Shoqata “Kosova për Sanxhakun” organizoi dhe mbajti simpoziumin shkencor ndërkombëtar “Tjetërsimi i popujve josllavë në Sanxhakun e Pazarit të Ri dhe në tërë Malin e Zi”. Simpoziumi u mbajt në Prishtinë, në Institutin Albanologjik, në sallën shkencore, më 6 dhjetor 2024.
• Ndër të pranishmit e sallës përplot të mbushur ishin edhe tre deputetë të Kuvendit të Kosovës: Gani Krasniqi, Avni Dehari, Hydajet Hyseni; studiuesit e Institutit Albanologjik dhe të institucioneve të tjera: prof. dr. Rexhep Doçi, prof. dr. Lush Culaj, prof. dr. Isuf Telaku, prof. dr. Ilaz Rexha, prof. dr. Sabri Tahiri, prof. dr. Mujë Gjonbalaj, prof. asoc. dr. Arben Arifi, dr. sc. Dardan S. Lajçi; nga Sanxhaku i Pazarit të Ri: őmer Ok Bibiç, Izmir, Turqi, Fehim Feriz Sallku nga Fieri, mr. sc. Rexhep Abazi nga Medvegja etj.
• Fjala e mirëseardhjes dhe hapja e simpoziumit, pas Himnit të Flamurit, u bë nga Ismet Azizi, kryetar i shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, kurse fjalë përshëndetëse kanë mbajtur deputeti Avni Dehari; őmer Ok Bibiç, në emër të mërgatës shqiptare nga Sanxhaku i Pazarit të Ri në Izmir, Turqi; Fehim Feriz Sallku, Fier, si dhe përshëndetja e dërguar me shkrim nga Marko Losh Marash, Kelmend, qyteza Nikinc e Sremit, Vojvodinë.
• Drejtuese e hapjes së simpoziumit shkencor ndërkombëtar “Tjetërsimi i popujve josllavë në Sanxhakun e Pazarit të Ri dhe në tërë Malin e Zi”: mr. sc. Emine Boriçi. Kumtesat, të renditura sipas alfabetit të emrave të kumtuesve, u lexuan në dy seksione: Seksioni i kërkimeve historike dhe Seksioni i kërkimeve shoqërore.