Më 21 shkurt të vitit 1945 në fshatin Tërstenik të Drenicës ishte vrarë Shaban Polluzha, njëri ndër komandantët më të njohur të zonës së Drenicës gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Shaban Polluzha rrjedh nga një familje me gjendje ekonomike mesatare. Ai nuk ishte i arsimuar, por si i ri u inkuadrua në jetën politike, të cilën ia imponuan rrethanat dhe padrejtësitë e regjimeve pushtuese. U përball me bullgarë e austriakë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe me regjimin e Jugosllavisë. Gjatë Mbretërisë jugosllave ishte i inkuadruar në jetën politike, si kryetar e si deputet. Shpesh konfrontohej me qarqet e regjimit antipopullor dhe për një kohë u detyrua të kalojë në ilegalitet në Shqipëri. Gjatë Luftës se Dyte Botërore ishte Komandant i një pjese të frontit në Mal të Zi, Kollashin dhe Sanxhak të Pazarit të Ri, dhe u dallua për organizim dhe strategji. Ishte anëtar i Këshillit të Islihatit (gjyqit paqëtues) dhe me propozimin e Miftar Bajraktarit u emërua kryetar të Islihatit në Drenicë. Shaban Polluzha kishte edhe taktikë politike. Ai me strategji politike kishte bërë njëfarë lidhje formale dhe mashtruese me qarqet komuniste, por në realitet ai asnjëherë këtë ideologji nuk e pranoi si ideologji qe do të zgjidhte çështjen shqiptare. Për këtë patria dhe këshilli organizativ i Kuvendit të Skenderajt e propozuan për komandant të Brigadës së Drenicës. Dihet mirëfilli se pas kapitullimit të Italisë fashiste (shtator 1943) Shtabi Suprem i UNÇJ-së shtoi aktivitetin e vetë ushtarak, në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare dhe deri në nëntor 1944 (por edhe më herët) në këto hapësira, u formuan njësite të shumta të UNÇJ (Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Jugosllavisë).