Mbi 100 vjet shpërngulje në Rozhajë kërkojnë drejtesi: po ti, si do të veprosh?

Screenshot (250)

 

 

Art Kurti
Historia shqiptare ka shumë dhimbje, por ka dhe shumë vullnet e këmbëngulje. Me punë të palodhur, do rindërtojmë ato që u humbën dhe do vi dita që Tregovishtës do ti rikthehen gjithë brezat që u shpërngulen. Atë ditë, të gjithë do bërtasim: ishim, jemi dhe do jemi!

 

Akti 1: Kur ushtria serbe hyri në Rozhajë në 1919, masakroi më shumë se 700 shqiptarë. Në atë kohë, nga 17.466 banorë të Malësisë së Rozhajës, 15 032 ishin shqiptarë – 85.5% e popullsisë së përgjithshme. Në vitet pas 1919 shumë shqiptarë humbën tokat e tyre dhe u detyruan të emigrojnë në Turqi si një “popull turk”. Ata që u përballën me regjimin jugosllav, u goditën brutalisht jo vetëm nga shteti ultranacionalist serbo-jugosllav, por edhe nga qeveria “shqiptare” në Tiranë. Ahmet Zogu për të mbrojtur regjimin e tij burgosi, ekzekutoi edhe i dorëzoi ushtrisë serbe qindra kaçakë e refugjatë nga Sanxhaku.

Akti 2: Vitet e paqes pas Luftës së Dytë Botërore nuk ishin aq paqësore për shqiptarët e Rozhajës. Identiteti i tyre etnik ishte nën presion të vazhdueshëm dhe lufta ekonomike dhe varfëria ishin armët e këtij presioni. Për predikuesit e “bratstvo i jedinstvo” (vllaznim e bashkim)  mënyra e vetme që shqiptarët mund të ishin vëllezër të barabartë me ishte nëse ata mohonin gjuhën shqipe dhe identitetin shqiptar. Për shumë shqiptarë, ky ishte fillimi i valës së dytë të emigrimit. Për ata që qëndruan në vatrat e tyre të lashta, kjo ishte një fazë e re e asimilimit të dhunshëm.

Screenshot (250)

Bari midis Rozhajës dhe Rugovës, vitet 1960

Akti 3: Në 18 Prill 1999, një kolonë refugjatësh shqiptarë kaloi në Rozhajë – duke u përpjekur të shpëtonte nga masakrat e regjimit të Millosheviçit në Kosovë. Në fshatin Husaj ata u sulmuan nga ushtria serbe. Mes të vrarëve ishte edhe 13 vjeçari Labinot Kastrati. Gjatë Luftës së Kosovës, shqiptarët në Rozhajë mbijetuan një shpërngulje të re. Atëherë, shtëpitë e tyre u dogjën dhe u bënë refugjatë për herë të tretë. 21 vjet pas masakrës asnjë nga ushtarët e paramilitarët serbë nuk është vënë në gjyq. Sipas censusit të vitit 2011 në Rozhajë 5,04% (1,158)  deklarohen si shqiptarë.

Akti 4: Në Dacaj shkolla shqipe u dogj në 16 maj 2020. Gjithashtu, u dogjën edhe pyjet dhe pronat e shqiptarëve në Malësinë e Rozhajës. Kjo shkollë e cila u mbajt e gjallë me djersë dhe gjak dhjetëra vite, u dogj nga të njëjtat fuqi, të cilat për më shumë se 100 vjet kanë qellim shpërnguljen përfundimtare të shqiptarëve. Ky sulm vjen në mes të një përpjekje të koordinuar për të destabilizuar rajonin. Ky destabilizim na kujton epokat e errëta të viteve 1990-1999.

Cili do të jetë akti i pestë?

 

Shqiptarët kudo që jetojmë duhet të reagojmë dhe të mbështesim vëllezërit dhe motrat tona në Rozhajë. Gjithashtu, kushdo që dëshiron të mbrojë paqen dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë, duhet të reagojë.

Por çfarë mund të bëjmë?

Së pari: Shkolla shqipe duhet të rindërtohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Nëse qeveria malazeze pretendon se nuk mund ta bëjë këtë menjëherë, atëherë duhet t’i lejojë institucionet vendore dhe shoqatat shqiptare ta bëjnë atë me ndihmën e diasporës.

Së dyti: Prona e dëmtuar duhet të kompensohet dhe të rindërtohet. Mjedisi natyror duhet të ristaurohet. Grupet vendore shqiptare duhet të fillojnë një fushatë mbarëshqiptare për mbledhjen e fondeve që do të lejojë këtë proces.

Së treti: Çështja duhet të ndërkombëtarizohet. Komuniteti ndërkombëtar duhet të dijë për këto ngjarje dhe të reagojë në mënyrën e duhur. Pa presion ndërkombëtar, pa reagim nga shtetet shqiptare dhe pa fuqizim të komunitetit shqiptar në Rozhajë historia tregon që veprimtaria antishqiptare do të jetë e vazhdueshme.

Së katërti: Nuk mund të presim reagimin e shtetëve shqiptare që të veprojme. Kushdo nga ne duhet të përhapi lajmin e sulmit në Rozhajë dhe të gjithë së bashku duhet të gjejmë mënyrat me të cilat do mundemi të mbështesim popullin e  Rozhajës.

Historia shqiptare ka shumë dhimbje, por ka dhe shumë vullnet e këmbëngulje. Me punë të palodhur, do rindërtojmë ato që u humbën dhe do vi dita që Tregovishtës do ti rikthehen gjithë brezat që u shpërngulen. Atë ditë, të gjithë do bërtasim: ishim, jemi dhe do jemi!