Hapen arkivat fashiste/ Letra sekrete e mëkëmbësit të Zogut, Si u përgatit masakra serbe mbi shqiptarët
Nga Veli HAKLAJ*
Dëshmi të masakrave sllave ndaj shqiptarëve
1. Reagimi i strukturave shtetërore shqiptare ndaj masakrave të çetnikëve malazezë
1.1. Platformat e gjenocidit sllav ndaj shqiptarëve
Gjenocidi serbomadh mori formë të organizuar shtetërore më 1844, me programin “Naçertanija” të Ilia Garashaninit, ish-ministër i Punëve të Brendshme të Principatës së Serbisë;për të vazhduar me projektin e Vlladan Gjeorgjeviçit, më 1908, ku Serbia kërkonte lejen e Evropës për zhdukjen totale të shqiptarëve; me programin e kolonizimit të shqiptarëve, prezantuar parlamentit në Beograd në formë memorandumi me titull “Shpërngulja e arnautëve”, më 7 mars 1937, nga akademiku Vaso Çubrilloviç, ku tregoheshin mënyrat çnjerëzore që duhej të përdorte shteti serb për zhdukjen e shqiptarëve; me elaboratin e titulluar “Projekt-raport për Shqipërinë”, promovuar nga shkrimtari Ivo Andriç, më 30 janar 1939, ku paraqiten planet për zhdukjen e shqiptarëve dhe shtetit shqiptar; me projektin e Stefan Moleviçit, më 30 qershor 1941; me punimin tjetër të Vasa Çubrilloviçit “Probleme të pakicave në Jugosllavinë e re”, të 3 nëntorit 1944, për dëbimin e shqiptarëve nga Jugosllavia; me “Memorandumin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë”, i vitit 1986; me “Programin jugosllav të masave dhe aktiviteteve për ndërprerjen e shpërnguljes së serbëve dhe malazezëve nga KSA e Kosovës, kthimin e shpejtë të atyre që e kanë lëshuar dhe ardhjen e të gjithë atyre që dëshirojnë të jetojnë dhe punojnë në Kosovë”, të vitit 1990; dhe së fundi me platformat e zbatuara për spastrimin e shqiptarëve nga Kosova, më 1998 dhe 1999. Këto platforma politiko-ideologjike kishin si objektiv shfarosjen e shqiptarëve dhe kolonizimin e plotë të Kosovës dhe trevave të tjera shqiptare nën Jugosllavi.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore 1941-1944, një nga dallgët më të mëdha të gjenocidit serbo-malazez përshkoj trevat shqiptare, jashtë Shqipërisë së 1913-ës. Momenti kulmor është masakrimi i krahinës së Bihorit e (5 – 6 janar 1943), ku në 82 fshatra u shfarosën në mënyrat më të tmerrshme rreth 5 000 shqiptarë, rreth një e treta e të cilëve ishin fëmijë, gra dhe pleq, tragjedi kjo në kushtet kur trojet shqiptare ishin pushtuar nga forcat ushtarake italiane, gjermane, serbe dhe bullgare.Përgjegjësit kryesorë për masakrën e Bihorit, por dhe për masakra të tjera gjatë Luftës së Dytë Botërore ishin çetnikët e Drazho Mihajloviçit dhe të Pavlo Gjurishiqit.
Të ikur nga masakrat e vitit 1943 janë 14.000 frymë, nga të cilët 5000 në prefekturën e Pejës dhe të tjerët në Bjellopojë. Ndërkohë që vetëm në komunat Korita, Llozana, Rashova, Bare, Savinopol dhe Zaton rezultojnë 1763 shtëpi të djegura dhe 4 626 të vrarë dhe të plagosur.
Dëshmi autentike të këtyre masakrave barbare gjinden edhe në dokumentet arkivore të shtetit shqiptar. Në Arkivin Qendror të Shtetit, Tiranë, në fondin arkivor të Partisë Fashiste Shqiptare të vitit 1943 (janar – korrik), gjendet dosja nr. 52, me 57 fletë, ku janë administruar dokumente të korrespondencës ndërmjet Drejtoratit të Partisë Fashiste Shqiptare, Mëkëmbësit të Përgjithshëm Jakomonit, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Federatës Fashiste të Shkodrës etj. mbi agresionin e çetnikëve malazezë të armatosur nga ushtria italiane kundër shqiptarëve në Veri, mbi fonogramin e sekretarit politik të Kastratit rreth përgatitjes së një mësymjeje të malazezëve në tokat shqiptare në Veri, mbi masakrën e Bihorit dhe mbi pushtimin e tokave shqiptare nga shovinistët jugosllavë, si dhe lista emërore të masakruarish nga shovinistët serbë më 1912, 1913, 1914 dhe shovinistët bullgarë nga 1912 – 1940.
Disa prej këtyre dokumenteve të dosjes 52 do t’i publikojmë për lexuesin e “Standard” në vijim të këtij dosieri.
1.2. Ministri Mirakaj kërkon armatosjen e shqiptarëve në kufi me Jugosllavinë
Sipas shkresës që ministri sekretar i Partisë Kombëtare Fashiste Shqiptar, Kolë Bib Mirakaj, i dërgon Mëkëmbësit të Përgjithshëm Francesko Jakomonit, marrim dijeni se agresioni i shëmtuem i çetnikëve malazezë nën kryesinë e Pavle Gjurishiqit, që ishin armatosë nga ushtria italiane e Malit të Zi për t’u përdorë kundra komunistave në Bosnje e Hercegovinë e që përfundoj me djegjen e 1 763 shtëpive shqiptare dhe masakrimin e rreth 4 000 personave, ndër të cilët 2 083 fëmijë e 797 gra, ka vu në shqetësim mortár gjithë Kosovën dhe viset e tjera të tokave të liruara për kufi ane Malin e Zi e Serbinë, gjithashtu edhe malësinat e Shkodrës e Tropojës që vijnë menjëherë afër kufirit të vjetër me ish-shtetin Jugosllav, dhe një shqetësim i ndjeshëm edhe mbrenda në qytetet Shkodër, Plavë, Gusi, Pejë, Rozhajë e Prishtinë.
Si rezultat i këtyre masakrave, këto qytete me krahinat e tyre ishin në një alarm për të ardhmen e afërt të tyre dhe duke konstatuar përgatitjet e çetnikëve rreth kufirit shqiptar, tuj pasë për provë ngjarjet e shëmtueme të zonës së Sjenicës, që ushtria italiane e Malit të Zi jo vetëm që nuk qe në gjendje t’i bëjë ballë për të ndaluar barbarizmat e pashoqe të çetnikëve, por as të marrë ndonjë masë reprezalje, që të mos mund të përgatitet mâ. Për rrjedhojë, ky alarm ishte krejt i justifikuem dhe nuk identifikohej mënyrë me asnjë siguri formale as propogande që shpirtërat e shqiptarëve të qetësohen. Ministri Mirakaj argumentonte në vijim se e vetmja siguri do të ishte siguria materiale e që vërtetohet vetëm:
a) Në armatosjen e këtyre krahinave, tuj i organizue në mënyrën tradicionale të vendit me bajraktarët e krenët e tyre. Për këtë qëllim duhet të jenë 50 000 (pesëdhjetë mijë) armë në Kosovë e krahinat e Shkodrës të depozitueme në qendrat e nënprefekturave. Dhjetë mijë nga këto armë duhet të shpërndahen në Kosovë, sidomos Peshter, Sjenicë, Plavë, Gusi, Rozhajë, Pejë e Gjakovë, që kështu në rast të ndonjë mësymjeje të jetë një fuqi e gatshme për t’i bërë ballë deri sa t’armatosen masa tjetër e Kosovës. Gjithashtu, së paku tremijë armë duhet të shpërndahen në krahinë e Tuzit, tuj përfshi edhe zonat neutrale nr. 1 e 2, dhe në malësinat e Shkodrës, Malësi e Madhe, Dukagjin e Pukë.
b) Duke dërgue dy regjimente ushtri shqiptare në Kosovë me qendra njëri në Pejë me një batalion në Plavë, dhe tjetri në Rozhajë, dhe, pos kësaj, zonat neutrale ushtarakisht të varuna prej Komandës Eprore të Forcave të Armatosura në Shqipëri, dhe të dergohet së paku një regjiment ushtarë në Sjenicë.
Në këtë rast, gjithnjë duhet të ishin depot e armëve që t’armatoset populli i Kosovës e malsinat, nëse malazezët ose çetnikët e Drazha Mihailoviçit mësyjnë ushtrinë.
Ministri Mirakaj paralajmëronte Mëkëmbësin e Përgjithshëm, Jakomonin, se në bazë të informatave që kishte dhe të parandjenjës që ushtronte në shpirtin e tij eksperienca e fqinjësisë me popujt sllavë të Malit të Zi e të Serbisë, se vetëm pjekuria politike i shtyni malazezët një vit më parë me heqë dorë nga lëvizja komuniste e me u organizue në ballin e çetnikëve, që kështu të mund të fitojshin besimin e ushtrisë italiane për t’u armatosë dhe për të qenë të gatshëm në momentin e duhur me i vu pushkën në shpinë ushtrisë italiane e me msy Shqipërinë së bashku me serbët e grekët, në rast se do të realizohej shpresa e tyre, d.m.th. Boshti të rrokullisej ushtarakisht.
Simbas informatave që zotëronte ministri Mirakaj dhe që forcoheshin me dokumentin që ishte zánë e botue gjashtë muaj më parë (mesi i vitit 1942), Pavle Gjinshiqi, që ishte kryetari me influencë i çetnikëve të Malit të Zi, ishte kryesisht në dispozicion të gjeneralit Mihailoviç (ministër Lufte i qeverisë normale të Jugosllavisë) dhe gjithçka vepronte sipas direktivave të tij.
Që më datën 14 dhjetor 1942 – XXI, me shkresën rezervat nr. 35, ministri sekretar i Partisë Kombëtare Fashiste Shqiptare kishte paralajmëruar të ndershmen Mëkëmbësi të Përgjithshme se:
Mihailoviçi me çetat e tij dhe çetnikët malazez, duke besue se në këtë dimër do të ndodhte shembja e ushtrive të Boshtit në frontin e Rusisë dhe ndonjë zbarkim i anglo-saksonëve në Europë, përgatiten për një mësymje të gjánë në Kosovë duke filluar kah Sjenica, Peshteri, Prishtina, Plava e Tuzi për të zaptue krejt Kosovën e Shkodrën, dhe kujtojmë se mësymja që u ba muajn e kaluar në krahinën e Sjenicës, është vetëm një provë e mësymjes së madhe që po përgatitej, me të cilën donin me marrë dijeni se deri ku janë të armatosur e të organizuar shqiptarët për t’u bërë ballë fuqive sllave.
Ndërkohë, sipas informatave që zotëronte ministri Mirakaj, rezultonte se në krahinat e Zetës dhe Podgoricës po bëhen grumbullime të çetnikëve të armatosur me pushkë e mitroloza dhe dikush prej këtyre ka deklarue se janë të ftuar prej ushtrisë italiane për të hyrë në Shqipëri me shue kryengritjet. Megjithëse ministri Mirakaj shprehej se nuk e besonte këtë, paralajmëronte se, po të vërtetohej një gjë e tillë, jo vetëm që do të ishte një dhunë që do të mbetej brengë edhe ndër brezat e ardhshëm të shqiptarëve, por do të shkaktonte edhe masakrimet e popullit tonë, dhe ai kishte bindjen se me kohë armët e malazezëve do të ktheheshin edhe kundra ushtrisë italiane.
Në këtë situatë, ministri Mirakaj i komunikonte Jakomonit se Qeveria Mbretërore, po t’u jepeshin pa vonesë në dorë mundësitë që Mëkëmbësia dhe ushtria i ushtronte, merte përsipër me të tanë përgjegjësinë me shtrue qetësinë brenda një kohe të shkurtër në të gjithë Shqipërinë dhe me e ruejtë në të ardhmen pa pasë nevojë për ndërhymjen e ushtrisë italiane as të elementave të jashtëm kushdo qoftë. Për këtë qëllim, ministri Mirakaj kërkonte që, përveç çka përmendet në pikat a) dhe b), duhej t’u jepej mundësia e materiali i nevojshëm menjëherë për të organizue Trupin e Gjindarmërisë Mbretnore.
Në përfundim të argumentimeve për kërkesat që i drejtonte Jakomonit, ministri Mirakaj theksonte:
“Pas këtyne konstatimeve e konsiderimeve, është e natyrshme që jo vetëm populli, por edhe njerëzit politikë të jenë të shqetësuem deri sa nuk merren masa materialisht për t’u sigurue e që vetëm tuj u armatosë e organizue mund të jenë të sigurtë.
Âsht e natyrshme, që në këtë situatë që ndodhet Shqipëria sot, të na báhet vërejtja se si mund të báhet një organizatë dhe si mund t’i besohet popullit me [ia] lëshue armët në dorë. Një dyshim i tillë, megjithëse një pjesë e popullsisë së Shqipërisë së Jugut e rrejtun nga propoganda armike ka luejt mendsh, nuk ka vend për Tokat e Lirueme e malet e Shkodrës që njofin se çka don me thanë me mbetë në mëshirën e shkjaut (sllavit). Për këto krahina, qeveria me të gjithë krentë e atyne viseve janë gati me dhanë çdo garanci se armët kanë për t’u mbajtë vetëm për mbrojtje, dhe, pos kësaj, kanë për të kenë gati krejt popullsia me shue çdo lëvizje kundërshtare me regjimin e interesat perandorake, dhe, në eventualitetin se ushtria ka me pasë nevojë, kanë me i shkue në ndihmë jo vetëm në Shqipni por edhe në Mal të Zi. Këtë provë kosovarët e malsorët ia kanë dhënë ushtrisë edhe në kryengritjen e Malit të Zi, që kanë qenë të gjithë gati po t’u jepshin armët jo vetëm me mbrojtë Plavën dhe Gusinë, po me marshue krahas me ushtritë italiane anë e mbanë Malit të Zi.”
1.3. Nënfederali Begolli informon për masakrat malazeze në Peshter, Tutinë e Rozhajë
Me shkresën nr. 29/9, Rezervat Personal, Tepër Urgjent, të datës 11 janar 1943, ministri sekretar i Partisë Kombëtare Fashiste Shqiptare, Kolë Bib Mirakaj, i dërgonte Kryesisë së Këshillit Ministror, për dijeni dhe për marrjen e masave eventuale, kopjen e një telegrami që kishte marrë nga Federata e Fasheve të Pejës, nënshkruar nga nënfederali Begolli, me këtë përmbajtje: “Njoftojmë se katër mijë malazezë të primë prej kolonelit Pavle Grintit (Gjinshiqi), ish-kapiten i ushtrisë jugosllave, kanë zaptue tri komuna me katunde në zonën asnjanëse Peshter, mandej Tutinë e Rozhajë. Këta janë furnizue me municione luftues italianë, mitralozë të divizionit venecian për të luftue komunistat në Sarajevë. Por në vend që me u nisë për në Sarajevë, na kanë ra neve. Shumë katunde janë djegë krejtësisht, megjithë gra e fëmijë brenda. Janë nisë afro dyqind vullnetarë nga Peja. Shumë të tjerë janë gati me u nisë.”
1.4. Mali i Zi përgatitet me i ra Plavës e Gusis
Më 21 janar 1943, kryetari i Bashkisë së Gusis i dërgon një shkresë bajraktarit të Shalës, Kolë Ndou, ku i lypë një fuqi që të rrinë gati sepse Mali i Zi është duke përgatitë dita me ditë me i ra Plavës e Gusis me luftë; prandaj lutemi sa mâ parë të na njoftoni me një shkresë se ç’veprim do të bájë populli jonë se na jemi gati kurdoherë. Nga ana e tij, bajraktari i Shalës, me cilësinë e sekretarit politik të Fashes Shalë, më 30 janar 1943, ia njofton këtë problem zyrtarisht Fashes së Shkodërs, e cila e përcolli për Drejtorinë Kombëtare të PKFSH, në Tiranë, më 2 shkurt 1943.
1.5. Arratisja e malazezëve nga Rozhaja
Më 4 shkurt 1943, me shkresën rezervat nr. 17, sekretari politik i Fashit të Rozhajës, Zenun Gashi, do të njoftonte federatën e Fasheve në Pejë se më datën 2 shkurt ishin arratisë në drejtim të Beranës: Millosh Nadaleniq, Dragisha Millun, Zeko Ivan, Radosh Panto, Radoje Pante, Mikorad Radosav, Vaso Ivan, Millotin Radosav, Drago Radosav, Dragania Radosav (vajzë), Millo Vukotin, Miliq Vikov, Cvetosar Milija dhe Cunera Milija, të gjithë nga katundi Bogajë, rajon i komunës së këtushme; dhe me datën 3 shkurt janë arratisë po për në atë drejtim: Petro Miliq, Nikolla Miliq, Millo Petra, Pavlo Millan, Millorad Sava, Sakole Sharov, Novak Petro, Joso Shareviq, Veselin Jovan, Branka Veselinov, Janko Veselinov, Savo Ivanov, nga katundi Radovoje, mëhalla po të juridiksionit të Komunës Qendrës.
Nga informatat e marruna rezultonte se të përmendunit janë arratisë me qëllim për të bâ pjesë me çetnikët malazezë në ndonjë sulm eventual që mendohet prej tyre dhe që të gjithë janë persona të rrezikshëm, mbasi edhe në vitet e kalueme kanë ndihmue çeta serbo-malazeze kur kanë mësy viset shqiptare. Drejtoria Qendrore e Partisë Fashiste Shqiptare, këtë shkresë ia përcolli Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Tiranë.
1.6. Malazezët përgatitën për mësymjen në tokën shqiptare
Më 7 mars 1943, sekretari politik i Fashit të Kastratit, Nush Kiçi, me anë të fonogramit tepër urgjent, nr. 16, me landë “Alarmim në popull’, do të njoftonte Federatën e Fasheve në Shkodër, se: “Më datën 7. III. 1943-XXI, ditën e dielë, ora 11 paradreke, kanë ardhë nga Shkreli z.z. major Dod Nikolla, Mulo Deli Bajraktari nga Hoti dhe Nish Gjeto Marku nga Pjetroshani në Kishë të Bajzës. Mbas meshe kanë shkue të tre në Tuz. Në ora 17 kanë mbërrijtë në Bajzë dhe kanë thanë se malazezët janë përgatitë për mësymjen në tokën shqiptare. Lutemi të na njoftohet sa má parë mënyra e veprimit.” Në një njoftimin e datës 15 mars 1943, Nush Kiçi do të saktësonte se alarmi në fjalë ishte dhënë prej të quejtunit Ibrahim Shukapoviçit nga Podgorica.
Brenda datës 7 mars, sekretari federal i Shkodrës, Ismail H. Deveja, do të kthente përgjigje për Fashin e Kastratit, duke e vënë në dijeni se kishte lamërue zyrat Eprore dhe e falenderonte për interesimin.
Nisur nga rëndësia e problemit, ky telegram do t’i përcillej urgjent Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Tiranë, nga zëvendësministri sekretar i PKFSH, njëherësh Kryeministër, Maliq Bushati.
2. Dëshmi të masakrave sllave ndaj shqiptarëve
2.1. Disa pika të veçanta mbi masakrën e Bihorit
1. Ngjarja e tmerrshme e Bihorit i ka kallun në dishprim të gjithë banorët shqiptarë të zonës neutrale dhe ka bá një përshtypje të thellë ndër krahinat shqiptare t’afërme, këtej kufirit. Ndjenja e tyre më e dukshme është përshtypja që gjinden të pambrojtun kundrejt armiqve të fisit shqiptar. Shumëkush mendon se si Qeveria shqiptare ashtu edhe Qeveria italiane nuk i kushtojnë rëndësinë që meriton çështjes së mbrojtjes t’atyne viseve, ose nuk kanë fuqinë që nevojitet për këtë qëllim. Sido që të merret, kjo ndjenjë shkakton një pakësim të fortë të prestigjit të qeverisë në sy të popullit.
2. Popullsia e zonës neutrale, në thjeshtësinë e mendimeve të veta, gjithë fajin e prishjes dhe të kërdis që u ba në Bihor, ia ngarkoi autoriteteve shqiptare, si dhe autoriteteve ushtarake italiane të Malit të Zi, për moskujdesjen e tyre. Ajo gjykon kështu: “Në mos ishte e mujtun të bashkohemi me Shqipni, përse nuk na lanë në Malin e Zi? Në u pranua provizorisht forma e veçantë e Zonës neutrale, përse nuk u vendosën masat e nevojshme për mbrojtjen e saj? Në mos mund të sigurohej kjo mbrojtje me fuqi zyrtare, përse nuk u organizue me anë të popullit duke i dhanë armët që ka kërkue dhe i janë premtue sa herë? Në mos mund të báhet kjo, përse mos të na thuhet qartazi që t’i bájmë çajre vehtes sonë? …”
3. Çetnikët që prishën katundet e Bihorit dhe masakruen banorët ishin veshur me petka ushtarake italiane, me armë italiane dhe mbajshin të gjitha shenjat dalluese të çetnikëve që gjoja janë në bashkëpunim me autoritetet ushtarake italiane. Me këtë fjalë nuk duem të themi kurrsesi se mund të ketë ndonjë lidhje midis komandave italiane dhe veprimeve kriminale të çetnikëve kundër popullsisë shqiptare. Duem vetëm të theksojmë se çetnikët, tue ditun të përfitojnë nga përkrahja e autoriteteve italiane – me armë, veshje, ushqim e rrogë – dhe tue mos qenë nën kontrollin e plotë të tyne, kanë fitue shumë guxim në lëvizjet që bájnë dhe veprojnë shpeshherë si u leverdis, sikurse u provue në ngjarjen e Bihorit, tue e shpërdorue besimin që u âsht dhanë.
4. Çetnikët masakrues kanë qenë ata që ndodhen nën komandë të vojvodës Pavlo Gjurishiqit. Ky e ka komandën në Beranë dhe gëzon mjaft autoritet ndaj komandave italiane të qarkut. Nga fakte të përshkrueme në relacionin përkatës, provohet se ky vojvodë është fajtori kryesor për ngjarjet e tmerrshme të Bihorit dhe këtë e din i gjithë populli. Prandaj duhet të kërkohet ndëshkimi i tij dhe i shokëve të tij për shkatërrimin dhe mjerimin e tmerrshëm që shkaktuen. Vetëm një ndëshkim shembullor i këtyne mundet të bjerë pak qetësi në shpirtërat e dëshpëruem të popullit shqiptar të atyne viseve. Mosndëshkimi ka me u thye krejt zemrën dhe guximin e shqiptarëve dhe, në anën tjetër, ka me qenë një inkurajim për çetat e Gjurishiqit për ta vazhdue ndër krahina të tjera veprën e fillueme në Bihor, për shfarosjen e fisit tonë ndër ato vise, sikurse e ka shpallur Drazhe Mihajloviçi (nënvizimi është në dokument-V.H.). Nuk duhet harrue se Pavlo Gjurishiqi është major në organizatën e Mihajloviçit.
5. Tragjedia e Bihorit ndodhi në ditët e 5 e 6 të kallnorit (janarit 1943). Në ditën …, koloneli komandant i ushtrisë në Bjelopole kishte ardhur për ziaret ke Osman … e në katundin … dhe u kthye po atë ditë në Bjelopole. Osmanit nuk i zuni në gojë kurgjá mbi lëvizjet e çetnikëve, domethënë se vet nuk dinte gjá mbi çka ata përgatitnin.
Më datën 4 janar, u duk në katundin Cubavaç, në breg të Limit, një çetë pesëqind vetësh, e cila e kaloi lumin për këtej, tue marrë drejtimin e Koritës. Fshati, i alarmuem, i çoi menjëherë fjalë komandantit në Bjelopolje dhe ky çoi një togë ushtarësh në Cubavaç. Ushtarët e prijësi i tyre paskan dashur ta qetësojnë popullin tue i thanë se “këta janë njerëzit tanë, pra nuk duhet të qitni pushkë kundër tyre”. Por kompania a togu i ushtarëve nuk qëndroi në katund, por u kthye brenda ditës në Bjelopolje dhe nuk dihet nëse mori kontakt me çetnikët në katund.
Relatohet fakti i pabesueshëm se ata ushtarë, në të kthyem, paskan grabit të gjithë qylymat e xhamisë së katundit.
Duket se fjalët e ushtarëve nuk e qetësuen popullatën. Kështu, gratë, vajzat, pleqtë dhe fëmija u ranë pas ushtarëve dhe shkuen në qytet. Në katundin Cubavaç mbetën vetëm burrat.
Má vonë, po n’atë ditë dhe gjithë natën, çeta të tjera paskan kalue lumin në Volanac. Ora më dy të mëngjesit, të ditës 5 kallnuer, paskan krisë tre bomba. Kjo krisje paska qenë shenja e fillimit të prishjes e të kerdisë ndër të gjitha katundet ku çetnikët ishin shpërnda dhe afrue gjithë natën. Mitralozat dhe pushkët hynë në veprim menjëherë. Çetnikët i kishin organizue pritat në mënyrë që kush të dali prej shtëpie të bjerë në plumbat e armëve të zjarrit. Për gra dhe fëmijë ata përdorën má fort thikat dhe shpatat.
6. Komanda ushtarake e Cetinës, si duket, nuk u ka dhánë edhe kaq rëndësi këtyre ngjarjeve. Kryeparë, flitet në popull, pse nuk mori ndonjë masë të dukshme kundër fajtorëve; nuk dërgoi menjëherë në vendin e ngjarjes ndonjë forcë ushtarake a të karabinierëve që të ndjekin fajtorët, të ndalojnë grabitjet nga ana e malazezëve dhe të hetojnë shkaqet.
Pas dy a tre ditësh, komanda në fjalë paska lajmërue autoriteteve në Tiranë “se nuk ka kurrgjë” dhe Legatës Italiane në Belgrad – sepse kjo e paska pyetun e ftueme prej “Lidhjes Popullore” të Mitrovicës – i thotë më 9 janar “mbretëron qetësi e plotë ndër ato vise”. Kurse edhe një javë mbas kësaj date, thuhet në popull, kâmbë shqiptari nuk guxonte të shkeli prapë në katundin e vet të shkretuem, se pritej me pushkë nga malazezët që ishin turrun të grabisin çka kishte mbetë.
7. Popullsia shqiptare e Zonës neutrale ka vu re me shumë keqardhje se ka oficera të naltë t’ushtrisë italiane, si koloneli i Beranës dhe ai që asht në Rozhaj, që nuk tregojnë për popullin shqiptar as kuptim të gjanë, as ndjenjë simpathie, as edhe frymë drejtësie. Një katundari të dëshpëruem që i tregoj njanit prej këtyne një fëmijë të vogël të therun prej çetnikëve ai e dëboi tue i kërcënue me revole në dorë. Popullsia shqiptare, për kundra, në çdo rast ka tregue simpathi, bashkëpunim dhe mirënjohje të dukshme ndaj ushtarëve italianë.
8. Âsht për t’u habitun se shpesh herë zyrat ushtarake italiane, kur flasin e shkruajnë për popullin e Zonës neutrale, nuk përmendin fjalën “shqiptar”, por gjithmonë thonë “musliman”, simbas zakonit serb e malazias.
9. Ka bâ shumë përshtypje të keqe në popull fakti se, kur u hap lajmi i veprës mizore të çetnikëve, një grumbull burrash shqiptarë të Pejës e Roxhajt, u bánë gati të shkojnë në ndihmë të vllaznëve të tyne. Ata gjithmonë të bindun e t’urtë ndaj autoriteteve i kërkuen leje komandantit italian që të hyjnë në zonë neutrale. Komandanti nuk u dha leje dhe ata u bindën. Komandanti báni ndofta detyrën e tij, se nuk ishte i autorizuem me e dhanë lejen dhe prandaj nuk e dha. Me këtë, ay, pa dyshim, u ka bá një shërbim të madh malaziasve, pa dashun. Por e keqja qëndron këtu: çetat shqiptare edhe kur është fjala për mbrojtje, jo për mësymje, kërkojnë leje, nuk u jepet, binden e tërhiqen. Por çetnikët e Gjurishiqit nuk kërkojnë leje, sigurisht, për të djegun katunde shqiptare dhe për t’i masakrue banorët, domethënë se punojnë mbas qejfit të vet.
Përfundimi âsht se në zonën neutrale malaziasit janë má të mbrojtun se shqiptarët. Në mos u jepet mundësia shqiptarëve të mbrohen vetë, le t’i mbrojnë ata që e kanë për detyrë.
Dëshmi autentike të këtyre masakrave barbare gjinden edhe në dokumentet arkivore të shtetit shqiptar. Në Arkivin Qendror të Shtetit, Tiranë, në fondin arkivor të Partisë Fashiste Shqiptare të vitit 1943 (janar – korrik), gjendet dosja nr. 52, me 57 fletë, ku janë administruar dokumente të korrespondencës ndërmjet Drejtoratit të Partisë Fashiste Shqiptare, Mëkëmbësit të Përgjithshëm Jakomonit, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Federatës Fashiste të Shkodrës etj. mbi agresionin e çetnikëve malazezë të armatosur nga ushtria italiane kundër shqiptarëve në Veri, mbi fonogramin e sekretarit politik të Kastratit rreth përgatitjes së një mësymjeje të malazezëve në tokat shqiptare në Veri, mbi masakrën e Bihorit dhe mbi pushtimin e tokave shqiptare nga shovinistët jugosllavë, si dhe lista emërore të masakruarish nga shovinistët serbë më 1912, 1913, 1914 dhe shovinistët bullgarë nga 1912 – 1940.