Prof. Dr. Bujar Dugolli: Studiuesi Ismet Azizi ka arritur të na sjellë një libër shumë të rëndësishëm me rrëfimet e të moshuarve nga Sanxhaku dhe me prejardhje nga Sanxhaku që është një vlerë e shtuar dhe domethënëse për historiografinë shqiptare dhe jo vetëm.
Recension i librit: Histori gojore me të moshuar nga Sanxhaku dhe me prejardhje nga Sanxhaku
Autor: Ismet Azizi
Viti i botimit: 2024
Libri i autorit Ismet Azizi me titull “Histori gojore me të moshuar nga Sanxhaku dhe me prejardhje nga Sanxhaku” përbën një studim të rëndësishëm dhe me vlerë për historiografinë shqiptare në përgjithësi dhe për historinë e shqiptarëve që vazhdojnë të jetojnë në territoret e Sanxhakut të Pazarit të Ri. Ky rajon, i njohur si Sanxhak i Pazarit të Ri, është themeluar si njësi administrative në kuadër të reformave dhe ndryshimeve administrative që ndodhën në Perandorinë Osmane gjatë shekullit XIX. Nëse analizohet në kontekstin e sotëm gjeografik, territoret e këtij Sanxhaku shtrihen në mes të Serbisë (pjesa jug-perëndimore), Malit të Zi (pjesa veri-lindore), dhe Kosovës (disa pjesë të viseve veriore).
Rajoni i Sanxhakut në shekullin XX ka pasur një histori të vështirë socio-ekonomike dhe politike. Ky rajon iu nënshtrua një politike të dhunës sistematike që e detyroi popullsinë të shpërngulej në një pjesë të madhe, ndërsa ata që mbetën në këto territore iu nënshtruan një politike të asimilimit etnik. Janë të pakët studiuesit që janë marrë thellësisht me këtë rajon dhe me vështirësitë që ka pasur popullata e Sanxhakut për mbijetesë në trojet e veta.
Autori Ismet Azizi ka arritur të përmbledhë një seri të gjerë të intervistave me familjarë të banorëve nga zona të ndryshme të këtij rajoni, disa prej të cilëve edhe që jetojnë jashtë vendit, me qëllim që të hedhë dritë mbi historinë e tyre, doket, zakonet, traditat e banorëve të kësaj zone. Edhe pse këta banor janë përballur me rrezikun e asimilimit, ata tregojnë me ëndje për të kaluarën e tyre historike dhe për doket, traditat e zakonet që i mbajnë ata si shqiptarë.
Ajo çka e bën këtë libër të veçantë është metodologjia që autori ka përdorur për mbledhjen e informacionit. Përdorimi i teknikave të historisë gojore (Oral History), të cilat janë aplikuar nga autori në këtë libër, dëshmon qartë se hulumtimi është inovativ dhe sjell informacione të pa dëgjuara më parë nga vetë familjarët e rajonit të Sanxhakut të Pazarit të Ri. Këto informacione, të cilat përfshijnë traditën, ritet e martesave, lojërat, jetesën ditore dhe botëkuptimet e tyre, janë të vështira për t’u gjetur në studime dhe hulumtime të tjera. Pjesëmarrja në intervista e njerëzve me profile të ndryshme socio-ekonomike, si studiues, profesorë, shkrimtarë, njerëz nga kultura, bujq, zejtarë, tregtarë, punëtorë të ndryshëm, është një tregues i qartë për llojllojshmëri të informacioneve mbi zhvillimin e jetesës nga këta banorë, gjë që e tërheq edhe më shumë interesin e lexuesit për të kuptuar më mirë jetën e përditshme, sfidat, vështirësitë dhe traditat e banorëve të kësaj zone.
Një element i rëndësishëm i kësaj monografie është metoda e krahasimit dhe analizës mbi jetesën e banorëve të Sanxhakut të Pazarit të Ri në periudha të kaluara dhe në periudhat e sotme. Autori, duke aplikuar këtë metodë të kërkimit shkencor, ka arritur që para lexuesit të sjellë një panoramë të rëndësishme mbi zhvillimet, ngecjet dhe dallimet në stilin e jetesës që banorët e kësaj zone kanë pasur ndër vite, gjë që në një formë ose tjetër arrin të zgjojë mendimin kritik të lexuesit mbi procesin e ndryshimeve në zhvillimin e jetesës së këtyre banorëve gjatë historisë.
Megjithëse libri është i përmbledhur në njëzetë intervista, ai lë hapur mundësinë për të përfshirë intervista të tjera të rëndësishme për jetesën e banorëve në rajonin e Sanxhakut. Autori duhet përgëzuar për ruajtjen e origjinalitetit të fjalëve të përdorura nga të intervistuarit, element që ndikon në dy drejtime:
1. Në seriozitetin metodologjik të teknikave të historisë gojore (Oral History) të përdorura në këtë monografi, dhe
2. Në dëshminë që fjalët e vjetra shqipe ruhen dhe përdoren ende nga banorët e kësaj zone, element që dëshmon për identitetin e tyre të vërtetë dhe ruajtjen e kulturës dhe traditave shqiptare nga banorët e zonës në periudha të ndryshme historike.
Një element interesant që vërehet në këtë libër është ndërlidhja e banorëve të Sanxhakut me religjionin e tyre. Kjo më së miri vërehet tek emrat që prindërit ua kanë vendosur fëmijëve të tyre. Për shembull, Rexhep Shkrelji thekson se ditëlindja e tij është në mars 1959, dhe mban emrin Rexhep për shkak të muajit Rexhep sipas vitit “Hixhri”, ndërsa Rizah Gruda thekson se ka lindur në muajin Rexhep sipas vitit “Hixhri”, që me vitin 1946 korrespondon me muajin qershor, dhe se është dashur të ketë këtë emër. Nga ana tjetër, njëri nga të intervistuarit, Safet Ademoviç, thekson se emrin ia ka vendosur gjyshi për shkak të këngëtarit Safet Isoviç, që sipas tyre ishte jo vetëm këngëtar i mirë, por edhe besimtar i devotshëm. Jusuf Qoloqviç flet për emrin e tij që e ka marrë sipas njërit nga profetët e Islamit. Këto shembuj tregojnë se banorët nuk e harrojnë aspektin religjioz kur flasin për veten ose për proceset jetësore që kanë kaluar. Autori duhet përgëzuar për theksimin e një elementi të rëndësishëm jetësor për banorët e Sanxhakut, atë të ndërlidhjes së tyre me besimin që i përkasin.
Autori gjithashtu ka arritur të shpalosë ndjenjat e përkatësisë nacionale të këtyre banorëve dhe përmes pasqyrimit të këtyre ndjenjave, vërehet një pakënaqësi për mungesën e interesimit shtetëror, qoftë nga Kosova, qoftë nga Shqipëria, për banorët e Sanxhakut të Pazarit. Sado që rrënjët e tyre janë në viset shqiptare, megjithatë jetesa e gjatë në Pazar të Ri ka ndikuar që ata të ndjehen si të tjerë, në këtë rast si boshnjakë. Njëri nga të intervistuarit, Safet Hadroviç (Hadroviç, një mbiemër që në gjuhën shqipe duhet të jetë Hadri. Prapashtesa “viç” këtyre mbiemrave ju vendos gjate regjistrimit me qëllime të shlyerjes së identitetit kombëtar shqiptar. B.D.), thekson se varrezat e gjyshërve dhe kushërinjve të tij janë në territoret e Kosovës, megjithëse ai përmend me ëndje të kaluarën e tij dhe mënyrën se si pushteti serb i ka trajtuar si “Arnautë” (Shqiptarë). Megjithatë, ai deklarohet si boshnjak, pasi që tani është lidhur emocionalisht me Bosnjën. Megjithatë, këta banorë kontributin e banorëve shqiptarë të Kosovës nuk e kanë harruar asnjëherë. Pothuajse në shumicën e këtyre rrëfimeve përmendet Shaban Polluzha, i cili me ushtarët e tij, gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte luftuar forcat çetnike në fshatrat e këtij rajoni. Përmendet me theks të veçantë Bihori i Epërm dhe Peshteri, ku tregohen ndihmat e Shaban Polluzhës dhe luftëtarëve të tije në pengimin e vrasjeve masive të popullatës vendase. I intervistuari Elez Shkrijeli nder të tjera thotë: “… Edhe për Shaban Polluzhen kan kuvet (kuvendu pleqtë) se, kur kan pas nis çetnikt me fshi Pazarin, Shaban Polluzha iu ka dal n’prit”.
Interpretimi i kësaj historie nga pjesëmarrësit në këto intervista tregon më së miri rëndësinë e përdorimit të teknikave të historisë gojore “Oral History” në këtë monografi, dhe domosdoshmërinë e përdorimit të këtyre burimeve për të kompletuar të vërtetën historike për ngjarjet që, për shkak të ndërhyrjeve ideologjike në histori nga sistemet e kaluara, nuk janë arritur të vërtetohen plotësisht. Kështu, autori ka arritur të bëjë një punë të shkëlqyer profesionale dhe shkencore për të vërtetën historike.
E veçanta e këtij libri është laramania e ngjarjeve që trajton, duke dhënë informacione të ndryshme nga politika, kultura, arsimi, dhe deri tek lojërat e përditshme e ceremonia e martesave, ku gjerësisht flet Rrushe Kukaj. Falë rrëfimit të saj, kuptohet qartë që zakonet e vjetra të dasmave janë të njëjta në Sanxhak, Plavë, Guci, Pejë dhe rajone të tjera të Kosovës.
Kjo llojllojshmëri e informacioneve ndikon që libri të jetë i destinuar jo vetëm për një profil të caktuar të studiuesve dhe lexuesve, si historianët, por edhe për lexues dhe studiues nga fusha të ndryshme të Albanologjisë. Ata që do të lexojnë këtë libër do të mund të kuptojnë informacione të ndryshme mbi kulturën dhe traditat e vjetra të këtyre ceremonive festive.
Autori, përveç intervistave me momentume të rëndësishme të të intervistuarve, ka arritur të vë në pah edhe hierarkinë e familjes dhe “titujt” që më të vjetrit e familjes kanë mbajtur, si p.sh. shprehja Aga, e cila iu atribuohej më të vjetërve të familjes, që në të njëjtën kohë edhe udhëhiqte familjen dhe vendimet e tij ishin të respektuara nga të gjithë. Lexuesi përmes kësaj mund ta kuptojë mënyrën se si ka funksionuar hierarkia brenda një familjeje të vjetër të Sanxhakut, gjë që krijon një panoramë të rëndësishme mbi mënyrën se si ka funksionuar një shtëpi e sanxhaklinjve në të kaluarën, gjersa sot një element i tillë po shkon drejt shuarjes.
Libri, në thelb, arrin të përshkruajë një lloj udhëtimi në kohë të këtyre banorëve që merr tri drejtime:
- Prejardhja e familjeve – që në të shumtën e rasteve ndërlidhet me territoret shqiptare si Plavë, Gucia, Rugova, dhe territore të tjera;
- Vendosja në territoret e Sanxhakut të Novi Pazarit – që vjen si pasojë e idesë për të kërkuar ose për të hulumtuar mundësi më të mira të jetesës;
- Shpërngulja nga Sanxhaku drejt Maqedonisë, Turqisë, etj. – që gjithashtu vjen si pasojë e kushteve ekonomike, sociale, por edhe politike me të cilat janë ballafaquar banorët e këtij territori.
Ky jetëshkrim i banorëve që paraqitet në këtë monografi dhe shpjegohet nga vetë banorët është një tregues i qartë për strukturën etnike të këtyre banorëve, të parët e të cilëve kishin lindur shqiptarë. Paraqitja e këtyre informacioneve dhe intervistave në këtë monografi ndihmon lexuesit të kuptojnë strukturën etnokulturore të këtyre banorëve në thelb, si dhe faktorët që i kanë shtyrë ata të largohen nga tokat e tyre. Fatkeqësisht, mos ruajtja e gjuhës, siç thotë edhe njëri nga të intervistuarit, Safet Ademoviç, “… Me kalimin e kohës, e kemi humbur gjuhën tonë vërtetë…” ka ndikuar që ata të humbin në njëfarë forme edhe ndjenjën etnike të të parëve të tyre.
Në këtë pikë ka ndikuar edhe aspekti i administrimit të territoreve, ku për këtë dëshmon intervista e Elez Shkreljit, i cili thekson se në Boroshticë, ku ai ka jetuar, pushteti nuk e ka regjistruar si shqiptar, por si boshnjak, ndonëse familja e tij kishte prejardhje nga Rugova. Të njëjtin fat ka pasur edhe Mehmet Daciç, i cili thotë se “… Sa më përket mua dhe fëmijëve të mi, ne e prezantojmë veten kryesisht si boshnjakë, sepse jemi regjistruar si boshnjakë.”
Duke lexuar librin dhe duke parë këto rrëfime e deklarime të pjesëmarrësve, shihet qartë mungesa e interesimit nga institucionet, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, për këta banorë dhe rajonin e Sanxhakut në përgjithësi. Ndoshta sikur Shqipëria dhe Kosova të bënin më shumë për banorët shqiptarë të Sanxhakut, ata do të ndjeheshin më afër identitetit shqiptar dhe jo të ndonjë nacionaliteti tjetër ose do të deklaroheshin hapur për rrënjët e tyre etnike shqiptare.
Të gjitha këto faktorë kanë ndikuar që populli i Sanxhakut, në njëfarë forme me rrënjë shqiptare, të asimilohet në një etni tjetër, atë boshnjake. Ky proces paraqitet jashtëzakonisht mirë në këtë libër dhe padyshim që do të jetë një ndihmesë e madhe për studiuesit që të kuptojnë këtë problem që nga rrënjët e tij, duke u bazuar në dëshmi të dorës së parë për këtë çështje, atë të banorëve që e kanë përjetuar këtë histori.
Si përfundim, mund të themi se studiuesi Ismet Azizi ka arritur të na sjellë një libër shumë të rëndësishëm me rrëfimet e të moshuarve nga Sanxhaku dhe me prejardhje nga Sanxhaku që është një vlerë e shtuar dhe domethënëse për historiografinë shqiptare dhe jo vetëm.
Në cilësinë e recensentit të librit, jap mendim pozitiv për botimin e këtij libri dhe njëherazi falënderoj Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Kosovës për përkrahjen e botimit të këtij libri. Autorit Ismet Azizi i dëshiroj suksese në projektet e ardhshme për historinë e rajonit të Sanxhakut dhe jo vetëm.
Nga:
Prof. Dr. Bujar DUGOLLI Prishtinë: 10 shtator 2024