E bija e ish-kreut serb të Bosnjës Radovan Karaxhiq, i cili është aktualisht në gjyq për krime lufte, u zgjodh nënkryetare e Asamblesë Kombëtare të Republikës Serbe në Bosnjë.
Megjithatë Milos Solaja, një analist politik nga Banjalluka, tha se zgjedhja e saj kishte rëndësi të kufizuar.
“Emërimi i vajzës së Karaxhiqit si nënkryetare e Asamblesë Kombëtare të Republikës Serbe është më shumë një akt simbolik dhe nuk do të ndryshojë shumë, sepse nënkryetari nuk është se ka ndonjë fuqi të madhe,” tha Solaja për BIRN.
Radovan Karaxhiq është në gjyq në Gjykatën e Hagës për gjenocid në Srebrenicë dhe shtatë komuna të tjera boshnjake, persekutimin e popullatës joserbe në të gjithë vendin, terrorizim të popullsisë së rrethuar të Sarajevës dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.
Vendimi ndaj tij pritet të merret vitin që vjen.
Karaxhiq-Joviçeviq zëvendëson Nenad Stevandiqin si zëvendëskryetar.
Stevandiq, një ish-anëtar i SDS-së, është pjesë e grupit të ri politik të quajtur Klubi i Lirë Demokratik Serb.
Refuzimi i tij për të lënë postin e zëvendëskryetarit kur ai u largua nga SDS-ja bëri që partitë opozitare në koalicionin Aleanca për Ndryshim të bojkotonin seancat e kuvendit.
Por me zgjedhjen e Karaxhiq-Joviçeviqit bojkoti po merr fund.