në arkiva të ndryshme të rajonit. Nga ana tjetër, as literatura  nuk është e mjaftueshme, sepse me çështjet e Sanxhakut nuk janë marrë shumë studiues në Kosovë. Është e udhës të theksoj se vepra  “Aqif Blyta: Kolosi i Pazarit të Ri” e Ismet Azizit , e punuar me përkushtim e madje delikatesë, dëshmon se nuk kemi të bëjmë me një përpjekje të rëndomtë për të shkruar, por me një vepër serioze që e plotëson dhe pasuron këtë fushë të dijes.