Përkundër ekzistimit të kufijve të tanishëm shtetëror, ka zgjidhje të mjaftueshme që Sanxhakut t’i mundësohet një identitet territorial, kurse për këtë flasin shembuj kudo në Evropë, si në rastin e Euro-regjionit të Tirolit.
Ridvan Emini
Ditë më parë lideri i boshnjakëve të Sanxhakut, Sulejman Ugljanin, deklaroi haptazi se Sanxhaku, ka atributet e nevojshme të shtetit, kurse popullsia e tij është deklaruar disa herë që të qeveriset vetë. Kur e ka thënë këtë lideri boshnjak Ugljanin, ka aluduar në disa ngjarje të së kaluarës si ajo e vitit 1943, ku në kuadër të Sanxhakut, vepronte Këshilli anti-fashist, i cili njihej nga Partia Komuniste Jugosllave, si i barabartë me këshillat e tjerë të tillë të organizuar në vise të tjera, në kuadër të njësive që më vonë do të organizohen si Republika dhe Krahina, gjithashtu Ugljanin kishte parasysh edhe Referendumin e vitit 1991, ku banorët e Sanxhakut, u deklaruan për një Sanxhak të bashkuar autonom. Deklarimi i Ugljaninit, vjen pas një procesi relativisht të heshtur, por i vazhdueshëm që vjen si produkt i aspiratave nga qarqe politike me qendër në Novi Pazar. Viteve të fundit spikatet një organizim më i vendosur i jetës politike në Sanxhak, gjë që është reflektuar në raporte me Beogradin zyrtarë, jo vetëm në kuadër të politikës institucionale që zhvillon pushteti lokal në komuna, por edhe me organizimin e Bashkësisë Islame të veçantë në Sanxhak, jashtë autoritetit të asaj në Beograd. Në anën tjetër, organizimet e shoqërisë civile kanë prodhuar disa manifestime të cilat tregojnë qartë avancimin e vetëdijesimit për një identitet të veçantë të Sanxhakut, e ku bënë pjesë marshimi i personave të uniformuar në Novi Pazar, promovimi i simboleve të Sanxhakut, kurse gjithashtu vërehet një angazhim më i shtuar në paraqitjen mediatike të këtyre aspiratave, veçanërisht në internet.
Një sensibilizim i mundshëm i çështjes së Sanxhakut, ngrit shumë dilema, ngase regjioni sot gjendet në një pozitë shumë specifike edhe për faktin se është i ndarë në dysh, ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi. Përderisa në Mal të Zi, duket se ka një integrim më të qartë në jetën politike të shtetit, në Serbi kjo çështje është e hapur, për kundër faktit se politikan kyç nga Sanxhaku kanë qenë jo rrallë herë të përfshirë e madje edhe me poste ministrore në qeverinë e Serbisë. Në Mal të Zi, aspiratat politike të boshnjakëve, janë qetësuar sidokudo, në disa riaranzhime territoriale të komunave, respektivisht në formimin e komunës së Bihorit. Kurse në Serbi, kufijtë komunal janë po ata të trashëguar nga vitet e ’70-ta, por që si të tillë në përjashtim të tre komunave, nuk lënë shumë hapësirë për veprim politik të përfaqësueseve të Sanxhakut.
Lidhur me zhvillimet e tanishme politike, por edhe me shumë çështje të tjera lidhur me Sanxhakun, të kaluarën, të sotmen apo edhe mundësitë për të ardhmen, kontaktuam politologun z.Mentor Tahiri, i cili njëherazi është njohës i mirë i çështjeve etnike, jo vetëm në kontekstin politik por edhe në atë historik. Sipas tij, tabloja politike e Sanxhakut, është ende e pa shpalosur, kurse ajo që shohim tani përmes manifestimeve më shumë simbolike, por edhe deklarimeve politike, flet për potencialin e këtyre angazhimeve në të ardhmen, ngase është e qartë se për Sanxhakun, janë të huaj si Beogradi po ashtu edhe Podgorica. Lidhur me këtë ai thekson: “Sanxhaku, nuk është thjeshtë një regjion me veçanti etnike e kulturore, për shkak të përbërjes së tij demografike, por është një regjion me identitet të veçantë, i cili ka bazën e tij historike. Sot, regjioni është i ndarë mes Serbisë dhe Malit të Zi, dhe një kohë të gjatë është menduar ajo nga vetë përfaqësues politik në Novi Pazar, se ky fakt e bënë situatën të pa shpresë. Por, një trajtim më kompetent i situatës fletë se edhe përkundër ekzistimit të kufijve të tanishëm shtetëror, ka zgjidhje të mjaftueshme që Sanxhakut ti mundësohet një identitet territorial, kurse për këtë flasin shembuj kudo në Evropë, si në rastin e aranzhimeve për Tirolin. Tiroli, por jo vetëm ai, si forma të bashkëpunimit tej-kufitar, në kuadër të asaj që njohim si organizime të euro-regjioneve, tregojnë se avancimet për regjione të caktuara, dhe grupe specifike etnike, jo vetëm që nuk rrezikojnë status-quon aktuale të kufijve shtetëror në Evropë, por madje e plotësojnë gjeografinë evropiane, me atë që e promovon vetë fryma e evropianizimit politik-ekonomik të kontinentit, pasi që sforcon bashkëpunimet dhe largon barrierat e krijuara nga kufijtë”.
Në pyetje e gazetës “Bota Sot”, se a ka bazë historike, për ekzistimin e një njësie të veçantë territoriale të Sanxhakut dhe nëse po, si mund të jetësohet kjo, z.Mentor Tahiri, përgjigjet si vijon: “Nëse shikojmë hartën e sotme politike të Evropës Juglindore, shohim se shumë prej njësive të sotme territoriale mund edhe të mos kenë fare bazë historike, së paku jo në kontekstin territorial që kanë sot. Por, Sanxhaku jo vetëm që ka një veçanti të tillë etnike-kulturore, por ka së paku 200 vite ekzistimi si organizim territorial administrativ, fillimisht në kuadër të Vilajetit të Bosnjës deri në vitin 1878, e pastaj edhe në kuadër të Kosovës. Në të dy rastet, njësia territoriale që kishte për qendër Novi Pazarin, ishte e organizuar në nivelin e shkallës më të lartë të organizimit administrativ, në nivel Sanxhaku. Madje ky, kalim nga Vilajeti i Bosnjës në atë të Kosovës, e ka formësuar shtesë edhe vetë brumin etnik të popullsisë që jeton atje. Është ky një fakt, të cilin nuk e mohon gati askush në Sanxhak, dhe kjo simbiozë boshnjako-shqiptare, e çimenton identitetin e veçantë të Sanxhakut, në raport me shtetet në kuadër të të cilave është i ndarë sot. Sanxhaku, trajtohej si territor i veçantë edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kurse fakti se atij iu mohua identiteti territorial i shkëputur nga Serbia dhe Mali i Zi, vjen si pasojë e ndikimit të fuqishëm që kishte lobi i Rankoviqit, në kuadër të regjimit jugosllav të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore. Për gjysmë shekulli, çdo debat lidhur me Sanxhakun, ngulfatej nga diktatura e shtetit të dikurshëm, me seli në Beograd. Por, janë pikërisht faktet historike, të cilat flasin fuqishëm se para ndërhyrjes së lobit të Rankoviqit, kishte plane ndryshe për organizimin e Sanxhakut, në momentin kur gjermanët dhe italianët tërhiqeshin nga Ballkani. Një nga figurat kyçe të kohës, kishte dalë me një propozim shumë konkret të organizimit të Republikës së bashkuar të Kosovës dhe Sanxhakut. Ky propozim, vinte prej njërit prej bashkëpunëtorëve më të afërt të liderit komunist jugosllav Tito, Mosha Pijade, politikani i kohës me përkatësi etnike hebreje. Vetë konceptimi i Sanxhakut në kuadër të një republike me Kosovën, është tregues i njohjes së veçantisë identitare të Sanxhakut të krijuar nga simbioza boshnjako-shqiptare, në ato troje. Sidoqoftë, ajo kur sot duhet përqendruar përfaqësuesit politik të Sanxhakut, është e ardhmja e këtij regjioni dhe këtu nevojitet një promovim i mençur dhe i kujdesshëm i kësaj vazhdimësie territoriale që Sanxhaku e ka. Nuk ka shumë rëndësi se si do të reflektohej simbioza boshnjako-shqiptare e përmendur me deklarimin e përkatësisë etnike të banorëve atje, por ka rëndësi që për ta, të krijohen kushte më të mira jo thjeshtë të jetesës, por edhe të promovimit dhe të ushtrimit sa më të pavarur të vlerave që kanë. Nuk duhet harruar se një kohë të gjatë, politika e të kaluarës është munduar të tregoj një situatë të paqenë të gjoja ekzistimit të një identiteti thjeshtë religjioz në ato troje. Kjo një kohë të gjatë ishte edhe karta me të cilën luhej edhe kur bëhej fjalë për shqiptarët kudo në Jugosllavi. Kurse, ajo që sot mund të jetë rrezik në vete, është inskenimi i debateve të sforcuara të cilat mund të sjellin deri te përplasja e pa nevojshme të koncepteve të ndara boshnjake dhe shqiptare në Sanxhak. Sot, elemente të tilla vërehet sidomos në Mal të Zi, ku pushteti qendror, për nevoja të tij, po krijon një bazë armiqësie ndërmjet boshnjakëve dhe shqiptarëve, gjë që e shohim sidomos në Plavë dhe Guci. Pra, çështja e Sanxhakut, zgjidhet vetëm në dy relacione, në atë të zgjidhjes politike ndërmjet Novi Pazarit dhe Beogradit dhe të Novi Pazarit me Podgoricën, të dy këto kryeqytete pavarësisht se çfarë prodhojnë politikat e sotme të mohimit të vazhdueshëm të Sanxhakut, nuk mund përjetësisht të injorojnë kërkesat të cilat pa shmangshëm vijnë në shprehje, krahas me nivelin e organizimit politik të Sanxhakut.”
Gazeta “Bota Sot”, intensivisht do të përcjellë ngjarjet politike në Sanxhak, dhe lidhur me këtë në ditët në vijim do të publikohen prononcime nga njohës të rrethanave atje.