Me shkas vizitën kulturore në Plavë, Guci dhe Rozhajë
Shumë këngëtarë, akademikë, piktorë, politikanë, regjisorë kosovarë që kanë krijuar një karrierë të njohur për publikun e gjerë shqiptar, vijnë nga Malësia e Madhe, apo nga ato treva të lëna tashmë mbi një shekull nën sovranitetin territorial të Malit të Zi.
Të gjithë kemi dëgjuar shumë këngë popullore për vendimin e cilësuar të padrejtë nga shqiptarët për verdiktet e Fuqive të Mëdha të asaj kohe për bashkëngjitjen e këtyre trojeve Malit të Zi. Emra të tillë janë me prejardhje nga fshatrat e Plavës, Gucisë, Rozhajës, Tuzit, Ulqinit etj., si Nikollë Nikprelaj, Mehmet Kraja, Isa Qosja, Albin Kurti, etj. Shumë prej nesh, për shkak të bregdetit dhe pushimeve verore, më parë shkojmë dhjetra herë në Ulqin sesa në Plavë, Guci e Rozhajë. Vetëm po t’i bie udha andejpari, për ndonjë qëllim shumë më të madh, se nuk i vizitojmë aq këto vende përrallore natyrore, duke përjashtuar banorët e rajonit të Dukagjinit, banorët e Shkodrës dhe të rrethinave, meqë gjeografia fizike i ndërlidhë më shumë këto pjesë të afërta kufitare me shqiptarët e Malit të Zi. Madje, shpesh na rastiste të takonim banorë të Rozhajës dhe vendeve të tjera të Malësisë së Madhe, të cilët kishin krijuar lidhje martesore me banorë të Pejës, apo të Shkodrës. Te banorët e atjeshit ishin ngjallur shumë shpresa se hapja e rrugës drejt Deçanit, do t’i ndërlidhte mjaft shumë dhe shpejt banorët shqiptarë të këtyre anëve me Kosovën, ashtu sikurse kishte ndikuar jashtëzakonisht mirë rruga e Plavës drejt Shkodrës. Por jeta ekonomike dhe sociale ishte e rënduar në këto anë. Shumica e banorëve të Plavës, Gucisë dhe Rozhajës, si dhe në përgjithësi shqiptarët e Malit të Zi, janë ngulitur herët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjatë stinës së verës, sikur mërgata që vjen rregullisht në Kosovë, po i mbushte rrugët e këtyre trevave, po ringjallte jetën ekonomike e kulturore. Banorët që takuam në Plavë, Guci e Rozhajë, ishin të dëshpëruar skajshëm me papunësinë dhe varfërinë enorme, por edhe me diskriminimin me baza etnike nga shteti malazez. Shumë prej tyre, tamam si në Kosovë, shpresat i kishin vetëm në dërgesat e mërgatës së tyre nga SHBA. Shumë prej banorëve shqiptarë edhe kishin mërguar jashtë vendit dhe ikjet po vazhdonin ditë për ditë. Po ashtu, nuk kishte ndonjë politikë më tërheqëse për vizitorët, pasi që në përgjithësi po e dominonin alpinistët, por jo në numrin e dëshiruar dhe jo në kohën e dëshiruar të qëndrimit të tyre sa për të konsumuar e blerë më shumë nga shitësit lokalë.
Si përjetohet vizita e parë në Plavë e Guci?!
Si shqiptar, qytezat e fshatrat e Plavës, Gucisë e Rozhajës, sapo të shihen me sy, mbushen me emocione dhe jo rastësisht apo jo?! Lidhja me to, është lidhje përmes folklorit, historisë, memories kolektive, padrejtësive historike, betejave e këngëve për to, ndjenjës së përkatësisë së përbashkët, asimilimit marramendës etnik etj. Vizita në Plavë e Guci përjetohet drithërueshëm dhe me afekt gëzimi e dhembjeje, pasi vjen edhe nga dëgjimi paraprak vetëm të këngëve me çiftelie nga rapsodët si Vëllezërit Qetaj, si kënga “Lufta e Hotit, Plava e Gucia”, apo këngën “Kthehuni” të Malësorit, dhimbjen e ikjes nga Malësia e Madhe, Tuzi, Krajë, Ulqini dhe apelit për t’u kthyer sërish në vendlindje; apo nga këngë të tilla si Nikollë Nikprelaj “Jam shqiptar, jam malësor”; apo këngë si Dava Gjergji “Moj Evropë”(kritikë radikale ndaj Evropës për copëtimin e tokave shqiptare); Jonuz Delaj me këngën “Nalt Plavë e Guci”… Vizita në Plavë e Guci, të duket sikur kthehemi në histori, nëpër shekuj, nëpër rrëfime tragjike të betejave të humbura. Pastaj, kur dëgjojmë si shqiptar i Kosovës, disa ankesa për të drejtat elementare të pakicave kombëtare, sikurse janë shqiptarët e Malit të Zi, që nuk marrin materialet e tyre në shqip në Kuvendet Komunale, që kanë probleme herë pas herë me përdorimin e flamurit kuq e zi, etj., të kujtojnë kohën e paraluftës. Takuam asamblistë shqiptarë edhe në Plavë, edhe në Guci, të cilët i shprehnin këto ankesa, e sidomos edhe zhgënjimet me liderët e Kosovës e të Shqipërisë, sakaq zhgënjimi ndaj këtyre të fundit ishte edhe më i lartë sesa ndaj vetë shtetit malazez. Po ashtu, ndarjen administrative të Plavës e Gucisë, sipas tyre, shteti malazez e bëri me qëllim zvogëlimin e banorëve shqiptarë në numër të madh brenda një territori a komune të përbashkët dhe përpjekja e Malit të Zi është vazhdimisht në fuqizimin edhe komunal të minoritetit serb, të gjitha këto me pasoja të këqija për faktorizimin e shqiptarëve në komuna. Ata nuk e kishin ndjenjën sikur ne për Gjukanoviqin, vetëm se është pro-perëndimor dhe anti-rus, se e ka njohur Kosovën dhe po shkon drejt NATO-s. Ata nuk e kishin këtë ndjenjë admirimi dhe shpesh na thonin këtë gjë: “Ju kosovarët e doni Gjukanoviqin, por e keni shumë gabim!” Pavarësisht shpjegimeve tona, ata ngulnin këmbë që Gjukanoviqi nuk është treguar dorëshlirë në të drejtat e pakicës kombëtare shqiptare, diskriminimi etnik vazhdon akoma dhe po ashtu ishin të pezmatuar me qasjen e shtetit malazes ndaj vrasjes së refugjatëve kosovarë gjatë luftës së fundit në Kosovë (18 prill 1999), kur njësitet serbo-malazeze kishin vrarë gjashtë shqiptarë nga rajoni i Dukagjinit në Husaj të Rozhajës dhe disa të tjerë në Bukel, Hajlë, Gil e Ballatiq, ku njëri prej tyre ishte fëmijë 13-vjeçar, një grua e shtyrë në moshë, dhe njëri prej tyre kishte mbijetuar si i plagosur, por që nuk iu kishin ofruar ndihmë mjekësore për 48 orë. Ndonëse ishte intervistuar mbi 40 herë ky i mbijetuar, gjykata në Malin e Zi akoma nuk e kishte ndarë drejtësinë për vrasjen e civilëve në territorin e tyre malazez. Ne takuam edhe të mbijetuarin dhe biseduam me të, por edhe takuam prindërit e trembëdhjet vjeçarit të vrarë. Madje bash për nder të vrasjes së këtyre refugjatëve kosovarë, ishte organizuar përvitshëm dhe sivjet ishte edicioni i tetë i manifestimit letrar “Ora e Maleve”, për të cilën isha i ftuar si poet.
“Ora e Maleve”
Në manifestimin “Ora e Maleve” nuk kishte vetëm poezi. Në shtëpinë e kulturës u hap ekspozita e grafistes kosovare, e ku më pas u prezantua edhe veprimtaria kinematografike e Isa Qosës (filmat e tij si “Prroka”, “Rojet e mjegullës”, “Kukumi” dhe “Tri dritare dhe një varje” u prezantuan shkurt për publikun në sallë), për të vazhduar me promovimin e një libri të Majlinda Nana-Rama nga Tepelana bashkë me studiuesin e njohur Nasho Jorgaqi nga Fieri. Dhe krejt në fund, u mbajtë edhe ora letrare “Ora e Maleve”. Të gjitha këto aktivitete u bënë ngjitur në kohë, por nuk humbi durimi i krejt publikut, pasi atje disi mungojnë mjaft shumë aktivitetet kulturore shqiptare, sakaq njerëzit bëjnë më shumë durim, sesa ta zëmë në Kosovë apo gjetiu. Atje kanë shumë mall për poezinë shqipe, këngën shqipe, fjalën shqipe. Një ditë para këtij manifestimi ishim edhe në Plavë, ku në Shtëpinë e Kulturës u mbajtë një manifestim me valle e këngë popullore shqiptare, me iniciativë të Shoqatës për Çamërinë nga Kosova, ku kishin sjellë në Plavë disa grupe të rinjësh e të rejash, grupe valltarësh e këngëtarësh popullorë nga Kaçaniku, shoqëruar edhe nga ansambli lokal shqiptar i valleve në Plavë. Ishte shumë emocionuese kur shihnit publikun teksa duartrokiste fuqishëm, me mall e dhembje. Aty prindërit kishin veshur me kostume e plisa shqiptarë fëmijët e tyre dhe i kishin sjellë në sallë. Ishte interesante se në mesin e flamujve që ishin bërë të njohur në Plavë dhe te shqiptarët në Malin e Zi, ishte edhe flamuri “Autochthonus” me portretin e Isa Boletinit dhe Ismail Qemalit, si dhe ishte qesharake imitimi i fluturimit të dronëve brenda në sallë sikur në ndeshjen e njohur me dronin në Beograd. Pra, kjo ngjarje kishte ndikuar edhe në shqiptarët e Malit të Zi. Në Plavë e Guci shumë shqiptarë po përcillnin edhe televizionin e Digalb-it, përmes satelitëve mbi kulmet e ballkonët e shtëpivë të tyre, ngjashëm sikur ishin të njohur këta satelitë në vitet e ’90-ta në Kosovë. Sa i përket orës letrare, me përjashtim të rëndësisë që ka për takimin në mes të shqiptarëve, ishte me poezi shumë të dobëta, me gjuhë patetike-nacionaliste, dhe shpesh orën letrare e mbysnin fjalët e disa poetëve nga trevat shqiptare gjithandej, duke përshëndetur e zgjatur pa nevojë para mikrofonit dhe duke mrizuar për bashkimin e trojeve shqiptare në mënyrë krejtësisht irrituese. Sidoqoftë, e rëndësishme ishte që po flitej shqip dhe po bëhej një vendtakim shqiptarësh! Pothuajse manifestime të tilla të lodhta në aspektin letrar dhe artistik, hasim gjithandej Kosovës, për nder të heronjve lokalë e kombëtarë, apo me shkase të tjera!Sidoqoftë, poeti Ali Daci nga Rozhaja dhe mësimdhënës në gjuhën shqipe meritonte mirënjohje për organizimin dhe energjinë e tij të pakursyer për ta mbajtur vazhdimisht gjallë manifestimin kulturor “Ora e maleve”!
Trashëgimia kulturore në Plavë e Guci
Në Plavë e Guci janë dominuese xhamitë dhe shumica e identifikojnë vetveten si boshnjakë, por nuk mungojnë kishat katolike e ortodokse pasi që ka edhe katolikë dhe ortodoksë, e veçanërisht këto të fundit më rrallë mund t’i gjeni brenda pjesëve qendrore të qytezave. Takuam shumë shqiptarë boshnjakfolës, pasi që të thonë se janë shqiptarë, por që nuk flasin shqip. Tregojnë se anëtarë të tjerë të familjes e njohin shqipen, por jo edhe vetë ata. Disa prej tyre, pra shqiptarë boshnjakfolës, ishin martuar me shqiptare, u kishin lënë emra shqip fëmijëve të tyre të lindur dhe ishin në mënyrë aktive duke u rikthyer në etnogjenezë. Njëri nga ta, me profesion doktor, madje kishte konkurruar sivjet si kandidat, në njërën nga partitë shqiptare, por ishte e vështirë edhe për të, nga presioni i rrethit social kur kishin dëgjuar se po identifikohej tash e tutje si shqiptar, ndonëse kuptonte mirë por nuk dinte të fliste shqipen. Me të, unë flisja anglisht dhe ishte përnjëmend emocion i trishtë të flisnim anglisht me një shqiptar! Plava, Gucia e Rozhaja janë të mbushura thuajse me shumicë dërmuese me xhami. Aty këtu gjeni ndonjë kishë ortodokse serbe a malazeze, por është mjaft e re, sikur e pamë një në Rozhajë dhe banorët e shihnin si ‘kishë politike’, ngase shumica dërmuese në këto qyteza ishin myslimanë, qofshin shqiptarë, boshnjakë, apo një kategori etnike e njohur si “malazezë myslimanë”, të cilët sipas shqiptarëve ishin shqiptarë që janë sllavizuar nga Mali i Zi, me qëllime të ndryshimit të demografisë shqiptare. Në ca fshatra janë të njohura edhe katolikët. Përveç trashëgimisë së pasur natyrore (liqejt, lumenjt, ‘syri i kaltër’, ujëvarat, majet e larta etj.), bukurisë së maleve me pisha të ruajtura relativisht mirë, ekziston një trashëgimi shumë tërheqëse kulturore-historike, e veçmas xhamitë dhe kullat. Disa nga xhamitë e njohura janë të ndërtuara me tulla e dru, janë të vogla si shtëpi, që ia shtojnë karakteristikat e veçanta arkitektonike. Po ashtu edhe kullat janë të njohura sidomos në Rozhajë e Plavë, të ndërtuara nga gurët dhe në çati e disa frëngji vrojtimi, përmes drurit.
Bashkëpunimi kulturor me shqiptarët në Malin e Zi
Kosova dhe Shqipëria si shtete duhet të ndryshojnë radikalisht qasjen ndaj bashkëpunimit kulturor me shqiptarët e Malit të Zi. Po ashtu, komunat e rajonit të Dukagjinit, si dhe bashkia e Shkodrës e më gjerë, duhet të nxisin edhe më shumë bashkëpunimin me shqiptarët e Malësisë së Madhe pasi ata janë shumë afër kufijve me Kosovën e Shqipërinë. Duhet të ketë edhe vajtje-ardhje të këngëtarëve shqiptarë të rrymave të ndryshme, pasi që takova të rinj shqiptarë shqipfolës e boshnjakfolës që e donin p.sh., mjaft shumë reperin Mc Kreshën dhe nuk e donin vetëm këngën tradicionale e popullore. Përmes këngëve të zhanreve të ndryshme, rep, hip-hop, pop, klasike, etj., lidhen me identitetin e tyre panshqiptar edhe gjeneratat e reja, që jo domosdoshmërisht e gjejnë vetveten vetëm në rapsodi. Në disa lokale dëgjonim edhe Bebe Rexhën… Ndjekja e televizioneve shqiptare të Kosovës e Shqipërisë, kishte efektet e mëdha në ruajtjen e identitetit shqiptar, duke përcjellur zhvillimet politike e kulturore të kësaj ane, por në përgjithësi, të vinte keq për një asimilim të thellë të shqiptarëve dhe pak prej tyre që flisnin shqipen. Aty shihnit dhembjet identitare nëpër fytyrat e tyre, por edhe rikthimin e disave në etnogjenezë dhe vështirësitë emocionale dhe sociale gjatë këtij procesi e rrugëtimi drejt rrënjëve!
Kosova Sot, 3 dhjetor 2016