Kumtesë në konferencën shkencore të 21.janarit 2017,kushtuar përvjetorit të 72 të vrasjës se Aqif Blytës e Ahmet Dacit,mbajtur në Prishtinë.
Fazli Hajrizi
Pas rënies së Kosovës nën okupimin serb (1918), u mbyllën të gjitha shkollat shqipe, që ishin hapur gjatë Luftës së Parë Botërore. Gjuha shqipe nuk lejohej që të mësohej nëpër shkolla të veçanta dhe në shkollat e tjera. Rruga e vetme për të përhapur gjuhën shqipe të shkruar në masat e popullit mbetej rruga ilegale me plot rreziqe. Gjuha e shkruar shqipe përhapej në fshehtësinë më të madhe në shtëpitë e patriotëve, në qendrat e fshehta larg syve të autoriteteve serbe. Propaganda serbe, si ajo turke më herët, përpiqej të bindte opinionin se shqiptarët janë pa identitet, pa histori, një popull me një gjuhë të varfër dhe të paaftë për të shprehur mendimet e thella, ndjenjat e holla artistike etj. Këto gënjeshtra e shpifje regjimi serb i përdorte për të “dëshmuar” se shqiptarët nuk mund të kenë shkolla në gjuhën amtare, se edhe gjuha e fesë islame e katolike nuk mund të ishte shqipja. Patriotët shqiptarë të këtij mjedisi, si: Hasan Prishtina, Dervish Mitrovica, Ibrahim Deva, Ferat Draga, Ibrahim Gjinaj e të tjerë, përmes shkresave e memorandumeve dërguar personaliteteve dhe instancave të larta evropiane e botërore, kërkonin shkolla kombëtare përmes të cilave do të arsimoheshin fëmijët shqiptarë, do të formohej ndërgjegjja kombëtare tek nxënësit.dhe përkundër dhunës e terrorit shtetëror, disa nga mësuesit tanë fetarë shfrytëzuan mejtepet në Mitrovicë (Zhabar, Smrekovnicë, Suhodoll, Koshtovë etj.), Vushtrri, Podujevë e Pazar të Ri për përhapjen e gjuhës shqipe. Ata i rrethonin nxënësit me kujdesin e dashurinë e tyre prindërore. Në këtë drejtim shquheshin edhe anëtarët e klubeve e patriot tjerë të kohës. Në mjediset ku i vijonin mësimet nxënësit shqiptarë, si në mejtepe dhe në shkolla serbe, ishte i ndaluar mësimi i gjuhës shqipe e i historisë kombëtare, kultivimi i traditave më të mira të popullit tonë si mjetet kryesore për edukimin patriotik të tyre, megjithatë, shpesh nëpër klasat përplot me nxënës, sado të përcjellë nga xhandarmëria serbe e spiunët e shtetit, buqiste kënga në gjuhën shqipe, jehonin vargjet që i recitonin djemtë e vajzat, duke dëshmuar kështu dashurinë për diturinë.
Sulmi i Gjermanisë ndaj Beogradit në prill të vitit 1941, solli dimensione të reja në jetën politike, ekonomike, arsimore etj. të shqiptarëve në Kosovë, në Maqedoni, Mal të Zi etj. Pas kapitullimit të Jugosllavisë, patriotët shqiptarë shfaqën tendenca të hapura kombëtare. Në fillim të majit të vitit 1941, shumë atdhetarët nga Kosova që jetonin në Tiranë, Krujë, Shkodër, Durrës, Fier etj., u kthyen në vendlindjet e tyre. Në Mitrovicë erdhën Bedri Pejani, kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës, Rexhep Mitrovica, ish ministër i Arsimit të Shqipërisë (1921-1924), Xhelal Mitrovicën, gazetar, Bedri Gjinaj etj.
Në Mitrovicë gjendja ishte shumë e rëndë. Gjermanët ishin të interesuar që, për shkak të “Trepçës”, të mbajnë për vete Prefekturën e Mitrovicës (Mitrovicën, Vushtrrinë, Podujevën dhe Pazarin e Ri. Ata nuk iu besonin serbëve dhe, duke ditur fare mirë se do të kishin ngatërresa me shqiptarët, pas bisedimeve të gjata, u detyruan ta njohin Prefekturën e Mitrovicës me nënprefekturat: Vushtrri, Podujevë e Pazar i Ri, si autonomi shqiptare brenda shtetit serb[1]. Më 21 prill 1941, në Mitrovicë u bë marrëveshja e përfaqësuesve shqiptarë me Divizionin 60 të këmbësorisë gjermani. Pikat kryesore të kësaj marrëveshje ishin: 1. Komanda gjermane informon prijësit shqiptarë mbi rënien e kapitullimin e Jugosllavisë dhe humbjen e fuqisë shtetërore të Serbisë. Gjermanët i ftojnë miqtë e tyre shqiptarë që të kujdesën për sigurimin e rregullin e qetësinë brenda kufijve përkatës të Divizionit 60 të këmbësorisë. Ata u garantuan shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur kryetarët e bashkive dhe për të formuar policinë shqiptare, e cila do të siguronte mbajtjen e rregullit dhe sigurisë; 2. Shqiptarët e kësaj pjese të Kosovës do të ndalojnë çfarëdo qoftë hakmarrje dhe vëllavrasje; 3. Për të mos ndodhur kurrfarë mosmarrëveshjesh, incidentesh me ushtrinë gjermane, shqiptarëve iu sugjerohet që t’i dorëzojnë armët; 4. Në marrëveshje me komandën gjermane, lejohej mbajtja e armëve me leje përkatëse të shkruar në gjuhën gjermane dhe shqipe; 5. Arrihet marrëveshja për largimin e kolonëve serbë e malazezë nga tokat dhe vendbanimet shqiptare të zaptuara padrejtësisht gjatë periudhës 1918-1941; 6. Si qendër për Qarkun caktohet Mitrovica dhe për çështje financiare bëhen përgjegjëse Bashkësitë; 7. Drejtësia garantohej të ushtrohej brenda bashkive, ku secila bashki duhej të ketë gjyqin e vet. Instanca më e lartë gjyqësore ishte caktuar Gjykata e Mitrovicës, si Prefekturë për tërë Qarkun (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë, Pazar i Ri)[2] etj.
Në vitin 1941, kur u bë bashkimi i Kosovës me trojet e tjera shqiptare me trungun e atdheut mëmë, u bë ndezja e ndjenjave atdhetare që kishin qenë nën zgjedhën e egër shkombëtarizuese serbomadhe. Edhe pse nën pushtimin gjerman, shqiptarët e Prefekturës së Mitrovicës (Vushtrri, Podujevë, Mitrovicë e Pazar i Ri) e shihnin, të thuash, të realizuar idealin madhor për bashkimin kombëtar dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare. Organet e pushtetit në prefekturën e Mitrovicës ngritën administratën shqiptare dhe u angazhuan me ngulmë për rimëkëmbjen e segmenteve të ndryshme të jetës në këtë hapësirë, ku vendin kryesor e zuri arsimi. Pra, detyra më pozitive në rrafshin kulturor kombëtar ishte ngritja e shkollave shqipe. Gjatë periudhës 1941-1944 u vunë gurë themeli në shkollën e arsimin shqip kudo në Kosovë, pra edhe në Mitrovicë.
Xhafer Deva ishte personaliteti më i rëndësishëm dhe më i popullarizuar në Prefekturën e Mitrovicës. Në këtë kohë dolën në pah edhe figura të tjera me ndikim, si: Osman Ibrahimi-Solidi, Shaban Mustafa-Gashi, Adem Voca, Pajazit Boletini, Asllan Boletini, Ferat e Ali Draga, Bedri Gjinaj etj. Prefekt i Mitrovicës u emërua Ago Agaj, të cilin pastaj e zëvendësoi Ibrahim Lutfiu. Më 21 prill u formua xhandarmëria shqiptare, e cila u vu nën komandën e kapiten Pajazit Boletinit. Në Prefekturën e Mitrovicës u vendos shkalla e lartë gjyqësore, u formua Pleqësia (Islihati), që kishte për qëllim të pajtonte familjet e gjakësuara dhe për të parandaluar ngatërresat që shpinin drejt vëllavrasjes, u hapën shkolla në gjuhën shqipe etj. Drejtësia garantohej të ushtrohej brenda bashkive, ku secila bashki duhet të ketë gjyqin e vet. Instanca më e lartë gjyqësore ishte caktuar Gjykata e Mitrovicës, si Prefekturë për tërë Qarkun (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë, Pazar i Ri)[3].
/vijon/