Takimet e sivjetme të Hotit të Kujit u kryen me sukses, pohoi shumë e gëzuar piktorja e njohur, Kaltrina Hoti, e shkolluar në SHBA, dhe e zonja e shtëpisë e kësaj veprimtarie të rëndësishme etnokulturore. Ashtu tha edhe përfaqësuesi i vendit, Ibër Hoti.
Akademik Prof. Dr, Zymer Neziri: Më 10 korrik, në Hotin e Kujit, Komuna e Plavës, jehoi lahuta e Festivalit të shtatë të radhës, “Lahuta, okarina, polifonia”, me organizimin e Sokol Plakollit të palodhshëm, nga “Shkabat” e Prishtinës. Kishte lahutarë edhe nga Kelmendi e Rugova: Dinë Sinanaj, Hysen Kurtaj, Asllan Shala, Pretash Nilaj, Xhavit Balidemaj.
U përurua edhe libri studimor i Zymer Nezirit, kushtuar Eposit të Kreshnikëve sot, në pesë shtete të Ballkanit, për të cilin foli prof. dr. Albin Sadiku i Ins. Albanologjik. Autori i librit tha se epika jonë tashmë ka emër të madh edhe në botën e shkencës në Evropë dhe në qendrat e mëdha studimore, nga Harvardi i famshëm amerikan e deri në Akad. e Shkencave të Kinës.
Ishin të rëndësishme dhe shumë inkurajuese fjalët e ambasadores shqiptare në Podgoricë, znj. Zhaklina Pepa, po edhe të konsullit të Kosovës, z. Ejup Ismajli.
Aktori Halil Tetaj për të pranishmit u paraqit me vargje të zgjedhura të ” Lahutës së Malcisë” të Gjergj Fishtës.
Me valle të vajzave të Hotit dhe të shoq. “Malësia e Rozhajës”, Tregovishtë, me veprimtarin Ali Daci, u mbyll ky manifestim në trojet familjeve Haxhaj, Sinanaj, Hysenaj, Mujaj, Mehaj, që dhanë burra të shquar e trima, por sot shumica e pasardhësve të tyre jetojnë përmallshëm në mërgim për këto vende me bukuri të rralla të Alpeve Shqiptare. Pritja ishte tejet vëllazërore, krahas drekës dasmore të shtruar për të gjithë pjesëmarrësit e Takimeve.
Drejtuese e përgjegjshme dhe e suksesshme e Takimeve të Hotit të Kujit ishte studentja e këtushme, Ledina Haxhaj.
Ishte shumë e rëndësishme edhe prania e ekipieve televizive nga Kosova, RTK dhe Fontana.