Libri “QEVERISJA E SHQIPËRISË GJATË LUFTËS II BOTËRORE (1939-1944)” TË AUTORIT GJET NDOJ, është ripunuar e plotësuar për të marrë formën që sot e një vit më parë nga botimi i është prezantuar opinionit shkencor dhe lexues.
Shkruan: Dr. Jeton Idrizi, historian
Shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore, përjetuan një nga periudhat më të ndërlikuara të historisë shumëshekullore të tij. Kjo luftë ishte vazhdim i drejtpërdrejtë i luftës së shqiptarëve për çlirim e bashkim kombëtar në një shtet të pavarur. Lufta e Dytë Botërore, ngjarje tragjike në gjysmën e parë të shek. XX, ngërtheu, me të gjitha pasojat e saj dhe Shqipërinë e shqiptarët. Madje, Shqipëria pati fatin e hidhur të përballjes e para me agresionin fashist italian në Ballkan. Edhe pse marrëdhëniet italo-shqiptare ishin ndërtuar në bazë traktatesh e marrëveshjesh të rregullta ndërkombëtare, agresioni nuk u shmang.
Lufta e Dytë Botërore, si një ndër ngjarjet më të rëndësishme të këtij shekulli, ushtroi ndikimin e vet të fuqishëm edhe në jetën politike të shqiptarëve, në tërësi. Shqiptarët, si viktima e parë e agresionit fashist me qëndresën e tyre u përfshinë në koalicionin e madh antifashist, të përbërë nga SHBA, Mbretëria Britanike, Franca, Bashkimi Sovjetik dhe nga të gjitha forcat përparimtare të botës.
Si burim parësor, aurtri ka shfrytëzuar fondet arkivore të Arkivit Qendror të Shtetit të Republikës së Shqipërisë, Arkivit të Instituti të Historisë në Tiranë, Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë-Mimistria e Punëve të Brendshme, Zyra Politike Koleksion Dokumentesh nga Arkivi i Ministisë së Jashtme të Britanisë,Arkivi i Autoritetit për informim të dokumenteve të ish Sigurimit të Shtetit (IDSSH), viti 1943, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë (BKSH), Tiranë, dokumente të botuara diplomatike, periodikut të kohës, Literaturë Historiografike etj.
Struktura e punimit është konceptuar në 23 kapituj, në bazë të parimit tematiko-historik. Sa i përket metodologjisë autori është përpjekur që gjatë shkrimit të bëjë ballafaqime të burimeve arkivore, literaturës, shkrimeve të kohës, për të bërë një analizë sa më të saktë për ngjarjet dhe figurat historike që ndeshen në burime, si dhe për të arritur në përfundime bindëse e shkencore.
Në kapitullin e XI “Kabineti “Verlaci” hodhi themelet e shtetit edhe në “Tokat e Lirume”, Pas pushtimit italian shumë patriotë shqiptarë u organizuan, për të kërkuar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Mustafa Kruja, Sejfi Vllamasi dhe Qazim Koculi, i dërguan telegram Mussolinit, ku i kërkuan bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Më 3 maj të vitit 1941, një komision shqiptar nga qeveria Vërlaci me anëtarë Fejzi Alizotin, Mustafa Krujën, Xhemil Dinon etj., dorëzuan në Romë një përkujtesë, ku shprehën pretendimet për kufijtë etnik të Shqipërisë.
Qeveria italiane bëri një hap drejt bashkimit të trojeve shqiptare me Shqipërinë, duke caktuar edhe një Komisar Civil për Tokat e Lirume në qeverinë shqiptare. Më 8 korrik 1941, në orën 18, në Tiranë u mblodh Këshilli i Ministrave, ku bënte pjesë edhe Fejzi Alizot, ministër i shtetit dhe i caktuar Komisar Civil i qeverisë shqiptare për viset e Kosovës, Dibrës dhe Strugës. Vendimi për këtë i ishte dhënë qeverisë shqiptare nga Duçja, më 29 qershor 1941.
Në fund të vitit 1941, erdhi në pushtet Kryeministri Mustafa Kruja, i cili pezulloi Komisarin e Lartë për Kosovën e Dibrën dhe krijoi Ministrinë e Tokave të Lirueme, për Dibrën, Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit, që do të përbënin tre krahina, të drejtuara nga prefektë të qeverisë. Dekreti për krijimin e Ministrisë së Tokave të Liruara ishte përgatitur më 3 dhjetor 1941. Ministria e krijuar përbëhej nga tre drejtori kryesore: 1. Punët e Administratës së Brendshme, të Drejtësisë dhe të Arsimit; 2. Punët Ekonomike, Financiare dhe Botore; 3. Zyra e Studimeve dhe e Çështjeve të Përgjithshme.
Italia fashiste vendosi që pjesën më të madhe të Kosovës, së bashku me trevat veriperëndimore të Plavës, Gucisë, Rozhajës, Tutinit, Ulqinit, Tuzit, trevat lindore etnike shqiptare dhe pikërisht Tetova, Gostivari, Dibra, Kërçova e Struga u përfshinë në Zonën Italiane. Në bazë të dekretit me nr. 264 të Mëkëmbësit të mbretit të datës 12.VIII.1941, këto territore iu bashkuan Shqipërisë.
Në kapitullin e XII “Reforma “Kruja”, jetësoi autonominë maksimale, brenda sistemit mbretëror italian, autori shpjegoi se si Mustafa Kruja sapo mori besimin e Mëkëmbësit Francesco Jakomoni si Kryeminister i ri, përzgjodhi Kabinetin e tij Qeverisës me emra krejt të ri, që nuk duhej të kishin lidhje me parardhësin e tij Verlacin. Madje Mustafa Kruja ndërroi edhe sekretarin e Përgjithshëm duke emëruar një të ri.
Qeveria Kruja, paralel me qeverisjen rutinë, ndërmori inciativa që kishin të bënin me ristrukturimin e Qeverisë dhe të institucioneve shtetërore në përgjithësi. Bëri rikthimin e Forcave të Armatosura, krijohen Gjykatat dhe Prokuroria Ushtarake, krijohet Instituti Mbretnor i Studimeve Shqiptare e shumë organe tjera të rëndësishme.
Në kapitullin e XIII “Kabineti “Kruja”, qeverisi Shqipërinë dhe “Tokat e Lirume”, 4 dhjetor 1941-4 janar 1943, Vendosja e administratës nga shteti shqiptar në Tokat e Liruara në njërën anë ishte një sfidë e ndërthurur me shumë sakrifica dhe mund, por, në anën tjetër, ishte një moment historik, i mirëpritur për popullin shqiptar në Kosovë. I gjithë sistemi qeverisës i shtetit shqiptar kishte punuar me një ritëm të shpejtë dhe të pakursyer drejt funksionalizimit të administratës shqiptare në viset e liruara. Shkresat, raportet, telegramet e asaj kohe, dëshmojnë seriozitetin e shtetit shqiptar në realizimin e kësaj ëndrre të kahershme. Në të dy anët e kufirit filloi të ndihej bashkëpunimi reciprok i realizimit të një projekti sa të rëndësishëm aq edhe atdhedashës e kombëtar.
Pas pushtimit fashist të Jugosllavisë, pjesa më e madhe e Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore, me popullsi shqiptare, bënte pjesë në zonën e pushtimit italian. Zona e pushtimit italian përfshinte edhe Shqipërinë e pushtuar më parë nga Italia. Në trevat e bashkuara me Shqipërinë, fillimisht, u vendos administrata civile, me emrin Komisariati i Lartë Civil për “Tokat e Liruara”, me qendër në Prizren. Shqipërisë iu bashkua një territor me sipërfaqe prej 11.780 km2 me një popullsi prej 820.000 banorë. Edhe pse bashkimi u bë nën kupolën fashiste, për popullsinë shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore, kishte rëndësi të madhe historike. Pushtuesit italian vendosën që qeverisja lokale në rajonet e populluara nga shqiptarët, duhej drejtuar nga vetë shqiptarët. Gjuha shqipe u shpall si gjuhë zyrtare bashkë me atë italiane. Në krye të administratës civile në Tokat e Liruara u emërua Fejzi Alizoti. Ai bëri organizimin administrativ mbasi kishte përvojë në administratën shtetërore të Shqipërisë. Në mbledhjen e datës 8 korrik 1941, të Kryesisë së Këshillit të Ministrave në Tiranë, i përbërë nga: Tefik Mborja, Ministër Sekretar i Partisë Fashiste Shqiptare, Zëvendës Kryetar i Këshillit të Ministrave, Maliq Bushati, Ministër Sekretar Shteti për Punët e Brendshme, Kemal Vrioni, Ministër Sekretar Shteti për Financat, Anton Beça, Ministër Sekretar Shteti për Bujqësinë e pyjet dhe zëvendës për Industri e Tregti, u mor një vendim i tillë.
Në kapitullin e XIV “Qeveritë: “Libohova 1”, “Bushati” dhe “Libohova 2”, mbyllin epokën e Mbretërisë Fashiste në Shqipëri, autori vë në pah situaten se si përzgjedhja e një emri për Kryeminstër në situatën e krijuar, por edhe për faktin se klasa politike që mendonte se Shqipëria Etnike bëhet vetëm në kushtet kur ajo, është pjesë e Mbretërisë Fashiste Italiane, gjithësesi dalloheshin tre shtresëzime kryesore:
-Shtresa Konservatore e Bejlerëve dhe e pasanikëve të Jugut dhe e Shqipërisë Mesme,
-Shtresa e Bajraktarëve të Veriut, ku spikaste dera Princore Katolike e Gjomarkajve,
-Shtresa e Intelektualëve-Nacionalistë, sikurse Mustafa Kruja qe një nga përfaqësuesit tipik të saj.
Pavarësishtë prej siyuatës mjaft turbulente, në fund u ngurkua Eqerem Libohova për krijimin e Kbinetit Qeveritar dhe me 20 janar 1943 arriti të krijohej ky kabinet i ri, “Libohova 1”. Është për tu vlersuar fakti se pikërishtë në një kohë më pask se një muaj, Eqrem Libohova, nisi të krijonte Gjandarmërinë Shqiptare si pjesë vartësie i Qeverisë Shqiptare.
Megjithë të arriturat kjo qeveri, arriti vetëm më pak se një muaj të qëndronte në këmëbë për shkak të situatës së vështirë, ku ministra dhe Kryeminstri Libohova, u larguan, i dorëzuan ato kabinetit tjetër të kryesuar nga Maliq Bushati me 11 shkurt 1943.
Procesi i rikthimit të rritjes së mëtejshme të autoritet vetëqeverisës të Qeverisë Shqiptare i nisur vrullshëm me Qeverinë “Kruja”, u rishfaq fort edhe nga Kabineti i sapoformuar. Kështu Qeveria e kryesuar nga Maliq Bushati, kishte bërë disa marrëveshje paraprake me autoritet Mbretërore Italiane për disa qështje thelbësore qeverisëse, që ia rritnin pavarësinë Qeverisëse Shqiptare.
Në kapitullin e XV, “Arsimi në Shqipëri gjatë Luftës II-të, 1939-1944, autori përshkruan në mënyrë të detajaur organizimin e arsimit në Shqipëri duke përfshirë përhapjen e shkollave, përgatitjen dhe punën me mësuesit, strukturimin e institucioneve arsimore në të gjithë hapsirën shqiptare ku vepronin qeveritë e Tiranës, në kohen e okupimit Italain e Gjerman, pra në përgjithësi arsimin e viteve 1939-1944. Autori spikat se si të gjitha qeveritë shqiptar gjatë kësaj kohe patën të njejtën qasje e angazhim special për përhapjen e konsulidimin e shkollës e të Arsimit shqip në vendin tonë.
Autori vë në dukje edhe rolin vizionar dhe me ide të reja për arsimin të Ministrit të Arsimit të asaj kohe Ernest Koliqi, i cili ishte edhe Ministër i I-rë i Arsi it në Shqipëri, i zgjedhur nga Asambleja Kushtetuese e 12 prillit të vitit 1939 dhe e Dekretuar nga Mbreti Viktor Emanueli III-të në fillim të qershorit 1939, qe një proces i natyrshëm, por edhe një fat jo vetëm për shqiptarët që banonin në territorin e Shqipërisë Shtetërore të deri asaj kohe, por edhe për shqiptarët që banonin në trojet e tyre etnike.
Një moment mjaft të veçantë, që në planin kombëtar merr një rëndësi të dorës së parë, në karrierën politike të ministrit të Arsimit Ernest Koliqi, ishte nisma dhe udhëheqja e drejtpërdrejtë e procesit të hapjes së shkollave shqipe në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare të lirueme nga okupatori sllav. Çlirimi i tokave të pushtuara shqiptare ishte një ngjarje e logjikshme e aspiratave legjitime kombëtare. fatkeqësisht, këto aspirate të kombit shqiptar, rastisën në të njëjtin kah me strategjinë e Boshtit, e cila kishte qëllim dezintegrimin e Jugosllavisë në projektet e veta ekspansioniste.
Organizimi i shkollave në Tokat e Liruara ishte parë si një hap historik edhe nga vetë ministri Ernest Koliqi. Ai kishte shprehur entuziazmin e vet për shtrirjen e rrjetit të shkollave edhe jashtë kufijve të vjetër të Shqipërisë. Qëllimi i këtyre shkollave ishte zhdukja e analfabetizmit në këto troje, përvetësimi i gjuhës shqipe, krijimi i një kulture të shëndoshë shqiptare si dhe zhdukja e plagëve të pushtimit jugosllav. “Për të qenë në privilegjin e kësaj detyre historike qi po i ngarkohet Shkollës Shqiptare, duhet qi shpirti i sakrificës të shkëlqejë çë prej ma të madhit e deri të ma të voglin pjestarë të familjes arsimore. Çdo dyshim, çdo plogështi, çdo akt mos-interesimi, ka me u qujtë mungesë besimi kundër Atdheut”.
Në kapitullin e XIX, “Kabineti “Mitrovica” qeverisi Shqipërinë 4 nëntor 1943-korrik 1944”, autori përshkruan objektivat dhe drejtimet që kishte qeveria e re në krye me Mitrovicen. Këtu vihet në theks se si që në fillim të fjalës kryeminstri i ri kritikoi qeverisjen autonomiste të Tiranës, në kohën e pushtimit Italian, si për të potencuar vendosmërinë e Qeverisë së tij Nacionaliste për të marr të gjitha masat e nevojëshme për të qeverisur e pavarur, në përputhje me interesat etnike të Shqipërisë dhe të shqiptarëve kudo që janë, në hapsiren e tyre etnike-gjeografike. Këtu autori potencon se si Qeveria Mitrovica pikë kryesore të programit ksihte mbrojtjen e Pavarësisë së plotë dhe tërësisë territoriale të Shqipërisë, si dhe ngulimin e tij për të qenë zot i tokave shqiptare duke kërkuar rrespektimin e të drejtave etnike dhe jetike të kombit shqiptarë.
Në kapitullin e XXII “ Lidhja e II e Prizrenit në krye të Revulucionit Nacioanl Shqiptar” profesor Ndoj vë në pah se Lidhja Shqiptare e Prizrenit e vitit 1878, u dha shqiptarëve programin kombëtar për ruajtjen e tërësisë tokësore të atdheut dhe bashkimin kombëtar, kërkesa që përbënin themelin e programeve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në vijim. Ato mbetën të tilla edhe në përpjekjet e mëvonshme për liri dhe shtetformim dhe vazhduan si të tilla edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më 7 korrik 1943, duke përfituar nga dobësimi i pozitave të italianëve, në Kosovë u vendos diktatura ushtarake e shtetrrethimit. Çetat çetnike serbo-malazeze vepronin lirisht duke shfrytëzuar situatën.
Më 11 shtator 1943, në qytetin e Prizrenit u organizua një mbledhje për të shqyrtuar situatën e krijuar dhe nevojën e ngutshme të arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet krahinave të ndryshme të ish Jugosllavisë, ku jetonte popullsia shqiptare dhe myslimane. Pasi u analizua situata e krijuar pas kapitullimit të Italisë, rreziku që u kërcënohej trojeve etnike shqiptare nga formacionet çetnike dhe brigadat partizane serbo-malazezo- maqedonase, u vendos të thirrej Kuvendi themelues, nga i cili do të dilte organizata që do të luftonte për mbrojtjen e tërësisë së trojeve shqiptare. Mbledhja zgjodhi një Këshill Organizativ prej 8 vetash, që kryesohej nga Meduri Shehzade i cili mori përsipër organizimin e Kuvendit. Në Kuvend do të merrnin pjesë përfaqësuesit e zgjedhur nga Kosova dhe nga trevat e tjera shqiptare, që më parë kishin qenë nën sundimin e Jugosllavisë.
Marrë për bazë strukturën dhe përmbajtjen brenda tekstit, autori i ofron historiografisë shqiptare argumente të bollshme se kemi të bëjmë me një territor gjeografik e historik me tipare specifike, i cili ka qenë rrugëkalim i proceseve historike, politike, ushtarake, shoqërore e kulturo-arsimore përgjatë periudhës së Luftës Dytë Botërore, veçanërisht gjatë viteve 1939-1941. Në këtë kuadër, autori ka arritur të provojë rolin aktiv të popullsisë shqiptare në këtë trevë, e cila mori pjesë në të gjitha fazat e zhvillimit ekonomik, politik e shoqëror të asaj kohe.
Për hartimin e këti libri autori ka përdorur dokumente arkivore të pabotuara, të botuara, literaturë relevante historiografike, memoaret etj. Të gjitha këto burime janë përdorur me kujdes dhe i janë nënshtruar kritereve themelore. Në pikëpamje metodologjike, autori e ka hartuar këtë monografi, duke respektuar kriteret bazë të shkrimit, duke bërë analiza, krahasime dhe duke dhënë interpretime logjike e të qëndrueshme në përputhje me kritikën shkencore. Ai ka arritur të dallojë subjektin e librit dhe ta veçojë rolin e tij në rrethanat e kohës. Në këtë kontekst, duhet përgëzuar guximin e autorit për t’i hyrë më thellësisht studimit të një tngarje historike komplekse për shqiptarët.
Marrë në tërësi, Libri “QEVERISJA E SHQIPËRISË GJATË LUFTËS II BOTËRORE (1939-1944)” e profesorit dhe studiusit Gjet Ndoj, është një kontribut i rëndësishëm për historiografinë shqiptare në ndriçimin e mëtejshëm të së kaluarës së tërësishme të trevave të caktuara me përmbajtje të historisë shqiptare, të cilat presin akoma gjurmim e studim.