Komandanti Shaban Polluzha mbetet një nga figurat historike që bëri emër në emër të mbrojtjes së shqiptarëve dhe vendbanimeve të tyre në periferi të Kosovës, kur u rrezikuan nga sulmet e çetave të ndryshme serbe gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot është organizuar Akademi Përkujtimore për 72 vjetorin e rënies së komandantëve Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica.
Në këtë akademi të organizuar për nder të këtyre dy figurave historike, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova po kujton me nderimin më të lartë institucional komandantët Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica, si dhe do t’i nderojë gjithmonë të gjitha figurat që dhanë kontribut për lirinë e saj. Në mesin e pjesëmarrësëve, në nderim të veprës së Shaban Polluzhës për kontributin e tij me bashkëluftëtarë në mbrojtjen e Pazarit të Ri, ishte edhe delagacioni i Këshhilit Nacional Boshnjak në përbërje: Dr.Sulejman Uglanin kryetar i KNB, Ahmedin Shkrijel sekreatr i KNB, Shemsudin Kuçeviq, kryetar i komunës së Tutinit, Bajro Gegiq, deputet, Merfid Kameshniçanin dhe Mirza Hajdinoviq.
“Kanë kaluar tre çerekë shekulli që nga dita kur fundi i një Lufte Botërore po shënonte ngadhënjimin mbi të keqen në rrafshin global. Ngadhënjimi i botës demokratike mbi fashizmin dhe nazizmin ishte e arritur e madhe e njerëzimit. Përballë historisë, shqiptarët si komb, e themi me krenari dhe legjitimitet, ishin rreshtuar krahas popujve antifashistë”, u shpreh presidenti Thaçi.
Presidenti shtoi se shqiptarët e Kosovës, të cilët mezi u kishin shpëtuar planeve dhe projekteve politikës serbe për shkombëtarizim dhe dëbim ndërmjet dy luftërave botërore, kishin shpresë se nga kjo radhitje do të realizonin të drejtën për vendosur vetë për fatin e tyre.
Por, fatkeqësisht, sipas presidentit Thaçi, realiteti ishte më shumë se zhgënjyes.
“Pavarësisht këtij orientimi, kreu jugosllav e kishte para programuar qëndrimin kundër shqiptarëve. Asnjë zotim nuk do të mbahej. Asnjë parim nuk do të zbatohej. Asnjë padrejtësi nuk do të korrigjohej. Më 8 shkurt 1945, kreu politik jugosllav e vuri nën masa të jashtëzakonshme Kosovën në të ashtuquajturin administrim ushtarak”, tha presidenti Thaçi.
Presidenti Thaçi tha se “administrimi ushtarak” ishte një nga akt–dokumentet më antishqiptare që ka prodhuar politika e Beogradit.
“Ky administrim i hapte rrugë terrorit, vrasjeve dhe likuidimeve të gjithë atyre që do ta pengonin ripushtimin e Kosovës edhe de facto edhe de jure. Përmes kësaj të drejte për të bërë krime, filluan likuidimet e personaliteteve me integritet kombëtar, vrasjet e krerëve të familjeve shqiptare, burgosjet, djegia e pasurisë dhe shkatërrimet sistematike”, theksoi ai, përcjell “Zeri.info”.
Përballë një realiteti të tillë, presidenti Thaçi tha se komandanti i shquar, Shaban Polluzha, ndonëse i shtyrë në moshë, mori vendimin e drejtë dhe me bashkëluftëtarët e tij vendosën që ta ndajnë fatin me popullin e tyre edhe jasht kufijve të Kosovës.
“Shaban Polluzha kishte përvojë luftarake dhe përjetime jetësore nga më të ndryshmet. Që në rini kishte përjetuar pikëtakimin e kufijve të perandorisë austro-hungareze dhe mbretërisë bullgare në tokat e vendlindjes së tij. Kishte përjetuar burgosje dhe padrejtësi të pareshtura që i bëheshin familjes së tij dhe gjithë bashkëkombësve. Por, periudha më e rëndë, më e gjatë dhe gjithmonë e errët ishte ajo e sundimit të Serbisë, pavarësisht a ishte nën ombrellën e mbretërisë jugosllave, me emër të njërit ose tjetrit regjim”, u shpreh presidenti Thaçi.
Komandanti Shaban Polluzha mbetet një nga figurat historike që bëri emër në emër të mbrojtjes së shqiptarëve dhe vendbanimeve të tyre shqiptare në periferi të Kosovës, kur u rrezikuan nga sulmet e çetave të ndryshme serbe gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kur doli hapur strategjia e ripushtimit të Kosovës në mbarim të luftës së Dytë Botërore, presidenti Thaçi tha se komandantit Shaban Polluzha iu bashkua edhe një luftëtar tjetër antikomunist, Mehmet Gradica.
“Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica u bënë një binom i rezistencës së parë, i kryengritjes së parë antikomuniste në Evropën Juglindore. Ishin dy personalitete të moshave të ndryshme. Por i bashkoi fati i njëjtë, radhitja nga ana e popullit të pambrojtur. Dhe për mbrojtjen e tij, ata nuk kursyen asgjë”, u shpreh presidenti Thaçi.
Presidenti Thaçi theksoi se tri dukuri përcjellëse të historisë tragjike të Kosovës dolën në shesh edhe në fund të asaj lufte:
1. Rezistenca e përhershme kundër sundimit të dhunshëm të Kosovës, pavarësisht kontekstit jo të favorshëm global;
2. Amaneti i luftëtarit tradicional shqiptar për të mos i rënë trupi në duar të armikut, njëjtë si dikur Azem Galica;
3. Qëndresa përballë artilerisë serbe në kullat shqiptare, njëjtë si më vonë Tahir Meha, Afrim Zhitia, Rexhep Mala dhe komandanti legjendar Adem Jashari.
“Vetëdija historike e shqiptarëve të Kosovës, në kontekste të ndryshme, ka qenë udhërrëfyes i pagabueshëm për realizimin e synimit shekullor”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ai shtoi se në këtë rrugë kanë qenë dy linja që kanë mbajtur frymën e atdhedashurisë dhe të domosdoshmërisë për organizim çlirimtar.
“Linja ushtarake, që nga Lidhja e Prizrenit, që nga kryengritjet kaçake të Azem Bejtës, Shaban Polluzhës, deri tek rënia legjendare e komandantit Adem Jashari, si dhe linja politike, që nga rilindësit, që nga ideatori i pavarësisë së Shqipërisë, Hasan Prishtina, deri te simboli i pathyeshëm rezistencës Adem Demaçi. Këto dy linja si asnjëherë më parë u sintetizuan në projektin politiko-ushtarak të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, theksoi presidenti Thaçi.
Brenda kontekstit të ri historik, presidenti Thaçi shtoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e vlerësuar si guerilja më e suksesshme e shekullit njëzet, arriti ta realizojë ëndrrën e shumë e shumë gjeneratave, çlirimin e Kosovës.
“Kjo e arritur nuk do të bëhej pa vizionin politik, pa bashkëpunimin me faktorin ndërkombëtar, pa përkrahjen e botës demokratike, pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pa shtetet e BE-së dhe mbështetjen e NATO-s”, u shpreh ai.
Thaçi theksoi se një prej vlerave themelore të shtetit tonë të ri është mbrojtja institucionale e kategorive të dala nga lufta, e veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmoreve.
Sado e dëmtuar nga plagët e së kaluarës, duke mos e harruar të shkuarën, presidenti Thaçi tha se Kosova e ka të qartë orientimin e saj drejt së ardhmes si vend paqësor me fqinjët dhe rajonin, me orientim të pashmangshëm drejt vlerave euroatlantike dhe me synim të qartë për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB.
“Kosova si vend i lirë dhe demokratik është e gatshme të reflektojë vlera universale të paqes, humanizmit dhe pajtimit”, u shpreh presidenti Thaçi.
Komandantët Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica ishin vrarë nga ushtria jugosllave më 21 shkurt 1945.
Ndërsa Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në akademinë përkujtimore për 72 vjetorin e rënies së Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës, ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës e përfundoi luftën që e nisi Polluzha me bashkëluftëtarët.
Në këtë akademi, Veseli gjatë fjalimit të tij ndër të tjerash ka thënë se Kosova tani ka një të ardhme të sigurt, ashtu siç nuk e ka pasur kurrë gjatë historisë.
“Në asnjë vend të Kosovës nuk ka mbetur pa u përmendur pushka e lufta e Shaban Polluzhës. Ne e vazhduam luftën që e nisi Shaban Polluzha, por krijuam aleatë ndërkombëtarë kundër komunizmit jugosllav. Tani 72 vjet pas vdekjes së Shaban Polluzhës, Kosova është shumë më ndryshe. Si asnjëherë tjetër gjatë historisë, Kosova është e sigurt në fatin e vet”.