Sot vjen në Tiranë nga Amerika ‘Vdekje dhe Dëbim – spastrimi etnik i myslimanëve osmanë, 1821-1922’ Pra, siç shihet, është fjala për periudhën e fundit të Perandorisë Osmane, rënien e saj, që u shoqërua nga luftra me theks nacionalist si pasojë e prishjes së një rendi të caktuar, duke kulmuar më pas me Luftën e Parë Botërore.
E veçanta e veprës është se nuk niset nga asnjë premisë me bazë emotive, siç mund të jetë feja apo nacionaliteti. McCarthy është një i krishterë dhe amerikan po ashtu. Por ai niset vetëm nga premisa shkencore në punën e tij, gjë të cilën e sqaron në parathënie, edhe sa i përket motivit të studimit të tij: “Ishte demografia ajo që më çoi drejt hulumutimit të spastrimit etnik të myslimanëve osmanë. Kur fillova studimet rreth demografisë së Perandorisë Osmane, zbulova, për habinë time, se askush nuk e dinte me të vërtetë se sa myslimanë kishte patur në kohërat osmane. Teksa përllogaritja shifrën e saktë të popullsisë së myslimanëve të Anadollit, zbulova një tjetër fakt që nuk ishte përfshirë kurrë në librat europianë dhe amerikanë të historisë: pothuajse 3 milion myslimanë kishin vdekur në luftrat gjatë periudhës nga viti 1912 deri në vitin 1922. Vendosa që të hulumtoj e të gjej se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë. Çfarë e kishte shkaktuar vdekjen e kaq shumë myslimanëve…” Nga ana tjetër, po duke iu referuar parathënies së librit, autori McCarthy përmend diku dhe viktimizimin jo pak dhe të të krishterëve në valën e luftrave me karakter nacionalist që çoi me pas dhe në spastrime etnike. E potencon këtë fakt kur është fjala për serbët dhe grekët e lëshuar frerësh: “’Vdekje dhe Dëbim’ katalogon vuajtjet e myslimanëve, por nuk duhet menduar se të krishterët nuk vuajtën. Kjo ishte veçanërisht e vërtetë në Shqipëri. Pushtuesit nga Mali i Zi dhe Serbia rrënuan si fshatrat e shqiptarëve myslimanë ashtu dhe ato të të krishterëve pa dallim. Greqia zaptoi trojet e shqiptarëve, pa marrë parasysh fenë e banorëve të tyre. Në një kohë që dhimbja ishte e gjithëmbarshme, është e pamundur të thuhet se kush vuajti më tepër, dhe as nuk ka dobi që të spekulohet lidhur më këtë çështje. Të gjithë shqiptarët u bënë viktima të katastrofës së kombit të tyre. Kështu shkruan pra autori në parathënien e librit të tij, e cila është një sintezë e përfundimeve nga hulumtimet e mëdha me bazë krejtësisht shkencore. Justin McCarthy është profesor i Historisë në Universitetin e Lousvilleit, historian pa dyshim, si dhe demograf, i cili i është kushtuar historisë së popujve të Ballkanit dhe të Lindjes së Mesme, me një sërë veprash studimore Promovimi i veprës studimore të Justin McCarthyit ‘Vdekje dhe Dëbim – spastrimi etnik i myslimanëve osmanë, 18211922’, do të bëhet të hënën në orën 11.00, në sallën ‘Balshaj’ të ambienteve të Hotel Tiranës. Ai do jetë prezent personalisht për të folur mbi këtë vepër.