Ibrahim Lutfiu, intelektuali,  patrioti dhe politikani që u flijua për Shqipërinë Etnike

Parimi 1

Ibrahim Lutfiu, lindi më 1914 në Kryeqytetin e Shqipërisë Etnike, i ati, i tij Hafëz Hëzëri ishte Hoxhë me autoritet në Prizren dhe regjion. Me vdekjen e Nënës së Ibrahimit, babai i tij hafiz Hëzëri ishte martuar, edhe nga kjo martesë Hafëzi pati fëmijë. Mësimet fillestare Ibrahim Lutfiu, i mori nga babai i tij dhe nga hoxha i lagjes, shkollën fillore (1925) dhe Gjimnazin e kreu në Prizren. Më 1933 u regjistrua në Fakultetin e drejtësisë në Beograd. Nga ana e Këshillit drejtues të Kuvendit të vakëfit-mearifi me seli në Shkup, për vitin shkollor 1933/34 në mesin e 16 studentëve mysliman që do të studionin në Fakultetin e Drejtësisë në Beograd edhe Ibrahimit ju ishte ndarë një bursë prej 6000 dinarësh..

 

Dr. sc. Parim Kosova, Prizren

Fakultetin e kreu në vitin 1938. Atje ishte anëtar i dalluar i organizatës politike “Besa”. Sikurse studentët e tjerë shqiptarë të këtij qyteti edhe Ai mbante lidhje me deputetët patriotë shqiptarë që ishin në Parlamentin e Jugosllavisë, bënte çmos të ndërpritej emigrimi i shqiptarëve për në Republikën e Turqisë.

Ibrahim Lutfiu, duke zotëruar disa gjuhë dhe duke qenë njëri prej intelektualëve më të ngritur të kohës në vitin 1939 filloi punën si sekretar i përgjithshëm i Rijasetit-Bashkësisë Islame për ish Jugosllavinë me qendër në Sarajevë, këtë punë e kryente me një ndershmëri dhe profesionalizëm të lartë. Intelektuali atdhetar bënte çmos duke u interesuar që sa më shumë shqiptarë të regjistroheshin nëpër shkolla të mesme dhe Universitete. Deri me depërtimin e ushtrisë gjermane në Jugosllavi gjendej në pozitën e sekretarit të Reis ulemasë në Sarajevë.

Parimi 1

Zona e pushtimit gjerman (nga prilli i vitit 1941) në hapësirën shqiptare përfshinte katër rrethe: Mitrovicën, Pazarin e Ri, Vushtrrinë dhe Podujevën dhe ishte pjesë e shtetit serb të Milan Nediçit. Kjo për shqiptarët ishte një sfidë e madhe andaj patriotët shqiptarë angazhuan për funksionarë në këto hapësira intelektualët atdhetar të dëshmuar në karrierën e tyre.

Në gusht të vitit 1941, në Zonën gjermane të pushtimit u krijua Lidhja Popullore Shqiptare. Rolin kryesor për drejtimin e kësaj organizate atdhetare e luanin Ferat Draga, i biri i  tij Ali Draga si edhe Vehbi Frashëri (djali i madh i Mehdi Frashërit) i cili u zgjodh sekretar. Më pas, me këtë detyrë u ngarkua B. Gjinaj, që u shqua veçanërisht për punën me rininë. Ali Draga dhe Vehbi Frashëri, u dërguan në Beograd pranë administratës kuislinge serbe si përfaqësues të Lidhjes Popullore dhe të Qarkut të Kosovës.

Më 22 dhjetor 1941 Ibrahim Lutfiu, ishte zgjedhur prefekt i prefekturës së Mitrovicës të cilin funksion do ta ushtrojë deri më 23 nëntor 1944. Gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore, kjo prefekturë ishte në kuadër të zonës së okupacionit gjerman Ai me përkushtimin më të madh mbajti rendin dhe qetësinë, mbrojti kufijtë veriorë të kësaj zone shqiptare nga sulmet e shpeshta çetnike, përforcoi administratën shqiptare. Ju bashkëngjitë “Lidhjes Popullore Shqiptare”, ku angazhimi i tij ishte shumë i madh.

Këtu Ai, bashkëpunoi edhe me patriotët e dëshmuar: ing. Xhafer Devën, Bedri Pejanin, Rexhep Mitrovicën, Dr. Xhelal Mitrovicën, Shaban Polluzhën, Aqif Blytën dhe të gjithë patriotët dhe kryetarët e lagjeve dhe fshatrave të këtij regjioni, qëllim parësor e kishte të mbrohej shqiptarësia e këtij territori në ato rrethana të reja të krijuara.

Madje mori pjesë edhe në disa takime të rëndësishme me pjesëtarët e Qeverisë serbe të organizuara me urdhra të autoriteteve gjermane në disa vendbanime të Serbisë së bashku me Xhafer Devën, Ali Dragën etj. Në Rashkë më 25 prill 1942, së bashku me Xhafer Devën, Pajazit Boletinin, Ahmet Dacin u takuan me palën serbe të përfaqësuar nga Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Milan Aqimoviq, Mashan Gjuroviq, Dragutin Neshiq e Jovan Brkiq. Ibrahim Lutfiu, me urtësinë më të madhe ishte përherë në mbrojtjen e interesave të shqiptarizmës dhe kishte theksuar me këmbëngulje që nuk do t’i nënshtrohen asnjë urdhërese të qeverisë serbe.

Ishin kohëra të turbullta të Luftës së Dytë Botërore e sidomos në zonën shqiptare të okupacionit gjerman. Ibrahim Lutfiu, në vitin 1942 u martua me Fahrijen vajzën e patriotit Ferhat Draga.

Por Ibrahimi që ishte jo vetëm vigjilent por edhe shumë dinamik në cilësinë e prefektit vazhdimisht ishte në terren dhe mbante shumë mbledhje dhe tubime me popullin duke shpjeguar situatën në të cilën gjendeshin dhe se çfarë masa duhej të merreshin në rast të kushtrimit.  Më 6 maj 1943, në takimin gjithëpopullor të atij regjioni në Maxhunaj të Vushtrrisë fjalimi i tij ka mbetur i gjallë në kujtesën e të pranishmëve.

Gazeta “Lidhja e Prizrenit” e datës 1 tetor 1944, në artikullin: “Intelektualët kosovarë i flasin popullit të Kosovës” botonte konstatimin e Ibrahim Lutfiut, të datës 17 shtator 1943, të shfaqura në Kuvendin themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Aty shkruan “Ibrahim Lutfiu, që asht një prej intelektualve kosovarë, i cili me veprat e tija kombëtare njifet dhe çmohet në mënyrë të veçantë në tanë Kosovën” – u thërriti intelektualëve kosovarë: “Të lidhemi me besë të pathyeshme që Versailli mos të përsëritet ma” dhe theksoi se “… sod Kosova nuk kërkon asgjë tjetër, vetëm mbrojtjen e ekzistencës së saj si një pjesë integrale e kombit shqiptar, që asht autokton i këtyre tokave të trashigueme prej të parëve dhe të lame me gjakun e mija atyne shqiptarëve të ramun për mbrojtjen e kësaj toke të shenjtë – që gjithmonë ka qenë shqiptare dhe të mbetet shqiptare”. Së këndejmi, Lutfiu përfundonte: “Në zemrat e të gjithë kosovarëve sod qëndron bashkimi dhe vendosja me vdekë për këtë tokë të vuejtun…”.

Nga ana e Kuvendit themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, u emëruan delegatët që do të përfaqësonin trevat e Shqipërisë së lirueme në Asamblenë Kombëtare, që do të thirrej në Tiranë më 16 tetor 1943. Kuvendi autorizoi Xhafer Devën, Aqif Blytën dhe Ibrahim Lutfiun për të koordinuar punën e Lidhjes me atë të Qeverisë Shqiptare për çështjen e Kosovës. Kështu patrioti intelektual i rangut të lartë Ibrahim Lutfiu ishte anëtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe ishte i angazhuar edhe në Qeverinë e Tiranës.

Vlen të përmendet edhe mbledhja në Mitrovicë në dhjetor të vitit 1943, ku kishin marrë pjesë Shaban Mustafa, kryetar i Bashkisë, Ethem Prekazi, nënprefekt, Musa Boletini, kryetar i komunës në Zveqan, Muhamet Deda, myderriz, Ahmet Mustafa, hoxhë, Qazim Deva tregtar, pati një rëndësi të veçantë. Në këtë mbledhje u morë vendim që delegacioni në përbërje: Ethem Ferati-Prekazi, Qazim Deva, Adem Voca dhe Vehbi Bajraktari të udhëtojnë për në Tiranë. Ky delegacion vizitoi kryeministrin Rexhep Mitrovica dhe  Xhafer Devën, pas kthimit të tyre, arriti në Mitrovicë dërgesa e parë shumë e nevojshme prej 380 pushkëve me një sasi të municionit e cila menjëherë u shpërnda.

Angazhim të madh dhe urgjent Ibrahim Lutfiu, tregonte sidomos në mbrojtjen e vendbanimeve shqiptare në kufi me Serbinë vlen të theksojmë operacionet luftarake që u zhvilluan në nënprefekturën e Tutinit ku më 5 shkurt 1944 ishin koncentruar reparte të shumta çetnikësh, kurse natën e 6 shkurtit ata kishin sulmuar fshatin Jezgoviq të komunës së Ribariqit. Dy ditë më vonë objekt i sulmeve të çetnikëve u bënë lokalitetet e Banjës dhe të Pridvoricës. Shqiptarët arritën të ndalin sulmin e forcave çetnike. Prefekti i Mitrovicës, Ibrahim Lutfiu, me urgjencë kërkoi nga KQ i Lidhjes së Dytë të Prizrenit të dërgonte në ato rajone vullnetarë të Drenicës dhe të Podgurit, të cilëve në ndihmë u erdhi edhe një njësi e artilerisë shqiptare, me në krye kapitenin Hysni Rudi. Më 17 shkurt 1944, filloi mësymja e përgjithshme e vullnetarëve. Në përfundimin e saj çetnikët u thyen dhe u tërhoqën. Më 25 shkurt, forcat shqiptare morën fshatrat e Dragaçevës, Grubetiqit, Hotit dhe 32 fshatrat e komunës së Kollashinit, duke pastruar këtë rajon nga çetnikët serbë. Këto veprime u kryen nën komandën e Qazim Komonit etj., komandant i sektorit Kosova të ushtrisë shqiptare.

Babai i Ibrahimit Hafiz Hëzëri si klerik dhe person autoritativ që ishte në Prizren dhe më gjerë gjithë meshkujt e rritur të shtëpisë i kishte angazhuar në mbrojtje të kufirit të Shqipërisë Etnike, vëllai i Ibrahimit Mehmeti u vra në mbrojtje të kufirit etnik shqiptar gjatë përleshjes me çetnikët në vitin 1943 në kufirin me Malin e Zi, vëllai tjetër Mit’hati u vra në vitin 1944 në Çakorr gjatë luftimeve me çetnikët dhe sllavokomunistët si pjesëtar i Divizionit SS “Skenderbeg”, kurse për flijimin heroik të djalit të hasretit të xhaxhait të Ibrahim Lutfiut, Nexhmidinit (1919 – 1944) kishte shkruar edhe Organi i Lidhjes së Dytë të Prizrenit: “…Më dt. 26 korrik 1944, n’ora 2 të natës, serbët me 3000-3500 veta prapë sulmuan, në kufi me Serbinë, afër Zhujës në Kikë, në Majë të Velegllavës, në Çukën e Zezë e në Kapilak. Fronti ishte i gjatë afër 20 km. Lufta ka zgjatur deri në ora 21. lufta asht bë e rreptë, e fyt me fyt me armiqtë fituan forcat shqiptare… humbjet e serbëve ishin 143 të vramë kurse humbjet shqiptare ishin 34 të vrarë,…Sekretari i Komitetit të Lidhjes së Prizrenit për rrethin e Gjilanit, Liman Staneci pos tjerash kishte theksuar: “të përulemi para dëshmorëve të ramë për Atdhe, sidomos para të ndjerit Nexhmidin Refiku, ish tetar, i lindur në Prizren”.

Nexhmidini pas vetes e la gruan Nadirenë. Kjo degë e familjes së Refki Halit Lutfiut u shua. Ibrahim Lutfiu nuk u ligështua edhe pse i humbi më të afërmit më të dashurit e tij por vazhdoi stoik para sfidave të reja për mbrojtjen e Shqipërisë.

Pas depërtimit të forcave partizane në Kosovë një pjesë e veprimtarëve nacionalistë si H. Spahija (kryetar i KNÇ të rrethit të Prizrenit), I. Fehmiu, H. Rudi (komandant i komandës së vendit në Istog), H. Orana etj., u përpoqën të vepronin në të mirë të çështjes kombëtare përmes institucioneve të pushtetit të sapoformuar. Të tjerët si A. Voca Y. Berisha, M. Shllaku, H. Maloku, I. Lutfiu, A. Gllavica, L. Gashi, O. Bunjaku, U. Sadiku, U. Kovaçica etj., kaluan në ilegalitet ose iu bashkuan grupeve të armatosura të rezistencës.

Sipas Ramadan Rexhës, Ibrahim Lutfiu dhe kapiten Xhevdet Bajrami, komandant i xhandarmërisë në prefekturën e Mitrovicës, kalojnë në Drenicë dhe prej andej arrijnë në Prizren. Aty, zhvillojnë bisedime me Komandën e një Brigade partizane të Shqipërisë, bëjnë përpjekje tua mbushin mendjen atyre të bashkojnë forcat por kot. Oficerët e kësaj Brigade ua dorëzojnë organeve të OZN-ës. Të lidhur i fusin në një “xhip” dhe i nisin për t’i dërguar në Prishtinë. Gjatë rrugës një oficer serb kishte punë në Ferizaj. Atë ditë ishte 2 dhjetori i vitit 1944, forcat e Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare kishin sulmuar Ferizajin. Një grup i forcave nacionaliste shqiptare të udhëhequra nga Adem Gllavica në hyrje të Ferizajt e ndalën “xhipin” në të cilin gjendeshin kapiteni i OZN-ës, Bozha Prlja me katër “korrierë”, pjesëtarë të OZN-ës krahinore Çedo Popoviç, Tomo Krtolica, Zhivorad Tepavqeviç, dhe Predrag Bojkoviç të gjithë të armatosur mirë, kurse me duart e lidhura me tel ishin Ibrahim Lutfiu dhe Xhevdet Bajrami, Ibrahim Lutfiu, i gëzuar duke ngritur duart e lidhura i tregonë forcave shqiptare se kush janë dhe si kanë rënë në dorë të OZN-ës. Ibrahim Lutfiu, pas lirimit, me dorën e vet i vret oficerët serbë.

Patrioti Ibrahim Lutfiu, iu bashku njësitit të Hysen Tërpezës, deri në fshatin Mjak të Vitisë, ku u la për t’u këndellur nga torturat që i kishin bërë oficerët e OZN-ës. Ibrahim Lutfiu i’u bashkëngjit nacionalistëve dhe mbi pesë vite qëndroi në arrati. Madje veproi në Rrethin e Bjeshkës së Suharekës dhe në Prizren, në familjen e patriotit Mulla Oruçi, i cili më vonë do të dënohet me gjashtë vjet burg, tre për jatak të I. Lutfiut dhe tre vjet për anëtar i Organizatës NDSH-e në Jezerc etj., për të kaluar në fund të dhjetorit në Budakovë.

Më vitin 1945, Ibrahim Lutfiu, arriti që përmes jatakut të tij, Zenun Kepës, të bie në lidhje me Komitetin Central Nacional Demokratik të Hajdar Planesë, Halim Spahiut Bernard Llupit, me Juxhelistët në Shkup dhe me shumë personalitete të tjera. Kështu bashkërenditi aksionet politike me luftën që e zhvillonin njësitet guerile të Shtabit Suprem të Kosovës të Adem Gllavicës dhe të “Besës Kombëtare” të Ymer Berishës. Përmes letrave që ia përcillte Behlul Bajrami, ai vuri kontakte me patriotët e tjerë në Prizren, Prishtinë, Shkup dhe në vendet e tjera ku vepronte ONDSH.

Ai përmes njerëzve të besueshëm mbante kontaktet me Ejup Binakun, Reshat Karjagdiun, Hajdar Malokun, Muharrem Bajraktarin, Ukë Sadikun, Qazim Bajraktarin, Nijazi Alishanin, Hysen Tërpezën, Luan Gashin, Ibrahim Kelmendin etj. me konsullin anglez, Xhorxh Herberg dhe me atë të Turqisë, Emin Çerçek në Shkup. Sipas personave shtetëror të okupatorit sllav Ibrahim Lutfiu konsiderohej që ishte intelektuali më i ngritur i shqiptarëve që gjendej në arrati dhe vlerësohej që ai kishte aftësi të organizonte një revolucion të përgjithshëm në Kosovë dhe të formonte shtetin, prandaj duhej të zbulohej urgjentë dhe të likuidohej.

Me ndihmën e personelit të Konsullatës Angleze të Shkupit u organizua kalimi i dy grupeve të të arratisurve për në Greqi. Gjatë gjysmës së dytë të nëntorit 1945, u largua grupi i Moravës, me në krye H. Tërpezën etj., më 29 dhjetor 1945, ky grup kaloi në Greqi, kurse më pas u nis për atje edhe grupi kosovar, me në krye prof. I. Kelmendin, A. Gllavicën, etj. Me largimin e këtyre veprimtarëve dhe udhëheqësve të Lëvizjes, qëndresa e armatosur në Kosovë dhe në treva të tjera shqiptare u dobësua shumë. Tani ajo drejtohej nga Y. Berisha, Gj. Serreçi, A. Gërguri, U. Sadiku, I. Lutfiu, mulla Idris Gjilani, H. Bilalli, kapiten Hysni Rudi, M. Bushi, A. Morana, A. Jashanica, A. Musliu, etj.

Gjatë vitit 1946 Azem Jashanica, mbante lidhjet e Gj. Serreçit me A. Gërgurin dhe I. Lutfiun.

Më 25 korrik 1946, Ibrahim Lutfiu, me emër të rrejshëm, Bajram, mori pjesë në Kongresin III (V) i ONDSH alias Lëvizjes për Lirimin e Tokave, që u mbajt në Lipovicë (Blinaj).

Në fillim të gushtit 1946 grupi i A. Gërgurit dhe Gj. Serreçit doli në regjion të Prizrenit ku ra në kontakt me I. Lutfiun i cili iu bashkua këtij grupi, tani ky njësit kishte 106 veta. Më 8 gusht ky grup u rrethua nga forcat jugosllave dhe gjatë luftimeve u vranë Emin Saraçi, Ahmet Shipoli dhe Beqir Gjurevci. Mirëpo, falë trimërisë që treguan luftëtarët shqiptarë gjatë përleshjeve grupi doli nga rrethimi por tërheqja e pjesëtarëve ishte bërë pa komandë të përbashkët dhe në drejtime të ndryshme të grupeve e të individëve. Me grupin e Ajet Gërgurit në  Male të Sankocit, nën mbikëqyrje të anëtarit të Komitetit të NDSH-së së Komoranit, Izet Muratit, në këtë njësit 16 anëtarësh do të bashkohet edhe Ibrahim Lutfiu, të cilin në Sankoc, te Mulla Arif Shala e kishte sjellë një mik nga Carraleva.

Ibrahim Lutfiu pas disa kohësh do t’i bashkohet njësitit të Osman Bunjakut e të Ahmet Selacit në Shalë e Llap. Ibrahim Lutfiu, në fshehtësinë më të madh do të lëvizë nëpër vise të ndryshme të Kosovës dhe do të kontaktoi me udhëheqës të Organizatave të NDSH-ve dhe të njësive luftarake guerile.

Në fillim të vitit 1947 Ibrahimi do të qëndrojë në vise të Shtimes – Suharekës, ku do të vazhdojë jetën ilegale me konspiracion të thellë për disa vjet rresht. Sipas prof. Muhamet Pirraku: “Ibrahim Lutfiu, jo vetëm që ishte intelektual i madh por ishte i lindur me instiktin e kaçakut kombëtar, i padukshëm dhe i pakapshëm…”.

Në opinion ishte lansuar lajmi i qëllimtë se ai ka ikur në Turqi. Ai nga ilegaliteti shkruante letra pastaj përmes jatakëve i dërgonte në Turqi, prej nga dërgoheshin me postë të afërmve të tij në Prizren. Me këtë dëshironte të humbte gjurmët dhe organet e pushtuesit të sillte në përfundim të gabueshëm.

Ibrahim Lutfiu, përmes një radiolidhjeje që e kishte siguruar, informatat që i merrte nga terreni, përmes jatakut të tij besnik Zenun Emin Kepë Kokallarit, vëllait të tij, Sinan Kepës dhe Dan Qerimit, ua përcillte veprimtarëve në Prizren etj. Gjatë kësaj kohe organet e pushtetit komunist disa herë kishin kontrolluar shtëpinë e hallës së tij, Ajshes, në Prizren. Duke e burgosur e torturuar të birin e saj, Sefidinin, përpiqeshin të marrin informacione për I. Lutfiun.

Nga fundi i vitit 1946, kur në duar të OZN-ës u gjetën shumë bashkëluftëtar të Qazim Bajraktarit të Astrazubit, të Ukë Sadikut, të Prof. Ymer Berishës e të Ajet Gurgurit, dhe veçanërisht pas shkapërderdhjes së Njësitit të Abdyl Durës, e të Din Hoxhës, të viseve Kaçanik-Neredime, dhe gjatë hetuesisë mbi anëtarët e NDSH-së – LpLtsh-së më 1946/47, OZN-a i siguroi disa indikacione se Ibrahim Lutfiu nuk gjendej jashtë vendit – në Turqi, prej nga i vinin Letrat për Hallën e tij por se Ibrahim Lutfiu jeton nën mbikëqyrjen e plotë të Zenun Emin Kepë Kokollarit të Budakovës. Ky burrë, para se të vendoste që me jetën e tij të mbulonte veprimtarinë e Ibrahim Lutfiut, në interes të ardhmërisë së kombit shqiptar, mikun ia dorëzoi bashkëfshatarit Behlul Kokollarit.

Në shtëpinë e Zenun Kepës Ibrahim Lutfiu ka qëndruar deri në fillim të shkurtit 1947, derisa organet e OZN-ës e arrestuan mikun e tij besnik, Zenun Kepën. Edhe pse e burgosën, e torturuan në mënyrë shtazarake. Zenun Kepa 75 vjeçar nuk tregoi asgjë për Ibrahim Lutfiun. Prandaj OZN-ashët e therën me bajoneta atë. Pastaj kishin rrahë dhe torturuar të gjithë anëtarët e familjes së tij.

Kështu, pranvera e vitit 1947 në arrati, në Malësi të Kosovës, i zuri vetëm tre veta: Mulla Idris Gjilanin, Ibrahim Lutfiun dhe Hasan Rremnikun.

Për një kohë, pas vrasjes së Zenun Kepës, Ibrahim Lutfiu mbeti në mal. Behlul Bajrami Kokollari me të shoqen Zylën, nga fshati Budakovë,  e strehojnë Ibrahim Lutfiun sërish në shtëpinë tyre.

Për një siguri më të madhe, Ibrahim Lutfiu, tashti i reduktoi lidhjet me personalitetet, dhe organizatat e NDSH-së, vetëm në dy – tre veta, të lidhur ngushtësisht me Behlul Bajramin. Mirëpo, këtu nuk guxon të mos përmendet Dan Qerimi i Bukoshit, nip i Behlul Bajramit. Dan Qerimi, besnik dhe i pathyeshëm i mbajti lidhjet e Ibrahim Lutfiut me Prizrenin, përkatësisht me organizatën e NDSH-së së këtij visi përmes Mami Topallit – Arënliut dhe Qamil Nallbanit – Vrenezit atdhetarë të devotshëm dhe shokë të Ibrahim Lutfiut. Bukoshasi trim, në të kthyer, në vendet e caktuara, e merrte shtypin e tubuar (shqip dhe serbisht) etj., dhe ia dërgonte Ibrahim Lutfiut.

Ndonëse në kushte të vështira Ibrahim Lutfiu, vazhdoi punën e tij. OZN-a hulumtonte gjithkah, sepse e dinte se pa e goditur trurin, pra Ibrahim Lutfiun nuk mund të likuidonte lëvizjen e NDSH-së. Ibrahim Lutfiu përmes gazetave që i vinin nga qyteti, informohej për rrjedhat e ngjarjeve në Kosovë e më gjerë. Pas prishjes së marrëdhënieve në mes të Shqipërisë dhe Jugosllavisë (1948), ai këshillon anëtarët e ONDSH që të kenë kujdes, të presin edhe pak sepse kontakti me Qeverinë shqiptare njëherë për njëherë është i parakohshëm.

Më 1949 Ibrahim Lutfiu shkon në Gorozhup (Has) dhe disa herë provon të arratiset në Greqi, për t’iu bashkangjitur grupit të patriotëve të tjerë dhe prej andej të veprojë në dobi të Kosovës. Meqë nuk arrin, kthehet sërish te jataku tij besnikë.

Spasoje Gjakoviqi, në vjeshtën e vitit 1949, mobilizoi gjithë potencialin e UDB-ës, në Syrekë e rrethinë aso kohe ata kishin burgosë e keqtrajtuar shumë vetë për të zbuluar vendqëndrimin e Ibrahim Lutfiut.

Edhe përkundër kujdesit të madh, njerëzit e UDB-ës, të cilët natë e ditë nuhatnin, në janar të vitit 1950 arritën t’i bien në gjurmë  Ibrahim Lutfiut.

Kështu forca të mëdha policore të Syrekës dhe të Ferizajt, në krye të të cilave ishin Çedo Mijoviq, Mehmet Maliqi dhe Hajdar Mula, më 18 janar 1950, rrethuan shtëpinë e Behlul Bajramit. Ata para vetës kishin nxjerrë Ibrahim Abdyl Buzhalën, Sinan Mehmet Kepën dhe Behlul Bajramin, të cilin e kishin kapur me tradhti. Duke i pasur ata si bedem mbrojtës, Mehmet Maliqi, e thërret Ibrahim Lutfiun që të dorëzohet. Ky intelektual, kërkon që t’i japin një afat derisa të zbardh mëngjesi “sepse nata dëshmitar nuk ka”. Nuk deshi as të rrezikonte më shumë familjen që e kishte mbajtur: Zylën, një nënë bujare, dhe tetë fëmijët e saj. Ai dogji tërë pjesën e arkivit që e kishte me vete, dhe bëri vetëvrasje.

Organet e pushtetit komunist e dërguan kufomën e Ibrahim Lutfiut në Bukosh, dihet për të “ekspozuar forcën” e regjimit. Fshatarët e Bukoshit  kishin hapur varrin në varrezat e fshatit, ku do të prehej në amshim trupi i patriotit intelektual Ibrahim Lutfiu. Ata shkuan me një sajë për ta marrë kufomën e tij, por organet e OZN-ës nuk e lejojnë. Ato urdhërojnë ta hedhin në një prua dhe ta mbulojnë me baltë. Varrimi u bë pa ceremoni mortore në vendin e quajtur Verrishta. Kështu morri fund jeta e këtij patrioti të madh intelektual. Para çlirimit të Kosovës (1999) nga okupatori serb ky personalitet u përbalt, u fye rëndë, madje edhe u kualifikua si kolaboracionist gjerman, tradhtar etj.

Ibrahim Lutfiu nuk ka lënë trashëgimtar. Pas vdekjes së tij, e shoqja Fahrija, u martua në Pejë. Ku dhe vdiq në vitin 1989.

Hafëz Hëzër Lutfiu, kishte pesë djem dhe dy vajza (Hazbija dhe Zyhraja) djali i tij Jusufi ishte larguar me kohë në Turqi ku dhe vdes në vitin 1986 në Ankara. Mehmeti u vra në mbrojtje të kufirit etnik shqiptar gjatë përleshjes me çetnikët në vitin 1943 në viset shqiptare nën Malin e Zi, djali tjetër Mit’hati u vra në Çakorr gjatë luftimeve me çetnikët dhe sllavokomunistët në vitin 1944 si pjesëtar i Divizionit SS “Skenderbeg” dhe djali i vëllait të Hafiz Hëzërit, Nexhmidini u vra më 26 korrik 1944 në luftë kundër forcave serbe në regjionin e Gjilanit, edhe intelektuali Ibrahim Lutfiu u vetëflijua më 18 janar të vitit 1950 në fshatin Budakovë për Shqipërinë Etnike.

Pas Luftës së UÇK-së gjegjësisht çlirimit të Kosovës nga okupatori serb një rruge të lagjes “Troshan” të Prizrenit ju vu emri i patriotit intelektual Ibrahim Lutfiu.

Por është e dhimbshme që as për nderë të shënimit të 100-vjetorit jubilar të Pavarësisë së Shqipërisë organet kompetente të Republikës të Shqipërisë dhe ato të Republikës të Kosovës këtë hero nuk e dekoruan. Këtë iniciativë duhet ta merë shoqata “Kosova për Sanxhakun”.

Me këtë punim, është paraqitur në sesionin e X-të shkencor të mbajtur më 26 nëntor 2011 në Kllokot (Viti), me temën bosht “Aspekte Qenësore të Shqipërisë Etnike në periudhën midis viteve 1878-1990” organizuar nga Shoqata e Intelektualëve Mbarëshqiptar “Trojet e Arbrit”

Punimi është botuar në vitin 2012 (për nderë të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë), në revistën e shoqatës në fjalë, nr. 10, Prizren-Kllokot f. 645-652