Shkëputje gazetareske nga Rozhaja
Edhe Rozhaja frymon e flet shqip. Ky cep i tokës arbërore ndihet krenar se ruan vlerën e traditës e të kulturës shqiptare. Eveniment sa kulturor aq edhe bashkues nga gjithë hapësira shqiptare. Bashkoi krijues të artit e të kulturës tok, komunikuan me gjuhën e artit e të fjalës së bukur artistike, një festë e vërtetë ndërshqiptare. Manifestim ku jehoi fjala shqipe morën pjesë një numër i konsiderueshëm i personalieve të artit, shkencës, e fjalës së shkruar, nga Kosova, Shqipëria, Lugina e Preshevës, Maqedonia si dhe krijues nga të gjitha trevat shqiptare në Malin e Zi.
Sadije Aliti & Enver Bajrami
Rozhaja feston shqip aty valon flamuri kombëtar aty këndohet himni kombëtar, e tërë kjo falë Ali Dacit dhe shumë personaliteteve tjera dhe falë pushtetit vendor.Ky manifestim shënohet për çdo vit, kësaj here ishte viti i tetë, realizohet në shenjë nderimi dhe përkujtimi të martirëve të Kosovës të vrarë në Malësinë e Rozhajës me 28 Prill 1999 nga forcat policore-ushtarake e paramilitare serbe, në mesin e të cilëve kishte edhe gra e pleq. Eveniment që i ri ballë një bashkëpunimi e bashkimi të një kombi, gjuha jonë e bukur shqipe, figurat e historisë sonë të lavdishme, gjaku i të rënëve.
Edhe kësaj here Rozhaja hapi dyert e zemrës dhe shtroi sofrën e madhe për t’i mbledhur shqiptarët rreth një oxhaku, përmes artit t’i nderojmë martirët e rënë të kombit. Ky manifestim vërtet është shembull i mikpritjes ashtu siç ishin me shekuj traditat tona kombëtare. Shtrëngim duarsh me miq nga të gjitha trojet shqiptare personalitete të artit e kulturës. E ky eveniment kishte një kornizë ” Ora e maleve” në krye me drejtorin e manifestimit Ali Dacin.
Rrugë gjarpërore, që depërton në thellësinë e Alpeve shqiptare, rrugë e cila na çoi në Rozhajë, vend të cilin nuk e kisha vizituar asnjëherë më parë nga afër edhe pse shumë herë kisha kaluar andej pari. Kurioziteti ishte shumë i madh. Takuam njerëz me tipare mirësie, mikpritjeje e ngrohtësie.
Në Qendrën e Kulturës në Rozhajë,u hap ekspozita “Ekzistencë brenda kornizës” e piktores Dafina E.Maxharraj për të vazhduar me promovimin e librit të shkrimtares, studiueses, gazetares Majlinda Nana Rama. Recitim i vargjeve të krijuesve, për të vazhduar me një atmosferë festive gjatë darkës madhështore në hotel “Aldi” në Rozhajë, ku u pritëm rreth një sofre të madhe gjithë mysafirët shqiptarë dhe boshnjakë. Bisedat, kënga dhe vallja, na bashkuan në një. Ngrohtësia dhe mikpritja e organizatorëve, i bënë mysafirët të ndjehen si në shtëpitë e tyre.Gjatë këtij manifestimi u nderuam me çmime e “Mirënjohje”. Mirënjohja më e madhe u takon atyre që kontribuojnë për mbrojtjen e vlerave Kombëtarë në Rozhajë dhe në gjithë trevat shqiptarë në këtë pjesë të Malësisë. Mëngjesit morëm rrugën zig-zage për kthim, por me vete morëm edhe shumë kujtime të bukura nga natyra dhe nga Rozhaja.